Nga Qerim Lita/
Emigracioni politik shqiptar, i vendosur në shtetet e Evropës Perëndimore, SHBA dhe në Turqi, pas Luftës së Dytë Botërore pati një rol të rëndësishëm në ndërkombëtarizimin e çështjes së pazgjidhur shqiptare nën pushtimin e Jugosllavisë komuniste. Shërbimi sekret jugosllav, nëpërmjet rrjetit të vet mirë të organizuar të agjenturës, që shtrihej thuajse në të gjitha shtetet e sipërpërmendura, e përcillte me vëmendje çdo lëvizje ose aktivitet të organizatave të emigracionit politik nga federata e atëhershme jugosllave, në radhë të parë të organizatave shqiptare e kroate. Në prill të vitit 1973 shërbimi sekret maqedonas nëpërmjet një informate rreptësishtë të besueshme, e njoftonte kryesinë e KQ të LKM-së, për aktivitetin e organizatave politike të emigracionit shqiptar e atij maqedonas në fillim të viteve shtatëdhjeta të shekullit të kaluar, pastaj për rolin e disa personaliteteve të atëhershme më me ndikim shqiptar, siç ishin Princi Leka I, Xhafer Deva, Mentor Qoku etj. Dokumenti gjendet në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë, fondi 427, ndërsa me këtë rast po e publikojmë pjesën e dokumentit në të cilën përshkruhet aktiviteti i emigracionit politik shqiptar.
Rreptësishtë e besuar, Shkup, prill 1973
Ngjarjet e njohura në vend dhe jashtë në vitet e fundit (veçmas në vitet 1971-1972) të cilat drejtpërsëdrejti lidheshin me aksionet ekstreme të emigracionit armiqësor jugosllav, bukur mirë e kualifikojnë aktivitetin e emigracionit dhe rolin e saj që disa faktor të caktuar të Perëndimit gjithmonë ua caktojnë, varësisht nga marrëdhëniet konkrete momentale ndërkombëtare. Emigracioni politik jugosllav sipas përbërjes, strukturës, organizimit të vet, si dhe platformës dhe metodës politike të të vepruarit si tërësi, është shumë heterogjen. Mirëpo, ai është unik kur bëhet fjalë për marrëdhëniet ndaj RSFJ-së, sepse aktiviteti i tij është antikomunist dhe anti-jugosllav, i angazhuar në copëtimin e RSFJ-së, të sistemit të saj politiko-shoqëror. Në kuadër të aktiviteteve të emigracionit jugosllav një rol të caktuar i është dhënë edhe emigracionit politik maqedonas dhe atij shqiptar.
Emigracioni shqiptar /Pjesa armiqësore e emigracionit shqiptar në vitet e fundit zhvillon aktivitete më intensive për konsolidimin politik e organizativ dhe për kryerjen e veprimtarisë propaganduese e subversive kundër RSFJ-së dhe RP të Shqipërisë. Në këtë plan janë evidente edhe disa përpjekje për bashkëpunim me organizatat ekstreme ustashe dhe bullgare, për mbështetje reciproke dhe ndërmarrje të aktiviteteve konkrete. Janë prezente edhe përpjekjet për përfshirjen e të shpërngulurve dhe qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme jashtë dhe shfrytëzimin e tyre për përcjelljen e aktiviteteve në vend. Krahas emigracionit të paraluftës e të pasluftës nga RP e Shqipërisë, në Perëndim gjenden rreth 4.000 emigrantë shqiptarë me prejardhje nga RSM-ja, prej të cilëve për 699 disponohet me të dhëna për aktivitete armiqësore para emigrimit. Numri më i madh i tyre janë në RFGJ (Republika Federale e Gjermanisë – Q.L.), Francë, Itali, Belgjikë, Turqi dhe SHBA. Grupe të caktuara të emigracionit ndërmarrin aktivitete më të gjëra për t’u freskuar me anëtarë të rinj nga mesi i të shpërngulurve pas luftës dhe nga punëtorët me punë të përkohshme. Në këtë periudhë nëpërmjet të ashtuquajturit komiteti i të shpërngulurve në Romë, Vjenë dhe në vende tjera, në SHBA janë shpërngulur 1.000 shqiptarë nga RSM-ja, ekzistenca e mëtejshme e të cilëve është e kushtëzuar me përfshirjen në aktivitete të emigracionit, ndërsa ndikimi propagandues kryhet edhe ndaj krahut tonë punëtor në diasporë, ku gjenden rreth 12.000 persona të kombësisë shqiptare.
