
“Ose ndryshe, ku ta gjejmë një vrakaçor…”
Fejton nga Rafael Floqi
Duke marrë Bunën përpjetë
O në mendime tue mendue….
Shkodra ka parë shumë pushtues. Ka parë venedikas, osmanë, malazezë, serbë, austro-hungarezë, italianë, gjermanë, komunistë e demokratë. Ka parë topa, mortaja, tanke, konferenca ndërkombëtare, memorandume dhe harta të vizatuara në tavolina ku shqiptarët nuk ftoheshin kurrë. Por një gjë nuk e kishte parë kurrë. Një konsullatë që kërkon qytetarët pasi është vendosur ta hapë derën.
Po të besosh thashethemet e kafenesë, romanca politike Rama–Vuçiç nuk përfundoi me funeralin e “Ballkanit të Hapur”. Vetëm ndryshoi emër dhe adresë. Kur “Open Balkan” u varros mes duartrokitjeve të atyre që dikur e bekonin, dikush duhej të shpikte një produkt të ri politik.
Kështu, sipas humorit shkodran, lindi konsullata. Të tilla Shkodra i ka pasur që herët. Në vend të kamionëve pa barriera, tani udhëtojnë dosjet me stema. Në vend të tregtisë së lirë, qarkullojnë vulat. Në vend të samiteve me përqafime, organizohen prerje shiritash.
Një analist tha me seriozitetin që vetëm satira mund ta përballojë: “- Nëse Ballkani i Hapur nuk shtoi tregtinë, Ballkani i Konsullatave do të shtojë protestuesit.”
Nga fundi i kafenesë një plak ia ktheu: – Gabohesh. Në Shkodër protestat nuk organizohen nga konsullatat. Organizohen nga kujtesa.”
Dikush propozoi edhe emrin në serbisht: Konzulat Ničega. Në shqip tingëllonte edhe më bukur:
Konsullata e Hiçit, apo turçe: “Bosh konsullat”
Sepse, aty për herë të parë, hapej një konsullatë që dukej se kishte më shumë diplomatë sesa qytetarë për t’u shërbyer. Në hyrje, sipas shakave që qarkullonin, do të vendosej tabela:
“Mirë se vini! Numri i aplikantëve për shërbime konsullore: në proces kërkimi.”
Thonë se disa konsullata shpërndajnë viza. Por kjo po shpërndan më shumë pikëpyetje.
***
Në Shkodër lajmet ndahen gjithmonë në dy kategori.
Ato që jepen në televizor. Dhe ato që mësohen në kafene. Problemi është se zakonisht dalin të sakta këto të dytat. Atë mëngjes, Kafja e Madhe ishte plot. Jo se kishte ardhur ndonjë ministër. As ndonjë këngëtar. As ndonjë futbollist. Jo. Kishte ardhur një lajm. “Hapet Konsullata e Serbisë në Shkodër. Filxhanët mbetën pezull. Kamerieri harroi porosinë. Një plak uli gazetën. — Po mirë… kush po kërkon vizë?
Një tjetër ia ktheu: – Vizë? Jo mor burrë. Kjo është gozhda e sllave Nastradinit. Po kërkojnë shkas, medemek me histori.
I treti, që kishte ndërruar pesë regjime pa ndërruar tavolinë, piu një gllënjkë kafe dhe tha: “ Historia është si rakia. Sa më e vjetër, aq më shumë e hollojnë.”
Në atë çast dera u hap. Një zonjë nga Biblioteka hyri me një dosje të trashë. Mbi kapak lexohej: “Çështja e Shkodrës “. Plaku e pa gjatë. Pastaj tha qetësisht: -“Qenka kthye fantazma.”
Në vende të tjera konsullatat hapen aty ku ka qytetarë. Në Shkodër, sipas humorit të rrugës, po hapej aty ku kishte kujtime. Sepse ky qytet ka një ves të keq. Nuk harron. Harresa është luks. Shkodra nuk e ka pasur kurrë atë luks. Ajo mban mend rrethimin. Mban mend Konferencën e Londrës. Mban mend Parisin. Mban mend Fishtën, që Evropën e quajti “Kurva e Motit”.
Mban mend edhe memorandumin e vitit 1919 që mundohej ta bindte botën se Shkodra ishte “dalja natyrore” e Malit të Zi drejt Adriatikut. Plaku qeshi.: – Portë natyrore? Po mirë… kush e ka çelësin? Kafeneja shpërtheu në të qeshura.
Ndërkohë, sipas burimeve tepër sekrete, me ndihmën e bashkisë dhe policisë ishte ngritur një komision i posaçëm. Misioni? Të gjejë serbo-malazezët e Shkodrës.
Operacioni filloi në Parrucë.
Pastaj në Gjuhadol.
Në Rus.
Në Dudas.
Në Zdrale.
Në Velipojë.
Rezultati?
U gjetën më shumë turistë gjermanë, motoçiklistë çekë dhe italianë me sandale sesa qytetarë që kishin nevojë për një konsullatë serbe. Një zyrtar anonim deklaroi: -Nëse vazhdon kështu, konsullata do t’i lëshojë vizë vetes. Për të justifikuar investimin, tani kërkohet urgjentisht një vrakaçor. U gjend dikush që po këndonte.
