
Besnik Fishta/
Në periudha konfliktesh, filatelia tejkalon funksionin e saj tradicional përkujtimor. Pulla postare dhe zarfi i ditës së parë bëhen një mënyrë për të treguar se si një shtet e sheh dhe e interpreton luftën. Pikërisht në këtë drejtim shfaqet një dallim i dukshëm midis filatelisë ruse dhe asaj ukrainase pas fillimit të pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Në një pjesë të konsiderueshme të emetimeve ruse të kësaj periudhe mbizotëron një gjuhë vizuale e lidhur drejtpërdrejt me fuqinë ushtarake: tanke, avionë, raketa, ushtarë, mjete luftarake dhe simbole të ushtrisë. Lufta paraqitet përmes instrumenteve të saj materiale dhe ushtria bëhet elementi kryesor i mesazhit. Imazhi përcjell forcë, teknologji dhe aftësi luftarake.
Filatelia ukrainase, pa e shmangur temën e luftës dhe mbrojtjes, në disa emetime zgjedh një tjetër mënyrë komunikimi. Përveç ushtarit dhe armës, ajo vendos në qendër njeriun, kulturën, letërsinë, folklorin, kujtesën historike dhe identitetin kombëtar. Kjo e zhvendos mesazhin nga ajo që përdoret për të luftuar tek ajo që synohet të mbrohet. Një shembull domethënës është emetimi i lidhur me poemën “Armiku” të poetes ukrainase Liudmyla Horova, publikuar më 22 prill 2022. Poema përmend qytete si Buça, Irpini, Mykolaivi, Harkivi dhe Mariupoli, duke i shndërruar emrat e tyre në simbole të dhimbjes, kujtesës dhe qëndresës ukrainase.
Veçanërisht domethënës është transformimi i kësaj poezie në imazh filatelik. Emetimi “Qoftë mbi ty mallkimi i shtrigës, armik”, i ilustruar nga artistja Kateryna Shtanko, nuk vendos në qendër një tank, raketë apo kolonë ushtarake, por figurën e shtrigës, të marrë nga folklori ukrainas.
Kjo zgjedhje i jep luftës një dimension tjetër simbolik. Shtriga, e ardhur nga bota e legjendave dhe besimeve popullore, shndërrohet në figurë të zemërimit, forcës dhe qëndresës. Në vend të armës si simbol i fuqisë fizike, përdoret kultura si burim i fuqisë morale.
Këtu qëndron edhe një nga dallimet më interesante midis dy qasjeve. Imazhi ushtarak e paraqet luftën kryesisht si përplasje forcash, ndërsa simboli kulturor e lidh atë me arsyen pse një shoqëri lufton për të mbijetuar: për tokën, familjen, kujtesën, traditat dhe identitetin e saj. Një tank tregon fuqinë e luftës; një figurë folklorike, një poezi apo një këngë tregon atë që ndodhet përtej fushës së betejës.
Lidhja e emetimit te zarfit ilustruar me poezinë është po aq e rëndësishme. “Armiku” është një reagim artistik ndaj realitetit të luftës. Fjala shndërrohet në këngë, kënga në emocion kolektiv dhe më pas imazhi filatelik e fikson këtë emocion në një objekt që mund të ruhet e të studiohet edhe në të ardhmen. Për këtë arsye, zarfi i ilustruar “Mallkimi i shtrigës” ka vlerë jo vetëm filatelike, por edhe dokumentare e kulturore. Ajo nuk tregon vetëm çfarë ndodhi, por edhe mënyrën se si një shoqëri e përjetoi konfliktin. Nëse historia zyrtare regjistron datat, betejat dhe vendimet, filatelia mund të ruajë gjuhën emocionale dhe simbolike të një kohe.
Në këtë këndvështrim, përballja e filatelisë ruse me atë ukrainase tregon dy mënyra të ndryshme të komunikimit të luftës: në njërën anë, arma dhe fuqia ushtarake; në tjetrën, fjala, kultura dhe simboli folklorik. Pikërisht ky kalim nga arma te kultura dhe nga objekti ushtarak te simboli njerëzor i jep filatelisë ukrainase të këtij emetimi një dimension të veçantë.