“E thëna e së vërtetës nukë sjell nonjë fitim; po ka një ëmbëlsie më vete, sepse të qetohet vetëdija kur fole ç’duhej të flisje”. –Faik Domenik Konica/
Shkruar nga Valentin Lumaj/Michigan/
Fillimshekulli i njëzetë e gjen Shqiperinë dhe shqiptarët në një nga periudhat më të trishta të ekzistencës mijëra vjeçare. Sundimi i stërgjatur i perandorisë turke, në atë kohë në rënie e sipër, sikur të ishte një sëmundje e gjatē dhe e mundimshme, po e linte Shqipërine në një gjendje katastrofale ekonomike, politike e shoqërore, e sidomos të ndërgjegjes fetare, të ushqyer shpirtërisht jo nga feja e tyre e parë dhe e përbashkët katolike, por më së shumti nga besimi islam, po ashtu ortodoks dhe ai bektashian.
Shiptarët deri në shekullin e 15-të krenoheshin me një histori 1500 vjeçare të besimit katolik. Ky besim i përvetësuar me ndërgjegje të lirë nga shqiptarēt, ka origjinën qysh në shekullin e parë pas Krishtit, gjatë udhëtimit të Shën Palit në trojet Ilire të asaj kohe nga Jeruzalemi në Rome. Shkëlqimi i Perandorisë turke solli me vete edhe përhapjen e besimit musliman. Ndaj shqiptarëve po ndodhte një çrrënjosje deri në kore e ndërgjegjes fetare si katolikë romanë. Po ndodhte një konvertim gradual e i dhunshëm i besimit katolik te shqiptarëve autoktonë ne atë islam të pushtuesit osman.
Turqit mjetin e parë përdorën dhunën ekonomike, nëpërmjet sistemit të privilegjuar të taksave ndaj muslimanëve, përkundër masave shtërnguese ndaj jo-muslimanëve. Po ashtu premtimi dhe dhënia e tokave pjedhore atyre qē pranonin me dëshirë besimin islam.
Së dyti, dhunën fizike, duke torturuar, burgosur e duke prerë kokat e priftërinjve që mbanin meshët dhe besimtarëve katolikë të cilët nuk pranonin te konvertonin fenë e tyre. Marin Barleti shkruante: “Disa mijëra të krishterë, i gjuajtën, i kapën dhe i prunë para sulltanit të botës. Padishahu i botës, disave ua preu kokat ndërsa të tjerë i çau më dysh. Të gjithë të tjerët i shkuan në shpatë para tij”
Kronisti Bizantin i Kalif Fatihut, Kritobuli, i cili e vëzhgoi nga afër luftën shqiptaro-turke, shkruante: “ Shqiptarët preferonin më mirë vdekjen sesa të binin në dorë të turqve. Disa Ilirianë, duke parë se ndiqeshin nga turqit, dhe nuk gjetën asnjë vend për t’u strehuar, u hodhën poshtë nga shkëmbijtë në hapësirën e përrenjve dhe vdiqën”. Po ashtu egzistenca e Kishave të nëndheshme e vërteton më së miri trysninë dhe dhunën e okupatorit turk ndaj katolikëve.
Dhuna morale kishte si mjet çnderimin dhe përdhunimin e vajzave dhe grave shqiptare në familjet e krishtera. Egzistojnë gojdhëna, vizatime dhe shkrime të kësaj dhune.Një mjet tjetër ishte dhunimi nëpërmjet traditës së shqiptarëve. Shqiptari historikisht e lidhte ekzistencën e vet me armën, me të cilën mbronte pronën dhe nderin. Mbledhja e armëve dhe lejimi i mbajtjes së armës vetëm për muslimanët ishte një metodë tjeter tinzare dhe e pabesë e turqve për t’i detyruar të konvertoheshin. Këto metoda makabre vazhduan deri në fillim të viteve 1900.
