Deputeti Shpëtimi Idrizi në Prishtinë:“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi./
Komuna e Prishtinës pati nderin që sot të nis Javën e Çamërisë, në 70 vjetorin e gjenocidit dhe diskriminimit të shqiptarëve të Çamërisë. Sivjet, për herë të parë, ky aktivitet filloi njëkohësisht në Prishtinë dhe Tiranë, duke synuar kështu vetëdijesimin e të gjithë kombit për çështjen çame.
Komuna e Prishtinës, së bashku me delegacionin nga Shqipëria të përbërë nga Shpëtim Idrizi, Aqif Rakipi, Tahir Muhedini, Omer Mamo dhe Dashamir Tahiri, bëri hapjen e kësaj jave.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, tha se çështja çame mbetet një nga padrejtësitë më të mëdha jo vetëm në kombin shqiptar por në gjithë Evropën. “Duhet ta bëjmë vetëdijesimin e të gjithë kombit për këtë padrejtësi kaq të madhe që i është bërë shqiptarëve. Kam kënaqësinë që sot pritëm si pesë deputetë të Republikës së Shqipërisë, që ta shënojmë së bashku fillimin e kësaj jave, që të gjithë qytetarëve të Prishtinës e Kosovës t’ua kujtojmë këtë çështje aq të rëndësishme”, tha Ahmeti.
Ai shtoi që gjenocidi i 70-100 viteve më parë ka vazhduar edhe pas vitit 1944 kur janë dëbuar të gati të gjithë shqiptarët nga Çamëria por tash jemi më të fortë se kurrë në ngritjen e kësaj çështjeje. “Sheshet e Prishtinës sot janë të mbushur me flamuj kombëtar, si dhe me flamujt e simbolikës së kësaj jave, “Unë e dua Çamërinë”, shprehje kjo që e thotë çdo shqiptar sot”, tha në fund Ahmeti.
Deputeti nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, Shpëtim Idrizi falënderoi Kryetarin Ahmeti dhe përmes tij të gjithë qytetarët e Kosovës për organizimin e parë institucional në Prishtinës për shënimin e Javës së Çamërisë.
“Çamëria është pjesë shumë e rëndësishme e gjymtyrës së kombit shqiptar. Është 9.500 kilometra në katror, me histori e kulturë, e që ka pësuar një nga gjenocidet më të mëdha që njeh historia. Ky gjenocid ka filluar që nga lënia jashtë e trojeve shqiptare të Kosovës dhe Çamërisë, dhe ka njohur një valë shpërnguljes. Si valë e fundit është masakra e Luftës së Dytë Botërore, ku brenda një jave, 20% e popullsisë është vrarë është masakruar dhe pjesa tjetër është dëbuar drejt Shqipërisë së sotme”, shpjegoi deputeti Idrizi, duke shtuar se kjo javë jo vetëm se do të përkujtojë ata shqiptarë që dhanë jetën vetëm pse ishin shqiptarë, por mbi të gjitha do të tregojë që harta e kombit shqiptar duhet të plotësohet edhe me Kosovën edhe me Çamërinë.
“Ne po e ndjejmë nga këtu që kombi sot rreh njësoj, frymon njësoj”, tha ndër të tjera Idrizi.