Përkundër asaj se disa organizata të caktuara kanë dispozitat e veta programore, platforma e tyre e përbashkët politike është realizimi i bashkimit kombëtar e territorial nëpërmjet krijimit të “Shqipërisë së Madhe”, që do t’i përfshijë të gjitha viset të banuara me shqiptarë: RP e Shqipërisë, Epiri (bëhet fjalë për Çamërinë – Q.L), Kosova dhe pjesë nga Maqedonia Perëndimore. Një platformë të tillë e përhapin udhëheqjet qendrore të organizatave shqiptare në diasporë, selitë e të cilave gjenden në Nju-Jork, Romë dhe Paris, ndërsa e mbështesin edhe drejtuesit e degëve të shteteve evropiane. Orientimi politik deri para pak kohësh drejtohej nga “Komiteti Kombëtar Pan-shqiptar” në Nju-Jork, në të cilin merrnin pjesë përfaqësues të deleguar nga organizatat përkatëse. Edhe pse nga viti 1971 ky komitet nuk funksionon për shkak të ndërprerjes së mjeteve financiare nga rrethe të caktuara reaksionare në Perëndim, përsëri përfaqësuesit e tyre ende marrin pjesë thuajse në të gjitha aktivitetet.
Roli i princit Leka Zogu I /Rolin e Komitetit në kohë të fundit gjithnjë e më tepër po e merr princi Lekë Zogu I dhe personalitete të tjera nga “Legaliteti”, “Lidhja e Prizrenit” dhe “Blloku Kombëtar Indipedent”, të cilët ngrenë iniciativa për tejkalimin e patolerancës ekzistuese dhe antagonizmat personale, me qëllim të bashkimit të emigracionit shqiptar në “Botën e Lirë” dhe pranimin e një platforme të vetme për veprimtari armiqësore. Për këtë qëllim nën udhëheqjen e Lekë Zogut, më 2-4 korrik të vitit 1972 në Madrid qe mbajtur tubim i përgjithshëm në të cilin morën pjesë përfaqësues të 9 organizatave më me peshë të emigracionit shqiptar. Edhe pse në të u shfaqën mospajtime të dukshme, tubimi solli një dokument programor për zgjerimin e aktiviteteve armiqësore ndaj RSFJ-së dhe RPSH-së (Republikës Popullore të Shqipërisë – Q.L.), të cilin e nënshkruan përfaqësuesit e 7 organizatave. Aty qe zgjedhur “Komiteti përgatitor” prej 9 anëtarëve në krye me Dr. Xhafer Devën (kryetar i KQ të “Lidhjes së Prizrenit”), i cili do t’i koordinonte dhe bashkonte aktivitetet e organizatave nënshkruese të “Marrëveshjes” deri në mbledhjen e ardhshme në Nju-Jork, e cila u mbajt më 23-26 nëntor 1972, ku gjithashtu nuk u arritën rezultatet e pritura në planin e bashkimit dhe krijimit të unitetit. Iniciativat më të reja kanë për qëllim ta përforcojnë aktivitetin ndaj RPSH-së dhe shtetit tonë (jugosllav – Q.L) në planin politiko-propagandues dhe subversiv në mesin e emigracionit dhe qytetarëve tanë të kombësisë shqiptare me punë të përkohshme në diasporë, ndërsa nëpërmjet tyre të zgjerohet edhe këtu te ne. Konkluzionet e tubimeve të përgjithshme dhe të udhëheqjeve qendrore ndikuan edhe te udhëheqjet regjionale dhe ato lokale në shtetet evropiane, të cilat mbajnë tubime më të shpeshta, ndërsa në ta marrin pjesë edhe persona nga RS e Maqedonisë (emigrantë dhe disa me punë të përkohshme). Aktivitete më të shprehura kundër shtetit tonë (RSM dhe KAS Kosovës) zhvillojnë disa degë të emigracionit shqiptar në RFGJ, Belgjikë, Francë, Itali dhe Turqi. Emigrantë dhe individë me punë të përkohshme nga RSM janë anëtarë dhe tregojnë aktivitet në grupet “Lidhja Shqiptare” në Dyseldorf, “Lidhja e Vardarit” në Marsejë, “Kompania 4.000” në Kajzerslautern dhe në disa punkte të “Ballit Kombëtar” dhe “Lidhjes së Prizrenit” në Paris, Bruksel, Romë, Munih dhe Stamboll.