*****
Në këtë katrahulë të shkërmoqjes së sundimit pesë shkullor të perandorisë turke, mendjet e ndritura të Rilindjes shqiptare parashikonin të ardhmen e afërt dhe të largët të fatit të Shqiperisë. Ndër tà dallon Faik Konica, për mendje-mprehtësinë dhe largpamësinë në të ardhmen e Shqiperisë. Ose sic e quante Noli i madh në Enciklopedi Shëtitëse G. Apolineri: “ky njeri me kulturë të lartë…, veprimtar politik me orientim perëndimor, siç ishte kultura e popullit që i takonte, poliglot, solli një model të ri në mendësinë shqiptare”.Konica rridhte nga një familje e vjetër feudale me tradita te thekshme muslimane e Zenelbejllinjëve të Konicës. Mësimet e para i mori në vendlindje, në gjuhën turke, arabe dhe greke. Falë talentit te tij, ai u rregjistrua në Kolegjin Katolik Saverian, në Shkodër. Aty Konica u mbrujt për dy vjet dhe në një farë mënyre përqafoi besimin katolik. Nën këtë ndikim Faiku vazhdoi studimet në shkollën franceze katolike të Gallatasarait në Stamboll, të cilën e kreu në 1890-n, kur ishte 15 vjeç. Studimet e plota universitare Faiku i kreu në Universitetin e Dijon-it të Francës në vitet 1890-95 dhe ato pasuniversitare në Paris në vitet 1895-97.
Shkollat jezuite katolike ku ai studioi si dhe kultura dhe ambienti përëndimor, krijuan bindjen te Konica se ai tani ishte një katolik nga besimi, dhe në verë të vitit 1995 në Dijon të Francës, pagëzohet me emrin Faik Domenik Konica. Qysh nga ajo kohë e mbas, Konica në të gjitha shkrimet dhe paraqitjet e tij, e ka prezantuar veten si Katolik. Edhe në Universitetin Harvard të Bostonit në vitet 1909-1912, u regjistrua si shqiptar katolik me emër Faik Domenik Konica.
Përveç ambientit ku urrit dhe edukua, për vendimin e pagëzimit të tij si i krishter katolik, Konica ishte ndikuar edhe nga leximi i veprës se Marin Barletit në latinisht, “Historia e jetës dhe e veprave të Gjergj Kastriotit Skënderbeut princit të Epirotëve”. Gjergj Kastriotin sulltani e detyroi të kthehej në muhamedan dhe i dha emrin Iskander-beg (Skënderbej), sipas Aleksandrit të Madh. Por ndërsa në fund të vitit 1444, mbasi mori Krujën, Skënderbeu u pagëzua me vullnetin e tij si katolik, duke rimarrë emrin e fëmijërisë Gjergj. Ky veprim u ndoq edhe nga shumë prinjësa të tjerë shqiptarë të asaj kohe. Konvertimi në katolik i Skënderbeut, ndikoi edhe në ndërrimin e kahes lindore ortodokse apo muslimane dhe orientimin e shtetit shqiptar drejt Europës përëndimore katolike duke lidhur aleancat e nevojshme në luftën e tij për mbrojtjen e katolicizmit dhe kundër përhapjes Perandorisë Osmane drejt Evropës.
Po ashtu, Konica ishte frymëzuar edhe nga Konstandini i madh me origjinë Ilire, perandor i Perandorisë Romake, i cili u kthye drejt krishtërimit, sepse pa në qiell një vizion, që e porositi t’ia besonte fatin e ushtrisë së tij perëndisë së krishterë. Ai vuri si emblemë mbi mburojat e ushtarëve të tij kryqin që i qe shfaqur në qiell, me moton: “Me këtë shenjë, do të fitosh”.
Pagëzimi i Konices përveçse një bindje shpirtërore ishte edhe një veprim diplomatik, nje shtysë për një lëvizje të gjerë popullore për kthimin e shqiptareve në fenë e të parëve. Ai ënderronte per nje tipologji te shtetit përëndimor evropian. Keshtu me 4 dhjetorit 1912, ndërsa në Vlorë ish-deputeti i Parlamentit turk Ismail bej Qemali shpallte pavarësinë e Shqipërisë dhe po krijonte qeverinë e parë të përkohshme shqiptare, si Kryetar i Federatës Vatra, Konica i shkruante: “Federata Pan-shqiptare e Amerikës “Vatra” i dërgon urime të nxehta ngjarjes që do të mbetet e kujtueshme. Lutemi, me këtë rast, të mos e bëni Shqipërinë një shtet oriental si Khiva, Bukharaja, Afganistani, Tunisia etj. Mbani për ideal një Shqipëri si Norvegjia, Danimarka, Hollanda, Belgjika. Prandaj duam më mirë një princ prej një familjeje mbretërore europiane i cili të na lidhë me traditat oksidentale”.
