Isa Mustafa de facto nuk është kryeministër i Kosovës/
Nga Elida BUÇPAPAJ/
Titulli në dukje absurd tregon një realitet. Kosova nuk ka kryeministër dhe një qeveri pa kryeministër nuk qëndron dot në këmbë e nuk ka perspektivë. Prandaj parlamenti është kthyer në arenë të vezëve, bilbilëve e gazit lotsjellës. Isa Mustafa nuk gëzon autoritet tek asnjë palë. As tek LDK, as tek PDK dhe as tek opozita. Opozitën e tradhtoi, LDK-në e tradhtoi, ndërsa me PDK-në ka marrëveshje të interesit nëntokësor assesi kombëtar.
Aktualisht Isa Mustafa njihet si burri më gënjeshtar në Kosovë. Atij nuk i beson askush. As fëmija. Sepse çfarë thotë tani, e çthotë pastaj. Atë që thotë sot e përgënjeshtron nesër. De facto kryeministër i Kosovës – i paligjshëm – është Hashim Thaçi.
Isa Mustafa është bishti i Hashim Thaçit dhe nën diktatin e nëntokës së LDK-së.
Nëntoka e LDK-së është segmenti që ka uzurpuar LDK-në pas vdekjes së Rugovës, i dalë i humbur nga zgjedhjet e qershorit 2014, por që ka përfituar vende kyçe në bashëkqeverisje me PDK-në. Nëntoka e LDK-së është kapja e shtetit permes sistemit klientelist, nepotik, korruptiv, klanor e tarafor. Nëntoka e LDK-së janë një grusht njerëzish keqpërdorues të pushtetit në aleancë të fshehur e të hapur me PDK-në prej 2007. Ndajnë bashkë privilegjet, postet më të larta të shtetit dhe përfitimet si oligarkë.
Me një vështrim të shkurtër retrospektiv, në kohën e qeverisë në mërgim, Isa Mustafa ishte njeriu dhe bishti i Bujar Bukoshit. Ai mbante portofolin e ministrit të financave dhe kishte në dorë të gjithë milionat që rridhnin prej të ardhurave të 3%. Ne që jetojmë në Zvicër e dimë se sa vështirë e ka patur Rugova prej Bukoshit dhe njerëzve të tij që i krijonin shumë vështirësi dhe ishin në opozitë të hapur me Liderin Indipendentist që prej asaj kohe. Si qeveri në mërgim, ata përfitonin prej autoritetit të Rugovës, por përfitonin sidomos financiarisht. Deri sot askush nuk ka hetuar se çfarë është bërë me fondin e 3 %.
Pas konfliktit të 1998-1999 Isa Mustafa asnjëherë nuk ka shkëlqyer. Ka përfituar gjithmonë si pjestar i nëntokës së LDK-së. Edhe kreun e bashkisë të Prishtinës kështu e fitoi. Preferoi më mire të ishte kryetar i Bashkisë, sepse rolin e liderit të opozitës nuk e bënte dot më 2010, në kohën kur u zgjodh kryetari i LDK-së nga grupi i Llapit, ai afër Xhavit Halitit, që e bëri hara-kiri Fatmir Sejdiun, për të mashtruar elektoratin por edhe sepse Isa Mustafën si marionetë e përdorte më lehtë.
Prej këtyre marrëdhënieve okulte rrodhi edhe aleanca PDK-LDK në 19 nëntorin e 2014. Si deal midis padrinosh. Aleanca e tyre nuk është aleancë partiake, prandaj është e paqëndrueshme. Sepse aleancat dalin nga liderët në marrëveshje me partinë dhe elektoratin. Marrëveshjet në vetvete duhet të shprehin një konsensus të elektoratit.
Aq më tepër, në një demokraci politika nuk mund të jetë marrëveshje midis maskarenjve, por midis xhentëlmenësh (gentlemen agreement ) dhe përfaqësuesve më të denjë të popullit. Ndërsa Isa Mustafa është përfaqësues i interesave të një klani, atij më të urryeri prej vetë LDK-së dhe elektoratit të LDK-së. Prandaj Isa Mustafa nuk gëzon asnjë lloj autoriteti, as në Parlament, as tek PDK, as tek LDK dhe as tek opozita. Sepse është made in – prodhim i nëntokës.
Nëse faktori ndërkombëtar kishte vërtetë interes të mbante Hashim Thaçin dhe të krijonte një maxhorancë midis PDK-së dhe LDK-së, sepse në këtë parti ka vërtetë burime njerëzore me integritet, kjo aleancë do të duhej të ndërtohej mbi një themel të shëndoshë, që e përjashtonte kategorikisht përfshirjen në qeveri të Isa Mustafës dhe klanit të nëntokës, duke i hapur rrugën figurave të pastra të LDK-së dhe atyre më të votuarave, si Vjosa Osmani për shembull, që klani i Isa Mustafës nuk e lejoi as të kandidojë për kreun e LDK-së. Nëse në 19 nëntorin 2014 do të ishte vendosur që në krye të qeverisë të Kosovës të votohej Vjosa Osmani, dhe në rrang ministrash, LDK do të përfaqësohej nga emra me autoritet, padyshim që sot në Parlamentin e Kosovës nuk do të kishte as vezë, as domate të kalbura, as bilbila, as gaz lotsjellës.
Sepse de facto Kosova nuk ka kryeministër. Dhe qeveri pa kryeministër nuk mund të ekzistojë.