Nga Dr. YLLKA FILIPI*/
Letërsia bashkëkohore shqiptare është një korpus shumë i gjerë veprash dhe shkrimtarësh, nga i cili për lehtësi studimi do të fokusohemi në prurjet e saj pas viteve ’90. Ndryshimet politike në Shqipërinë e këtyre viteve, lanë gjurmë të thella edhe në jetën shpirtërore të kombit. Aty ku gëlonte dhimbja dhe mori krahë fjala e lirë, u hapën shtigje të reja për krijuesit të cilët tashmë e panë veten jashtë kontureve dhe normave të diktuara nga regjimi diktatorial. Pa pretenduar të vemë kufij të prerë midis këtyre ndarjeve, pasi të tillë nuk ka, për të hedhur dritë mbi këtë qasje në një trajtë rehabilitimi artistik me një vështrim të ripërtërirë, le t’i klasifikojmë shkrimtarët në dy grupime të mëdha:
a-Shkrimtarët më dy jetë krijuese: para dhe pas viteve ’90
Në këtë grup do të dallojme I.Kadare, D.Agolli, Dhori Qiriazi, Agim Shehu, Fatos Arapi, Faslli Haliti, Koçi Petriti, Ndoc Gjetja, Xh.Spahiu, Ndoc Papleka, Bardhyl Londo, Besnik Mustafaj, Preç Zogaj, Rexhep Qosja, Adem Istrefi etj, të cilët janë mjaft aktivë edhe sot shpesh duke i qëndruar besnikë strukturave individuale të mëparshme. Ishte terreni i përshtatshëm për të dalë nga heshtja e gjatë e diktuar nga lart, por nuk mund të mos përmendim edhe dukurinë se pati edhe nga ata shkrimtarë që u shprehën se nuk krijuan dot në diktaturë, por që heshtën artistikisht edhe gjatë kësaj periudhe, ashtu sikundër pati edhe vepra që u harruan padrejtësisht, duke shpresuar të ridalin në dritë, vetëm pasi të kenë fituar gjyqin e rreptë të kohës. Njeriu- shprehet Erich Fromm- e ndien veten të përfshirë në një konflikt të tmerrshëm – është rob i natyrës, por, megjithatë, është i lirë …, e megjithatë, si të thuash është trill i saj, ai nuk ndodhet as këtu, as atje.1
b-Shkrimtarët e rinj, jo nga mosha, por nga risitë që sollën: Ata shpërthyen vrullshën gjatë këtyre viteve e në vazhdim, dhe ju larguan tabuve tematike dhe strukturore te dikurshme drejt perceptimeve të reja, duke qenë sa më pranë shpirtit poetik, aty ku ndjeshmëria artistike përmbys un-in e diktuar dhe zhvendos imazhet arketipale drejt një rebelimi poetic. Në rrjetin e ngushtë të skemës së komunikimit letrar: dhënës (autor)-mesazh (vepër)-marrës (lexues), shkrin përjetimet e shkallës më të lartë emocionale. Spikatën avangardistët: Frederik Reshpja, Sadik Bejko, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Fatos Kongoli, Sadri Ahmeti, Moikom Zeqo, Rudolf Marku, Ylljet Aliçka, Ndue Ukaj, Ali Asllani, Din Mehmeti, Agim Vinca, Agron Tufa, Luljeta Lleshanaku, Rudian Zekthi, Rudi Erebara, Ramiz Gjini, Mimoza Ahmeti, Arjan Leka, Fahredin Shehu, Ervin Hatibi, Gjekë Marinaj etj. Mirëpo një pjesë e këtyre prurjeve të vrullshme, pavarësisht shkëndijave të talentit, nuk u zhvilluan dot dhe mbetën thjesht fragmentare, duke rënë në grackën mëtuese të egocentrizmit.
Nuk janë shkronjat që përcaktojnë letërsinë. A nuk janë dhe shkronjat, një mekanizëm rrotullues, që fshehin në vetvete pafundësinë? Po a dinë shkrimtarë të bëjnë lëvizjet e duhura?2
Këto fenomene të spikatura krijuese, prurjet në gjini të ndryshme letrare, turbulluan ujërat e së shkuarës e ranë në sy si individualitete artistike unikale të cilët ndryshuan pothuajse kahjet e letërsisë shqiptare, duke u bërë kështu pararoja e guximit shpirtëror poetik.
