Shkruan:Eugen SHEHU/
Unë e kërkova Is Boletinin,në fshatin e tij të lindjes në Boletin.Zëri im jehoi majëmaleve ,i fortë.Unë thërisja,jehonës së zërit tim,iu përgjigjën gurët e Sokolicës.Tek shpirti i ftohtë i tyre jehonte troku i kalit të Isës.Mu përgjigjën dallgët e bardha të Ibrit,në rreptësinë e tyre jetonte ajo vrazhdësi emblematike e Isës kur bëhej fjalë për armiqtë tanë shekullorë,shkijet.Mu përgjigjën me një zë gati ledhatues pyjet me qar e blinë.Brenda fëshfërimës së tyre ishte ajo dashuri madhore e Isës për tokën tonë që e lindi dhe e rriti.
Isa lindi në Boletin në mesin e janarit të vitit 1864.Lindi në ate kullë të cilat pas shumë vitesh do të futeshin në legjendat shqiptare.Ishte vetëm njëmbëdhjet vjeç kur i vrasin të jatin,Ademin i cili kish luftuar me armë në dorë,për vite me rradhë kundra ushtrisë të Mehmet Reshit Pashës i cili kishte ardhur në Kosovë si “dorë e fortë” e Sulltanit.Trupi i drejtë dhe i gjatë i Isës njëmbëdhjet vjeçar,u mbështet paskëtej në gjoks të vëllait më të madh të Ahmetit i cili anipse vetëm tri vjet më i madh do të ndikonte së tepërmi në karakterin e vëllaut.Duhet thënë se Rexhep Pasha,i cili sundoi pas Mehmet Reshit Pashës, ia kish ndjerë zërin fort larg për trimëri bijëve të Adem Boletinit.Në një rast ai e provoi sidomos trimërinë gati legjendare të Ahmetit dhe pas kësaj ai do ta linte krejt Boletinin të kalonte në rrjedhën e qetë të jetës së vet.Por marëdhënie të tilla me malësorët shqiptarë nuk do të shiheshin me sy të mirë në Stamboll.Kësisoj,me dekret të veçantë,Sulltani e dërgon Rexhep Pashën,gjysëm të internuar në Tripoli (Libi),ndërsa nis drejt viseve të Kosovës ekspeditë ndëshkimore. Kështu në vjeshtën e vitit 1892,pas disa jave luftimesh të paprera,kullat në Boletin u mbuluan prej flakëve.Porta e lartë donte të shkrumbonte krejt këtë ndjenjë atdhetarie duke u vënë zjarrin gurëve e drurëve.Po Shqipëria,Kosova e Dibra kishin zënë vend në dashurinë e madhe të bijëve të Boletinit.Ajo nuk do të fikej askurrë,ajo vetëm do të rritej e rritej ashtu siç rritej shtrati i Ibrit në mars,prej dëborërave që vinin nga Bajgora e Llapit. Në pranverën e vitit 1894,një pushkë i ze pusi Ahmet Boletinit.Ate çka s’mundën ta bënin turqit e jeniçerët me topa,u përpoqën ta bëjnë me tradhëti.Dora vrastare qëllon mbi gjoksin e burrit i cili kish qenë shembull qëndrese në Boletinin e ashpër.Tregojnë pas kësaj,se me të marë lajmin e vrasjes së vëllaut të madh,Isa rrëmben pushkën dhe shkon drejt e në fshatin Zhazhë ku u vra tradhëtisht Ahmeti.Brenda pak orëve ai merr gjakun e vëllait dhe në varrin e tij ai betohet se do të luftojë deri në frymën e fundit ndaj Portës së Lartë dhe shqiptarëve të mjerë që me veprime i shkojnë pas asaj.Pikërisht në këto momente,i rrethuar prej armiqve dhe pabesive,Isa Bolentini nuk mund të japi vetvehten.Ai fillon ti ringrejë nga e para kullat në Boletin,merr pjesë në kuvende miqësh dhe porta e tij rri e çelur për çdo dashamirës.Në vitin 1897,ate e viziton në kullën e tij pranë Sokolicës,gazetari gjerman Karl Estrajher i cili më pas në librin e tij me përshtypje udhëtimi,do ta krahasonte Isën me Gec fon Berlihingen,udhëheqësin e lavdishëm të revoltave të fshatarëve gjerman,shekuj më parë.Duke e vizatuar mjeshtërisht karakterin e Isës,Estrajer thotë ;
“Këtu lart,në bregun e Sokolicës,përballë armiqve të tij,Isai na e çeli zemrën.Është mërzitur nga kjo ndjekje që po i bëjnë dhe dëshironte të jetonte i qetë në rrethin e familjes,në shtëpinë e vet,dhe jo në dyshime të përhershme,në pusi të ngrehura… E ka kundërshtuar qeverinë dhe tani rron i kërcënuar nga të katër anët prej saj,prej armiqve,ndërsa vet është i rrethuar nga një grusht shokësh besnik,vetëm nga tridhjetë vetë,që mund ta lënë kokën për të”.
