
Behar GJOKA*/
100 vjetori i lindjes së shkrimtarit Kasëm Trebeshina, është shans kujtese dhe reflektimi. Para së gjithash, ky përvjetor shënon një shans përkujtimi, sepse duam apo nuk duam, është pjesë e rëndësishme e letrave shqipe, madje po të nisesh nga dorëshkrimet dhe, sidomos nga vlerat e konfirmuara për pjesën e botuar, bindesh se është ndër shkrimtarët e shquar të letërsisë shqipe bashkëkohore. Ky kremtim vjen pas një heshtje nëntëvjeçare, të viteve të amshimit, më tepër është edhe shkas reflektimi në vitilindjen e mjeshtrit të fjalës shqipe, në kuptimin që mungesa e vijueshme, në historiografinë e letrave shqipe, sa ç’është humbje për krijimtarinë e autorit, më tepër është humbje për letërsinë shqipe, e parë si dëshmi e modelit letrar të pazakontë.
Në letrat shqipe, Trebeshina është rasti unik, ku jeta është një histori më vete, më së shumti tragjike, e fati i shkrimit, i teksteve të shumta në poezi, prozë, dramatikë, eseistikë dhe publicistikë, ende gjallon në binarët e tragjizmit absurd, të mbetjes në dorëshkrim të një pjese të konsiderueshme dhe, të mosleximit të vëmendshëm të pjesës së botuar nga krijimtaria e gjerë letrare. Ligjërata, përmbi jetën dhe veprën e gjerë letrare, të shkrimtarit Kasëm Trebeshina, do të ndalet në disa çështje:
A – Mallkim në gjallje dhe heshtje në amshim
Kasëm Trebeshina, përmbledh shumëçka në vetvete, nga shkrimtarët fatzi dhe model qëndrese, në jetën e tij, sepse kundërshtoi hapur sistemin politik dhe letrar, pra realizmin socialist, të vendosur në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore. Pra, Trebeshina, një karakter tepër i fortë, rrufeshëm hyri në kalvarin e jetës më të vështirë të mundshme, për shkak të kundërshtimit të hapur të ideologjisë komuniste, po kaq edhe të realizmit socialist, të cilin e pa si një model propagande, madje dëshmia karakterit vjen e shoqëruar me akte të qarta publike:
– Me 5 tetor 1953, Promemoria e famshme, e cila publikohet pas viteve ’90 të shekullit të kaluar, po kaq në këtë vit arrestohet.
– Në vitin 1954, përjashtohet nga Lidhja e Shkrimtarëve, foleja e grerëzave për shkrimtarët dhe artistët në vitet e socializmit, dhe futet në burg, për agjitacion dhe propagandë.
– Në vitet 1962 – 1967, fillimisht internohet në Zvërnec, nga fundi dërgohet në spitalin psikiatrik Vlorë, një akt poshtrues për autorin.
– Letër Mehmet Shehut, 19. 6. 1975, ku ai kërkoi zyrtarisht leje për t’u largua nga Shqipëria dhe për të emigruar në Zvicër, gjë që dëshmon të qenit rebel dhe kundërshtar i hapur me sistemin politik të kohës.
– Me 15 prill 1980, dënohet sërish, tanimë duke u bazuar te ekspertiza e shkrimtarëve të kohës, kryer mbi dorëshkrimet e tij, në poezi dhe prozë, e sidomos mbi disa drama, për të hetuar shkarjet e shumta ideologjike, të cilat binin ndesh me modelin zyrtar të realizmit socialist.
Pas viteve ’90 krijohet një atmosferë tjetër, ndonëse po aq e zymtë, gjithaq e shoqëruar me pengesa, veçmas e shoqëruar me një lexim biografik dhe antibiografik, si aspekt dhe tregues i leximit gjysmak dhe revizionues, se ka qenë partizan dhe oficer, si dhe duke mos marrë në analizë faktet e burgimit dhe internimit të tij, të linçimit publik, me shumë mundësi, vetëm për ta lënë në hije sërish, larg leximit dhe vlerësimit veprën e gjerë letrare. Jeta dhe krijimtaria e tij letrare, të cilat përveç të tjerash i bashkëlidh fataliteti shpërfillës, më solli në mendje një pohim të dikurshëm të Platonit:
“Njeriu vetëm kur mbetet krejt i izoluar dhe i ndrydhur në vetvete, duke e braktisur trupin dhe duke u shkëputur plotësisht nga vetja, dhe pa pasur asnjë kontakt, ai mund të zotërojë të vërtetën.”,
si një përcaktim domethënës, mbase për të karakterizuar figurën Kasëm Trebeshinës, që duket se kontekstet e izolimit, i ktheu në qëndresë morale të pazakontë, e po kaq në dritë të fjalës letrare, në kaq shumë lami shkrimore.