Ç’është individualizmi? Sipas Louis Dumont: Ka një sërë lidhjesh të tilla që na japin të drejtën të quajmë me fjalën “individualizëm” konfiguracionin ideologjik modern.3
Po ti refrohemi këtij autori mbi konceptin universal të indivudualizmit do të vinim në dukje dy kuptime të fjalës individ. E para si subjekt empirik i fjalës, mendimit, vullnetit, mostër e racës njerëzore, brenda botës dhe e dyta si qenie morale, e pavaruar, autonome, jo-shoqërore, pra jashtë botës, i ikur botës, (sipas konfiguracionit modern sui generis) pikë kjo e cila na intereson më tepër, pasi ka lidhje me formimin dhe zhvillimin e individit si krijues, në rastin konkret, arratisjen e tij jashtë drejtimeve të caktuara letrare, si një endacak i lirë dhe i vetmuar.
Të jetë kjo një marrëzi, një lajthitje e pavullnetshme, një lloj destruktiviteti i traditës së drejtimeve të ndryshme letrare, si një traumë post-diktatoriale në kërkim të lirisë krijuese? Erich Fromm e justifikon gjithsesi marrëzinë si “normale”. Në Etika-thotë ai,– Spinoza ka qenë i pari, besoj, që shprehu konceptin e marrëzisë, si: “normale”4
Një lloj dissidence e gjithkohshme, u ndie edhe gjatë kësaj periudhe, si jehonë e risive poetike që sollën poetët me kokë të prerë që guxuan të dilnin kundër normave të letërsisë së soc-realizmit, e cila zgjati jo pak, por plot gjysmë shekulli: (po të kemi parasysh faktin se si kohë fizike ajo fillon menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore e shtrihet gjerë deri në vitet’90) Ky shpërthim i dukshëm poetësh dhe shkrimtarësh ishte gati masonic. Ja si shprehet enciklopedisti Moikom Zeqo për shkrimtarët: O sfinks i pagojë, cila është sintaksa jotë?/ Dijeni, muzgjet e currilave janë funerali im…5
Në vitet 2000 e në vazhdim vijojnë shkrimtarë dhe poetë me emra krejt të rinj, me një të ardhme tepër premtuese, duke eksperimentuar drejt abstragimeve artistike, nënvetëdijes së qenies, substancialitetit ekzistencial, qerthujve të subkoshiencës poetike, ujdhesave të brendshme të shpirtit si materie e tjetërsueshme, por e pazhbëshme dot nga fatet apo politikat kolektive të globalizmit.
Që në fillim të shekullit të XX, letërsia shqiptare i përjetoi rrëmujshëm të gjitha drejtimet letrare të cilat në letërsinë botërore patën pasuesit e vet, idhtarët, ndjekësit e verbër të përfaqësuesve më tipikë dhe sigurisht edhe të karakteristikave përkatëse. Realizmi, si rezultat i zhvillimeve politiko-sociale mbeti kaotik duke u përzier me nuanca të neoklasicizmit, ekzistencializmit, simbolizmit, realizmit magjik, modernizmit dhe postmodernizmit. Ky terren nuk krijoi favorizimin e grupeve të caktuara letrare, deri kur dora e hekurt e shtetit vendosi rregullat e ngurta të realizmit socialist dhe sigurisht zhdukjen e “reve të zeza ” rebele të disidencës, duke i përçunduar autorët bashkë me veprat e tyre, shpesh edhe në varre masive, apo në humbella pa emër. Si rrjedhojë, edhe pas viteve’90 ky lloj kaotizmi do të ishte tejet i dukshëm edhe në prurjet e reja. Po t’i analizosh ato, mbi bazën e një parimi transhendental, sipas ndryshimeve në bazë të një shkaku të caktuar, nuk do mundësh dot të gjesh sisteme apo rryma letrare të cilat tentojnë të venë rregull në idetë e veta, por letërsi individësh me karakteristika të veçanta, jo vetëm si dukuri letraro-estetike e cila ishte e domosdoshme si një shtysë e brendshme perceptuale nga kolektiviteti drejt individualitetit, drejt një përmase këmbëngulëse unikale.
