LETËR E HAPUR/ Drejtuar Zotit Edi Rama/Kryeministër i Ardhshëm i Republikës së Shqipërisë/
Nga Artur Vrekaj,/
Kryetar i shoqatës Atdhetare Kulturore KOMBI/
Worcester,Massachusetts, SHBA/
24 korrik 2013/
I nderuar Kryeministër i Ardhshëm i Republikës së Shqipërisë Zoti Edi Rama! Urojmë me qeverinë e re të çelni një etapë të re për ti dhënë frymë Ëndrrës Shqiptare në Europë që çdo shqiptar të rrojë në dheun e tij me dinjitet.
Duke parë se edhe Diaspora është në hall ashtu sikundër edhe Shqipëria, duke parë se edhe kombi shqiptar është në hall ashtu sikundër edhe ëndrra për përparim dhe qytetërim të shqiptarëve në trojet e tyre, duke parë se të dyja bashkë Shqipëria dhe Diaspora mund të bëjnë më shumë vetëm me një ngritje të nivelit përfaqësues në rang Ministrie të Diasporës Ju drejtohem juve shqiptarisht të përdorni autoritetin Tuaj, sepse keni vullnetin e popullit të shumëvuajtur që ka bijtë në mërgim për ta bërë realitet krijimin e dikasterit ministerial të Diasporës.
Përse i duhet Shqipërisë dhe shqiptarëve që jetojnë në Diasporë, Ministria e Diasporës?Mbi të gjitha për hartimin dhe vënien në funksion të një Strategjie Kombëtare për vëmëndjen që duhet ti kushtojmë Diasporës si pjesë vitale dhe integrale e kombit shqiptar.Ministria e Diasporës do të na ndihmojë edhe për bashkërendim dhe udhëheqje të punës atdhetare e kulturore, por më shumë për këto përparësi:1-Promovim të Identitetit Kombëtar shqiptar me veprimtari atdhetare e kulturore të programuara dhe të kordinuara midis shqiptarëve në Ballkan dhe Diasporës Shqiptare në botë sipas edhe një kalendari kombëtar për ngjarje e figura madhore të kombit.
2-Bashkim me bashkëkuvendim të Diasporës Shqiptare në Europë dhe Amerikë duke ruajtur modelet e sukseshme të organizimeve shqiptare me bazë qyteti a ndërqytetëse siç janë sot në SHBA për angazhimin e brezit të ri të shqiptarëve të shkolluar në Perëndim që janë sot për sot zëri i shqiptarëve në shtetet apo qytetet ku jetojnë, si e ardhmja lobuese dhe përfaqësuese në qeveritë lokale dhe qëndrore të vendeve pritëse.
3-Institucionalizim dhe mirëintegrim të agjencive të qeverive të shteteve shqiptare në Ballkan në rang Ministrie të Diasporës jo vetëm në Kosovë por edhe në Shqipëri si edhe ngritjen e një Bordi bashkëpunimi për Diasporën ndërmjet tyre me përfaqësim edhe të Diasporës.
4-Punë më e kualifikuar dhe e studjuar nga institucionet arsimore shqiptare për trajnimin e mësuesve të Gjuhës Shqipe për specifikat që paraqet zhvillimi i mësimit të Shqipes në Diasporë sipas vendeve pritëse.
5-Hapja e qëndrave të Edukimit dhe Kulturës për Komunitetin shqiptar në Diasporë me bashkëfinancim të të dy shteteve shqiptare më shumë dhe të Diasporës në përputhje me mundësitë ekonomike të mbitokës dhe nëntokës shqiptare.
6- Perspektivë më e qartë për Investimin e Diasporës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë e trojet ku ka shqiptarë me sipërmarrje direkte në bashkëpunim me qeveritë shqiptare dhe të vendeve pritëse.
7-Botimi i literaturës letrare apo shkollore e nevojshme kjo, në gjuhën Shqipe dhe të huaj sipas vendeve pritëse për promovimin e historisë dhe kulturës kombëtare shqiptare.
8-Ringjallja e një Ansambli Kombëtar me program muzikor perlat e këngës dhe valleve popullore, me artistë nga të gjitha trevat shqiptare që të promovojë në Diasporë trashëgimë e pasur dhe të ndihmojë ringjalljen e pasionit tek brezi më i ri për të ruajtur traditën kombëtare.
9-Aktivizimin e intelektualëve të sukseshmëm të Diasporës në shërbimin diplomatik të Shqipërisë dhe Kosovës që kanë potenciale edukimi dhe punësimi në fushën e politikës dhe marëdhënieve ndërkombëtare në Europë dhe SHBA për ta bërë më të besueshëm shërbimin diplomatik nga qeveritë e vendeve pritëse. 10-Hapësirë të nevojshme mediatike, në median e shkruar dhe atë elektronike për Diasporën në Shqipëri.
Duke ju uruar : Zoti ju ndihmoftë! për ta bërë Shqipërinë jepini një shans shqiptarëve të mërguar të përfaqësohen pas 100 vjetëve shtet edhe institucionalisht në vendlindje!
Nëse vërtet e doni Diasporën koha është e mjaftueshme për të shtuar në strukturën e Qeverisë së Re, Ministrinë e Diasporës!
Gjithë të mirat për Ju dhe Shqipërinë!