NGA ISMAIL KADARE/
REÇENCË E VITIT 1969 E LBRIT“SOT” TE POETIT FASLLI HALITI/*
Kur disa vite më parë një djalë i ri nga Lushnja,Faslli Haliti sillte në redaksi vjershat e para për t’i botuar ,ishte e vështirë që të besoje se shpejt do të vinte koha që ai do të botonte librin e tij të parë . Kjo ndodhte sepse vjershat e tij ishin shkruar me mungesa të mëdha teknike ,me gjuhë të çrregullt; idetë disa herë nuk ishin të qarta; vjershat disa herë nuk kishin kuptim. E megjithatë,midis strofave të shumta të këtij fillestari shkëlqente tek tuk ndonjë copë e bukur origjinale poetike, e cila për fat të keq humbte përsëri në grumbullin e madh të vargjeve të tij. Sikur Faslli Haliti të ishte dashuruar ahere pas vargjeve të tij, sikur ai të ngulte këmbë dhe të mbronte dobësitë e tij, ishte e sigurtë se nuk do të kishim librin e tij “Sot” që është një nga librat më interesantë poetikë të botuar kohët e fundit nga Shtëpia botonjëse “Naim Frashëri”. Por ai vinte nga Lushnja, i thjeshtë dhe serioz, si njeri i vërtetë i punës,dëgjonte me vëmëndje vërejtjet, mundohej t’i kuptonte ato, nuk “përgjërohej” për ato që kishte shkruar, por i vihej punës të shkruante më mire, duke flakur dobësitë e shumta. Pas një kohe të shkurtër iu botuan vjershat e para. Koha e botimit të parë është disa herë periudhë e rrezikshme për një fillestar. Pikërisht në këtë kohë mund të krijohet tek ai një vetëbesim i tepëruar, i cili për fat të keq bëhet nganjëherë shkaktari kryesor që disa të rinj e fillojnë mbarë punën, mirëpo pastaj, në vënd që të bëjnë përpara, bëjnë prapa. Faslli Haliti, si shumë shokë të tij të talentuar, e kaloi me sukses këtë periudhe. Ai ishte po aq i vëmëndshëm ndaj vërejtjeve, po aq serioz në punë si dhe më parë. Ne besojmë se edhe pas botimit të librit të tij të parë “Sot”, Faslli Haliti, duke e kuptuar thellë se arti është një pasuri që krijohet për popullin, do të vazhdojë të punojë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të madhe, ashtu siç ka bërë gjer tani, për të shkruar edhe më mirë, për të zhdukur gjer në fund ato mungesa dhe dobësi që vihen re edhe ne librin e bukur “Sot”.
Gjëja e parë që të bie në sy në këtë përmbledhje poetike është aftësia e poetit të ri për të komunikuar drejtpërdrejt me lexonjësin. F. Haliti nuk mbështillet me “aureolën e krijonjësit”, duke i folur lexonjësit nga lart. Ai, në mënyrë të thjeshtë dhe të natyrshme, e konsideron lexonjësin si shokun e vet dhe pa asnjë pozë letrare i flet për problemet që e shqetësojnë:
Nata,
Bulevardi,
Fshesari dhe unë.
Eja fshesar,
Jemi kolegë.
Ndize një cigar.
Kjo nuk është një thjeshtësi e shtirur e intelektualit që duket sikur do të thotë “Shikoni sa poet i thjeshtë jam unë, bisedoj edhe me një fshesar”. Po të lexosh librin e Faslli Halitit vë re që nga krej në fund e përshkron një thjeshtësi e vërtetë burrërore:
Mik me nusen vajta në fshat,
Që nusen time të gjithë të shikonin
Dualën,plakat ,gratë:
Kjo qënka moj nusja e nipit Shahinit,
Ç’qënka ,moj qyqe, kjo nuse kështu?
Kjo të shikoka në kokrën e syrit,
Supet përjashta, fustanin në gju.
