Të dhëna nga një material i vitit 1981 kur Kosova përgjakej me regjimin serbo sllav, përgatitur për botim mbi bazën e arkivit vetjak të gazetarit./
Nga Abdurahim Ashiku/
1- DISA TË DHËNA MBI GJENDJEN DHE NDRYSHIMET E STRUKTURËS NACIONALE TË POPULLSISË SË KOSOVËS DHE TË VISEVE TË TJERA SHQIPTARE NË MAQEDONI, E MAL TË ZI NË 100 VJETËT E FUNDIT (1876-1976)
Më 1877 Vilajeti i Kosovës kishte 760.000 banorë dhe në këtë kohë ky vilajet përfshinte, përveç territorit të Kosovës së sotme edhe Shkupin, Tetovën, Novipazarin, Senicën, Toplicën, Kurshumlinë, Prekuplen, Leskocin dhe Vranjën. Kurse në vitet 1912-1913 kishte 479.000 banorë në të njëjtin territor si në vitin 1877, përjashtuar krahinat e pushtuara në kohë nga Serbia.
Nga të gjitha burimet del se mbi ¾ e popullsisë së Kosovës ishin shqiptarë
Shqiptarët në këtë periudhë, krahas luftës kundër pushtuesve turq, luftonin për tu mbrojtur nga rreziku i pushtimit të ri prej shtetit serb, i cili vepronte aktivisht për të dëbuar me dhunë nga territoret e tyre dhjetëra mijë shqiptarë të zonave në kufirin me Serbinë dhe Malin e Zi. Në këtë periudhë Serbia pushtoi krahina të tëra shqiptare si Toplicën, Vranjën, Kurshumlinë,Prekuplen dhe Leskocin, ndërsa Mali i Zi Ulqinin etj.
Më 1877 mbi 30 mijë shqiptarë u dëbuan nga Toplica e Klisura. Vetëm prej 81 fshatrave nga Toplica e Kosanica janë shpërngulur rreth 1867 familje shqiptare. Në vitet 1876-1878 nga Prekuple e Kurshumlia, ku 50 për qind e popullsisë ishte shqiptare, u dëbuan20.000 banorë shqiptarë.
Sipas të dhënave turke, serbe, austriake e frënge, në thellësi të vilajetittë Kosovës e Shkodrës u vendosën rreth 300.000 shqiptarë të shpërngulur si rezultat i si rezultat i pushtimit të krahinave të sipërme nga Serbia, Mali i Zi dhe Austro-Hungaria (Bosnjën)
Vrasjet e dëbimi masiv nga ushtria serbo-malazeze i popullsisë vendase shqiptare, krijoi një shqetësim e alarm të madh jo vetëm në krahinat shqiptare në kufi me Serbinë e Malin e Zi, por në të gjithë vendin. Kundër kësaj politike shoviniste lindi dhe u zhvillua një lëvizje e fuqishme popullore për vetëmbrojtje, e cila kishte për qëllim t’i dilte zot mbrojtjes së Atdheut nga copëtimi dhe robëria e re. Në këtë kohë u krijua edhe Lidhja Shqiptare e Prizrenit.
2.- PERIUDHA 24 VJEÇARE 1913-1937
Gjatë viteve 1913-1937 (përjashtuar vitet e Luftës së Parë botërore 1916-1918) Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi u pushtuan nga shteti Jugosllav. Gjatë kësaj kohe regjimi shovinist i borgjezisë serbomadhe përdori të gjitha mjetet politike, ekonomike, ideologjike dhe ushtarake për ç kombëtarizimin dhe sllavizimin e plotë të territoreve shqiptare të aneksuara.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET ZHDUKJES FIYIKE
Nga dokumentet që ka arkivi i shtetit tonë (Fondi Komitetit Mbrojtja Kombëtare e Kosovës) del se gjatë viteve 1913-1927 në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare në Jugosllavi janë vrarë mbi 207.448 shqiptarë dhe vetëm në Kosovë gjatë viteve 1913-1921 janë burgosur 22.100 shqiptarë. Zhdukur plotësisht 57 fshatra, djegur 6050 shtëpi dhe plaçkitur 10.526 familje.