Fundi i shekullit të kaluar,veçanërisht vitet pas Lidhjes Shqiptare të Prizërenit,kishin sjellë ndryshime në vetëdijen nacionale të Shqiptarëve.Kishin filluar gati në të gjitha vilajetet të shkonin disa libra shqip që,ndonëse të paktë,ngjallnin shpresa për një rilindje kombëtare. Këta libra ishin si ato zogjtë e shkurtit që çajnë qiejt e dimrit për të lajmëruar pranverën që vjen sipër krahëve të tyre. Gjithsesi kësaj ndjenje në zgjim të shqiptarëve,Perandoria Osmane iu përgjigj me një valë ekspeditash të rrepta ku shtëpia edhe mund të digjej nëse gjendej në te ndonjë kartë e shkruar në gjuhën shqipe.Në këto kushte atdhetari Haxhi Zeka u vu në krye të Lidhjes së Pejës, e quajtur ndrushe “Besa – Besë”.Përpos të tjerave,ky kuvend burrash vendosi që nëse një krahinë ose fshat i Kosovës sulmohej prej forcave qeveritare,krejt Kosova do të ngritej për ti bërë ballë valës shkatërimtare osmane.Për zonën e Drenicës,Bajgorës e Llapit,Isa Boletini dha besën se do të ishte së bashku me trimat e kësaj treve,ushtari besnik i Lidhjes së Pejës.Dhe sprova më e madhe ishte arrestimi i mikut të tij të ngushtë dhe një prej udhëheqësve të Lidhjes së Pejës,Aqif Pazarit. Me të marrë vesh se ky u arestua dhe u dërgua në Stamboll,Isa Bolentini jep kushtrimin ndër miq e shokë brenda tri ditësh niset për në Pazarin e Ri. Është interesant të mendosh se ai u nis prej kullave të tij,në krye të 500 kalorësve,ndërsa kur mbëriti në Pazarin e Ri,telegramet e Shemsi Pashës drejtuar Stambollit,bëjnë fjalë për 10 mijë burra të gatshëm për të luftuar e vdekur nën urdhërat e Isa Boletinit.Me të arritur në Pazarin e Ri,Isai organizon disa trupa dhe pa hedhur shumë pushkë merr në dorë qytetin duke lajmëruar Shemsi Pashën që brenda dy tri ditëve,Aqif Pazarin e duan të lirohet prej burgut.Regjimentet turke të Shemsi Pashës u vunë përballë një revolte që priste të shpërthente nga çasti në çast.Ky lum i madh trimash prej mijëra vetësh,kuptohet se kishte brenda gjoksit të tij,më tepër se merakun për jetën e një njeriu.Pikërisht këtë kuptuan pashallarët e Stambollit që ulën kryet me turp dhe lanë të lirë mikun e ngushtë të Isa Boletinit.
E ndërsa Shemsi Pasha,nuk le gurë pa lëvizur për të shtënë në dorë Isain,ky i fundit i rrethuar prej një grushti trimash,shkon shpesh në Mitrovicë dhe enkas del rrugëve si për t’iu kujtuar regjimenteve osmane se ky vend është shqiptar dhe këta janë gjallë,e s’mund të frigohen prej askërkujt.Edhe pse Turqia dhe Rusia e fillimshekullit vinin pas një lufte të gjatë me njera tjetrën,ato përsëri nuk do t’i rreshtenin pazaret në kuriz të tokave shqiptare.Një ndër këto pazare është padyshim,dërgimi i konsullit rus në Mitrovicë,me dekret të Portës së Lartë.Lajmi për këtë ra si rrufe në atdhetarët shqiptarë të cilët parashihnin një kujdes të madh të qeverisë osmane për elementët serb në Mitrovicë.Kështu në ditët e para të gushtit 1902,ndërsa ish hapur lajmi se në qytet do të vinte konsulli rus, zbret Isa Bolentini në qytet me ate hapin e madh e vështrimin krenar,me kuburen e qëndisur me serm dhe vështrimin prej shqiponje. Me të marr vesh për zymtinë e bashkëkombasve të vet,energjik siç ishte,krejt i qetë dhe i vendosur ai thërret tellallin dhe diçka i shpjegon në pazar.Ky pas kësaj,nën tingujt monoton të goditjes së daulles thërret me zë të lartë ; “Asht urdhër i prerë i Isa Boletinit.Kena lidh nji besë e duhet me iu përmbajtë asaj.Kush bën konak për konsullin e Rusisë,në hotel,në shtëpi e kudo qoftë,ta dij fort mirë se neseret i del tymi !”.