Në poezi: U vunë re prurje të reja në teknikat krijuese; përmbysje e rreptësisë së konformizmit të dikurshëm i kthyer tashmë thjesht në kujtesë kombëtare, realiteteve estetike dhe e traktateve teorike; vargje të thyera; ritëm alternativ; imazhe befasuese; simbolikë polidimensionale; shtrirje e absurdit përtej iluzioneve drejt një ndjeshmërie drithëruese; sureale e dalë nga realja përgjatë lojës imagjinative që i bën jehonë deshifrimit të mistikës së ndjenjave dhe gjendjeve më delikate në etapat ekzistenciale të qenies, nëpërmjet alkimisë së fjalës. Universi ligjërimor dhe ideor sintetizohet rreth një boshti poetik të fuqishëm, dimensionet poetike bëhen shpërthyese e konotative.
U eksperimentuan forma nga më të larmishmet në strukturën e vargjeve, larg tematikave të shteruara, dhe sa më pranë luhatjeve shpirtërore duke e vënë gjuhën në shërbim të muzës. Gjuha, thellësisht emocionale, implikohet me një rrafsh stilistikor të shumëfishtë figurash. Si e tillë kjo lloj poezie kërkon natyrshëm lexues të kualifikuar, ndryshe nga tradita e vjershërimit shqip. Brenda kësaj arene imazhesh, infinitet e gjuhës komplekse dhe ligjërimit figurativ, derdhen nëpërmjet lirizmit të një diskursi tejet original. Zë vend monologu i subjektit poetik duke zgjuar imazhet metafizike e meditative që transformojnë të zakonshmen në magji dhe përcjellin tek lexuesi aktiv mesazhe universale. Shenjat dhe simbolet, konstruktohen me kode e figura të shumta stilistike, me një retorikë specifike, gjë që jep një dimension të përjetshëm estetiko- semantik.
Poezia shenjëzon, perceptimet e krijuesit për botën dhe metafizikën, ato mistere të përjetshme të qenies së të gjitha kohërave. Paradigma kumbuese e transfigurimit të impulseve jetësore prekin reminishenca sureale, ndjeshmëri, fuqizojnë identitetin poetik duke shpërthyer me një nerv të fuqishëm në emocione dhe perceptime etike, duke sintetizuar dimensionet e dhimbjes dhe lumturisë drejt katharsisit shpirtëror të individit.
Në prozë: Për herë të parë pas viteve’90 në rrugën e prozës moderne të themeluar shumë vite më parë nga Koliqi e më tej Kuteli, romani, novela dhe tregimi shqiptar erdhën në një trajtë ndryshe. U thyen teknikat narrative soc-realiste, u zhvendosën strukturat, personazhet nuk u panë më në këndvështrimin nga jashtë-brenda, por si personazhet koliqiane nga brenda- jashtë, rol të jashtëzakonshëm luajti përdorimi i ironisë deri në sarkazëm therëse, rrëfimi shpesh mori udhën e vetës së parë të përgjithësuar apo të universalizuar, si një un-i global e i gjithëkohshëm brenda të cilit vërtiten lakadredhat e fateve, intrigave, ekzistencës. Në romanin modern pothuajse mungon tërësisht subjekti i mirëfilltë artistik duke e zhvendosur vemëndjen e lexuesit jo më drejt asaj që do të ndodhë, por arsyes përse duhet të ndodhë. Vëmendja u largua nga modelet klishe të personazheve pozitivë apo negativë, dhe u synua thjesht drejt të dukshmes, drejt qenies si koshiencë e subkoshiencë jokolektive, por individuale. Shpesh romanet vërtiten rreth një kryepersonazhi të vetëm, i cili mund të mos ketë as emër konkret, ose mund të ketë disa emra bashkë, ose mund të ketë një emër të çuditshëm, mund të jetë njëherësh edhe personazh dytësor, e që shpesh mund të shndërrohet edhe në personazh hije.