Për mungesë të dhënash këtu nuk përfshihen zhdukjet fizike të bëra në Kosovë dhe viset e tjera shqiptare në Maqedoni e Mal të zi në vitet 1927-1937.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET REFORMËS AGRARE KOLONIZUESE
Borgjezia serbomadhe, përveç mjeteve të dhunës në luftën për çkombëtarizimin dhe sllavizimin e Kosovës e viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, përdori edhe mjetet ekonomike dhe kryesisht reformën agrare kolonizuese.
Në bazë të dokumenteve dhe të dhënave statistikore që japin studiues kosovarë (revista shkencore “Përparimi” Nr.4 e 5 viti 1970 dhe Nr.1o viti 1971 dhe “Gjurmime Albanologjike” e vitit 1972, botuar në Prishtinë), nëpërmjet kolonizimit, midis dy luftërave botërore 1919-1941 në Kosovë u vendosën 58.714 kolonistë (banorë) serbë e malazezë. Vetëm në vitin 1937 në Kosovë u vendosën 15.622 familje kolonësh serbë e malazezë, ndërsa në viset shqiptare në Maqedoni u vendosën mbi 2000 familje kolonësh.
Në bazë të hartës së kolonizimit, deri në vitin 1937 në Kosovë u ngritën 374 fshatra kolonistësh.
Sipas raportit të drejtoratit të lartë të reformës jugosllave gjatë viteve 1920-1940, vetëm në disa rrethe të Kosovës e Maqedonisë u janë marrë shqiptarëve dhe u janë dhënë kolonëve, nëpunësve, xhandarëve, çetnikëve dhe elementit tjetër të besuar të regjimit 381.245 hektarë tokë.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET SHPËRNGULJES
Për shkak të dhunës së egër për shfarosjen dhe masakrimin e shqiptarëve, grabitjeve masive të tokës dhe përdorimit të mjeteve të tjera të detyrimit, gjatë viteve 1913-1937 u shpërngulën nga trojet e veta një masë e madhe e popullsisë shqiptare. Deri në vitin 1937, në bazë të dokumenteve arkivale (fondi i drejtorisë së përgjithshme të reformës agrare në kohën e regjimit të Zogut) dhe të disa studiuesve kosovarë, u dëbuan me forcë mbi 220.000 shqiptarë (shumica në Turqi, pjesa tjetër në Shqipëri)
Por, megjithëse deri në vitin 1937 u shpërngulën për në Shqipëri dhe Turqi një shumë kaq e madhe, prapëseprapë, për shkak të natalitetit të madh dhe të qëndresës së fortë të shqiptarëve nën parullën “Vdesim por vendin nuk e lëshojmë”, shqiptarët mbetën shumicë në trojet e tyre. Bile gjatë viteve 1921-1937 në Kosovë numri i shqiptarëve ishte shtuar mbi 2000 vetë në raport me elementin serb e malazez.
