Zija Vukaj/
Simbologji
Hëna në simbologji, së bashku me diellin, është ndër më të rëndësishmit e yjeve. Kryesisht është parë si figurë “femërore”, për shembull, në ideogramën yin, ku është një trup qiellor që e merr dritën në mënyrë pasive, por edhe për analogji mes muajit hënor dhe ciklit të menstruacioneve femërore. Rritja dhe ndryshimi, ashtu si përtëritja e përhershme e figurës së re, është një simbol që përmbledh çdo ide që i përgjigjet konceptit “vdis dhe bëhu”. Rrallëherë hëna është parë në formë mashkullore, siç ndodh në përdorimin gjuhësor gjerman (Mani, vëllai i Sol, gjermanishte jugore Suna- Diell), ndërsa shumë më shpesh është interpretuar si femërore (lat. Luna; gr. Selene apo Artemida; lindje e largët Kuan-yin, Kwannon; Maya: Ixchel). Në simbologjinë alkimike hëna paraqet argjendin, por edhe mbretëreshën që martohet me “mbretin” duke u bërë hermafrodit (deledash).
Besimi i lashtë popullor e njeh mirë ndikimin e fazave hënore mbi ngjarjet tokësore; ai nuk shkakton vetëm baticat, por edhe rritjen dhe zvogëlimin e rrjedhjes së limfës tek bimët.Sipas këtij koncepti edhe prerja e flokëve dhe praktika e heqjes së gjakut duhen bërë duke marrë parasysh fazat hënore.Për qetësimin e dhimbjeve menstruale përdoreshin bimë hënore (që lulëzonin natën).
Në ikonografinë kristiane virgjëresha Mari krahasohej shpesh me Hënën ose e paraqitur në këmbë apo e ulur në fron mbi drapërin e Hënës; kështu, në botën austriake, është lidhur kryesisht me fitoren mbi turqit (flamuri i të cilëve përbëhej nga gjysmëhëna), edhe pse e ka zanafillën te Apokalipsi i Gjonit (12, 1: një grua e veshur me Diell, me Hënën nën këmbë- simbol i fitores mbi forcat armike). Si simbol hënor është paraqitur në mënyra të ndryshme edhe sëpata dytehëshe, latusha me dy teha të lakuar në formën e Hënës dhe për këtë është cilësuar si arma e Amazonave, gratë luftëtare legjendare të antikitetit; përveç kësaj, ato kishin edhe një hark në formën e drapërit hënor. Edhe perëndesha e errët Hekata Troidite, “ajo që ka tri fytyra”, është e lidhur me fazat hënore (hënë vajzë, hënë e plotë, hënë e errët apo e re); në letërsinë moderne femërore i është kushtuar vëmendje e madhe “pjesës hënore” të burrit.Sisteme dualistike; lart- poshtë; bosht.
Në legjendat hebraike (J. Bin Gorion 1980, Bibl. 24) ka një mit simbolik që bazohet mbi sistemin dualistik Diell/ Hënë dhe është i caktuar të shpjegojë arsyen pse Hëna, njëra nga dy “llambat”, lëshon një dritë më të dobët. Krijuesi i shpjegon Hënës që janë dy pjesë: këndej dhe andej dhe se ekzistenca e dy dritave çon në këtë polarizim. Hëna, së cilës i është dhënë hapësira më e madhe e andej-it, është e pakënaqur që s’mund ta kalojë me ndriçimin e saj Diellin. “E Zoti tha: ‘Vërtet, ti deshe që unë të të bëja të madhe, duke zvogëluar Diellin. Por,mbasi ke qëllime të liga ndaj tij, ti do të jesh më e vogla dhe ndriçimi yt gjashtëdhjetë herë më poshtë se i tiji.’ Dhe Hëna tha përpara Zotit: ‘O Zot i Botës! Kam thënë vetëm një fjalë dhe duhet të ndëshkohem kaq ashpër?’ Dhe Zoti tha: ‘Një ditë (pra, me gjasë, pas Gjykimit) do të bëhesh e madhe si Dielli dhe drita e Hënës do të jetë e barabartë me atë të diellit.” Megjithatë, shenja e Gjykimit Universal (fundi i botës) është errësimi i Hënës (Gioele 4, 15). Hëna është pranuar jo vetëm me pjesën e natës së botës e me botën e përtejme por- shumë shpesh- edhe në Izrael, me feminilitetin dhe kjo anologji e qartë e ciklit menstrual me fazat e Hënës, duket edhe nga lidhja e saj me fushën semantike të “pjellorisë”. Gra dhe kafshë shtëpiake (deveja) mbanin në qafë hëna të vogla si zbukurim.
