Erich Fried ka lindur në Vjenë në vitin 1921./
Në vitin 1938 ai la Austrinë dhe u transferua në Londër. Ndër vëllimet e tij me poezi: Gjermani (Deutschland, 1944), Kundërshtimi (Anfechtungen, 1967), Njëqind poezi pa vend (100 Gedichte ohne Vaterland, 1978). Ndër romanet dhe tregimet e shkurtra: Fëmijë dhe budallenj (Kinder und Narren, 1957), Një ushtar dhe një vajzë (Ein Soldat und ein Mädchen, 1960), Pothuajse asgjë, 1975 (Fast alles Mögliche, 1975). Me tekstet e tij eksperimentale, formale, bashkohet edhe angazhimi i tij politik. Në vitin 1988 ai botoi një libër me poezi: “Kjo është ajo që është”. frika e zemërimi i poezive të dashurisë, i cili pati sukses të madh në botimin italisht. Nga ky libër janë marrë poezitë që po botojnë.
***
Gjëja që më goditi më shumë te ky poet është përdorimi me mençuri i anaforën: përsëritja nuk është një përsëritje e zbrazët, por një pretekst për të thelluar pikëpam jet, për të eliminuar të tepërtat, për të mbërritur në thellësi.
AJO QË ËSHTË
Është absurde
thotë arsyeja
është ajo që është
thotë dashuria
Është trishtim
thotë llogaria
s’është veçse dhimbje
thotë frika
është kotësi
thotë gjykimi
është ajo që është
thotë dashuria
është qesharake
thotë krenaria
është pamaturi
thotë maturia
është pamundësi
thotë eksperienca
është ajo që është
thotë dashuria
LEXOJ POEZI
Kush
nga poezia
pret shpëtimin
do duhet më mirë
të mësojë
të lexojë poezi
Kush
nga poezia
nuk pret asnjë shpëtim
duhet më mirë
të mësojë
të lexojë poezi.
GJITHNJË MË E VESHTIRË
duke të parë vetëm një herë
dhe pastaj kurrë më
duhet të jetë më e lehtë
që të shoh akoma dhe një herë
dhe kurrë më pastaj
duke të parë akoma dhe një herë
dhe kurrë më pastaj
duhet të jetë më e lehtë
që të shoh akoma dy herë
dhe kurrë më pastaj
duke të parë ende dy herë
dhe kurrë më pastaj
duhet të jetë më e lehtë
që të shoh akoma tre herë
dhe kurrë më pastaj
Por unë jam një budalla
dhe dua të të shoh
akoma shumë herë
më parë
që të mos mund të të shoh
kurrë më.
KUR PUTH
Kur unë të puth
nuk është vetëm buza jote
nuk është vetëm kërthiza jote
nuk është vetëm barku yt që puth.
Unë puth edhe pyetjet e tua
dhe dëshirat e tua
puth reflektimin tënd
dyshimet e tua
dhe guximin tënd
dashurinë tënde për mua
dhe lirinë tënde nga unë
puth këmbën tënde
që arriti këtu
dhe që iku përsëri
unë të puth ty
kështu siç je
dhe siç do të jesh
nesër dhe më tepër
dhe kur koha ime do të konsumohet.
Përktheu: Faslli Haliti