Kur qarqet sunduese serbe e konstatuan këtë fakt në vitin 1937 u shqetësuan dhe me anën n e teoricienëve e të politikanëve të regjimit dhanë alarmin e madh propagandistik (Lexo “Shpërngulja e arnautëve të VasoÇubriloviqit”)
Kështu morën masa të shumta midis të cilave hapën edhe diskutimin popullorë për të gjetur metodën dhe mjetet më efikase për kolonizimin dhe sllavërimin më intensiv të Kosovës. Diskutime të tilla u zhvilluan sidomos në klubin serb të kulturës në Beograd prej vitit 1937 deri në vitin 1939. Funksionarët e lartë të shtetit, ushtrisë, teoricienët dhe politikanët në diskutimet e tyre theksonin: “…Nuk ka dyshim se rreziku më i madh për ne është ky bllok(shqiptar) në Kosovë…ka shenja sipas të cilave mund të konkludohet se kjo pakicë gjuhësore mund të bëhet shumë aktive, jashtëzakonisht e rrezikshme për interesat tona shtetërore, në qoftë se ne nuk marrim me kohë aksion largpamës.” “Shpërngulja dhe kolonizimi mund e duhet të zbatohen vetëm me forcë ushtarake”. “…Këta, shqiptarë, si element i huaj, paraqesin sot rrezik nacional e politik, janë shumë për nga numri, të fortë e kompakt, kanë zënë pozitën qendrore dhe kanë ndërprerë kontuinitetin nacional…”
Veç kësaj, e tërë kjo popullsi mbështetet në Shqipërinë, e cila ka ndikim politik dhe zgjon aspirata në të. Prandaj metoda më reale është që të huajt (shqiptarët) të shpërngulen në viset e tjera kompakte (sllave) dhe anasjelltas” (d.m.th. ndërrimin e popullsisë)
1. PERIUDHA KATËRVJEÇARE 1937 -1941
Krahas intensifikimit të propagandës nga politikanët e regjimit, aparati shtetëror serbomadh vuri në zbatim masa të shumëllojshme për të shpejtuar kolonizimin e sllavizimin e krahinave shqiptare në Jugosllavi. Si rrjedhim, në vitet 1937-1941 qeveria jugosllave ndërmori bisedime me Turqinë për të shpërngulur në vitet e ardhshme të paktën 400.000 shqiptarë. U ngritën në një shkallë më të lartë masat e dhunës politike dhe të detyrimit ekonomik; u rrit ardhja e kolonëve dhe marrja e tokës shqiptare. Për zbatimin e misionit të shpërnguljes së shqiptarëve u angazhua edhe ushtria. Në vitin 1938 komanda e zonës së tretë në Shkup propozonte: “Lypset të përpiqemi që turmat e forta dhe kompakte të shqiptarëve të shpërngulen sa më shpejt duke futur në mesin e tyre të paktën 50 për qind të popullsisë sonë” (sllave). Për këtë, gjatë viteve 1939-1940 u kryen dy operacione terrori ndaj shqiptarëve nën pretekstin e mbledhjes së armëve dhe vrasje e masakrime nga ushtria jugosllave në pragun e kapitullimit të Jugosllavisë (prill 1941)
Të gjitha këto bënë që masa e shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi të ngrihet në një shkallë më të lartë. Vetëm në këto 3-4 vjet u dëbuan nga trevat shqiptare edhe 280.000 shqiptarë të tjerë. Përfundimisht, gjatë periudhës 28 vjeçare (1913-1941), nga viset shqiptare në Jugosllavi u shpërngulën mbi 500.000 shqiptarë, (220.000 deri në vitin 1937 dhe 280.000 në vitet 1937-1941). Nga të 500.000 të shpërngulur gjatë kësaj periudhe, një pjesë kanë ardhur në Shqipëri dhe 380.000 kanë shkuar në Turqi.
Përballë një politike të tillë shkombëtarizuese, popullsia shqiptare e viseve shqiptare të aneksuara në Jugosllavi zhvilloi një qëndresë të fuqishme në forma të ndryshme, deri në luftë të armatosur. Janë të njohura kryengritja e Kosovës, rrafshit të Dukagjinit, e Dibrës e shtatorit 1913. Kryengritja e Rrafshit të Dukagjinit më 1919 me rreth 10.000 kryengritës. Kryengritja e Kosovës dhe e Malësisë së Llapit më 1920 me 12.000 kryengritës, si dhe një lëvizje e fuqishme e çetave kryengritëse gjatë viteve 1918-1927, sidomos në krahinën e Drenicës etj.
Sipas statistikave që japin organet shtetërore jugosllave, gjatë viteve 1919-1927 janë vrarë rreth 4.000 luftëtarë të çetave kryengritëse (kaçakë).
