Ne Foto:Petraq Ktona ne zyren e tij. Ai lindi me 1904 dhe nderroi jete me 1980./
Nga Idriz Lamaj/
Petraq Ktona lindi në katundin Dardhë të Korçës, në një familje të mirënjohur atdhetare dhe u rrit në Rumani, në djepin e nacionalizmit të kolonisë së shqiptarëve të Bkureshtit. I ushqyer atje me veprimtarinë kombëtare të mërgimtarëve të vuajtur dhe me veprat letrare e historike të rilindësve tanë, u kthye në vendlindje, në trevën e patriotëve të vjetër e të rinj, dhe filloi veprimtarinë e vet si gazetar dhe përhapës i atdhetarizmës, duke pasur Korçën qendër të punës dhe të veprimit.
Gjatë viteve ’30, Ktona shkroi dendur në gazeta të ndryshme të Shqipërisë. Shkrimet e tij kryesisht lidheshin me çështje shqiptare dhe zhvillimet politike të kohës. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia, ai angazhohet në Ballin Kombëtar, gjë e natyrshme për një intelektual dhe atdhetar të brumosur me frymën dhe idealet e rilindësve tanë, disa prej të cilëve ai i kishte njohur personalisht. Ai shpesh herë thonte: “Nuk kisha si të rrija pa hyrë në Ballin Kombëtar. Aty ishin Mitat Frashëri dhe Hasan Dosti me shokë, të cilët nuk bënin asnjë lëshim ndaj realizimit të Shqipërisë etnike demokratike”.
Me ardhjen e komunizmit në pushtet. Petraqi, si shumë të tjerë, i la lamtumirën atdheut, duke lënë pas bashkëshortën dhe fëmijët, të cilët nuk arriti t’i shihte më. Ai fillimisht qëndroi në Itali, më vonë emigroi në Kanada, dhe prej andej erdhi e u vendos këtu në NY. Në mërgim, veprimtarinë e vet politike e zhvilloi në kuadër të Ballit Kombëtar, Grupi i Hasan Dostit, dhe e përfaqësoi atë grup politik në mbledhjë të ndryshme ndërpartiake.
Petraq Ktona dhe Seladin Velaj krijuan shkollën e parë pas luftës në komunitetin shqiptar të New York-ut, për mësimin e gjuhës shqipe. Në atë shkollë për të cilën bënë sakrifica të shumëllojshme, mësuan shumë fëmijë, të cilët, tani në moshë të pjekur, dijen e shqipes ia detyrojnë Petraqit dhe Seladinit.
Ktona, duke qenë i vetëdijshëm për rëndësinë dhe rolin që kishin luajtur për çështjen kombëtare kolonitë e dikurshme të emigracionit shqiptar, në mënyrë të veçantë kjo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me “Vatrën” në krye, sapo u vendos në NY, filloi përpjekjet e gjithanshme për krijimin e një ure afrimi midis emigracionit të ri e të vjetër. Emigracioni i ri dhe kolonia e vjetër shqiptaro-amerikane ishin armiqësuar thellë për pikëpamjet e kundërta politike ndaj regjimit komunist në Shqipëri. Nga emigrantët e rinj, Petraqi me pak shokë tregoheshin tolerues ndaj qëndrimit prokomunist të vatranëve të vjetër dhe propagandës që bënte gazeta “Dielli” kundër emigracionit të ri. Toleranca e Petraqit me shokë bazohej mbi të drejtën e pamohueshme historike të kontributit që kishin dhënë për atdheun vatranët e vjetër, me “Vatrën”, Kishën Ortodokse Shqiptare dhe Nolin në krye.
Petraq Ktona që në rini kishte lidhje të drejtpërdrejtë me “Vatrën” dhe veprimtarinë e saj kombëtare. Po të shfletohet “Dielli” i viteve ’30, në faqen e reklamës shpesh lexohet kjo fjali: “Gazeta ‘Dielli’ shitet në librarinë ‘Vatra’ të Petër Ktonës në Korçë”. Petraqi thonte se ajo nuk ishte librari, por një kioskë e vogël, ku shiteshin gazeta të ndryshme, përfshirë “Diellin”.