Përsa i përket romanit si gjinia më komplekse, më e plotë dhe më e vështirë e letërsisë, shpesh kemi një tentativë për të ndërthurur të të gjitha llojet e gjinive letrare: poezi, dramë, ese, tregim, novelë, peizazh, psikologji, filozofi, duke krijuar hapësira të pafundme interpretimi. Janë ngritur struktura të fuqishme me trajta personazhesh të rrëshqitshme: kafshë-drurë-shpendë, zogj tekanjozë, gurë mijëvjeçarë, shkëmbinj, male, lumenj, galaktika e ndoshta universe të tjerë, brenda lëkurës së të cilëve fshihen qeniet me arsye, ashtu sikundër personazhe-njerëz në të cilët merr përmasa groteske primitiviteti i të filozofuarit mbi enigmat jetësore. Regjistrat stilistikë të narracionit kalojnë nëpër sitën e hollë të groteskut në paraqitjen e deformuar të individit si përfaqësues tipik i shoqërisë së rrënuar nga traumat diktatoriale e postdiktatoriale, si rrjedhojë e të cilave kemi të bëjmë me personazhe tejet të vetmuar, të mbyllur në guackën e përditshmërisë dhe kotësisë së absurdit jetësor, teksa vërtiten përgjatë shtjellave të monologjeve asociative.
Për dekodifikimin e veprave rol të jashtëzakonshëm luan nënteksti, në shtresëzimet e të cilit synohet qasja drejt mesazheve të tërthorta që server dhënësi me gjetjen e pasforcuar të ekuivalencës stilistike e sintaksore. Kornizat narrative kompozicionale rikuptimësohen dhe luhet me paradokset semiotike të a-kohorësisë. Teknika e flash-back-ut theu kufijtë e kohës lineare drejt një kohe universale pa të shkuar, të tashme apo të ardhme. Realitete të magjishme fantastike shpalosen nëpërmjet një gjuhe të pasur, të gjallë e dinamike. Luhet shpesh me monologun si një alter-ego-e qenies së pakushtëzuar në hapësirë dhe kohë. Tentohet edhe drejt romanit eksperimental alla-xhojsian.
Në kritikë dhe studime letrare: Dija e gjerë e një studiuesi, është potencialisht e vlefshme për publikun, qoftë edhe përkohësisht, pasi përcjell këndvështrime të thelluara. Ndërsa kritiku vështron thellë, vetëm nëse problematika e veprës është me interes për publikun. Risku për të mos rënë dakort me përfundimet e tij nga ana e lexuesit bashkëkohor, është kurdoherë i pranishëm.
Është e qartë se përpunimi i fluksit të prurjeve të reja, por edhe rishikimi i të mëparshmeve, kërkon talent akademik të stërvitur në mënyrë që të përballen edhe me testin e gjykimit. Immanuel Kant shprehet: Parashtrimi i disa pohimeve nga ana e një personi dhe emërimi i tyre si gjeniale, në një fushë ku dështojnë lëvrimin e tyre edhe hulumtimet më të duruara racionale, do të qe diçka tej mase qesharake…Do të qe humbje kohe të kërkonim të dinim nëse duhet të qeshim më shumë me të vetëquajturit gjeni që e pështjellin veten brenda kësaj reje…apo me publikun mendjelehtë…?6
Natyrshëm lind pyetja? A ekziston kritika e mirëfilltë në fushën e letrave në Shqipëri? Është folur rëndom kohët e fundit se në letërsinë shqiptare bashkëkohore nuk ka kritikë të mirëfilltë, por kjo nuk hipotezë nuk është e argumentuar nga asnjë fakt shkencor.
