Zija Vukaj/
(Simbologji)
Nga të gjitha ngjyrat, e kuqja është ajo që sipas statistikave, preferohet prej pjesës më të madhe të njerëzve. Nën formën e oksidit të hekurit ka shoqëruar udhëtimin e njerëzimit që nga prehistoria dhe është e dukshme në dëshmitë shkëmbore të epokës së akullnajave. Neandertalasit e kishin zakon të spërkatnin të vdekurit me materiale me ngjyrë të kuqe, me sa duket për t’u kthyer atyre ngjyrën e “ngrohtë” të gjakut të jetës. Në përgjithësi e kuqja shihet si një ngjyrë agresive, vitale, e pasur me energji; ajo është e lidhur me zjarrin dhe me dashurinë, por edhe me luftën për jetën. Mbi karakteret e mbyllura e melankolike, ka, sipas traditës, një efekt turbullues dhe shtypës. Në simbologjinë e vërtetë e të pastër e kuqja paraqitet në interpretime të shumta, mjaft të ndryshme nga njëra- tjetra. Në Egjiptin e lashtë kishte kuptim pozitiv vetëm kur tregonte “kurorën e kuqe” të Egjiptit të Poshtëm me deltën e tij të Nilit. Por e kuqja vihej në lidhje të drejtpërdrejtë me zotin e keq Sutech (Seth- Σήθ, Sḕth) dhe me zotin po aq të keq Apofi (Apophis), gjarpri. Nëpër papiruse emrat e tyre ishin shkruar me të kuqe dhe kafshët e kuqe, si disa tipa qensh të përhapur asokohe në Egjipt, mbaheshin zakonisht larg komunitetit, pasi ngjyra e tyre lidhej me idenë e dhunës dhe të agresivitetit.
Në artin parakolumbian të Meksikës së lashtë e kuqja përdorej shumë rrallë dhe lidhej kryesisht me gjakun, me diellin, me zjarrin dhe me paraqitjen e mëlçisë. Tek Majat konsiderohej si simbol i Lindjes, ndërsa tek banorët e rrafshnaltës së Meksikës së lashtë, si simbol i Jugut. Kështu edhe në Kinën e lashtë, ku e kuqja (hung) ishte ngjyrë e shenjtë dhe jetësore e dinastisë Chou (1050- 256 p.k)- një rrethanë që shëmbëllen flamujt e kuq të Kinës komuniste. E kuqja ishte edhe ngjyra e perëndisë së lumturisë, që përcakton pasurinë e njerëzve. Nëse në Evropë kombinimi i së kuqes me të gjelbrën ka një domethënje të ashpër dhe agresive, në Kinë kjo shprehte thjesht vitalitetin në lidhje, për shembull, me “çorape të gjelbra e fund të kuq” të grave të reja apo me drita të kuqe e rrush jeshil të tavernave. Burrat “e kuq”, për kinezët ishin bashkëshortë të goditur rëndë nga jeta bashkëshortore, sugurisht të destinuar nga vdekja e parakohshme.
Në artin kristian tradicional e kuqja ishte ngjyra e gjakut të sakrifikuar të Krishtit dhe të martirëve, të dashurisë së zjarrtë (e kuqe ishte veshja e Gjonit, e preferuara e apostujve) dhe e flakës së rrëshajës së Shpirtit të Shenjtë. “E kuqja kardinaleske” tregon se ai që e mban këtë veshje duhet të jetë gjithmonë i gatshëm të derdhë gjakun e tij për mbrojtjen e Kishës. Por edhe prostitutat e përdornin një ngjyrë të tillë në veshjet e tyre dhe shpesh idhujt paganë ishin pikturuar me të kuqe. Veç kësaj, kujtojmë se në “Apokalipsin e Gjonit”, “prostituta e madhe Babilonia” nëna e prostitutave dhe e çdo mizorie tokësore, ishte veshur “me purpur dhe me të kuqe flakë”; ajo kalëronte një përbindësh me shtatë krerë, “një kafshë të kuqe me vese të tmerrshme”. E kuqja u bë pastaj ngjyra e ferrit, e djallit dhe e kafshëve të “dyshimta”, që tradita i ka lidhur me botën e skëterrës (dhelpra dhe ketra). Por e kuqja qe interpretuar në kuptim të lartë pozitiv ku tregonte fitoren e dashurisë, si në paraqitjet artistike që kanë për objekt Krijuesin apo Krishtin e ringjallur. Në veshjet e shenjta, e kuqja është ngjyra që vishet në celebrimet e martirëve, të Shpirtit të Shenjtë e të Pasionit.
Sidoqoftë, në simbologjinë popullore e kuqja ka mbetur ngjyra e dashurisë, shpesh e lidhur me lulet, mes të cilave me trëndafilin apo edhe me zemërimin. Natën dritat e kuqe tregojnë intimitet, prostitucion dhe mes sinjaleve rrugore e kuqja merr përgjithësisht kuptimin “stop” ose tregon praninë e një rreziku. Në korrida e kuqja ka funksionin të eksitojë demin, megjithëse kafsha në realitet irritohet nga lëvizjet vorbulluese të muletës më shumë se nga ngjyra e saj.
Në alkimi e kuqja bashkë me të bardhën përbën një sistem dualistik dhe simbolizon parimin e zanafillës së squfurit (sulphur et merkurius), “flakëruesi”. Ky polaritet mund të varet nga opinion i lashtë që kur gjaku menstrual takohet me spermën, mund të lindë një jetë e re: për këtë shkak dy ngjyrat e sipërpërmendura bëhen simboli i krijimit.
Tek Masonët e kuqja tregon gradën e epërme të “ritit skocez” dhe i kundërvihet të kaltrës së Masonerisë së re me tri gradët klasike: nxënës, rishtar, mjeshtër. Në psikologjinë e thellësisë e kuqja, kur shfaqet në ëndrra, ka të bëjë me sferën e emocioneve. “Aty ku e kuqja përhap ngjyrën e saj, shpirti është gati për veprim, për pushtim, për vuajtje, për kushtim total; por tregon edhe shtypje dhe jep një lidhje të privilegjuar me sferën e ndjenjave”