Poeti vazhdon të tregojë historinë e vajtjes mysafir në fshat me nusen; me ngjyra të gjalla , të këndshme, duke bërë humor me veten dhe njëkohësisht duke dhënë një tabllo shumë reale të një fshati myzeqar ku shprehitë e reja po zëvëndësojnë çdo ditë etikën e vjetër.
Në një vjershë tjetër ai shkruan:
Futem ne klasë,
Nxënësit e mij shikojnë çizmet e mija me baltë,
Flokët e mi të qullur
Që kullojnë
Që varen të poshtë
Si flokët e Senekës.
Shikojnë ditarin e lagur,
Dhe supet qull të xhaketës.
Në faqet e librit të tij e shikojmë poetin t’i bjerë kryq e terthor Myzeqesë, të korrë grurë me kooperativistët, të ndezë një cigar me fshesaxhinë,të çojë nusen në fshat, të dalë nga një mbledhje e fortë , të shkojë për të dhënë mësim mespërmes shiut, të diskutojë për problem të ndryshme, të mbrojë me forcë dhe të mohojë me forcë. Në të gjitha këto vjersha ka diçka të brenëdshme progresiste. Kjo është një meritë kryesore e poetit të ri. Në vjershat e e Faslli Halitit përparimtarja nuk qëndron në fjalë, ajo është brenda vargjeve, bredna subjektit të thjeshtë të vjershave. Duke i lexuar ti kupton përnjëherësh se këto ngjyra, këto preokupacione, këto mendime , këto ngjarje të thjeshta, ndodhin në Myzeqenë tonë, midis njerëzve tanë, në ditët tona. Faslli Haliti mundtohet t’i përshkruajë ato në mënyrë të freskët, origjinale, pa shabllonë poetike, të cilat krijojnë gjithmonë një perde tymi reth poezisë. Natyrisht kjo është një gjë shumë e vështirë dhe jo gjithmonë ai arrin ta realizojë, por disa herë e ka realizuar në mënyrë të shkëlqyer si tek vjersha “Duhej të këndoja i pari, e di.” Po e citoj krejt vjershën:
E kam hekurudhën tek dera e shtëpisë
Duhej të këndoja i pari, e di.
Nuk këndova.
Isha i mpirë, i hutuar.
Isha si dhëndri në dasmën e tij.
si dhëndri që prêt e përcjell,
Ndërsa të tjerët këndojnë, kërcejnë
Ndërsa ai në qoshe i lumtur rri.
Duhej të këndoja i pari, e di.
Për hekurudhën Rogozhinë-Fier janë shkruar qindra e qindra vjersha nga të rinjtë e të gjithë anëve të Shqipërisë, që muarën pjesë në ndërtimin e saj. Ndërsa kjo është fjala e ngrohtë, e sinqertë, e thjeshtë e vendasit, e myzeqarit, për të cilin hekurudha qe dasma e tij. Faslli Haliti duke iu shmangur uniformitetit që vihet re se në vjershat kushtuar aksioneve, në një mënyrë sa origjinale aq dhe të thjeshtë shkroi këtë vjershë të bukur.
Origjinaliteti nuk është vetëm meritë e poezisë, por është kërkesë objektive që poezia të pasqyrojë sa më gjërësisht jetën e popullit. Duke u përpjekur të tërheqim një numur sa më të madh të rinjsh në punën letrare, e bëjmë këtë gjë jo për të nxitur uniformitetin, por pikërisht për ta luftuar. Mbyllja e poezisë në kuadrin e një numuri të kufizuar autorësh rrit shabllonet poetike, nxit imitimet, krijon një ndarje midis poezisë dhe jetës dhe shton uniformitetin. Zgjerimi i radhëve të lertarëve duhet të bëjë të kundërtën. Origjinaliteti nuk është lluks. Pasqyrimi sa më në mënyrë origjinale i realitetit tonë në veprat e sa më shumë autorëve, do të krijojë një tabllo që mund t’i afrohet pak a shumë tabllosë jashtëzakonisht të larmishme të realitetit tonë. Uniformiteti varfëron edhe zbeh tepër pasqyrimin e jetës sonë. Shabllonet, kemat e gatëshme, parafabrikatet letrare nuk sjellin asgjë të mirë. Natyrisht ka një ndryshim të madh midis origjinalitetit dhe manisë për të qënë original, mani e cila kthehet kundër autorëve dhe dëmton rëndë punën e tyre.