Mund të tinullojë edhe si humor por me të dëgjuar tellallin,një hotelxhi i mjerë që pati strehuar konsullin rus,duke mos ditur as të komunikojë me të,vrapon në dhomë,i merr bagazhet dhe ja nxjerr jasht në rrugë.Më pas aty vinë disa autoritete të divizionit osman dhe i shpjegojnë gjithshka konsullit që habitej.Pastaj këto autoritete e marrin mikun e ardhur prej moske dhe duke e shoqëruar me dhjetra vetë e strehojnë në një gazermë të sigurtë për ta nisur të nesërmen me tren për në Shkup. Sipas gazetës “Zastava” datë 20 mars 1903,lidhur me këtë “incindent” të rëndë mësohet që Isa Bolentini të ketë thënë ; “Kjo është thjesht çështje politike.Shqiptarët nuk mund të pajtohen që në zemër të atdheut të tyre,ku nuk ka asnjë rus,të durojnë votrën e sllavizmit”.
E ndërsa shqiptarët kishin filluar të mbureshin me emrin e Isa Boletinit,të tjerë, ata që shihnin tek ai mitin e rezistencës shqiptare nuk mund të pranonin kësisoj realitetin..Vetë Cari i Rusisë i kërkon Sulltanit që pas asaj që ndodhi në Mitrovicë ku duhet të bëjë çështë e mundur që Isa Boletini të largohet prej andej qoftë edhe për pak kohë që të vihet në vend nderi i Perandorisë së Lindjes.Disa biseda me Shemsi Pashën nuk mund të ndryshpjnë asgjë në rrjedhën e jetës së Isa Boletinit. Madje në një rast,kur Shemsi Pasha i kujtoi shpërblimet e mëdha që i ofronte Porta e Lartë , biri i Boletinit iu përgjigj se as gjyshi e as babai i tij por as ai e nip e stërnipërit e Boletinit,nuk do të vraponin pas kockave,por vetëm pas Shqipërisë.Sultani,duke parrë reputacionin në rritje të Isa Boletinit mendon ta mbaje me të mirë ate pasi çdo lloj lufte që mund ti hapte e parashihte të humbur.Bile ai nuk vonon edhe ta ftoje në Stamboll duke i premtuar se do të jetë në shtëpinë e tij dhe do të bisedojë shtruar për fatin e Shqipërisë.Mjeshtër i këtyre makinacioneve politike,Sulltani dërgon deri në kullën e Isait në Boletin,dy njerëzit e tij që sidoqoftë ishin edhe në miqësi të ngushtë me familjen e Isës. Këta ishin Adem Nikshiqi dhe Sulejman Begçegiçi të cilët kishin në zotërim pasuri të mëdha në Turqi dhe Kosovë.Ata gjithashtu i dhanë besën trimit të Boletinit se jeta e tij ishte e siguruar dhe pos të mirave për Kosovën asgjë nuk kish për të ndodhur.Ky i fundit,i prerë si gjithmonë në gjykimet dhe fjalët e veta,mbasi i pret miqtë me gjitha të mirat i thotë se mund të shkojë në Stamboll nëse në Mitrovicë,Shemsi Pasha rri urtë me shqiptarët dhe këtu nuk shkel asnjë këmbë, konsulli sllav të huaj. Sulltani pranon kushtet e Isës dhe ky i shoqëruar nga një grusht trimash niset për në Stamboll i përcjellë prej qindra bashkë atdhetarëve që ndërsa ndaheshin e porosisnin të kujdesej për vehten e të kthehej sa ma parë në Boletin.E vërteta është se në Stamboll,biri i Boletinit, fillimisht pritet me nderime e respekte të veçanta.Atij i sigurohen kushte të mira jetese madje i jepet një shumë mujore edhe për shpenzime të tjera që mund të përdoreshin për pritjen e miqve. Por qëllimi i vërtetë i vizitës,ai i një bashkëbisedimi lidhur me problemet e Kosovës nën Perandorinë e Osmane,nuk u arrit asnjëherë. Madje miqësia midis Sulltanit dhe Isa Boletinit erdhi duke u ftohur ngase padyshim ata mbronin të dy aspiratat e qëllimeve të kundërta. E thënë troç,këta të dy kishin shumë pak gjëra që i bashkonin dhe një mal të tjera,që jo vetëm i ndanin por nga çasti në çast mund t’i hidhnin në krahët e luftës.Sidoqoftë,Isa Boletini gjatë kësaj periudhe ka mbajtur një qëndrim disi miqësor ndaj Portës së Lartë.Por ai,ashtu si atdhetarë të tjerë shqiptarë,parashihnin tek qëndrimi i tyre,i butë ndaj Perandorisë një lloj ekulibri të domosdoshëm që i kërkonte në çdo kohë rreziku prej bishës serbosllave.Ndaj edhe Isa Boletini,intuitivisht e kuptonte se marëdhëniet e tij me Portën e Lartë nuk do të mund të kishin një përfundim të gëzuar,por sidoqoftë këto mardhënie nuk do të hidheshin poshtë asnjëherë duke u zbuluar nga të dy krahët.Anipse koha e qëndrimit të tij në Stamboll ishte e gjatë,reputacioni i birit të Boletinit askurrë s’u përfol.Ishin qindra shqiptarë që shkonin në shtëpinë e tij,bisedonin e qanin hallet e Kosovës dhe merrnin zemër prej burrit të paepur e plot shpresa.Por edhe propaganda s’mund ta linte në periferi këtë trim të mbyllur prej Sulltanit në Stamboll.”Shkruajnë nga Shqipëria e sipërme se shqiptarët janë mjaft të turbulluar që s’u kthye kryetari i tyre,Isa Boletini,nga Stambolli.Kanë frikë se mos çohet syrgjyn në Anadoll e nuk kthehet më kurrë në atdheun e vet”.(“Le Temps” e Parisit, më 25 dhjetor 1902 ).
