Nga Dr. Gjon Bucaj/
Po vjen… a mbërrijti?…” bërtet dikush, tue ba me gisht në drejtim të rrugës “NanaTereze” ku turma, deri atëherë e qetë, disi u trazue dhe filloi me duertrokitë. “Ende jo” spjegon nji tjetër me celular te veshi,.”por tash sa hyni në lagjen ‘Dardania.”
Jemi në Prishtinë, në Ditën e Flamurit 2001. Qyteti asht në festë. I madh e i vogël ka dalë me pritë Monumentin e Gjergj Kastriotit Skenderbeut. Pjesë e kësaj turme së ngarkueme me emocione jemi edhe na, nji grup shokësh që, disa, shifemi për të parën herë mbas tridhetegjashtë vjetëve. Pamja e jonë, prej një balkoni të hotelit “Iliria”, shtrihet mbi masën që mbushë sheshin përball, rrugët, balkonet dhe dritaret e ndërtesavet për rreth.
Kremtimet e Ditës së Flamurit kanë fillue qysh dje, me vizita e kunora lulesh te vorret e dëshmorëve, me tubime e programe të ndryshme përkujtimore, kulturo-artistike e argëtuese. Por sot, mbas një akademie solemne, mbajtë në Theatrin Kombëtar, kulmi i kremtimevet asht përurimi i Monumentit të Skënderbeut. Vonesa e mbërrijtjes,shkaktue nga vështirësi teknike t’udhtimit, nuk e ka dobësue durimin as entuziazmin e popullit që ka dalë me e pritë. Mija shqiptarësh patën kënaqsinë me i thanë udha e mbarë deri më kufinin shqiptaro-shqiptar, e mirë se na erdhe nepër Kosovë. Këtu në Prishtinë janë mbledhë ma se njëqind mijë vetë, ardhë prej të gjitha anëve të Kosovës e viseve tjera arbnore, edhe prej shumë vendeve të largëta të botës. Presin me aq gëzim dhe entuziazëm si t’ishte tue ardhë vetë Gjergj Kastrioti, kalorës i gjallë.
Simbas programit, Monumenti do të vendosej mbi piedestal natën përpara, do të ruhej i mbuluem, si asht e zakonshme në këso rasash, dhe do të zbulohej n’orën 11 para dite. Por ardhja nepër turma njerëzish po e ban kremtimin shumë ma madhështor. I bartun mbi një mjet të posaçëm transporti, që pak shifet pse asht i rrethuem prej popullit, duket sikur Kalorsi po vjen për tokë, me hap dinjitoz e të kadalshëm, thue se don me u përshëndetë me të gjithë. Disa e përkasin me dorë, të tjerët i fërkojnë kalin dhe e puthin tue derdhë lot gëzimi. Gjithkush don me e prekë, por askush nuk shtyhet as nuk e prishë rendin. Populli siellet si e lypë rasa dhe si e ka traditë. Edhe moti sot asht dashamirës. Shiu i ftoftë i paradites asht ndalë e tash vetëm lotët e gëzimit rjedhin si shiu i ngrohtë në verë.
Pëcjellë me duertrokitje e brohorina të fuqishme, në mesin e sheshit kryesor të qytetit, u zhvillue ceremonia e inaugurimit. “Mirë se erdhe në mesin tonë, o i madhi Skenderbe!” iu drejtue akademik Mark Krasniqi, kryetari i Këshillit Organizativ, dhe përmendi shkurtaz nderimet që bota i ka ba këtij Heroi, për mirënjohje e për merita. Kryetari Rugova vlerësoi fitoren e lirisë me gjakun e nipave të Skënderbeut dhe me ndihmën e Amerikës mike dhe aleatëve të saj. Në vazhdim ai theksoi se “Shqiptarët dhe Kosova po bashkohen dhe integrohen në botën perëndimore, aty ku e kanë vendin dhe në atë botë që Skënderbeu e mbrojti me dinjitet…”. Kryetari i Komunës së Prishtinës, dr. Salih Gashi, me krenari muer monumentin në dorëzim, si pronë të qytetit, për ta ruejtë e kujdesë.
Kremtimi i kësaj dite së paharrueshme vazhdoi edhe mbas ceremonisë së inaugurimit. Fjalimet ia lëshuen vendin koncertit rinor në Sheshin që sot u pagëzue me emnin e Skënderbeut.
Në mbramje erdhi lajmi i gëzueshëm prej Kalifornisë: nana e re kosovare, me emnin Shqiponja, lindi djalë në Ditën e Flamurit, në ditën kur Skënderbeu erdhi në Prishtinë. Djalin e thirren Gjergj. E gëzofsh emnin, bir i Kosovës !
Muzika e kanga nuk u ndalën deri n’orët e hershme të mëngjesit të nesërm. Qyteti asht në festë. Kosovë, e paç për jetë Skenderbeun!(Dielli-arkiv)