Në librin “Sot” bije në sy freskia e motvieve, ngjyrat e çelëta të fushës, hapësira, ajri, drita. Në të gjitha këto ka diçka nga Myzeqeja, nga gëzimi dhe çiltërsija e saj. Për të dhënë imazhet e fushës që e ka lindur dhe që poeti e do me gjithë shpirt, ai përdor një gjuhë të figurëshme, me krahasime tepër të kapëshme, të guximshme dhe konkrete. Konkretësija është një cilësi tjetër e tij e mirë, që nuk e le të bjerë rob i spekullimeve të fjalëve. Ja një tabllo e së kaluarës:
Kur në fushë pranvera vinte,
Varte lëkurën gjarpëri në ferrë,
Në gjokësin anemik
Pranverat i vinin fushës flutura,
Myzeqarit në gjoks i vinin hoxhallarët nuska.
Këtu Myzeqeja dhe myzeqari gati gati janë perceptuar si diçka unikë, ku nuk kuptohet ku mbaron fusha dhe ku fillon njeriu. Gjoksi i fushës me fluturat e thara dhe gjoksi i myzeqarit me nuska shtrihen në një krahasim që ka një trishtim madhështor.
Krahasimet e ndërtuara me element konkretë të jetës janë shumë interesante kur përdoren me vënd. Për njeriun që del nga mbiedhja e kolektivit ku e kanë kritikuar poeti shkruan:
Dole kokëulur , i skuqur, sigurisht,
Ashtu si sëpata që del nga kovaci,
Pakëz e skuqur, e nxehur
Por e kalitur , e mprehur dyfish.
Ose për kënetat e Myzeqesë ai thotë se “kish ujë në shpatull Myzeqeja”.
Disa herë krahasimet bëhen edhe më të guximshme:*
Si e çarë e shalqinit
Vetëtima vetëtin.
Ndoshta konkretësia është tepëruar, por sidoqoftë tendenca është e mirë. Në vënd që të përdorte krahësimin e sipërpërdorur gjatë mijëra vjetëve “vetëtima si gjarpër”, e cila jep vërtet deri diku lëvizjen e vetëtimës, por le jashtë ngjyrën, poeti nga jeta e përditëshme fusharake mori një krahasim shumë më konkret, ku jepet më mire ngjyra, megjithse lihet jashtë levizja.
Faslli Haliti është një poet që arrin rrezultate të mira me përpjekje të mëdha. Kjo është mënyra e të punuarit të tij. Shpesh herë një vjershë e bukur e tij qëndron midis një grumbulli vjershash pa vlerë. Kjo nuk është një gjë shqetësuese, përderisa poeti do të vazhdojë të ruajë të mprehur vëmëndjen ndaj dobësive të tij, do t’i luftojë këto, duke u ndarë vazhdimisht prej tyre.
