-Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit/
PRISHTINË, 13 Tetor 2015/ Qeveria e Republikës së Kosovës deklaroi sot se, shpreh shqetësim dhe keqardhje për dhunën që grupe militantësh të partive opozitare kanë ushtruar një natë më parë mbi Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera kushtetuese, duke lënduar rëndë disa zyrtarë policorë, duke shkaktuar dëme në objekte publike e private dhe duke krijuar shqetësim te qytetarët.
“Aktet e skajshme vandale që u manifestuan gjatë protestës së dhunshme të thirrur dhe të drejtuar nga udhëheqja e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe të përkrahur nga partitë tjera opozitare, cenon rendin dhe ligjin, punën e organeve të pavarura shtetërore si dhe interesat madhore të qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës”, thekson komunikata e sapodërguar.
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër sulmet kundër institucioneve të sundimit të ligjit dhe garantimit të rendit dhe sigurisë, të mandatuara që aktivitetin e fushëveprimit të tyre ta ushtrojnë të lira nga ndërhyrjet dhe dhuna.
“Qeveria e Republikës së Kosovës, i bën thirrje partive opozitare që të heqin dorë nga veprimet anarkike dhe nga përdorimi i dhunës mbi institucionet e shtetit, me qëllim që të dalin mbi ligjin dhe që të realizojnë axhendat e tyre politike ditore, duke vepruar në kundërshtim me interesat e qytetarëve dhe të Republikës së Kosovës”, përfundon deklarata.
Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje, subjekti më I madh opozitar kosovar, sot, pas mesditës mban konferencë të jashtëzakonshme për medie në lidhje me ngjarjet e mbrëmshme. Sipas partisë tjetër opozitare, AAK, “pas skandalit të mbrëmshëm duhet të tërhiqet Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Policisë së Kosovës”./b.j/