
Dr. Lulzim Nika/
Sot, 19 qershori 1998 mbetet një datë me rëndësi të veçantë në historinë moderne të Kosovës, sepse shënon momentin kur përpjekja çlirimtare e popullit të Kosovës fitoi njohje dhe legjitimitet politik në qendrën më të rëndësishme të vendimmarrjes ndërkombëtare – në Uashington.
Në kohën kur Kosova po përballej me brutalitetin e forcave serbe, të cilat po vrisnin, dëbonin dhe digjnin vendbanime të tëra në Drenicë, Dukagjin dhe rajone të tjera të vendit gjatë verës së vitit 1998, zhvillohej një betejë po aq e rëndësishme në arenën diplomatike ndërkombëtare.
Regjimi i Sllobodan Millosheviqit i premtonte Rusisë se do ta shkatërronte Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës para fillimit të negociatave me shqiptarët e Kosovës. Mirëpo, zhvillimet në terren dhe realiteti politik po dëshmonin se UÇK-ja ishte bërë faktor i pamohueshëm në Kosovë.
Më 19 qershor 1998, Këshilli për Siguri Kombëtare i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të institucioneve më të larta të qeverisë amerikane, mori një vendim historik: përfaqësuesit politikë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhej të përfshiheshin në negociatat e ardhshme për statusin e Kosovës.
Për këtë qëndrim u informua edhe Presidenti Ibrahim Rugova, duke iu bërë e qartë se grupi negociator i Kosovës duhej të përfshinte edhe përfaqësuesit politikë të UÇK-së.
Pak javë më herët, i dërguari amerikan për Kosovën, Christopher Hill, kishte zhvilluar një takim me përfaqësuesit e UÇK-së në Malishevë. Pas këtij takimi, ai mbajti komunikim të drejtpërdrejtë me Këshillin për Siguri Kombëtare në Uashington, duke raportuar për gjendjen reale në zonat e luftës dhe për rolin që kishte marrë UÇK-ja në terren.
Në mbledhjen e 19 qershorit, ndër shumë vlerësime dhe konkluzione për Kosovën, u arrit në përfundimin se partitë politike në Prishtinë nuk mund ta përfaqësonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në negociatat e ardhshme. Për këtë arsye, UÇK-së duhej t’i njihej e drejta për të pasur përfaqësuesit e saj në procesin politik dhe negociues.
Mungesa e unitetit të faktorit politik shqiptar shihej me shqetësim edhe nga diplomacia amerikane, e cila ishte e vendosur të gjente një zgjidhje për statusin politik të Kosovës. Në të njëjtën kohë, përpjekjet për ta bindur Serbinë të hiqte dorë nga politika e dhunës dhe represionit po rezultonin pothuajse të pamundura.
Millosheviqi vazhdonte t’i siguronte aleatët e tij se gjatë verës do ta shkatërronte UÇK-në dhe se në vjeshtë do të fillonin negociata për një autonomi të kufizuar të Kosovës, pa cenuar sovranitetin e Serbisë. Megjithatë, zhvillimet në terren dhe vlerësimet e institucioneve amerikane po tregonin një realitet krejt tjetër.
Prandaj, 19 qershori 1998 shënon një kthesë historike në procesin e ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës. Për herë të parë, me një qëndrim të qartë institucional, SHBA-ja e legjitimoi UÇK-në si faktor politik dhe ushtarak që duhej të ishte pjesë e procesit për arritjen e paqes.
Vendimi për përfshirjen e përfaqësuesve politikë të UÇK-së në përpjekjet për zgjidhjen e konfliktit ishte ndër arritjet më të rëndësishme politike të asaj periudhe dhe pati ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimet që çuan drejt lirisë së Kosovës.
Që nga 19 qershori 1998, UÇK-ja u shndërrua në një partner të njohur të bashkësisë ndërkombëtare në përpjekjet për paqe dhe stabilitet në Kosovë. Më pas, gjatë dhe pas luftës, ajo dëshmoi se ishte një partner i besueshëm në proceset që çuan drejt çlirimit dhe ndërtimit të institucioneve të Kosovës.
Krimet, masakrat dhe dëshmitë e gjenocidit serb ndaj shqiptarëve ishin të pranishme në mbarë Kosovën. Pikërisht këto fakte e bënë argumentin amerikan në mbështetje të së drejtës së shqiptarëve për liri dhe vetëvendosje një argument të fuqishëm, të qëndrueshëm dhe bindës para opinionit ndërkombëtar.
Lufta e drejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe përkushtimi i saj për mbrojtjen e popullit të Kosovës ndikuan që diplomacia ndërkombëtare ta shihte gjithnjë e më shumë UÇK-në si një partner të rëndësishëm në procesin e paqes dhe në ndërtimin e së ardhmes së Kosovës. Ky ndryshim i qasjes ndërkombëtare u pasqyrua edhe në bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet përfaqësuesve të UÇK-së dhe aleatëve perëndimorë gjatë dhe pas luftës.
Një dëshmi e rëndësishme e këtij partneriteti ishte edhe telefonata falënderuese e Presidentit amerikan Bill Clinton me udhëheqjen politike të UÇK-së pas përfundimit të luftës. Në këtë komunikim u vlerësua kontributi për vendosjen e paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit për ndërtimin e një Kosove demokratike, ku të gjithë qytetarët e saj, pa dallim etnie apo besimi, do të jetonin në liri, siguri dhe barazi.
Prandaj, 19 qershori 1998 mbetet jo vetëm dita e legjitimimit politik të UÇK-së në arenën ndërkombëtare, por edhe fillimi i një partneriteti strategjik ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partneritet që luajti rol vendimtar në rrugëtimin e Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit të shtetit demokratik.