Jo vetëm kritikët dhe studiuesit e rinj, që kanë një të ardhme premtuese, por edhe ata që u mbrujtën me metodat e kritikës së soc-realizmit, pas viteve’90, kanë sjellë dukshëm këndvështrime të reja në rileximin e shumë autorëve, jo vetëm të disidencës, por edhe të veprave të analizuara sipas një këndvështrimi social-historik sipërfaqësor. Nevoja për interpretime të reja ka ardhur organikisht duke u imponuar nga veprat e hapura të shumë autorëve të mëdhenj (për të rritur kuptueshmërinë), si psh. Migjeni, Koliqi, Kuteli, Camaj, Trebeshina, Kongoli etj. Emra të spikatuar si: R. Qosja, A. Pipa, F. Dado, A. Aliu, A.Vinca, S. Hamiti, B. Kuçuku, A.Plasari, Sh. Sinani, A.Kapurani, K. Jorgo, Dh. Shehri, P. Asllani etj, kanë sjellë rilexime veprash me një qasje ndryshe analitike dhe sistematike, me teknikat dhe metodat e fjalës së fundit në letërsinë shqiptare aktuale, duke hedhur dritë në enigmat e pazbuluara të tekstit letrar dhe hapur diskursivitete shkencore në studimin dhe interpretimin original të autorëve shqiptarë si një tërësi individualitetesh artistike, me kodet dhe strategjitë e veçanta të ligjërimit poetik, nën dritën e teorive dhe hulumtimeve moderne dhe bashkëkohore, si specialistë të mirëfilltë.
Ashtu sikurse asnjë kulturë nuk vdes, por i mbivendoset një tjetre, ashtu sikurse asnjë komb nuk vdes, por le pas breznitë e tij, po ashtu edhe një letërsi nuk vdes dhe as rilindet nga hiç-i. Ajo është mbështetur mbi një bosht të përbashkët me emrin art i cili është i tejjetshëm dhe nuk njeh kufij gjeo-politiko-shpirtëror mes kombeve. Por, pavarësisht ngjashmërisë me simotrat e saj evropiane, letërsia shqiptare si rezultat i lëngatës së gjatë në vorbullën e mbrapshtë të historisë së vendit, nuk ka mundur dot të zhvillohet paralelisht me letërsitë perëndimore të cilat kanë patur fatin e bardhë të lirisë shumë shekuj përpara nesh. Ky fakt hedh dritë mbi larmitë e prurjeve të reja gjatë këtyre viteve dhe deri në ditët tona të dukurisë së atipizimit të rrymave dhe drejtimeve letrare në të dy grupimet e mëdha të shkrimtarëve që janë marrë në shqyrtim.Të krijohet ideja se letërsia shqipe është letërsi individualitetesh artistike dhe jo grupimesh të caktuara moderniste dhe post-moderniste, sikurse ka ndodhur në letërsinë botërore. Në çdo regëtimë artistike, ka një lojë të çuditshme të shkrirjes së imagjinatës krijuese, fiction-it me empirizmin e dijes së shekullit të kibernetikës duke i vënë në sprovë të herëpashershme lexuesit dhe tronditur ndërgjegjen krijuese të kombit.
Letërsia si sistem i epërm vlerash ofron shtresëzime të shumta artistike mbi imazhet mendore, imagjinatën, fantazinë dhe strukturën artistike nëpër të cilën kalon procesi për dekodifikimin e të cilit shpesh na vjen në ndihmë psikoanaliza frojdiane, për të depërtuar deri në skutat më të thella të shpirtit krijues, aty ku shpesh njeriu është i lirë dhe askush nuk ja vret dot lirinë e tij. Këto liri krijuese janë çuditërisht sa të ngjashme, aq edhe të parrokshme dot nga një fill i përbashkët profilizimi artistik, me anën e të cilit shpesh mund të simbolizojmë kohën, vendin, hapësirën, koordinatat, trajtën e shpirtit të një kombi apo të disa kombeve bashkë e më tej drejt universalizimit të një letërsie tejet globale.
Parë në një këndvështrim modern letërsia shqiptare e këtyre viteve estetikisht nuk është as kopje dhe as krijim i parashikimieve të mundshme të atyre që priten të ndodhin në letërsitë e vendeve të tjera, pasi kjo do ta bjerrte strukturën, dhe do ta zbehte fuqinë artistike të substancës letrare, (e cila sigurisht ka si baze të saj ficton-in, por të sjellë në formë dhe trajtë origjinale), duke i krijuar hapësira shkrimtarëve të jenë sa më pranë unikalitetit artisti.