Ndërsa rilindasit shqiptarë dolën me moton e bashkimit: “feja e shqiptarit është Shqiptaria”, Konica shkon një hap më tej dhe u bën thirrje shqiptarëve: “Muhamedanë shqiptarë, bashkohuni me vëllezërit e krishterë, bashkohuni për të mirën e kombit tonë!”
Në gazetën e tij Albania e 1909-s, nën syzën “Rreziku i afërm i shqiptarëve muhamedanë”, Konica parashikonte se
– Osmanllinjtë në pak vjet do të dëbohen nga Evropa;
-Se Shqipëria e pabashkuar dhe e paqytetëruar, e mbetur nga faji i saj pa miq të fortë perjashta, do të ndahet; -se Shqiptarët muhamedanë do të dëbohen duke humbur gjithë mallin dhe kamjen;
-se Osmallinjtë nuk do t’i qasin n’Anadoll shqiptarët e dëbuar;
Prandaj ai ofron një zgjidhje të vetme:
– në mos idealismi, të paktën buka dhe detyra që kini te fëmija juaj ju shtrëngon të bëni nga dy gjëra njërën: a të kthehni te feja e stëgjyshërve tuaj, a të mbeteni muhamedanë, po duke u lidhur me aq vërtetësi dhe zemre me të krishterët nga gjaku juaj sa t’i jipni kombit t’uaj një karakter gjysmë të krishterë.
Në një kohë që të gjitha vendet fqinje do të kerkonin te shqyenin nga një cope tokë shqiptare, Konica ishte i bindur se lufta me armë ishte një vetëvrasje për shqiptarët, te cilët ishin të shpërndarë, të paorganizuar dhe të pa armatosur si duhet, ku edhe lënda e pare, baruti, vinte nga jashtë. Sipas tij rruga e vetme ishte ajo e bashkimit të gjithë shqiptarëve në origjinalitet, në fenë e të parëve, fenë katolike. Ai thoshte: “Në doni, kthehuni në fée të stërgjyshërve t’uaj, të cilët, si e bën “ispat” “tarihu”, ishin kaurë, gjaurë, qafirë, po që u bënë muslimanë nga “zullumi”.
Ai mendonte se populli shqiptar për të fituar pavarësinë dhe për të krijuar një shtet të lirë sa më të ngjashëm me shtetet europiane, duhej të kthehej në krishtërim. Me tej ai shkruante: “Të kthyerit tuaj në fée të vjetër do të sillte menjëherë bashkimin e kombit”.
Pikëpamja e tij ishte se Evropa përëndimore e njësonte popullesinë muhamedane shqiptare si popullsi turke. Megjithëse Islamizmi në Shqipëri paraqitej si “islamizëm europian”, joburimor, shqiptarët nuk do te njiheshin si shqiptarë për shkak të besimit të tyre islam, e prapëseprapë Turqia nuk do ti vinte në ndihmë Shqipërisë. Për këtë arsye ai parashikonte coptimin dhe humbjen graduale të trojeve shqiptare. Kjo ishte një largpamësi e cilësuar, një e vërtetë e pamohueshme, një e vërtetë që per shkak te besimit musliman dhe ortodoks, pati pasojën e përgjysmimit të trojeve shqiptare. Mali ë Zi merr Ulqinin, Plavën, Gucinë, Hotin e Grudën, Serbisë i dhurohet Kosova e Vranja, dhe nën atë motiv Greqia pretendon si të veten krejt toskërinë, duke dëbuar popullsinë autoktone shqiptare dhe zapton me dhunë Çamërinë.
*****
Historia vazhdon me luftë dhe gjak të derdhur pa masë nga shqiptarëet për tëe rifituar atë që humbën. Perpjekjet kanë qenë të gjithanëshme dhe të vazhdueshme. Një pjesë e elitave shqptare kanë qenë pro konvertimit katolik apo orientimit oksidental përkundër atij oriental, por që kurrë nuk kanë arritur ta krijojnë atë si çështje kombëtare.
Kështu, Mbreti Ahmet Zogu, themeloi kalendarin perëndimor katolik në vend te atij turk. Ai u martua me një zonjë të besimit katolik, dhe ai vetë jetoi si katolik dhe fëmijët e tij kanë emra dhe jetojnë si katolikë.