2. PERIUDHA KATËRVJEÇARE 1941-1944
Edhe pas kapitullimit të Jugosllavisë monarkiste në kushtet e pushtimit-nazi-fashist, gjatë viteve të luftës, forcat ultrashoviniste serbomadhe të çetnikëve të përbëra rreth 40.000 forca ushtarake të ish ushtrisë së kralëve, nën komandën e DrazhoMihailloviçit, në mënyrë të vazhdueshme sulmonin Kosovën e viset e tjera shqiptare përreth, duke kryer vrasje e masakra në masë. Është e njohur tragjedia e Bihorit në janar të vitit 1943 kur çetnikët shkatërruan 52 fshatra, vranë më se 4.000 banorë, grabitën 300 vajza dhe iu kërcënuan gjithë popullsisë shqiptare në Kosovë e vise se në rast qëndrese për të mos pranuar qëndrimin serb do të pësonte të njëjtën fatkeqësi si popullata e Bihorit, Novipazarit etj.
Rrjedhimisht popullsia shqiptare në Kosovë dhe viset përreth iu desh të bënte një luftë të shumëfishtë, si ndaj pushtuesve ital0gjermanë ashtu edhe kundra forcave serbomadhe të përfaqësuara nga çetnikët e ato bullgaromadhe të Borisit., të cilat kryen krime të rënda ndaj popullsisë shqiptare.
Nga ana tjetër grupi shovinist i Titos, me qëndrimet e tij, sabotoi Luftën Nacionalçlirimtare të popullsisë shqiptare. Në këtë kuptim është kuptimplotë vendimi shovinist i AVNOJ-it (Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar i Jugosllavisë) në nëntor të vitit 1943 në Janic, i cili në kundërshtim me qëndrimin ndaj çështjes nacionale proklamonte që të gjitha kombet dhe kombësitë në ish Jugosllavinë monarkiste do të mbeteshin në kuadrin e kufijve të shtetit jugosllav të pasluftës, bile edhe pakicat nacionale jugosllave të mbetura jashtë kufijve do t’i bashkoheshin Jugosllavisë së pasluftës.
Kështu, AVNOJ nuk e linte për tu zgjidhur çështja e Kosovës dhe e viseve të tjera shqiptare në bazë të parimit të vetëvendosjes deri në shkëputje e proklamonte zgjidhjen e saj duke e lënë Kosovën në kuadrin e Jugosllavisë së pasluftës. Në këtë mbledhje të AVNOJ-it nuk merrte pjesë asnjë përfaqësues nga Kosova.
Një muaj pas mbledhjes së dytë të AVNOJ-it (31 dhjetor1943) në katundin Bujan të Tropojës, Konferenca e Parë e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës e Rrafshit të Dukagjinit vendosën: “Kosova e Rrafshi i Dukagjinit është krahinë, në të cilin banojnë në pjesën më të madhe popullsia shqiptare, e cila si gjithmonë, ashtu edhe tash, dëshiron me u bashkue me Shqipërinë. Prandaj e ndjejmë për detyrë me u vu në dukje rrugën e drejtë të cilën, duhet ta ndjekë populli shqiptar me qëllim që t’i realizojë aspiratat e veta…pra dhe populli shqiptar, do të ketë mundësi me vetëvendosë mbi fatin e vet me të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje”
Ky vendim nga grupi titist u konsiderua se bie në kundërshtim me vendimet e AVNOJ-it dhe me pikëpamjet e vijës politike të PKJ lidhur me unitetin e Jugosllavisë së pasluftës.