B – Fati i hidhur i veprës letrare
Fati i hidhur jetësor, mbushur me brenga, me dënime dhe internime, ndërkaq u kthye edhe në një fatalitet të hidhur, për veprën e larmishme letrare, gjë që e dëshmojnë qartazi dosjet hetimore dhe gjyqësore, që u ngritën mbi dorëshkrimet e autorit. Përveç librave “Kruja e çliruar”, dramë e botuar në vitin 1953 dhe poemës “Artani dhe Minja ose hijet e fundit të maleve”, botuar në vitin 1961, e gjithë pjesa tjetër, me ndonjë tekst të botuar në gazeta dhe revista, shumëvëllimshe me poezi, prozë (tregime, novela, romane), dramatikë (me të gjithë llojet e saj), letërsi për fëmijë, përkthime, libra eseistikë dhe publicistikë, e gjitha mbeti e ndryme në dorëshkrim, për kaq shumë vite, pra duke e lënë pa komunikim me lexuesin, si dhe pa hyrë në klimën letrare të kohës së shkrimit të kaq shumë librave të dorëshkruara.
Pas viteve ’90, nisi kalvari i botimeve, pra me shumë vonesë dhe pengime, ku ende sot e kësaj dite korpusi letrar, me poezi, prozë, dramatikë, etj. , ende nuk është botuar i plotë, çka përbën një mur të lartë për të komunikuar me përvojën e pasur letrare. Sërish, edhe pse një pjesë e veprës letrare është botuar, jemi në pamundësinë e njohjes dhe të studimit të veprës së gjerë letrare, sepse ajo do të jetë njohje gjysmake, pra e paplotë, dhe studimet dhe vlerësimet për krijimtarinë letrare. Megjithatë edhe në këto rrethana, të mungesës së veprës së plotë, të mospranimit të saj, e sidomos të mosleximit të veprave të shumta, alternativa e heshtjes, ndërkaq është vijimi i asgjësimit të një vlere letrare të njëmendtë të letrave shqipe. Jemi në situatën e shkrimit prej autorit të mbi 200 librave, një përmasë e jashtëzakonshme letrare, duke endur kështu një “bibliotekë” autoriale, nga të cilat as gjysma nuk është botuar ende, pra duke mbetur pjesa dërrmuese në dorëshkrim.
Në këto rrethana, të pamundësisë për ta lexuar, njohur dhe studiuar, gjithë përvojën shkrimore të Trebeshinës, ende vepra e tij, mbetet një horizont pritje, një model shkrimi, me shenja të përveçme, që prêt ardhjen e lexuesit model, siç e pati formuluar U. Eco, me shumë gjasa, duke përvijuar kështu fatin e gjenive krijuese, që u keqkuptua nga bashkëkohësit, ndonëse gjithnjë ka kohë për t’i lexuar. Në këtë situatë anormale, të marrëdhënies me krijimtarinë e gjerë letrare të Kasëm Trebeshinës, ku ndërkohë pjesa dërrmuese mbetet në dorëshkrim, po hedhim ndonjë paralele, si një përqasje rastësore me shkrimtarët e letërsisë bashkëkohore dhe më gjerë:
– Shkrimtari, që në historinë e letërsisë shqipe, ka lëvruar të tre gjinitë letrare, poezinë, me të gjitha tonet dhe ngjyrat, prozën, me tregimet, novelat dhe romanet, madje edhe romanin epope, dramaturgjinë, e pasur në tipologjinë e laryshisë së shkrimit, lëvrues i letërsisë për fëmijë, i kritikës dhe eseistikës, përkthyes dhe publicist, duke skalitur figurën shumëplanëshe të mjeshtrit të fjalës shqipe.
– Shkrimtari me më shumë tekste të shkruara, në historinë e letrave shqipe, një fakt që e pasuron letërsinë shqipe, me ndihmesën e gjithanshme të autorit, ku mbizotëron letërsia, ndonëse vetëm një pjesë është botuar, e mbi njëqind tekste, ende mbetet e dorëshkruar. Ky tregues domethënës, për kontributet e shumta të shkrimtarit, si autori me më shumë tekste të shkruara në letrat shqipe, ndërkaq e thellon vështirësinë për ta njohur, shijuar dhe vlerësuar ndihmesën e dhënë prej autorit të izoluar, për letrat shqipe. Megjithatë, varësisht kësaj pune vitale, të shtrirë në vitet e jetës, kupton se Trebeshina jetoi në letërsi, me letërsinë dhe për letërsinë.