Apologjeti grek, Teofili i Antiokisë (shek.II pas Krishtit), i shihte Diellin dhe Hënën si simbole dualistike, “përçues dhe pamje të një misteri të madh.Në fakt, dielli është imazhi i Zotit, kurse Hëna imazhi i njeriut” (që e merr dritën nga Dielli).Në një kuptim të ngjashëm simbolik Origjeni (184- 254) e interpretonte perceptueshmërinë e dritës nga ana e Hënës si imazhi i Kishës, që përcjell për një sekondë ndriçimin tek të gjithë besimtarët.Njëvlefshmëria simbolike e përsëritjes së vizionit të “lindjes së re” të Hënës me rilindjen, këtu është e qartë.
Në Perunë e lashtë, nderimi i thellë i Hënës ishte i varur nga ai i Diellit sundues.Inkasi Garcilaso de la Vega (1539- 1616), e quan Hënën “gruaja e Diellit” dhe shkruan se brendësia e tempullit kishte qenë e mbuluar me pllaka argjendi «me qëllim që nga e bardha të merrej vesh se bëhej fjalë për dhomën e Hënës.Si në rastin e Diellit, aty ndodhej një portret i realizuar në formën e fytyrës së një gruaje mbi një lingotë të trashë argjendi. Hyhej në këtë dhomë për të kërkuar Hënën dhe për t’i besuar mbrojtjes së saj, mbasi mbahej motra dhe gruaja e Diellit, si dhe nëna e inkasve dhe e gjithë fisit të tyre; prandaj e quanin Mamakuila, që do të thotë “nëna Hënë”. Nuk i sakrifikoheshin asaj si Diellit. Nga të dy anët e figurës së Hënës qëndronin trupat e mbretëreshave të vdekura, vendosur sipas rendit të ardhjes në fron dhe sipas moshës…»
Në astrologji, si në sistemin gjeocentrik të antikitetit, sateliti i tokës bën gjithnjë akoma punën e “planetit” dhe, së bashku me Diellin, është një nga dy “dritat kryesore”. Është trupi qiellor më i afërt i tokës dhe i shfaq përherë të njëjtën”fytyrë”, gjë që është bërë origjina e shumë legjendave. Mbi bazën e ndryshimeve të fazave të saj, në astrologji ajo është konsideruar “e ndryshueshme, nga efekti kalimtar”, por edhe “bamirëse” (benefactor); për arsye se “planeti femëror”, ndikon mbi shpirtin, seksin femëror, nënat dhe gjithë popullsinë. Në shenjën e zodiakut është e lidhur me demin (për shkak të brirëve të kafshës, që të kujtojnë drapërin hënor apo për shkak të martesave mitike të perëndeshave hënore me një partner mashkull në formën e demit). Astrologjia më e re i mvesh Hënës cilësinë e administrimit te gruaja të personalitetit të jashtëm e te burri personin e thellë. Antikiteti fliste ndër të tjera, për Luna mendax ose Hëna e rreme, për arsye se vargu i fazave paraqet një ngjashmëri me shkronjën C (crescere) e D (decrescere), gjë që, megjithatë, është në kundërshtim me atë çfarë tregon ndryshimi i figurës në drapërin e Hënës. Në bazë të dhënies së kuptimit simbolik janë përcaktuar “gurët hënorë”, perlat, opali, seleniti dhe gjerdanët e sedefit; metali i saj përgjegjës eshtë argjendi. Që Hëna nuk është vetëm një “vend simbolik” i rajoneve qiellore, me të gjitha vlerat e saj poetike, por është pushtuar nga njeriu, për astrologjinë nuk do të thotë asgjë; dhe kjo në cakun e shëmbëllimit të universit drejtuar mbi njeriun, për të cilin planetet “tradicionalë” kanë ruajtur domethënien e tyre përcaktuese nga këndvështrimi sombolik.
Ikonografikisht, Hëna është paraqitur më së shumti si një drapër, me profil të drejtuar nga e majta.Megjithatë, drapërat hënorë shfaqen në emblemat kombëtare të shumë vendeve islamike.
Böckler interpretoi imazhet heraldike të hënës, duke kujtuar faktin se njëqind këshilltarët e Romulit mbanin mbi këpucë një gjysmëhënë në formë C-je “për të treguar se shkelnin çdo gjë që ndodhej poshtë Hënës, se toka është e zbrazët apo që kështu të njiheshin përballë të tjerëve si këshilltarë. Ata fisnikë që mbanin Hënën që tregon rritje, mbi emblemat e tyre, ndoshta e kanë marrë dikur nga turqit”.