“Buna rrjedh e Drini flet,
Vraka ruan lundrën e vet.”…
E ndalën dhe e thirrën. Aty ju duhej njё nga banorët e pesë familjeve sllave të Vrakës, jo për të lundruar në Bunë. Por për të nxjerrë nga fundi i liqenit ndonjë dokument që provon se Shkodra paskësh qenë dalja natyrore e dikujt tjetër e “Karadakut” drejt Adriatikut.
Nëse nuk gjendet dokumenti sot ? Nuk ka problem. Ribotohet memorandumi i vitit 1919. Pasi në Ballkan edhe dokumentet kanë jetë të përjetshme.
Por Vrakës i pat ndodhur ajo që u ndodhi qindra fshatrave shqiptare.
“Kush ma din fatin që kam se u dogja pёr së gjallë …
Njerëzit ikën. Dikur numëroheshin me mijëra. Sot kanë mbetur pak familje. Por kjo nuk e pengon fantazinë burokratike. Megjithëse askush si çregjistroi si në Preshevë. Përkundrazi po i kërkojnë ku të jenë edhe ndonjërin që mban mend njё varg kënge nga ‘Pozdravi”.
Aty ku zbrazet demografia, mbin administrata.
Edi Rama duket se ka zbuluar një ligj të ri të fizikës politike: Sa më e vogël pakica e popullsisë, aq më e madhe konsullata. Po vazhdoi kështu, një ditë do të kemi më shumë diplomatë sesa banorë.
Atëherë protesta nuk do të jetë më kundër konsullatës. Do të jetë për t’i gjetur konsullatës dikë për t’i shërbyer.
Por siç thuhet historia nuk është menu restoranti. Nuk porositet sipas oreksit politik. Një shekull më parë Memorandumi “The Question of Scutari” përpiqej të bindte diplomatët se Shkodra nuk ishte aty ku kishte qenë gjithmonë.
Po të ndiqnim atë logjikë, Italia do të kërkonte Britaninë në emër të Perandorisë Romake. Turqia gjysmën e Ballkanit në emër të Perandorisë Osmane. Dhe ndoshta grekët do të hapnin konsullatë në Trojë dhe s’kishte ç’u duhej kali dhe as filmi mbi Odisenë. Por sidoqoftë historia nuk është certifikatë pronësie. Është kujtesë. Por kur politikës i mbarojnë argumentet, fillon të kërkojë dëshmitarë në Mesjetë. Dhe pavarësisht se sllavët ishin “ortodoksë” në mesjetë, çuditërisht, dilnin katolikë, dhe mjaftonte njё viç pёr ta bërë Gjergj Balshën – Balshiq,
***
Dhe kur diplomati Ditmir Bushati si shkodran me taban pyeti:
– Po pse pikërisht Shkodra?
Shumë vetë u bezdisën. Pse po pyet ai. E ka me Skënderbeun, sepse pyetjet nga ish-socialistët janë të rrezikshme. Sidomos ato që nuk kanë nevojë për përgjigje. Sidomos kur dikush flet për spastrim etnik, diplomacia nuk matet me decibel, por me sekondat e heshtjes. Dhe në Ballkan, ndonjëherë, heshtja bën më shumë zhurmë se vetë deklarata. Madje, dhe kur ministrja serbe flet për spastrime etnike, në Tiranë bie një heshtje aq e thellë, sa duket sikur diplomacia është futur në ‘mute’. Ndaj flet me urtësi, Moisiu vetë Rama “ne nuk këndojmë në kor.
Po ja që edhe Pandeli Majkos ju ndez nervi patriotik, i Luftës së Kosovës dhe kujtoi se pajtimi nuk ndërtohet mbi harresë. As mbi memorandume të pluhurosura. As mbi nostalgji gjeopolitike. Por mbi respektin reciprok, dhe pёr banorët e Luginës. Dhe pyetja u ngrit sërish, “Mirë Lugina po pse Shkodra”. Përgjigja qe po “Mute” …
Në fund, mbi kalldrëmin e lagur të Shkodrës diku nga Rozafa, historia dukej sikur po buzëqeshte me historinë e lashtë të qumështit dhe gurit. Jo me zë të lartë. Me atë nënqeshjen e hollë shkodrane që ther më shumë se britma. Tre vëllezërit dikur mundoheshin të mbanin kalanë në këmbë. Dhe sot dy si-vëllezër mundohen të mbajnë në këmbë memorandume që historia i ka rrëzuar prej kohësh. Në kafene një plak u ngrit, pagoi kafen dhe, para se të largohej, tha:
– Shkodrën s’e morën kur erdhën me topa, mos kujtoni se e marrin me vula e copa.”.
Pastaj shtoi, duke parë drejt bashkisë e qesëndisi: “ Siç po tregon vapa, na doli dhe konsullata non grata … “ ende
Kafeneja shpërtheu në të qeshurat.
Vetëm historia nuk qeshi.
Ajo kishte dëgjuar të njëjtin skenar edhe një shekull më parë. Ende pa u ndërtuar “Kafja e Madhe”.