Ktona u cilësua si një ndër flamurtarët e luftës antikomuniste brenda komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një prej veprimtarëve më të dalluar të Federatës Vatra. Përveç shkrimeve të shumta që botoi në gazetën “Dielli”, në vitin 1978, ai botoi broshurën: “Misioni i Federatës Vatra dje dhe sot”. Në këtë broshurë, autori bën një përshkrim të shkurtër të historikut të “Vatrës” dhe rolit që ajo luajti për çështjen shqiptare, duke u bërë të gjithë bashkatdhetarëve pa dallim thirrjen: “…që të pyesin ndërgjegjen e tyre, pa u influencuar nga sentimente të veçanta, por vetëm nga sentimentet e patriotizmit dhe të interesit të popullit shqiptar, në qoftë se duhet të lëmë Vatrën të çduket. Atyre që do t’u përgjigjet ndërgjegja me një ‘Jo!’, le të bëjnë detyrën duke ndihmuar Vatrën bujarisht.”
Petraqi ishte mbrojtës i flaktë i Kosovës dhe mori pjesë në çdo demonstratë të organizuar për çështjen e saj. Shkrimet e tij për Kosovën mund të cilësohen si artikuj që dalin nga zemra e një intelektuali fanatik shqiptar. Në vitin 1979, ribotoi “Poemin Kosovar” të Dhimitër Paskos. Të dhënat e tij për Paskon, botuar në parathënien e poemit, janë me interes të veçantë për ata që merren me biografinë e këtij poeti e shkrimtari të njohur shqiptar. Me Paskon ishte njohur në Bukuresht dhe kishte mbajtur miqësi të ngushtë familjare.
Për 50 vjet, Petraqi me penën e një gazetari të mprehtë zhvilloi luftë pa kompromis kundër qarqeve shoviniste greke dhe përpjekjeve të tyre për aneksimin e Shqipërisë së Jugut. Ato qarqe të errta greke i kritikoi ashpër me letra të hapura, memorandume dhe shkrime të ndryshme, si në Shqipëri ashtu edhe në mërgim.
Shtatë muaj para se të mbyllte sytë, ky atdhetar i paepur zbrazi fishekun e fundit kundër grekëve, duke treguar edhe një herë se ortodoksizmi shqiptar ishte avangarda e luftës për mbrojtjen e kombit dhe të interesave kombëtare ndaj pretendimeve greke në Shqipëri. Ai i dërgoi një letër të hapur Kryesisë së Silogut Vorioepirot në Athinë, ku midis tjerash shkruan:
“Rastësisht më ra në dorë fletorja e organizatës së juaj, Pirsos Voriu Ipirus nr. 87, Fruer 1979. Është një numër komemorativ për të përkujtuar 65-vjetorin e autonomisë së Gjirokastrës. Fletorja në fjalë është mbushur fund e krye me fjalime bombastike e gënjeshtra.
“Shqiptarët në përgjithësi bëjnë mirë që nuk humbasin kohën me shkrimet dhe iluzionet tuaja bajate. Unë po përfitoj nga rasti, jo për të bërë polemika, por për t’i rikujtuar popullit dhe gjeneratës së re greke ndihmën që ka dhënë populli shqiptar për indipendencën greke dhe zhvillimin e saj të soçëm. Do të tregoj gjithashtu prova miqësore të popullit shqiptar kundrejt popullit grek.
“Para se të vij në këto fakte, due të përmend që autonomia e Gjirokastrës me 1914, është një nga faqet më të turpshme dhe më barbare të historisë. Këte nuk dua t’ja ngarkoj historisë së shkëlqyer greke por një bande kriminelësh me G. Zografon dhe Dh. Dhulin në krye…”
Pasi rendit fakte të ngjeshura historike mbi masakrat greke në Çamëri dhe thekson se populli shqiptar kurrë nuk heq dorë nga Çamëria shqiptare e pushtuar prej grekëve, si dëshmitar sjell edhe këtë paragraf nga kujtimet e tij personale të Luftës së Dytë Botërore:
“Po ju jap edhe një shembull të fundit që të kuptoni bujarinë, shpirtmadhësinë dhe miqësinë që ka treguar populli shqiptar kundrejt popullit grek.
