-Kosova është e artë, tha Kryeministri Albin Kurti në festën e pritjes së medalisteve të arta olimpike/
-Tre vajzat e arta të Kosovës kampione olimpike: E para Majlinda Kelmendi në Rio 2016, e dyta Distria Krasniqi dhe e treta Nora Gjakova në Lojërat Olimpike në Tokio këtë verë/
-Në Lojërat Olimpike në Tokio, në ceremonitë e dorëzimit të medaljeve Flamuri i Republikës së Kosovës nën tingujt e Himnit Shtetëror u ngrit në majën më të lartë – për të artat historike në festën botërore të sportit/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI
PRISHTINË, 2 Gusht 2021/ Kosova e artë e tre vajzave kampione olimpike, e të parës Majlinda Kelmendi në Rio 2016, të dytës Distria Krasniqi e të tretës Nora Gjakova në Lojërat Olimpike në Tokio këtë verë, ka festë të madhe në pritjen e ekipit të xhudos që u kthye në Prishtinë në mbrëmjen e 2 Gushtit 2021. Ekipi olimpik i xhudos që përfaqësoi Kosovën në Lojërat Olimpike Tokio 2020, kampionet e reja olimpike të xhudos, Distria Krasniqi e Nora Gjakova, u pritën në Aeroportin e Prishtinës “Adem Jashari” nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
“Kemi shkuar për një medalje, por u kthyem me dy dhe kjo është diçka e jashtëzakonshme”, tha trajneri i ekipit olimpik të Kosovës, Driton Kuka në konferencën për media, pas aterimit. Kosova u përfaqësua me pesë xhudistë në Tokio dhe fitoi dy të arta, Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova, dhe një vend të shtatë, Akil Gjakova. Dy medalistet e arta, falënderuan popullin e Kosovës, për mbështetjen e vazhdueshme e të cilit thanë se ia dedikojnë medaljet. “Shumë shtete, kanë shprehur interesim për bashkëpunim në sportin e xhudos pas suksesit që e patëm dhe kjo është një krenari e madhe. Këto medalje kanë hapur rrugë për donacione nga federatat ndërkombëtare, por edhe do të rrisin investimet në sportin e Kosovës”, tha Daulina Osmani, zëvendësministre e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Më pas, ekipi olimpik u nis për në ceremoninë e pritjes të organizuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, të mbushur plot njerëz në festën e madhe. Në shesh, kryeministri Kurti në fjalën e tij vlerësoi angazhimin e tri kampioneve dhe trajnerit Kuka, falë punës dhe përkushtimit të të cilëve, xhudo është bërë sinonim i fitoreve. “Në Rio ishte hera e parë, morëm një medalje, në Tokio hera e dytë, morëm dy medalje, dhe tani le të fillojnë përgatitjet për Paris 2024 për tri e më shumë medalje”, tha kryeministri i Kosovës. Gazeta DIELLI e Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA ka raportuar këtë verë se, Kosova arriti sukses historik, të majave të sportit botëror, në Lojërat Olimpike në Tokio – në 26 Korrik 2021 me xhudisten Nora Gjakova fitoi medaljen e dytë të artë, pas të parës që në ditën e parë të garave në 24 Korrik 2021 me Distria Krasniqin. Në Lojërat Olimpike në Tokio, në ceremonitë e dorëzimit të medaljeve Flamuri i Republikës së Kosovës nën tingujt e Himnit Shtetëror u ngrit në majën më të lartë – për të artat historike në festën botërore të sportit të kampioneve olimpike që u shpallën zyrtarisht Distria Krasniqi e Nora Gjakova.