– Nisur nga fakti domethënës se prej tij trashëgohen mbi tetëdhjetë tekste dramatike, të llojeve dhe zhanreve, klasiko dhe moderne, madje edhe si lëvrues i teatrit absurd, ndonëse pjesa më e madhe e dramave, mbetet në dorëshkrim. Kuptohet që dramaturgjia e Trebeshinës, më në fund ka thyer paragjykimin zyrtar, të endur në kohën e realizmit socialist, se letërsia shqipe, nuk ka dramaturgji, se kjo gjini është më e prapambetur dhe nuk është e zhvilluar, sa gjinitë e tjera letrare. Kontributi i Trebeshinës, pamëdyshje është i rëndësishëm për poezinë, prozën, kritikën dhe eseistikën, por vlera jetike e këtij autori për letrat shqipe, është e lidhur ngushtësisht me dramaturgjinë, që është vlera e shtuar, sepse la një trashëgimi, me vokacion të thekur dramatik të gjuhës shqipe, si dhe bashkë me A. Pashkun, T. Dervishin, M. Camajn etj., hodhi themelet e dramatikës moderne.
– Shkrimtari që në kundërvënie me realizmin socialist, lëvroi modelin e surealizmit, ide të cilën e hodhi për herë të parë për tekstet letrare të autorit, Robert Elsie, që mandej pasohet edhe nga studiuesë të tjerë, kryesisht shqiptarë, e cila ndërkaq vjen si një kundërvënie estetike ndaj realizmit socialist, gjë që e kam vënë re në një pjesë të poezisë së shkrimtarit, në prozën e tij, në tregimet, novelat dhe disa nga romanet e tij, për dramatikën, në disa drama të autorit, e po kaq edhe në romanin epope “Kënga Shqiptare”, një vepër e rëndësishme e shkrimtarit për letrat shqipe, si një roman tipik epope, si dhe për pohimin e një të vërtete, që ende nuk e ka zbardhur as historiografia e shqipes, se lufta e fundit, krahas luftës për çlirim, ishte një luftë civile, një luftë e komunistëve për pushtet, si dhe në mënyrë të veçantë për realizimin e figurës së Nuredinit, që skicon hijen e deheroizimit të personazheve, një shenjë e hapur e mohimit të socrealizmit në letrat shqipe.
C – Disidenti që refuzoi “disidencën”
Beteja e fundit e Kasëm Trebeshinës, e zhvilluar në gjallje, një betejë mjaft e hidhur, me mëtonjësit për t’ia rrëmbyer kurorën meritore, të disidentit model, me shumë gjasa të simbolit të disidencës shqiptare, i cili jo vetëm kundështoi hapur sistemin politik të diktaturës, si dhe iu kundërvu botërisht realizmit socialist, por mbi të gjitha sepse realizoi vepra letrare të përkundërta me socrealizmin, kryesisht të tipologjisë letrare të surealizmit, ka vendin e merituar në historinë e letrave shqipe. Në këto kohë të turbullta kur “pelegrinët” e komunizmit, janë lëshuar në turravrapin paradoksal, me shumë gjasa me shpall disident edhe diktatorin Hoxha, e prandaj Trebeshina e flaku me përbuzje edhe pelerinën e disidentit, duke na kujtuar thënie e Balzakut: Ata që kërkojnë dekorata nuk i meritojnë, ata që i meritojnë, nuk kanë nevojë për to.”.
Në leximet e kohëve të fundit, kryesisht mbi jetën e shkrimtarit, në mes të tjerash me ranë në dorë shënime për një takim të Trebeshinës me ushtarakë, zhvilluar në vitin 1992, ku qartësisht ai shprehet: Disident është njeriu…”, një formulim domethënës që më vuri në mendime.
