-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Shpend Maxhuni: Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri/
-Policia e Kosovës 17 vjet, nga 176 në mbi 8900 pjesëtarë/PRISHTINË, 11 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Policia e Kosovës është profilizuar si strukturë e organizuar profesionale me të gjitha njësitet operative, është kompozuar me të gjitha njësitet funksionale, nga policia e lagjes e deri te njësitet elite të intervenimit të shpejtë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës Shpend Maxhuni ka thënë se gjatë 17 vjetëve të ekzistimit të saj Policia e Kosovës është zhvilluar dhe profesionalizuar aq sa tani është ndër institucionet më kredibile në vend. Maxhuni në një intervistë sot për gazetën kosovare “Zëri” ka thënë se me gjithë incidentet e shkaktuara kohëve të fundit, gjendja e sigurisë vlerësohet e qetë dhe stabile dhe se prioritet i Policisë është siguria dhe funksionimi i shtetit ligjor. Sipas tij, terrorizmi është një sfidë jo vetëm për Kosovën, por edhe për shtetet më të zhvilluara në rajon dhe në botë, megjithatë ai thotë se Policia kosovare ka kapacitetet e nevojshme për luftimin e kriminalitetit, duke përfshirë terrorizmin, krimin e organizuar, korrupsionin, krimet kibernetike, ekonominë informale dhe të gjitha dukuritë tjera negative në shoqëri.
Ai gjithashtu ka thënë se Policia e Kosovës i nënshtrohet vetëm kontrollit civil demokratik siç është e paraparë në Kushtetutë e ligje dhe se nuk është në shërbim të subjekteve apo individëve të caktuar.
Këtë javë, në 8 shtator, qeveria e Kosovës ka aprovuar vendimin për t’i rekomanduar kryeministrit të Kosovës vazhdimin edhe për një mandat në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Shpend Maxhunit. Kryeministri Isa Mustafa ka vlerësuar lartë punën e Policisë së Kosovës dhe menaxhimin e saj, jo vetëm gjatë kësaj periudhe sa është mandati i kësaj qeverie, por edhe në vazhdimësinë e punëve që ka kryer edhe Policia edhe Maxhuni, duke theksuar edhe pajtimin që të emërohet edhe për një mandat tjetër.
E themeluar 17 vjet më parë, Policia e Kosovës tani numëron mbi 8900 punonjës dhe vlerësohet si një ndër policitë më profesionale në rajon dhe vazhdon të jetë një ndër institucionet me besimin më të madh të qytetarëve në vendin e lirë prej 17 vitesh dhe të pavaur nga 17 shkurti 2008.
Në 6 shtator të vitit të lirisë 1999, Misioni i OSBE-së në Kosovë, në pajtim me Rezolutën e Kombeve të Bashkuara 1244, ka hapur në qytetin e Vushtrrisë Shkollën e Policisë dhe ka filluar trajnimin për pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
Brezi i parë i kandidatëve kishte 176 pjesëtarë, të cilët me sukses përfunduan trajnimin dhe pastaj filluan ushtrimin e veprimtarisë policore në tërë territorin e Kosovës, një shërbim i ri i krijuar në bazat e një policie demokratike dhe profesionale, i hapur dhe i barabartë për të gjithë të interesuarit që dëshrirojnë të bëhen pjesëtarë. Trajnimi në Shkollën e Policisë së Kosovës vlerësohet me standarde të larta.