Duke parë se durimi i Isa Boletinit po mbarohej,me urdhër të Sulltanit,atij iu propozua të merrte titullin Pasha.Biri i Boletinit duke e kuptuar fort mirë “nderin” që po i bëhej nuk e pranon këtë titull por përkundrazi,i bën me dije njerëzit e oborrit se ai do të largohet sa ma shpejtë për në atdheun e vet.Madje,në një moment nervozizmi,kur i dërguari i Sulltanit,Tahsim Pasha po i thoshte se do të shohim punën e kthimit në Shqipëri,Boletini i tha prerë ;”Sote dy javë me kini në stacion trenit. Ose i hypi trenit i gjallë ose më zvarrisni të vdekur në Stamboll !”.Duke njohur karakterin e tij,pas disa ditësh,njerëz të oborit erdhën dhe i thanë se mund të largohej pasi kish urdhëruar mbi këtë çështje edhe Sulltani. Lajmi u hap si rrufe dhe ende pa shkelur këmba e tij në Mitrovicë,qindra shqiptarë u grumbulluan aty.Thirjet majëkrahi gjëmuan në Llap e Bajgorë,në Gjakovë e Vuçitërn duke dashur që gëzimi të ndahet në çdo vatër të Kosovës.
Po Ibri ? Ah Ibri,që vuan dhimbje edhe sot, edhe ai i përplasur i ka valët nëpër gurrë e shkrepa duke iu gëzuar kthimit të birit të Boletinit por edhe burrit të Shqipërisë.
“Vitin 1907,Isai e shkoi në qytetin e Mitrovicës duke u marrë me disa ngatërresa të vogla midis qeverisë dhe popullit… ose mosmarrjen rekrutëve që ishin të thirrur të shkonin në ushtri,të rinj që ishin pa ndihmes të tjerë në shtëpi dhe ishin mbledhur përdhunisht nga zyrat e rekrutimit.Kjo e rekrutëve bëri shumë bujë.Prindërit e të afërmit e tyre erdhën në Boletin dhe ju lutën Isait t’ua shpëtonte djemt.Ai hyri në zyrën e rekrutimit dhe u bind se qenë mbledhur djem të varfur,ligje e pa ligje,për të mushur si bedelë numërin e bijve të të pasurve dhe të bejlerëve.Ata i nxori nga zyra dhe i ktheu në shtëpi”.(S.Lucrasi,”Jetëshkrimi i shkurtër i Isa Boletinit,Rilindja 1972,Prishtin,fq 57
Më pas trimin dhe të mençurin Isa Boletinin,do ta shohim jo vetëm si pjesmarës por edhe si burrë që i dëgjohet fjala,në kuvendin e korrikut,në Ferizaj më 1908..Ishte koha kur shqiptarët fillimisht e përkrahën vendosmërisht lëvizjen e Turqve të Rinj.Por më pas,ata e kuptuan se nëse faktor të tij,nuk shfrytëzohen për interessa kombëtare,asgjë s’do të buzëqeshe në fatin e Shqipërisë. Isa Boletini,duke njohur nga afër sëmundjen e Perandorisë,duke ndjekur zhvillimet e falë miqsisë me Ismail Qemalin do të mund të krijonte një barazpeshë në qëndrimet e tij si udhëheqës popullor,ndaj Portës së Lartë.Në kuvendin e Ferizajit,korrik 1908,trimi i Boletinit,së bashku me Bajram Currin,Sulejman Batushën,Idriz Seferin,Ramadan Zaskocin,Musa Miftarin e dhjetra burra të tjerë lidhën besën për të luftuar deri në fund kundra çdokujt “që donin me coptue Shqypninë !” .