Sistemi diktatorial i famekeqit Enver Hoxha, megjithse mohoi të gjitha fetë dhe egzistencën e Zotit dhe shpalli ateizmin, prapëseprapë, goditjen më të madhe e mori katolicizmi, pasi ndër fretërit dhe murgeshat e asaj kohe ishte kristalizuar shtresa më vitale, më e përparuar dhe pro-përëndimore inteligjencës shqiptare. Vrasja, burgosja dhe syrgjynosja e klerit katolik, pati per pasojë përveçse një shkëputje shpirtërore, edhe një shkëputje të përgjithshme nga Vatikani dhe evropa përëndimore.
Degjenerimi i sistemit komunist, çoi ne rigjenerim të edukimit shpirtëror të shqiptarëve kur mbi 50% e popullsisë ishte ateiste. Në vitin 1995 Shkrimtari Ismail Kadare, ju bën të njëjtën thirrje që Konica u bënte shqiptarëve 100 vite me parë, që shqiptarët të kthehen në fenë e të parëve.
Nga ana tjetër në disa xhami në Shqipëri e Kosovë, myftinjtë përpiqen t’ua mbushnin mendjen shqiptarëve muslimanë se ata janë një popull me gjak osman i krijuar nga përzjerja e shqiptarëve me turqit e ardhur nga Turqia. Nën këtë ushqim shpirtëror te gabuar, që mban erë qe ushqehet nga Ankaraja, shumë shqiptarë, kur ishte lufta për çlirimin e Kosovës, u strukën në familjet e Shqiperisë e Evropës që hapën dyert per tà, kurse sot flijojnë veten për lirinë e kombeve të huaja islame, Irak, Iran e Afganistan, pasi e ndjejnë veten më shumë turq se shqiptarë.
Po ashtu disa liderë dritëshkurtër të Shqipërisë dhe Kosovës, quajnë popullin shqiptarëe vëlla me popullin turk. Ndërsa në disa kisha ortodokse ka priftërinj që u bëjnë thirrje popullsisë ortodokse të deklarohen grekë. Sipas tyre, shqiptarët muslimanë për nga besimi dhe gjaku janë vëllezër me turqit, kurse shqiptarët orthodoksë nuk kanë lidhje me ta sepse jane grekë. Me këtë qasje Greqia quan Epirin e veriut dhe Himaren ortodokse si popullsi greke. Po ashtu me këtë qasje po krijohet idea e Kombit Kosovar, duke e veçuar nga kombi shqiptar.
*****
Prandaj në përfundim të kësaj çoroditje fetare te shqiptarëve, pikësëpari nevojitet një bashkim shpirtëror në një besim të vetëm, në besimin original, fillestar, më të parin, të përqafuar nga të parët tanë, me vullnet e jo nga dhuna. Shqiptarët duhen te pagëzohen të gjithë katolike dhe me vullnet të lirë. Aty duhet te ndodh bashkimi i parë i shqiptarëve; të bashkohen zemrat e kokat e pastaj tokat. Bashkimi i shqiptarëve duhet të ndodhë tek Gjergj Kastrioti, dhe ti tregojmë Ballkanit dhe Evropës se ata nuk janë turq as grekë as serbë, por janë stërnipat e Kastriotit. Një bashkim i tillë do të njësonte te gjithë shqiptarët para të gjithë botës si një komb i vetëm dhe i pandashem. Aty lidhen të gjitha nyjet e Historisë së Shqiperisë. Pa këtë bashkim shpirteror, bashkimi kombëtar duket sa i skajshem aq edhe i pamundur.
At Zef Pllumbi thoshte: “Muslimanët shqiptarë janë muslimanët më të mirë në botë, ata pak me i gërvishtë, të gjithë dalin katolikë”. Shqiptarët muslimanë nuk kanë ndonjë arsye të fortë që t’i jenë besnik të përjetshëm besimit islam. Në diktaturë shumica e lëshuan besimin islam dhe u kthyen në ateistë. Një patriot i “flakte” musliman, me dajren e patriotizmit në njërën dorë dhe atë të islamizmit në dorën tjetër, sapo të germojë në historinë jo të largët e Shqipërisë, do të ndeshë në gjakun e derdhur dhe kokat e prera të para-ardhësve të tij katolikë, që nuk paranuan fenë e pustuesit. Dhe në këtë moment njëra dajre pushon. Mandej është në dorën e tij tëzgjedhë, patriotizmin apo islamismin. Por një shqiptar nuk mund e jetë edhe një musliman i thekur edhe një patriot i vërtetë. Në fillim ishte kombi pastaj feja katolike e kombit shqiptar; feja muslimane ishte feja e pushtuesit. Trikonfesionaliteti i besimeve, që nga disa studiues paraqitet si një begati e trashëgimisë shpirtërorë e shqiptarëve, është një miopi akute historike, pasi termi i trashigimisë nënkupton atë çfarë na lënë mbrapa të parët dhe jo okupatorët.