5.- PERIUDHA 32 VJEÇARE (1944-1976)
Me ardhjen në pushtet të grupit nacional-shovinist të Titos, vazhdoi të zbatohet politika shoviniste serbomadhe për çkombëtarizimin e Kosovës dhe viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi. Kjo u vu në jetë nëpërmjet formash e metodash të ndryshme, si zhdukjes fizike, kolonizimit, shpërnguljes së detyrueshme në Turqi, largimet në Evropë e në thellësi të Jugosllavisë.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET ZHDUKJES FIZIKE
Gjatë viteve1944-1966 u zhdukën nga terrori, plumbi, bajoneta dhe helmi i regjimit titist mbi 70.000 shqiptarë në Kosovë e në vise të tjera shqiptare në Jugosllavi. Nga këta 40.000 u zhdukën në vitet 1944-1948 dhe mbi 30.000 në vitet 1949-1966. Shembuj më topikë të këtyre krimeve shfarosëse janë pushkatimi i më se 17.000 shqiptarëve në Tetovë, Gostivar, Tivar, Mitrovicë dhe Gjilan në vitet 1944-1945; masakrimi (vrasja, plagosja, gjymtimi) i më se 30.000 shqiptarëve në Drenicë gjatë vjeshtës e dimrit të 1944-1945, mbytja në Goricë të Triestes me gaz helmues i mbi 2.000 djemve shqiptarë; vrasja e torturat çnjerëzorë masive në vitet 1955-1957 ndërmjet të ashtuquajturit aksion i mbledhjes së armëve ku mbi 50 për qind e burrave u torturuan dhe u rrahën. Janë të njohura kampet e përqendrimit dhe burgjet famëkeqe titiste, ku gjetën vdekjen mijëra shqiptarë, si GolioOtoku,Idrizova, Nishi, Mitrovica e Sremit, Stara Gradishta, Sinja, Gerguri etj. Brutaliteti dhe dhuna titiste u shfaq edhe njëherë në shtypjen e demonstratave të vitit 1968 në Prishtinë, Tetovë, Gostivar etj. Krahas këtyrejanë ndjekur nga UDB-ja titiste me dosje përpunimi 120.000 shqiptarë.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET KOLONIZIMIT DHE SHPËRNGULJES NË TURQI
Ashtu si në kohën e kralëve, edhe regjimi titist përtëriu reformën agrare kolonizuese, duke u marrë tokën shqiptarëve dhe ua dhënë atë elementëve serbë e malazezë. Kjo solli që, përveç kolonëve të paraluftës, të vijnë edhe dhjetëra mijë kolonë të rinj. Vetëm gjatë viteve 1947-1957 dhe më 1960 në katër rrethe të Kosovës (Prishtinë, Mitrovicë, Pejë e Ferizaj) u vendosën 52.924 kolonë serbë e malazezë. Gjithashtu u përtërinë të gjitha mënyrat e detyrimit për shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi.
Theksojmë se mbi 50 për qind e elementit malazez, kroat dhe nga Bosnja që jetojnë sot në Kosovë kanë ardhur pas luftës së dytë botërore.
Sipas të dhënave të botuara në revistën “Përparimi” Nr.10 të vitit 1971 dhe “Gjurmime albanologjike” – seria e shkencave historike 1972 Prishtinë. Vetëm gjatë 8 vjetëve (1953-1960) janë shpërngulur nga Kosova 283.000 shqiptarë. Të ndarë sipas viteve shpërngulja paraqitet si vijon:
Viti 1953 13.000 vetë
Viti 1954 17.000 vetë
Viti 1955 51.000 vetë
Viti 1956 54.000 vetë
Viti 1957 57.000 vetë
Viti 1958 41.000 vetë
Viti 1959 27.000 vetë
Viti 1960 23.000 vetë
Shpërngulja për në Turqi ka vazhduar edhe në vitet e më pasme. Përfundimisht, nga të dhënat që japin botimet e bëra në Jugosllavi del se, pas Luftës së Dytë Botërore titistët kanë shpërngulur për në Turqi 400.000 shqiptarë (nga të cilët 203.000 vetëm për vitet 1955-1958)
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET LARGIMIT TË PËRHERSHËM DHE TË PËRKOHSHËM NË EVROPËN PERENDIMORE, SHBA DHE AUSTRALI (PA SHPËRNGULJET NË TURQI)
Një rrugë tjetër për të çkombëtarizuar popullsinë shqiptare në Jugosllavi nga regjimi titist është largimi për në punë në Evropën Perëndimore. Vetëm nga Kosova, në vitin 1978 gjendeshin në Perëndim rreth 60.000 punëtorë (midis tyre 1200 femra). Ndërsa nga viset shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi, largimet për punë jashtë Jugosllavisë janë edhe më të mëdha. Vetëm nga 4 komuna (Tetor, Gostivar, Kumanovë dhe Ulqin), në vitin 1978 janë larguarpërpunë në Evropë 17.000 vetë.
