-Presidenti Thaçi e shpall të dielën ditë zie shtetërore për artisten Nexhmije Pagarusha/
PRISHTINË, 8 Shkurt 2020-Gazeta DIELLI/ Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në nderim të jetës dhe veprës së artistes së madhe, Nexhmije Pagarusha, ka vendosur që ditën e varrimit të saj, 9 shkurt 2020, ta shpall ditë zie shtetërore në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Presidenti Thaçi e ka marrë këtë vendim në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar për artisten Nexhmije Pagarusha, e cila i dha vlera të përjetshme kulturës dhe artit tonë kombëtar.
Në pajtim me legjislacionin në fuqi, në ditën e zisë, flamuri shtetëror ngrihet në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit.
Familja e Nexhmije Pagarushës ka njoftuar se në Teatrin Kombëtar në Prishtinë do bëhen homazhe dhe mbahet mbledhja komemorative, ndërsa varrimi bëhet në fshatin Pagarushe të komunës së Malisheves me rrethin e ngushtë familjar sipas amanetit të saj të fundit.