Pos të tjerave në këtë kuvend historik u nënshkrua prej trimave shqiptarë një besë e cila kërkonte të ndalohej hakmarrja për gjashtë muaj dhe të luftohej pa dallim si kundër armiqve të huaj, ashtu edhe kundër tradhëtarëve të vendit.Por në të njejtën kohë,firma e Isa Boletinit është edhe në telegramin e datës 21 korrik 1908 që Kuvendi i Ferizajit i dërgoi Sulltan Hamitit, e në të cilën pos të tjerave i kërkohej këtij të fundit të vendosë regjimin kushtetues.Lidhur me këtë telegram,në kujtimet e tij,plaku Ismail Temali shkruan : “Ky telegram në mendjen e Sulltanit mbeti një mbresë me të të madhe se vetë protesta e Fuqive të Mëdha”.(“Rilindja” – Prishtinë,19 janar 1971 ).
Duke qenë ndër ideatorët dhe mbështetësit kryesorë të kuvendit të Ferizajit i cili me sa duket kërkonte të konkuronte të ardhmen e pavarur kosovare,Isa Boletini tanimë viret në shënjestër edhe të turqve të rinj.Ata e dënojnë me vdekje dhe janë vetë gazetarët e Beogradit që e deklarojnë hapur këtë.Por plumbi s’mund ta zinte kurrë trimin e maleve që mbante kurdoherë në shpirt vizionin e një Shqipërie të pavarur.E nisur në kuvendin e Ferizajit,besa shqiptare për ndalimin e gjakmarjes po kthehej në një besë potenciale për të bashkuar gjokset dhe armët kundër armikut.Kjo tek e mbramja shuante shpresat e Portës së Lartë për qetsi në Shqipëri.Madje jo vetëm kaq,por fjalën e Haki Pashës në këshillin ministror,xhonturqit reaguan hapur dhe egërsisht.Vetë Haki Pasha Sedrazemi tha ;”Rreziku më i madh i Turqisë,nga gjithë kombet që jetojnë nën perandorinë tonë, janë shqiptarët.
Po fara ishte hedhur.Në shpërthim të çeljes së saj nuk ishte kujdesi i pakët i një kopshtari por aspirata e një populli të tërë,i cili duke parandjerë zgjimin e vet bashkoi mendjet dhe zemrat për të flakur tej një sundim.Beteja e Grykës së Caralevës,do të ishte një provë tjetër e besnikërisë së Isa Boletinit ndaj idealit madhor të lirisë së vendit të vet.Kështu në prillin e vitit 1910,kur sapo kishte nisur kryengritja e kosovës,Mahmut Shefqet Pasha,në krye të dhjetë mijë turqve vjen në Shqipëri.Tashmë për çdo Pashë të ardhur në Kosovë,ishte e qartë si pika e lotit që s’mund të bëjë kompromis me Isa Boletinin.Mahmut Shefqet Pasha,u kish deklaruar deputetëve të Stambollit se Isa Boletinin do ta sillte të lidhur tek Ura e Gallatës (Stamboll).Duke ditur vendqëndrimin e trimit shqiptar,pashai urdhëroi të kalonin forcat më të mëdha në Grykën e Caralevës dhe vetë, në krye të shtabit madhor drejtoi luftimet në këtë zonë.Beteja në Carralevë zgjati pak më tepër se dy javë.Ajo ishte e egër dhe në mjaft vende u zhvillua trup me trup.Mbase nuk duhet harruar se në disa çaste kritike,Isa Boletini ndërsa priste ndihma u tradhëtua prej Rustem Kabashit.Por edhe në këto çaste kaq të vështira,burri i Boletinit nuk u trondit aspak.Ai dijti të udhëheqe formacionet e luftëtarëve popullorë nën një strategji që e kish bazën tek mençuria shekullore shqiptare.Kjo u duk sidomos në fshehjen e trupave dhe të qëllimeve gjatë goditjes me artileri të Mahmut Pashës e mandej në goditjet e befta e plot sukses të trimave të kosovës.Ndërkaq këmbëngulja e shtabit ushtarak për mos ta lënë grykën e Caralevës,ishte mjaft e madhe.Pikërisht në këtë front dërgoheshin trupa të freskëta dhe me gjithë humbjet e mëdha Mahmut Pasha nuk rreshte së hedhuri në sulm kontigjente të armatosura ushtarësh.Gazeta “Cetinjski Vjesnik” e atyre ditëve,e analizonte gjërësisht situatën në Grykën e Caralevës dhe duke u ndalur në vetitë e Isa Boletinit shkruante ; “Kundër kryengritësve shqiptarë,Porta u detyrua të dërgonte forca të reja,më të mirat e Perandorisë.Komandant supremi i Ushtrisë Turke ishte emëruar Mahmut Shefqet Pasha.Ai deklaronte se shpirti i tërë kryengritjes ishte Isa Boletini,dhe se vetëm kur të mposhtet ai,situata mund të jetë në duart e turqve.Taman për këtë arsye ushtria turke u vërsul si e marrë në Grykën e Caralevës.Nën kushtrimin e Isa Boletinit së shpejti në Caralevë u tubuan 15-20 mijë kryengritës…”.
