
Harry Bajraktari/
Uluni, bisedoni. Krijoni institucionet. Mos e bllokoni përparimin e vendit. Të gjithë shqiptarë jeni. Pse të mos bashkoheni? Për shekuj me radhë, sa e sa njerëz janë sakrifikuar dhe kanë vuajtur për këto troje. Ngado që shkon në Kosovë, nga veriu në jug, kemi varreza të atyre që kanë dhënë jetën për një Kosovë të lirë e të pavarur. E ju, prej dy vitesh, nuk po arrini t’i krijoni institucionet e Kosovës.
Është për të ardhur keq!
Zhvillimin e Kosovës ua kemi borxh dëshmorëve të kombit tonë, falë të cilëve sot jetojmë të lirë në Kosovën e pavarur.
Ju, të zgjedhurit e popullit, nuk keni të drejtë ta mbani peng zhvillimin e Kosovës për poste, inate apo interesa partiake.
Kosova nuk është pronë e asnjë partie politike. Nëse nuk veproni tani, historia do t’ju gjykojë.
Amerika dhe miqtë tanë na kanë ndihmuar atëherë kur populli ynë kishte më së shumti nevojë. Por Amerika nuk mund ta çojë Kosovën përpara, nëse ne nga brenda nuk i kryejmë detyrat dhe obligimet tona.
Puna për Kosovën ende nuk ka mbaruar. Serbia vazhdon të ketë apetite ndaj Kosovës. Çdo ditë e më shumë po na kërcënon. Me përcarje dhe këtë bllokadë politike, vetëm Serbisë po i bëni qejfin.
Populli i Kosovës dhe populli shqiptar, brenda dhe jashtë atdheut, po ju pret.
VEPRONI PËR TË MIRËN E VENDIT