Sokol Paja*/
Lavdi jetës dhe veprës së Imzot Fan Nolit, intelektualit, diplomatit, prijësit shpirtëror, shtetarit, atdhetarit e shqiptarit të shquar të shekullit 20-të. Imzot Noli është pa dyshim një prej figurave më poliedrike të kombit shqiptar i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë e shtetit, kombit dhe mërgatës shqiptare të Amerikës. Në Lidhjen e Kombeve Imzot Noli i bëri një shërbim të shquar diplomatik shtetit e kombit tonë në rrafshin e politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Me veprimtarinë politike, fetare, diplomatike e komunitare, letërkëmbimet e shumta me personalitete botërore si politikanë, diplomatë e shkrimtarë, Imzot Noli themeloi diplomacinë shumëplanëshe të shtetit shqiptar. Imzot Noli krijoi një shkollë të mendimit politik e oratorisë shqiptare në skenën politike të Shqipërisë së viteve 20-30-të. Si orator elegant e sharmant, si mendje e një kalibri të lartë, si gjeni e brilant, me gjuhë të pasur e stil oratoriko-biblik, me fuqinë e argumentit dhe bindjes, retorikës patriotike, dijeve të shumta, miqësitë dhe kultura e lartë e Imzot Nolit u shëndërruan në një model të shkëlqyer përfaqësues, në një fuqi bindëse të jashtëzakonshme në ligjeratat e tij publike, politike e diplomatike në interes të shtetit e kombit shqiptar.
Imzot Noli si mjeshtër i përdorimit të shembujve, retorikës, logjikës, fakteve konkrete, të dhënave historike, ilustrimeve gjeopolitike, oratorisë sipërore, fuqinë logjike e analizuese, argumentuese, polemizuese dhe guximin e tij përballë udhëheqësve botërorë, në Lidhjen e Kombeve, shënoi një sukses diplomatik e historik për kombin tonë në njohjen e pavarësisë shtetërore, përforcimin e sovranitetit e integritetit territorial dhe afirmimin e kombit shqiptar krahas shteteve më të fuqishme të botës. Pranimi i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve falë punë së jashtëzakonshme të Imzot Nolit e delegacionit shqiptar, ishte një akt unik në historinë kombëtare pasi sanksionoi shtetin shqiptar si subjekt të së drejtës ndërkombëtare.
Fan Stilian Noli si një ndër figurat më të shquara e të kompletuara të skenës politike, diplomatike, fetare e atdhetare në historinë e Shqipërisë të shekullit të 20-të, la pas një trashëgimi të jashtëzakonshme kulturore, politike, shpirtërore e diplomatike me kontributin e tij të çmuar si shkrimtar, filozof, publicist, poliglot, përkthyes, aktivist i mërgatës së Amerikës, orator, diplomat, politikan, historian, muzikant, teolog e shtetformues, ku shoqëria, institucionet, shteti e kombi shqiptar i janë borxh përjetë. Figura politike, kulturore, fetare dhe historike e Fan Nolit mbetet një nga më të shndritshmet në panteonin e lavdishëm të shërbestarëve të kombit shqiptar.
*Fjala e editorit të gazetës Dielli në aktivitetin përkujtimor kushtuar veprimtarisë së Fan Nolit në Lidhjen e Kombeve, mbajtur në New York në Selinë e Kombeve të Bashkuara më 9 shtator 2024.