Pra, me individualizëm në letërsinë shqiptare pas viteve’90, do të kuptojmë dukurinë atipike që përfshin tërësinë e disiplinave të personaliteteve krijuese të cilët me origjinalitetin përkatës, risitë, strukturat dhe prurjet artistike, skalitën një profil të ri, tejet specifik dhe tërheqës për horizontin e pritjes. Anasjelltas, duket qartë se sa më i mbyllur të jetë krijuesi, aq më pak është në gjendje për t’u mbrojtur vepra e tij përballë presioneve, apo mësymjeve të klaneve të ndryshme pseudoartistike, tendencë kjo edhe e realiteteve moderne.
Vlen të veçojmë 3- rrafshe:
1-Specialitete letrare ku individi krijues nuk përjashtohet si një koordinatë universale. Secili prej tyre shkel në një truall sa të sigurt, aq edhe të rrezikshëm për artin e vet.
2-Orientime konkuruese të të njëjtës fushë të cilat vijnë vrullshëm, imponueshëm dhe shpesh të papajtueshme midis tyre të cilat lidhen me të njëjtin ideal dhe prezantojne të njëjtat kritere krijuese.
3-Orientime apo përpjekje të shumëfishta për orientim, si presion i ideologjisë së mjedisit, të cilat kërkojnë t’ua nënshtrojnë letërsinë drejtimeve letrare. Bashkësia e shkrimtarëve është të paktën institucionalisht më e dobët sesa gjetkë, në vendet simotra.
Pavarësisht se ka fatin të shkruhet me një gjuhë të vockël, por të përjetshme, letërsia shqiptare bashkëkohore është një dukuri, ku origjinaliteti dhe individualiteti krijues prezantohen me dinjitet në të gjithë botën mbarë.
_________________________________________________________
1Erich From, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981,fq.164
2 Moikom Zeqo, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012, fq.298
3 Louis Dumont, ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi,Tiranë 1997, fq.19
4 Erich Fromm, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR,Fan Noli, Tiranë, fq.227
5 Moikom Zeqo, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë 2011, fq.54
6 Immanuel Kant, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002, fq.147
*
*(Kumtesë mbajtur në Simpoziumin Shkencor të Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë,
New York, 22 Dhjetor 2013 nga Dr. Yllka FILIPI)
BIBLIOGRAFI:
Aliu, Ali, KËRKIME, Naim Frashëri, Tiranë, 1990
Barthes, Roland, THE PLEASURE OF THE TEXT, London, 1975
Çapaliku, Stefan, LETËRSIA E INTERPRETUAR, Arbri, Tiranë, 1998
Dumont, Louis ESE MBI INDIVIDUALIZMIN, Korbi, Tiranë 1997
Eco, Umberto, OPERA APERTA, Milano, 1962
From, Erich, SHPIRTI I NJERIUT, Fan Noli, Tiranë, 1981
Fromm, Erich, ANATOMIA E DESTRUKTIVITETIT NJERËZOR, Fan Noli, Tiranë
Frai, Northop, ANATOMIA E KRITIKËS, Shejzat, Prishtinë, 1997
Frojd, Zigmund, MBI LETËRSINË DHE ARTET, G.Karakashi, H.Luli, R.Hida, Fan Noli, Tiranë
HAMITI, Sabri, LETËRSIA MODERNE SHQIPTARE, Albas, Tiranë, 2000
Kant, Immanuel, KRITIKA E GJYKIMIT, Tiranë, Plejad 2002
Kadare Ismail, FTESË NË STUDIO, Naim Frashëri, Tiranë, 1990
Lemon L.T.L &Reis M.J, RUSSIAN FORMALISM CRITICISM, Tom Essays, Lincoln Nebrasha, 1965
Sarter, Zh.,P., Ç’ËSHTË LETËRSIA, Elona Riska, DeaS, Tiranë, 1998
Uoren, Ostin, Uellek Rene, TEORIA E LETËRSISË, Enciklopedike, Tiranë 1993
Zeqo, Moikom, LIBRI I SINOPSEVE, Uegen, Tiranë, 2012
Zeqo, Moikom, REFUZIMI I SHKRIMIT, Dituria, Tiranë, 2011
Jakov says
E nderuara Znj.Filipi