Nga statistikat jugosllave të vitit 1971 del se për çdo vit jashtë krahinës së Kosovës emigrojnë 9000 shqiptarë. ( “Gjurmime albanologjike – Prishtinë 1972”)
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET THITHJES NË THELLËSI TË JUGOSLLAVISË.
Gjatë viteve të pasluftës deri në vitin 1961nga Kosova janë larguar për në thellësi të Jugosllavisë gjithsej 78.000 shqiptarë. Struktura kombëtare e kuadrit dhe e njerëzve të tjerë në marrëdhënie pune nuk i përgjigjet përbërjes kombëtare të Kosovës. Ndërsa shqiptarët sot zënë sot mbi 80 për qind në strukturën e popullatës, numri i atyre që janë në marrëdhënie pune zënë 59.7 për qind. Në sektorin shoqëror në Kosovë ndërsa nga serbo-malazeztë punon çdo i pesti nga shqiptarët punon çdo i tetëmbëdhjeti.
ARDHJA NË SHQIPËRI SI REZULTAT I TERRORIT TITIST
Për shkak të veprimtarisë revolucionare, mohimit të të drejtave nacionale shoqërore në fusha të ndryshme dhe ndjekje se terrorit gjatë viteve 1944-1945 kanë ardhur në Shqipëri 130 familje shqiptare dhe 3750 individë. Gjithashtu, gjatë viteve 1948-1977, kanë ardhur rreth 2000 emigrantë politikë nga të cilët 1770 shqiptarë dhe 230 jugosllavë.
ÇKOMBËTARIZIMI NËPËRMJET NDARJES ADMINISTRATIVE
Titistët popullsisë shqiptare në Jugosllavi jo vetëm ja mohojnë të drejtat për vetëvendosje por nuk e lejojnë as të qëndrojë e bashkuar në një njësi administrative, megjithëse kjo popullsi prej afro dy milionësh jeton në një territor ku nuk ka pyka popullsish të tjera. Ashtu si në regjimin monarkist të kralëve edhe titistët për të kënaqur interesat e borgjezisë serbe, maqedonase dhe malazeze i kanë ndarë e hallakatur shqiptarët në 4 njësi administrative. Sot shqiptarët në Jugosllavi janë nderë:
– Në krahinë autonome të Kosovës, ku jetojnë 1.546.000 banorë prej të cilëve 1.280.000 shqiptarë.
– Në Maqedoni rreth 400.000-500.000 shqiptarë.
– Në Serbinë e ashtuquajtur të ngushtë mbi 80.000 shqiptarë.
– Në Mal të zi rreth 50.000 shq1iptarë. Etj.
TË DHËNA STATISTIKORE TË POPULLSISË SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI
1.- Numri i popullsisë shqiptare, sipas statistikave zyrtare dhe dokumenteve të botuar nga shtetijugosllav para dhe pas Luftës së Dytë Botërore, jepet mjaft i zvogëluar. Megjithatë ai paraqet interes për të nxjerrë konkluzione mbi veprimtarinë ç’kombëtarizuese të Beogradit.
Të dhënat statistikore mbi popullsinë shqiptare nga regjistrimet e ndryshme gjatë periudhës 1912-1971, janë shumë më të vogla në krahasim me atë që duhet të ishin sipas shtesës natyrore të shqiptarëve. Nga një përllogaritje e bërë mbi shtesën natyroretë popullsisë shqiptare për 1.000 banorë në vit, del se nga viti 1912-1941 mungojnë rreth 650.000 shqiptarë, të cilët janë zhdukur dhe shpërngulë jashtë trojeve të tyre. Gjithashtu nga e njëjta përllogaritje, del se gjatë viteve 1945-1976 mungojnë mbi 540.000 shqiptarë të zhdukur fizikisht dhe të shpërngulë jashtë Kosove e viseve shqiptare në Maqedoni e Mal të Zi.
