
(Reflektime mbi industrinë e librit)
Libri nuk është thjesht një objekt që qarkullon nga një dorë në tjetrën. Ai është një copëz ndërgjegjeje që i mbijeton kohës. Për këtë arsye, gjithçka që ndodh rreth tij: mënyra se si krijohet, si gjykohet, si promovohet, apo si dënohet dhe si lihet në harresë, nuk është vetëm çështje tregu, por edhe dëshmi e shëndetit moral të një shoqërie.
Në botën e librit bashkëjetojnë drita dhe hija. Drita është ajo hapësirë ku fjala lind e lirë, ku talenti gjen rrugën e vet dhe ku lexuesi takon të vërtetën. Hija, përkundrazi, ushqehet nga interesat, nga klientelizmi, nga njëanshmëria institucionale, nga llogaritë politike dhe ekonomike, apo nga aleancat e vogla që përpiqen ta zëvendësojnë meritën me përkatësinë. Atje, libri nuk “lexohet”për atë që thotë, por peshohet sipas emrit që e shoqëron, atij që e boton ose dorës që e shtyn përpara.
Është e lehtë të bëhesh pjesë e këtij mekanizmi. Më e vështirë është të ruash lirinë e mendimit, të mos e lejosh ndërgjegjen të kthehet në monedhë këmbimi dhe ta mbrosh fjalën nga çdo formë servilizmi. Integriteti nuk është një strehë ku futesh për t’u mbrojtur. Ai është një ecje në shi pa pranuar të veshësh petkun mbrojtës të dikujt tjetër.
Kam besuar gjithmonë se rruga krijuese nuk ndërtohet mbi duartrokitje, por mbi heshtje të gjata, mbi punë këmbëngulëse dhe mbi guximin për të mos u bërë pjesë e asaj që e cenon dinjitetin.
Nga njëra anë, ka refuzime që të lëndojnë, por, nga ana tjetër ka dhe pranime që të zvogëlojnë. Libri lind për të ndriçuar mendimin, për të ushqyer ndërgjegjen dhe për të krijuar qytetarë më të lirë. Pikërisht për këtë arsye, mënyra se si trajtohet libri është gjithmonë një pasqyrë e mënyrës se si një shoqëri trajton të vërtetën.
Në pamje të parë, industria e librit duket si një hapësirë ku, sido që të jetë, mbizotërojnë kultura, dialogu dhe meritokracia. Por kush e njeh nga afër këtë botë, e di se ajo nuk është e imunizuar nga sëmundjet që prekin pjesën tjetër të shoqërisë. Përkundrazi, aty reflektohen, ndonjëherë edhe më ashpër, oligarkitë kulturore, klientelizmi, ndikimet politike, interesat ekonomike dhe rrjetet e mbyllura të privilegjit.
Ka plot raste kur nuk fiton libri më i mirë, por libri që mbështetet nga lidhjet më të forta. Nuk dëgjohet zëri më i thellë, por ai që amplifikohet nga mekanizma ndikimi.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur këto mekanizma shtrihen përtej letërsisë artistike dhe prekin librin shkollor. Në atë çast nuk vihet më në diskutim vetëm fati i një autori apo i një botuesi. Në diskutim vihet cilësia e arsimit, formimi i brezave dhe vetë e ardhmja e shoqërisë. Një tekst shkollor nuk është thjesht një botim, ai është një mjet me të cilin ndërtohet mendësia e një fëmije. Kur vendimet mbi të ndikohen nga interesa të ngushta dhe jo nga cilësia, dëmi nuk mbetet brenda industrisë së librit. Ai depërton në klasë, në familje dhe, pas shumë vitesh, në vetë kulturën qytetare të vendit.
Më shqetësuese se padrejtësia është normalizimi i saj. Kur favorizimi quhet praktikë, kur njohjet paraqiten si meritë, kur heshtja blihet me privilegje dhe kur kritika ndëshkohet me përjashtim, krijohet një klimë ku mediokriteti ndihet i sigurt, ndërsa profesionalizmi detyrohet të justifikojë ekzistencën e vet. Kjo është forma më e rrezikshme e varfërisë kulturore, sepse nuk shkatërron vetëm konkurrencën, por shkatërron besimin.
Brenda industrisë së librit vë re se nuk mungojnë as goditjet e ulëta.
Heshtja e organizuar, përjashtimi nga hapësirat publike, minimizimi i punës së tjetrit, etiketimet, përvetësimi i ideve apo ngritja e barrierave të padukshme janë mjete që nuk prodhojnë kulturë, por frikë. Dhe aty ku krijuesi fillon të ketë frikë, fjala humbet një pjesë të lirisë së saj.
Megjithatë, historia e librit ka dëshmuar vazhdimisht se pushteti mbi kulturën është gjithmonë i përkohshëm. Grupet krijohen dhe shpërbëhen. Emrat ngrihen artificialisht dhe harrohen po aq shpejt. Ndërsa vepra që lind nga ndërgjegjja vazhdon të jetojë. Koha mbetet redaktorja më e rreptë dhe kritikja më e paanshme. Ajo nuk pyet se kujt i përkisje, por çfarë i dhe kulturës.
Pikërisht këtu fillon kuptimi i integritetit. Ai nuk është luks moral, por është kusht mbijetese për këdo që beson se fjala nuk duhet të jetë shërbëtore e interesit. Ka momente kur refuzimi i një kompromisi vlen më shumë se çdo privilegj. Ka raste kur të mbetesh jashtë një rrethi është mënyra e vetme për të mos humbur qendrën tënde.
Të flasësh hapur për këto dinamika nuk është ankesë, as revoltë personale. Është përgjegjësi. E nënvizoj: PËRGJEGJËSI.
Kultura nuk pastrohet duke heshtur për deformimet e saj. Përkundrazi, heshtja është aleati më besnik i padrejtësisë. Transparenca nuk rrënon institucionet, ajo i detyron të bëhen më të drejta. Kritika e ndershme nuk është armike e sistemit. Armik është konformizmi që e pranon padrejtësinë si normalitet.
Kam besuar gjithmonë se libri nuk është vetëm një produkt kulturor, por një kontratë etike me lexuesin. Kush shkruan, redakton, boton, vlerëson apo vendos për fatin e tij mban një përgjegjësi që shkon përtej profesionit. Çdo zgjedhje e padrejtë është një mundësi e humbur për kulturën, për arsimin. Çdo autor i lënë në hije për shkak të interesave është një zë më pak në dialogun e shoqërisë. Çdo tekst i dobët që zë vendin e një teksti më të mirë është një dëm që nuk matet vetëm me faqe libri, por me mënyrën se si do të mendojnë brezat që vijnë.
Prandaj, suksesi nuk mund të matet me çmimet, me listat apo me afërsinë ndaj qendrave të vendimmarrjes. Këto janë fitore që koha i rishikon vazhdimisht. Suksesi i vërtetë është të mos e humbasësh lirinë për të menduar, guximin për të thënë të vërtetën dhe dinjitetin për të mos e kthyer fjalën në monedhë këmbimi.
Në fund të fundit, ajo çka mbetet është karakteri. Ai është libri më i vështirë për t’u shkruar dhe i vetmi që nuk mund të redaktohet nga askush tjetër. Të gjitha veprat që krijojmë janë, në të vërtetë, vetëm shënime në margjinat e tij. Dhe nëse karakteri mbetet i drejtë, atëherë edhe fjala nuk përkulet. Sepse fjala e lirë mund të vonohet të dëgjohet, por nuk humbet kurrë fuqinë për të ndryshuar ndërgjegjen e një shoqërie.
(vazhdon)
Marsela Neni