E lexova dhe vleresova se tepermi kumtesen tuaj qe e lexova dy here sepse me pelqeu .Nuk po shpalosh ketu gjithe aresyet pse dhe cfare , por dua te shtoje dicka qe ndofta e kaluat tangencialisht , me apo pa qellim .Kjo ka lidhje me Kadarene .I vleresuar meksimalisht per krijimtarine e tije kudo ne bote , une sidoqofte dalloje tek personi i tij nje metamorvit qe botoje komentet e mija ne VOAfoze nga ato dy periudha krijimtarie qe edhe ju i permendni :Shkrimet e tij para 1990 dhe ato paS saje.Duke qene se jam ne dijeni te tyre dhe i kam ndjekur here pas here , edhe pse nuk jetoje me ne Shqiperi qysh ne 1991,mbaj lidhje te vazhdueshme me jeten politike dhe letrare -artistike .Kam mbi nje vit qe kam nisur te komentoje shkrime te ndryshme ne VOA qe prekin tematiken mbi Shqiperine , ku kalova 45 vjet te jetes sime dhe ate te Israelit , vendit qe i jam perkushtuar qysh ne moshen me te njome , kur fillova te kuptoje kush jam dhe prej nga vije .Rrenjt e mija jane ne kete TOKE dhe per te bej te pamunduren , kudo qe ndodhem e ne cdo rast.Me 2005 botova tentativen time te pare ku permblodha gjithe ckisha shkruar tregime , poezi te hereshme , pak perkthime te lermontovit ne nje vellim modest e pa pretendime te titulluar TRENI i VONUAR ,ndofta kini ndjekur nje bisede per te para dy muajve ne VOA , kritikat e zonje Erebara , e cila po redakton librin tim te dyte , teresisht tregime , shumica e te cilave prek fate dhe jete te jehudijeve , para dhe gjate holokaustit.Shpresoje ta botoje nga tremujori i pare i 2014.Gjithashtu kam gati nje vellimth me poezi qe dua ta botoje gjithashtu apo te krijoj nje liber Bilingual shqip–Anglisht Jam akoma ne pritje prej VOA per kete qellim .Une kam prekur me force nje fakt te pamohueshem –shpetimin e hebrejve ne territorin shqiptar–3200 hebreje vendas dhe te ardhur nga Europa .Qellimi i ketyre shkrimeve eshte te ve ne evidence me force ate perpjekje , humanizem te pashoq ,rrezikun e madh qe u kanosej shqiptareve , per te shpetuar jete njerezish te pafajeshem viktima te bishes naziste , njerez qe u dorezuan gjermaneve kudo ne Europe , falas , vetem per shkaqe urrejtje klasore apo thjesht nje cmire te pallogjikeshme .Une i kam falenderuar dhe do te vazhdoje ta bej kete sa te jem gjalle , madje dua qe Europes ti jap mesazhin qe atje , ne ate shtet te vogel dhe te prapambetur per shkak te pushtimeve te njepasnjeshme , ka vlera te arta qe ata akoma jo vetem nuk i kane , por akoma nuk jane ne gjendje t’i kuptojne .Mirenjohtja , per mua , eshte dhe duhet te jete tipar bazal i karakterit te njeriut .S’ka me i keq se mos mirenjohtesi , nga ai mund te presesh te gjitha poshtersite .Se fundi , duke ju uruar gjithe te mirat ne jeten tuaj familjare e personale , kerkoje falje qe ju mora kaq shume kohe , per te lexuar dhe njoihtur dike qe artin ne pergjithesi dhe letersine ne menyre te vecante , do ta kete vazhdimisht pjese te jetes se tij.Faleminderit Jakov Solomon–Israel
bejtush says
Zonja Yllka Filipi me vjen keq qe keni nje vleresim krejtesisht te gabuar sa i perket origjinalitetit dhe individualitetit krijues.Ne leteresine e sotme shqipe nuk ka individualitet as origjinalitet krijues madje orogjinalitet nuk ka pas as ne leteresine e me hershme.Individualiteti letrar veshtire se mund te gjendet edhe ne letersine boterore pos asaj te antikes.