2. Sipas statistikave shtetërore jugosllave, elementi serb e malazez si në shifër absolute, ashtu edhe në përqindje ndaj numrit të përgjithshëm të popullatës në Kosovë, deri në vitin 1967 ka ardhur duke u rritur për shkak të sjelljes me shumicë dhe kolonëve të paraluftës.
Në regjistrimet e vitit 1971, në raport me vitin 1961 elementi serb e malazez ka pësuar ulje si në shifër absolute dhe në përqindje në raport me numrin e përgjithshëm të popullsisë në Kosovë.
III. DISA NGA TEORITË DHE PIKËPAMJET SHOVINISTE TË IDEOLOGËVE DHE POLITIKANËVE TITISTË PËR ÇKOMBËTARIZIMIN E SHQIPTARËVE NË KOSVË DHE VISET E TJERA SHQIPTARE NË JUGOSLLAVI.
Teoricienët, historiografët dhe politikanët titistë janë duke ringjallur dhe aktualizuar teoritë e ndryshme antishqiptare të borgjezisë së vjetër serbomadhe, kryesisht në fushën e historiografisë dhe demografisë. Shkurtimishtparaqesin disa prej tyre.
1.-Mohojnë lashtësinë e shqiptarëve, nënçmojnë kulturën shqiptare, shtrembërojnë rolin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit se gjoja paska luftuar për të ruajtur sovranitetin e sulltanit në tokat e shqiptarëve. Ata pohojnë se popullsia shqiptare në Kosovë gjoja është vendosur para 150-200 vjetësh.
2.- Në fushën e demografisë. Aktualisht përveç teorive antishqiptare në fushën e historiografisë janë shfaqur edhe mjaft teori në fushën demografike të cilat synojnë të justifikojnë pakësimin dhe largimin e shqiptarëve nga Kosova dhe viset e tjera shqiptare në Jugosllavi.
Ashtu si në vitin 1937 Çubriloviçi në referatin e mbajtur para klubit serb të kulturës në Beograd shprehte shqetësimin e tij se “Politikën tonë të kolonizimit e mundi pjelloria e grave shqiptare” edhe politikanët titistë pas Luftës së Dytë Botërore, shqetësohen për shtesën e madhe natyrale të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.
Të dhënat statistikore të shtetit jugosllav të vitit 1971 tregojnë se popullsia e Kosovës gjatë 50 vjetëve të fundit (1921-1971) me gjithë zhdukjet dhe shpërnguljet në masë, është trefishuar, se shtimi natyral i popullsisë shqiptare në Jugosllavi është 34-37 për mijë në vit, d.m.th. rreth tre herë më i lartë se ai i mesatares në Jugosllavi, se fertiliteti i gruas në Kosovë zë vendin e tretë në botë, se popullsia shqiptare është më e reja nga mosha në Jugosllavi (në moshën deri 35 vjeç është 74 për qind), se tendenca e rritjes që ka popullsia e Kosovës do të dyfishohet gati në çdo 24 vjet etj. Të gjitha këto të dhëna i kanë preokupuar politikanët, ekonomistët, statisticienët, demografët dhe ekspertët e tjerë titistë për të gjete rrugët format dhe mjetet e pakësimit dhe e largimit të shqiptarëve (“Problemet e zhvillimit demografik dhe politik të popullsisë”, “Përparimi nr.6-1975” dhe “Disa veçori demografike të Kosovës”, botuar në vitin 1972 në Prishtinë)
Duke e quajtur shtesën e popullsisë shqiptare “Një proces i eksplozicionit demografik” parashikojnë lloj-lloj zgjidhjesh të cilat, në fund të fundit, synojnë pakësimin e popullsisë shqiptare: ndërmjet presionit për pakësimin e lindjeve, largimin nga vendi të moshave aktive të popullsisë, mos marrjes së masave për të kufizuar mortalitetin, lënia e Kosovës në prapambetje ekonomike e kulturore, si faktor që pengon rritjen e popullsisë etj. Për t’ia arritur qëllimit propagandohet e zbatohen masa të ndryshme. Kështu p.sh., kur flitet mbi fertilitetin, propagandohet se edhe në Kosovë duhet të vijë procesi demografik i nisur nga veriperëndimi i Evropës. Nxitet e propagandohet politika e migrimit të jashtëm e të brendshëm dhe migrimet e përkohshme të fuqisë punëtore në Evropë si rrugëzgjidhje për të përballuar shtesën e popullsisë aktive, (nën pretekstin e inkuadrimit në punë).