“Ka qenë viti 1941-1942, vit i tmerrshëm, kur populli grek pas një lufte heroike, iu përul forcës të dy fuqive të mëdha. Ushtritë okupatore naziste konfiskonin të gjitha landët ushqimore për ushtrinë e vet dhe e lanë popullin të vdeste urije. Çdo mëngjez makinat e bashkisë në Athinë dhe Pire mblidhnin nëpër rrugë kufomat e të vdekurve prej urije. Ka qenë një tragjedi që nuk e meritonte populli grek.
“Populli shqiptar ka qenë i privilegjuar. Jo vetëm që kishte prodhimin e vet bujqësor, por në atë periudhë, Kosova e pasur në prodhime bujqësore ishte e bashkuar me mëmën Shqipëri.
“Popullësia greke gjatë kufirit me shtetin politik shqiptar, që nga Konispoli deri në Devoll, e uritur, kalonte kufirin dhe kërkonte ushqim nëpër katundet shqiptare. Popullësia shqiptare pa përjashtim, myslimanë dhe të krishterë, u hapi dyert dhe ndau ushqimin e fëmijëve të vet me fëmijtë grekë. Ishte pamje prekëse kur shikoje nëna që tërhiqnin prej dore fëmijë 10-12 vjeçarë dhe të tjerë më të vegjël të ngarkuar në shpinë; dhe sa kënaqësi kur shikoje këta fëmijë të qeshnin duke kafshuar me njërën dorë copën e bukës dhe në dorën tjetër një copë me djathë. Në një nga këto skena të mëshirës kam qenë vetë dëshmitarë.”
Në dëshminë e vet pohon se një skenë të tillë të gjallë e kishte pa afër Pogradecit, gjatë një kthimi nga Tirana në Korçë.
Ai vazhdimisht thonte se luftës për mbrojtjen e Shqipërisë së Jugut kundër pretendimeve hegjemoniste greke do t’ia vënë gjoksin, në radhë të parë shqiptarët e besimit ortodoks, sepse në emër të besimit të tyre fetar bëhen të gjitha spekulimet greke.
Për Petraq Ktonën, ruaj shumë kujtime të viteve ’60 dhe ’70. Ai vinte shpesh në zyrën tonë. Ishte përkrahës i vendosur i Komitetit Shqipëria e Lirë dhe anëtar i përfaqësisë së Komitetit pranë Asamblesë së Kombeve Evropiane të Robëruara. Në zyrë vinte gjithmonë i buzëqeshur dhe bënte shaka të zgjedhura me Vasil Gërmenjin, mikun e tij të ngushtë. Kishte respekt të veçantë për prof. Nexhat Pëshkëpinë dhe dr. Rexhep Krasniqin. Herë pas here më ndihmonte në mbledhjen dhe daktilografimin e lëndës për gazetën “Shqiptari i Lirë”. Ai kujtonte me sytë e mbushur me lotë të shoqen Etferipi dhe fëmijët e tij, për të cilët digjej nga malli.
dardhari says
Z. LAMAJ. nuk ka gje me te bukur kur reshta kaq bukur shkruar ku ve ne dukje vepren e ketyre burave (se nuk jane pak)qe kane punuar pe shqiperine dhe me behet shume qefi kur behet fjale per nje dardhar si KTONA. por atij po te ishte gjalle sot do ishte tmeruar kur te shikonte bemat tona ne mergim dhe ne shqiperi dhe ne vecanti ne dardhen e bukur (pa dardhare)si thone shume dardhare po me shume do mbetej i zhgenjyer kur te shikonte qe ate lufte qe kishte bere per te demaskuar greket per (vorio epirin)do tja perplaste fytyres ktones kur te shikonte ate mbi shkrim te uryer tek varezat e fshatit.Qe te prehet i qete Z.KTONA ai mbishkrim duhet te zhduket sa me pare.