E vërteta është se pas disa ditë luftimesh,kryengritësit shqiptarë u detyruan të tërhiqen nga Carraleva e megjithatë,për nga trimëria e tyre,për nga betejat ku mbetën të vrarë me qindra ushtarë e oficerë turq,Carraleva do të shërbente si nji gurë prove i qëndresës madhore shqiptare.Kjo grykë do të hynte në këngë së bashku me legjendën e gjallë Isa Boletinin.Vitet që rrodhën më pas e gjejnë Isain në ballë të përpjekjeve popullore për pavarsi të Shqipërisë.Djegja e shtëpive,përndjekja e egër që Porta i bëri Isës,e detyroi këtë të largohet prej vendlindjes e të vendoset në Mal të Zi.Autoritetet sllavo-malazeze,u përpoqën disa herë ta marrin me të mirë trimin e Boletinit,ata nuk harruan ti premtojnë çifligje e tituj,vetëm e vetëm për ta vënë në shërbim të tyre.I mençur prej natyre,Isa Boletini i pat kuptuar qëllimet e tyre të kahershme por zakonisht përgjigjet i jepte të prera,pa lejuar komente mbi to.Nënteksti ishte i qartë : jeta e tij ishte vetëm në shërbim të Kosovës.
Ai ka filluar tashmë të mbajë lidhje të ngushta me Ismail Qemalin,Bajram Currin,Hasan Prishtinën dhe Hasan Ferrin.Më tepër se lidhje miqësh,këto ishin lidhje trimash që parashihnin se vetëm duke qenë të bashkuar,si një trup i vetëm,do të mund t’i bënin ballë sundimit osman si edhe lakmive shovene të fqinjëve sllav.Një e tillë,ku u lidh besa për t’u ngritur në luftë krejt Kosova me gjith Shqipërinë,ishte kuvendi i Junikut.Në te muarrën pjesë ; Isa Boletini,Hasan Prishtina,Hasan Ferri,Xhemal Begu,Qerim Begolli,Niman Bala,Ibrahim Bajaraktari,Idriz Zeqo,Ibrahim Hoxha, Bajaram Mani,Bajram Curri,Sadri Azemi, etj.Tani në Besëlidhjen e Junikut merrnin pjesë pothuajse udhëheqës të kryengritjes popullore nga krejt trevat verilindore të Shqipërisë.Juniku u pasua me një veprimtari të ethshme mbarëkombëtare.Forcat kryengritëse të udhëhequra prej Isa Boletinit zhvilluan disa luftime në Prishtinë,Llap,Podujevë dhe Karadak të Gjilanit.Kudo,uragani i revoltës popullore shqiptare,mirrte përpara batalione e regjimente osmane të cilët duhet thënë se po parashihnin fundin e tyre pa lavdi.Gjithashtu falë organizimit ushtarak të Isa Boletinit e Bajram Currit,me 14 gusht 1912 edhe qyteti i Shkupit (kryeqyteti i Vilajetit të Kosovës) ra në duart e kryengritësve.Me datën 15 gusht,Idriz Seferi,Isa Boletini e Bajram Curri e dhjetra udhëheqës të tjerë,në krye të 3000 burrave të armatosur hynë triumfalisht në Shkup përmes një hareje të pazakontë.Me radhë pas Shkupit,pothuaj krejt trevat shqiptare të Kosovës u gjendën edhe përmes rrëmujës të krijuar prej paktit ballkanik por edhe nën ndikimin e një shprese që po lindëte.
Midis aleancës ballkanike dhe Turqisë,prijësit popullorë shqiptarë zgjodhën luftën e armatosur për pavarsinë e trojeve etnike shqiptare.Mdje ata nuk nguruan të deklarojnë hapur qëllimin e tyre madhorë. Kështu me 14 tetor 1912,patriotët Nexhip Draga,Sali Gjuka dhe Bedri Pejani,në një telegram që u dërgonin Fuqive të Mëdha,shpreheshin qartë se shqiptarët kishin rrëmbyer armët jo për të përforcuar pushtetin e Turqisë në ballkan,por për tu dalë zot trojeve shqiptare.Mbase nuk duhet haruar se pikërisht në këto momente,janë dy-tri përpjekje të autoriteteve të larta serbe të cilat duan të kompromentojnë karierën patriotike të Isa Boletinit.Por në asnjë prej bisedimeve ata nuk mundën t’ia arrijnë qëllimit.
Kësisoj për të ardhur në ditën fatlume të Shqipërisë ,më 28 nëntorin e vitit 1912.Plaku i urtë Ismail Qemali,duke ngritur flamurin në vlorë mes peripecive,kreu ndër aktet e rrallë të atdhedashurisë.