Po ashtu përveç bashkimit shpirtëror, duhet të ndodhë bashkimi i kulturës dhe gjuhës shqipe. Fishta i madh thoshte në artikullin “Kur do t’bashkohen shqyptarët”: “…t’gjithë njatà qi e kanë me detyrë, si dhe ata qi ia kanë vue vedit me detyrë me organizue jetën shoqnore e t’qytetnueme n’Shqypnië, per n’daçin pernjimend bashkimin e kombit shqyptar, pa t’cillin bashkim nuk mund t’perbahet kurrë nji shtet i qytetnuem, ma s’parit t’caktojnë se mbas t’cillës kulturë duen me e organizue kombin shqyptar, e mbasandej me ligjë, me punë e me kohë të mundohen me i ba shqyptarët qi t’mendojnë e t’veprojnë mbas parimesh t’asaj kulture, tue mbajtë parasysh entologiën, psikologiën e ndijesitë besimtare t’tyne”.
Kultura shqiptare ka qënë dhe është vazhdimisht nëdiskurs dhe jo në harmoni me kulturën turke. Shqiptarët muslimanë duhet te zgjohen nga gjumi osman, nga ai ç’syzim dhe vrasje për së gjalli kulturor dhe kombëtar i vetvetes.
Shqiptaret duhet të zhvishen komplet nga stili turk i jetesës, nga stili turk kulturës, nga stili turk i veshjes. Po a ka veshje më bukur se xhubleta e fustanella?! Ferexheja nuk është shqiptare, nuk na shkon si komb evropian, nuk na përket neve. Shqiptarët duhet te shkunden, shpërlahen dhe të pastrohen një herë e mirë, nga çdo gjë turke, sepse aty është origjina e së keqes, vllavrasja, inati, pabesia, korrupsioni. Shqiptarët duhet të veshin kulturën e të parëve, besën, bujarinë, patriotizmin.
Sado e vështirë të jetë, duhet që edhe gjuha shqipe të pastrohet nga mbeturinat turke. Të paktën autoporlantët nuk do të buçisnin disa herë në ditë në xhamitë shqiptare të Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë me fraza në arabisht, por në gjuhën e pastër shqipe që ta kuptojnë besimtarët.
Konica thoshte: “Historia nuk është veçse një rifillim i përjetshëm”.
Shqiptarët muslimanë nuk duhet t’i frigohen pagëzimit si katolikë. Inferioriteti ndaj konvertimit është një psikozë me synime të dëmshme. Udhëheqësit shtetëror, intelektualët tanë, apo vetë shoqëria civile duhet të krijojnë një lëvizje mbarëkombetare për kthimin e shqiptarëve në identitet. Duhet të krijohet një frymë e përgjithshme, duke u bërë thirrje të gjithë bashkeëatdhetarëve për një njësim kombetar para botës. Aty duhet të derdhen te gjitha energjitë pozitive intelektuale. Lufta e ftohtë për shqiptarët është një luftë e humbur, për sa kohë egziston kjo përçarje shqirtëerore. Të gjithë shqiptarët duhet të marrin një dhe të vetmin ushqim shpirtëror, atë të krishterë. Kjo ëeshtë rruga më e mirë, më e shkurtër dhe më paqësore drejt bashkimit kombëtar. Dhe kjo nuk është vetëm në interes të një shqiptari amerikan, por është në interes të të gjithë shqiptarëve.
Si përfundim citoj fjalët e Konicës:“Jua hapa zemrën. Në u pezmatofshi, s’kini arsye, se ju fola lirisht për të mirën t’uaj, ashtu si ma pret mendja. Në mos u’ pezmatofshi, mejtohuni për këto që po ju thom, se s’janë prralla”.