Në librin “Sot” gjithashtu ka mjaft dobësi. Shpesh herë vjershat janë të cunguara, fragmentare, pa ide të rëndësishme; ato duken si skica të paarrira që nuk bëjnë përgjithësime. Duket sikur autori i ka lënë përgjysëm nga shpejtësia ose hutimi. Nganjëherë vjersha nuk del nga kuadri i një konstatimi ose i një krahasimi të thjeshtë. Ka një farë “skeletizmi” në vjersha. Poeti i ri duhet që, duke ruajtur cilësitë e tij më të mira të thjeshtësisë, konkretësisë, lakonizmit, të mos i shndërojë ato kurrë në qëllëim në vetvete. Në vjershat e tij F.Haliti ka shpesh impresione të shkurtëra, të cilat mbeten thjesht impresione kur nuk shoqërohen me një ide të rëndësishme. Ai duhet të përpiqet t’i shmanget një farë “akuarelizmi”, i cili duket edhe në vëllimin “Sot”. Ai duhet të përpiqet nga ana tjeter të zgjerojë diapazonin e tematikës së tij. Pa hequr dorë nga freskia lirikës së fushës, Do ta pasuronte poezinë e tij edhe një frymë më e gjërë epike, një nerv më i fortë ndaj ngjarjeve të mëdha me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Të gjitha këto nuk ka pse të kërkohen përnjëherësh. Këto janë elementë që objektivisht e pasurojnë poezinë e një poeti të ri, i cili nuk mbetet në vënd por ecën përpara.
Shkrimtarët tanë të rinj kanë shumë për të mësuar, në radhë të parë nga jeta dhe pastaj nga librat. Ata kanë shumë nevojë për ndihmë. Ata duhet të ndihmohen nga shkrimtarët më me përvoje. Nga ana tjetër është e domosdoshme të ndihmohen të rinjtë për të kapërcyer ndjenjën e vetëkënaqësisë pas sukseseve të para. Kur të punohet mirë me të rinjtë, ata do ta kuptojnë shumë mirë se kjo gjë që po bëjmë ne, krijimtaria letrare, nuk është diçka e mbinatyrshme, por është një përpjekje në kuadrin e përgjithshëm të përpjekjeve për përparimin e vendit. Tek të gjithë letrarët, e sidomos tek fillestarët, duhet të rrënjoset ideja se letërsia nuk është një stoli që zbukuron dhe bën interesante vetveten, por është një pasuri kombëtare dhe, si të gjitha pasuritë shpirtërore të popullit, ajo krijohet me vështirësi dhe mundime të jashtëzakonshme, nga shumë breza e nga shumë njerëz.
Gazeta “Drita”, 12 tetor 1969
______________________________________________________________
KËTA DY SHËNIME
JANË VENDOSUR NË VESHIN E DJATHTË TË LIBRIT «SOT» TË SAPO RIBOTUAR
ISMAIL KADARE:
Ka pasur raste kur ndonjë diskutim krijues ka munguar dashamirësia. Kam parasysh një letër të dërguar në redaksinë e gazettes «Drita» nga një letrar i ri i Lushnjës (F. Rustemi), i cili shfaqte protestën e tij në lidhje me pritjen që ju bë librit «Sot» të poetit të ri Faslli Halii nga disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës. Nxënësi që e shkruante këtë letër, ankohej me të drejtë për faktin që disa anëtarë të rrethit letrar të Lushnjës, në vend që të gëzoheshin që një bashkëqytetar i tyre botoi një libër të mire poetik, jo vetëm që u hidhëruan shumë, jo vetëm që e pritën me këmbët e para këtë libër, por filluan kundër autorit të ri një fushat akuzash speculative». “Krijimtaria letrare e rinisë”, «Atobiografia e popullit në vargje», faqe. 216-217)
Gjergj Zheji,
Kurse Faslli Haliti me vëllimin e tij të parë (Sot) na ka dhënë një tufë akuarelesh të freskët nga jeta jonë. …këto akuarele të komunikojnë ndjenja të shndritshme, ide interesante që mund të të bëjnë edhe të mendohesh. Ky poet i ri, në rrugën e formimit të tij, ka, mbase më shumë se çdo poet tjetër yni, kultin fjalës.. (”Artisti dhe jeta”, 1973 )
* Faslli Haliti u denua nga diktatura per peozi dekadente, qe nxinin realitetin