“Flamuri i kuq me shqiponjën dy krerëshe u ngrit në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës,ku u zhvillua
Kuvendi,i cili zgjodhi Ismail Qemalin si kryetar të tij.Turma që priste në oborr dhe mbushte rrugët,këndonte këngë patriotike,valëviste flamuj të vegjël të përgaditur më parë dhe grumbullohej përpara konsullatave të Italisë dhe Austrisë.Zoti Defacendis,konsull i mbretërisë dhe konsulli Leihanetz,kolegu i tij imperial,dualën në ballkon.Megjith shiun e imët që binte dhe pothuajse në erësirë ato u shprehën me fjalë të mira dhe inkurajuese”.
(Mid’hat Frashëri – “burimet e konfliktit italo-shqiptar”– “Mercyre De France , 1-VIII-1920)
Me 100 trima të Kosovës,Isa Boletini vjen në Vlorë një ditë pas ngritjes së flamurit dhe shpalljes së pavarsisë.Megjithatë nderet që i bëhen atij janë të mëdha.Ate e presin në hyrje të qytetit dhe ndërsa Isa ulet në gjujnë e puth flamurin,plaku Ismail Qemali i drejtohet njerëzve duke iu thënë : “Ky bir i Kosovës më dha krahun dhe fuqinë!”. Një thënie sa profetike aq edhe e sinqertë.Më pas kur formohej kabineti i parë,në ditët e para të dhjetorit 1912,Ismail Qemali i propozon Isës,detyrën e Ministrit të Luftës.Por ky me ate autoritet dhe thjeshtësi i thotë se ndofta këto grada mund t’i shkojnë më tepër Mehmet Pashë Derallës.Biri i Boletinit e kishte gjetur përfundimisht vendin e vet. Ai ishte midis bashkëkombasve,në flakët e luftërave për pavarsi.
Më 1 prill 1913,kryetari i qeverisë provizore Ismail Qemali,niset për në Konferencën e Paqës,në Londër.Me vehte ai merr edhe Isa Boletinin,këtë hero të kryengritjeve të kosovës.A mund të merret ky fakt për rastësi ? Natyrisht që jo ! Me këtë akt,Ismail Qemali donte t’u tregonte Fuqive të Mëdha se Shqipëria s’mund të ndahej,se ajo ishte një, e tërë.Në këtë udhëtim dy burrave trima u pret rrugën në Milano,emisari serb Zhirojen Ballukçiç i dërguari i posaçëm i Pashiçit.Pos të tjerave,Ballukçiç u kërkon prijësve shqiptarë që në Londër ata të pranonin propozimin serb për kufijtë mes tyre dhe të shihnin mundësinë e zgjedhjes së një princi serb si monark të Shqipërisë.Pasi Ismail Qemali I dha emisarit serb përgjigjen e duhur diplomatike,ishte Isa Boletini që me ate lakomizmin karakteristik e përfundoi bisedën : “Serbia do të pendohej keq,po të këmbëngulte të pushtonte Kosovën,sepse ajo popullsi nuk do të pushojë kurrë luftën e saj për liri “.
Në londër,dy burrat shqiptarë u përpoqën të sensibilizonin sa ma shumë opinjonin botëror për kufijtë dhe fatin e Shqipërisë.Ata u pritën prej personaliteteve të shumta deri tek sir.Eduard Grej, ministër i punëve të jashtme i Britanisë dhe kryetar I Konferencës së paqës,pas luftës Ballkanike.Tafil Boletini e përshkruan kështu takimin ;
“Deri të lirohet nga armiqtë grabitqare,Kosova s’ka me ndejet e qetë”kish thënë axha Is. Dhe ser.Eduard Grej,ju ka përgjigjur kështu ; “Për fat të keq,na nuk kemi pas njoftime të duhura për kufijtë e Shqipërisë.Por nëqoftëse këtej e mbrapa viren në diskutim këta,ju,duke pas miq si Herbertin me shokë,keni me pa se kush janë anglezët”.Më në fund e pyet axhën Isë.; Nga ç’vendi i kosovës jeni ju ? “Jam nga Mitrovica “ i përgjigjet ky. Grej e shikon hartën dhe thotë ;” sikur të kishte qenë Mitrovica afër vijës së kufirit me çdo përgjegjsi do t’ia vija një vijë,por qenka shumë thellë,bash në periferi ekstreme”.Axha i thotë ; “Nuk jam ardhur këtu vetëm për Mitrovicën,por për çdo pëllëmbë toke Shqiptare”.(Tafil Boletini “Pranë Isa Boletinit” kujtime faqe 161 – 162 ).
Po në Londër,isa Boletini do t’u deklarojë disa gazetarëve të huaj se “Nëse Evropa nuk do ta zgjedhë drejt çështjen e kufijve të Shqipërisë,ballkani nuk do të ketë kurë qetësi.Ne shqiptarët nuk marrim asnjë barë përsipër për luftërat që do të shkaktohen në të ardhmen,në saje të zgjidhjes jo të drejtë të kësaj çështje “.