Përballë këtij formulimi kaq të ngjeshur, mu desh të shfletoja fjalorët dhe ndesha edhe në këtë përcaktim: “Në terminologjinë e letërsisë ekziston vetëm në kuptimin “shkrimtar disident”. Shkrimtarë disidentë: Ata që nuk pajtohen me ideologjinë politike dhe kulturore të vendit të tyre dhe që kritikojnë regjimin qeverisës dhe formacionin shoqëror dominues përmes shkrimeve të tyre. Shumë prej tyre janë përndjekur, censuruar, burgosur, internuar ose vrarë për pikëpamjet e tyre. Gjatë periudhës së Luftës Ftohtë, ky term lidhej ngushtë me shkrimet kryengritëse të autorëve të bllokut sovjetik, si rusët Boris Pasternak, Ana Ahmatova dhe Aleksandër Solzhenicin, çekët Vaclav Havel dhe Milan Kundera dhe bullgari Georgi Markov. Megjithatë, ky asociacion nuk mund të zbehë faktin se Perëndimi kapitalist ka prodhuar gjithashtu shumë zëra të fuqishëm disidentë, si poeti dhe kineasti italian Pier Paolo Pasolini dhe gjuhëtari amerikan Noam Chomsky.
Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, shkrimtarë disidentë nga pjesë të tjera të botës kanë filluar të “vlerësohen”, veçanërisht nigeriani Vole Sojinka. Pas mbarimit të Luftës së Ftohtë, Perëndimi është bërë gjithnjë e më i vëmendshëm ndaj veprës, së shkrimtarëve disidentë nga Kina (mbi të gjithë Liu Xiaobo, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2010).”Kemi të bëjmë me një pasqyrë të plotë të nocionit dhe të pranisë së disidencës në letërsinë botërore, ku bie në sy fakti se kjo gjendje, lidhet me kohën e totalitaritarizmit, pra që është më e përqëndruar në ish-Bashkimin Sovjetik.
Disidenca simbas formulimeve të ndryshme, të verifikuara në fjalor të ndryshëm, ka të bëjë me kundërshtimin e hapur të sistemeve totalitare, ku në mes të tjerash shkruhet: “Në kuptimin gjuhësor, psh. në fjalorin e gjuhës shqipe i publikuar në janar 2026, del me këto kuptime: Disident – Që kundërshton politikën zyrtare të shtetit, të regjimit ose të një autoriteti etj.; që mendon e vepron ndryshe nga të tjerët; që ndahet e largohet nga partia e vet; kundërshtues; tjetërmendës.
Disidencë – Të qenët disident; veprimtari e individëve ose e grupeve që shprehin kundërshtim ndaj regjimit ose ndaj një autoriteti të caktuar.”, duke sjellë pranë lexuesit edhe përcaktimin e bërë në fjalorin e Gjuhës shqipe.
Disidenca letrare, një term i parapëlqyer nga studimet zyrtare, kohëve të fundit, ndonëse mbetet i diskutueshëm, për praninë në letrat shqipe, më ngjan me një përpjekje për të fshehur dhe mbuluar shërbesën ndaj sistemit. Në përbashkimin disidenca letrare, të kumtesave të zyrtarshme të akademizmit shqiptar, janë përfshirë shumë forma të ekzistencës të ligjërimit shkrimor, mes të cilëve, letërsia e burgut, letërsia e kujtesës, letërsia e sirtarit, letërsia e shkruar në gjuhë të huaj. Jemi në një larmi formash të shkrimit letrar, që duhen trajtuar dhe verifikuar në imtësitë ekzistenciale, të rrafsheve ligjërimore. Futja në vatrën e disidencës letrare, e këtyre formave, kërkon analizë dhe verifikim të thelluar, gjithnjë pa harruar përcaktimin: “Shkrimtarë disidentë: Ata që nuk pajtohen me ideologjinë politike dhe kulturore të vendit të tyre dhe që kritikojnë regjimin qeverisës dhe formacionin shoqëror dominues përmes shkrimeve të tyre.”, gjë që do të qartësonte marrëdhënien me secilin tip shkrimi.
Pra, Kasëm Trebeshina, e kundërshtoi hapur sistemin politik, si dhe realizmin socialist, duke dalë hapur kundër, me akte publike në Lidhjen e Shkrimtarëve, duke përmbushur kështu qenësinë si disident, për më tepër, pasojë e qëndrimeve të mbajtura ishin burgimet dhe internimet e tij. Nëse këto qëndrime janë akte morale, të njohura, në anën tejtër, vepra letrare eci në një rrugëtim të përkundërtë me realizmin socialist, duke realizuar një letërsi ndryshe, në shkrimin e poezisë, prozës, dramaturgjisë, kritikës dhe eseistikës, si dhe duke lënë një trashëgimi të vyer letrare, që herët e vonë, do të duhet të hipotekohet në hartografinë e letrave shqipe.
(Fragment nga ligjërata e mbajtur me 15 korrik 2026)
*Autor i librit “Trebeshina – ajsbergu i letrve shqipe”, botuar në Tiranë në vitin 2005, si dhe në vitin 2006 në Tetovë.