Punktet e emigracionit/Padyshim se punktet e emigracionit përbëjnë çerdhe të agjenturave të disa shërbimeve sekrete dhe të institucioneve tjera policore. Në këtë drejtim veçmas është aktiv “Balli Kombëtar”, në krye me Mentor Qokun në Romë, i cili mban kontakte me persona nga RSM dhe KAS të Kosovës, të cilët udhëtojnë nëpër Itali dhe nëpërmjet tyre grumbullon të dhëna për gjendjen dhe disponimin e kombësisë shqiptare në vendin tonë, përfshirjen e saj në organet e caktuara shoqërore dhe shtetërore, si dhe në udhëheqjen me ekonominë. I njëjti, si udhëheqës i Komitetit për Shpërngulje në SHBA, bashkëpunon ngushtë me policinë italiane dhe me Ambasadën e SHBA-së në Romë. Ai me secilin kandidat zhvillon bisedë më të gjerë nëpërmjet së cilës kryen kontrollin e personave, me qëllim që ashtu të pengohet “infiltrimi komunist”, e njëkohësisht bënë edhe grumbullimin e të dhënave me karakter zbulues. Propaganda e shkruar e emigracionit shqiptar në mesin e punëtorëve tanë me punë të përkohshme kryesisht zbatohet nëpërmjet shpërndarjes së gazetave të emigracionit “Flamuri”, “Dielli”, “Atdheu”, “Besa” dhe “Qëndresa Shqiptare”, prej të cilave një numër i vogël në mënyra të ndryshme futen edhe në vendin tonë. Shkrimet e këtyre gazetave kryesisht përfshijnë çështje organizative të emigracionit dhe bëhet paraqitja jo e drejtë e gjendjes së kombësisë shqiptare në Jugosllavi. Në mesin e emigracionit dhe punëtorëve tanë në Evropën Perëndimore bëhen përpjekje edhe për imponimin e ndikimit edhe nga ana e përfaqësive diplomatike shqiptare. Nëpërmjet kontakteve të drejtpërdrejta, shpërndarjes së materialit propagandues, mbajtjes së tubimeve nëpër klube dhe nëpër hapësira të tjera grumbullohen të dhëna për gjendjen në RSFJ dhe ashtu synohet lidhja e tyre me politikën e RP të Shqipërisë, gjatë së cilës për bazë shfrytëzohet nacionalizmi…
Aksionet e Shërbimeve/SHSSH (Shërbimi i Sigurimit Shtetëror – Q.L), në kuadër të kompetencave dhe detyrave të veta ligjore, në mënyrë permanente ka zhvilluar aksione ofensive e të organizuara në pengimin e aktiviteteve armiqësore të emigracionit, në eliminimin e përpjekjeve të shumta për depërtimin e emigracionit në mesin e punëtorëve tanë jashtë dhe në mënyrë më të rreptë i ka prerë të gjitha përpjekjet për krijimin e çerdheve dhe lidhjen me vendin (mendohet për Jugosllavinë – Q.L.). Në këtë periudhë është rritur numri i vizitave të emigrantëve nga shtetet evropiane dhe SHBA-ja. Kështu në RSM kanë qëndruar mbi 150 emigrantë. Rreth 30 prej tyre kanë mbajtur kontakte armiqësore me persona armiqësisht të disponuar në vend. 15 prej tyre u është ndërprerë qëndrimi i mëtejshëm. Qëndrimi i të gjithë emigrantëve është siguruar në mënyrë operative, ndërsa me numrin më të madh të tyre është zhvilluar bisedë e drejtpërdrejtë. Përveç çerdheve dhe emigrantëve, masa të pengimit janë ndërmarrë edhe ndaj disa qytetarë tanë me punë në diasporë, të cilët në një farë mënyre janë përfshirë në aktivitete armiqësore të emigracionit. – Janë dhënë aktpadi penale për lidhje me emigracionin armiqësor dhe kryerjen e propagandës armiqësore kundër 5 personave dhe të gjithë janë dënuar; – Janë paditur 26 personave sipas ligjit për kundërvajtje. – Janë marrë 139 dokumente të udhëtimit për shkak arsyeve më të gjëra të sigurisë, ndërsa për shkak arsyeve të njëjta janë zgjidhur negativisht kërkesat për marrje të dokumentit të udhëtimit të 355 personave; – Janë dhënë vërejtje ndaj 281 personave për shkak paraqitjes dhe kontakteve armiqësore me emigrantët drejtues të veprimtarive armiqësore.
Këta dhe masa të tjera që i ndërmerr OPB-ja (Organi i Punëve të Brendshme – Q.L.) janë të orientuara në pasivizimin e grupeve, largimin e punëtorëve tanë nga ndikimi i emigracionit, diskreditimin e disa personave të caktuar drejtues dhe thellimin e përçarjes ekzistuese, me qëllim të paralizimit dhe pengimit të aktiviteteve armiqësore ekzistuese dhe atyre të paralajmëruara. Mirëpo, aksionet e OPB-së do të jenë edhe më efikase kur në ballafaqimin e drejtpërdrejtë me emigracionin armiqësor do të jenë të inkuadruar të gjithë faktorët nga vendi dhe jashtë, siç është nënvizuar në fakt në të gjitha dokumentet e kohës më të re.
Marrë nga e përditshmja e Shkupit “Lajm”
SAMI says
JULUMT OMIK I NDERUAR KENI BA PUNTË MIR DHE JENI IPA LODHUR BRAVO.