Fundi i vitit 1913 dhe fillimi i vitit 1914-ës,do të turbullonte keqaz varkën shqiptare e cila notonte,në një det plot dallgë e rreziqe.Grekët në jug,digjnin Korçën e Gjirokastrën,serbët kishin ardhur në Librazhd,ndërsa Malazezët synonin të zbrisnin në Shkodër.Sikur të mos mjaftonin këto, të ardhmes shqiptare i bënin prita për ta vrarë edhe tradhëtarë të tipit Esat pashë.Ky zhvilloi disa biseda për të bindur Isa Boletinin që të braktiste Ismail Qemalin,por pa dobi.Më pas,Esati u lidh me serbët e malazezët të cilët pa dyshim i premtuan një Shqipëri të vogël për të kënaqur oreksin e tradhëtarit të vendit të vet. Në bazë të një plani të fshehtë me gjeneralin Veshoviq,forcat esadiste dhe ato serbe sulmuan Morinën.Të mbështetur prej artilerisë serbe,këto forca filluan një masakër të pashembullt duke djegur shtëpi e vrarë njerëz të pafajshëm.Sërish Isa Boletini jep kushtrimin dhe duke bashkëvepruar me Bajram Currin,bëjnë ç’është e mundur që të ndalet mizoria serbe.Ata janë gjithashtu në mbrojtje të forcave demokratike në Shqipërinë e mesme e cila u kërcënua realisht prej lëvizjes së Haxhi Qamilit. Kësisoj për të ardhiur deri në vitin 1915,kur Isa Boletini gjendet në Shkodër i lodhur luftërash dhe i dërmuar fizikisht e moralisht.Shkodra aso kohe ishte gati e pushtuar prej malazezëve.Isa duke kujtuar armiqsitë e vjetra të tij me krajlët serb e malazez,duke menduar edhe për fatin e rreth 100 trimave që i rrinin pranë,mendon të kërkojë ndihmën e qeverisë Franceze.Menjëherë sapo kërkon takim me konsullin frances në Shkodër,Bikok,ky e pret dhe i premton se diçka do të bëjë.Pas disa ditësh,Bikok, e nis Isa Boletinin me disa të afërm (djem e nipër të tij) për në Cetinjë duke pretenduar se më pas qeveria franceze do t’i stabilizoj në një vend neutral.
Po këtu kishte filluar odiseja e një udhëtimi që padyshim do të përfundonte tragjikisht.Prej Cetinje,ku malazezët u orvatën dy herë për ti bërë atentat,Isa Boletinin e çuan në Danilograd.Edhe këtu masat e sigurisë ishin tepër të rrepta.trimi i Boletinit ishte gati i burgosur megjithëse në kohën më të madhe,i sëmurë në shtrat.me 23 janar 1916,në derën e shtëpisë ku dergjej i shtrirë Isa , troket fort. Dy xhandarë kërkojnë që Isa të paraqitet në prefekturë pasi e kërkojnë autoritetet e vendit.Ndërsa ishte duke kaluar mbi urën e lumit Ribnice,Isa Boletini vështron lëvizje të mëdha xhandarësh.Me sa duket diç parandjen por tashmë ura mbahet e rrethuar dhe aty nuk lënë njerëz të tjerë të kalojnë.Thirjes së xhandarëve për të dorëzuar armët,biri i Boletinit i përgjigjet me zjarr. Kënga thotë : Krisi pushka në pazar
Lufton Isai si Shqiptar
Se ç’u bë ky nam beteri,
Podgoric të mloi jezeri
U ba pushk e gjimon prroni
Po lufton Isa dragoni,
Lufton rreptë e lufton randë
Mbet dëshmor,po vet i nandë…
Isa Boletini ra me dhjetra plagë në trup.Kaq e egër kish qenë urrejtja për te.Ky bir e udhëheqës i madh i Kosovës martire,po rrëzohej qindra kilometra larg vendlindjes së tij ashtu si ai lisi me degë mbi të cilën rrënon bora e fortuna.Lajmi u përhap menjëherë.Në Boletin në kullat e djegura,dhimbja endej si një zog malli i përjetshëm.Në Vlorë labërit u mblodhën dhe e vendosën ate në këngë.Në Shkup e Shkodër,mbajtën zi për birin e tyre.Emri i Isa Boletinit endet sot në çdo kujtesë guri e bari të vatrave shqiptare.Ajo kujtesë ende valvitet në shpirtin e shqiptarit,si pallët e flamurit në frontin e Lirisë.Këtë përvjetor Isa Boletini kthehet nga legjenda që sdihej se ku prehej nën dheun dhe tokën e vet nga dhe mori shpirt që më pas të kaluar në legjendë,dhe po aq na jep shpirtë dhe një herë forcon kullat dhe themelet e pamposhtura kundra hordhive serbosllave,jo vetëm të Kosovës por të mbarë kombit shqiptar kudo ku ai shtrihet në hapsirat e Shqipërisë Etnike.
Bern-Zvicër