Për të realizuar zvogëlimin e popullsisë shqiptare në Jugosllavi herë pas here, organet shtetërore kanë përdorur, falsifikime të ndryshme në regjistrimin e popullsisë. Për këtë janë shpikur e zbatuar lloj-lloj formash e presionesh me qëllim që të shënohen sa më shumë shqiptarë si maqedonas, malazez, serb, turq dhe të ashtuquajtur “kombësi myslimane”, “jugosllave”, “romë” etj.
Përfundimisht në 60 vjetët e fundit 1912-1976 në viset shqiptare të aneksuara nga Jugosllavia u zhdukën fizikisht mbi 277.000 shqiptarë dhe u shpërngulën nga trojet e veta më se 973.000 shqiptarë.
Gjithsej të zhdukur e të dëbuar 1.250.000 shqiptarë.
Nga dokumentet dhe studiuesit e ndryshëm del se midis dy luftërave botërore dhe pas Luftës së Dytë Botërore vetëm në Turqi kanë shkuar mbi 700.000 shqiptarë kryesisht nga Kosova dhe Maqedonia. Por, me gjithë zhdukjen fizike dhe shpërnguljet e mëdha popullsia shqiptare e këtyre anëve, për shkak të qëndresës së madhe dhe të natalitetit të lartë nuk u sllavizua, as mbeti në pakicë por përherë mbeti në shumicë.
Bë vitin 1971 regjistrimi i popullsisë në Jugosllavi jep 1.310.000 shqiptarë. Natyrisht kjo nuk është e saktë sepse fshihet realiteti. Por, edhe sikur ta merrnim këtë si shifër të vërtetë me shtesën mesatare të shqiptarëve sot shqiptarët në Jugosllavi arrijnë afro 2 milionë banorë ose po bëhen popullsia e tretë në Jugosllavi (pas serbëve e kroatëve), gjë e cila ka ngjallë shqetësim tek politikanët e regjimit titist.
Përgatiti për botim mbi bazën e arkivit vetjak
ABDURAHIM ASHIKU
Athinë, 22 nëntor 2014
Kam respekt per autorin. Eshte nje gazetar me pervoje dhe i ka dhururar lexuesit shkrime cilesore her pas here. Shume nga keto faktet jane tashme te njohura. Vetem nje gje nuk kuptoj…pse shume autor shqiptar trajtojne ceshtje apo lemi qe s’jane te fushes se vet. Autori nuk eshte historian dhe nje Zot e di se cdo me thene shenimin ne fund “Pergatiti per botim mbi bazen e arkivit vetjak”. S’kisha degjuar per arkiv vetjak. Cdo student i letrave do te perputhej me mendimin se botimi i gjithe atij mali me shifra ne kete artikull do kerkonte nje list te gjate referencash. Nese formati i gazetes nuk e lejon kete, athere redaktori duhej te kishte kerkuar qe te pakten te cekej ne shkrim se nga jane marre keto te dhena.
I nderur Konica! Shkrimi i sipërm është një ndër tre leksionet që në vitin 1981 është punuar në të gjithë Dibrën me popullin, në ditët e ngjarjeve të mëdha të Kosovës. Është dërguar asokohe së bashku me “Shpërngulja e arnautëve” programi i gjenocidit dhe shpërnguljes së shqiptarve hartuar nga akademiku Vaso Çubriloviq, ministër në pushtetin e Titos, nga ana e aparatit të KQ të PPSH.