Komunistët midis nesh: Bota shqiptare, për arsye të robërisë komuniste, në të dy anët e kufirit, duke marrë parasysh krimet e tmerrshme që janë bërë, ka nevojë më se të domosdoshme që ta hapë çështjen e krimeve të bëra për dekada me radhë ndaj popullit dhe përfaqësuesve të tij liridashës e patriotë, antikomunistë, e sidomos intelektualë të shquar. Viktimat janë me mijëra, që nga ditët e para të marrjes së pushtetit nga komunistët. Këtu po japim dy dokumente të cilat pak a shumë e japin atmosferën e tmerreve të ditëve të para të qeverisjes së komunistëve. Këto krime arrijnë deri në ditët e vona dhe fajtorët janë të shumtë. Prandaj, pushtetet shqiptare, me anë të ligjeve, duhet të jenë të mbrojtura nga kategoria e tillë e dhunuesve të lirisë./
Nga Skënder Blakaj/
Sipas një statistike të organeve të pushtetit, gjatë vitit 1945, u eliminuan 1.416 të arratisur, prej të cilëve 292 u vranë, 148 u zunë, ndërsa 195 u dorëzuan. Për ata muaj të burgosjeve dënimeve dhe ekzekutimeve shifrat, natyrisht, janë të ndryshme dhe është e vështirë të saktësohen.
Halim Spahia, për shembull, u kap nga regjimi i Enver Hoxhës dhe iu dorëzua Jugosllavisë. Bashkë me të, nga fundi i qershorit, 1945, u arrestuan edhe anëtarët e KQ të ONDSH dhe komiteteve qarkore të Prizrenit, Rahovecit, Therandës etj. H. Spahiu u akuzua si organizator kryesor i KQ dhe strumbullar i gjithë organizatës.
Gjyqi… në Prizren, me vendimin e shpallur më 27 shtator 1945 e dënoi Halim Spahinë dhe 5 të tjerë me vdekje-pushkatim.
Gazeta “Rilindja” e dt. 14 shkurt 1946, ndër të tjera shkruante: “U pushkatuan Halim Spahija, Tahir Deda, Rifat Krasniqi, Kajtaz Ramadani dhe Rexhep Kabashi – organizatorë të organizatës pro-fashiste “Komiteti nacional – demokratik” e cila pregaditte kryengritje t’armatosun kundra pushtetit popullor”.
PROCESVERBAL
I KRYERJES SË EKZEKUTIMIT ME VDEKJE TË TË DËNUARVE MARIE SHLLAKU, BERNARD LLUPI, KOLË PARUBI dhe GJERGJ MARTINI, më 24. XI. 1946, në vendin e ngjarjes.
Dënimin me vdekje e kryen Sektori i punëve të brendshme i mbrojtjes popullore (M.P) të rrethit, përmes organeve të Milicisë Popullore.
Në ekzekutim marrin pjesë:
1. Shefi i sektorit të punëve të brendshme pranë MP-së së rrethit të Prizrenit, Nijazi Maloku.
2. Zyrtari i Degës së punëve të brendshme të pranë MP-së së Qarkut të Kosmetit, si delegat i caktuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të R. P. të Serbisë, shoku Gligorije Sharanoviç.
3. Ndihmësi i Prokurorit Publik për Kosmet, shoku Sadri Doçi.
4. Mjeku i qarkut, shoku Matroni Luciano.
Para ekzekutimit të dënimit me vdekje u konstatua:
1. Që janë sjellë nga burgu i qarkut të dënuarit: Marie Shllaku, Kolë Parubi, Bernard Llupi dhe Gjergj Martini. Të lartpërmendurit janë sjellë në vendin e ekzekutimit, me duar të lidhura. Në momentin e fundit, të dënuarit e përmendur, kanë kërkuar të falen, e më së shumti është ankuar Marie Shllaku.
2. U konstatua që këta persona, të dënuar me vdekje me pushkatim, nga Gjyqi i qarkut në Prizren, me aktvendimin nr. K. 21/46 15 korrik 1946 dhe që ky gjykim u konfirmua nga Gjyqi Suprem i Republikës Popullore të Serbisë me aktvendimin Kz. 1276/46 të datës së 19 shtatorit 1946 sa u përket të dënuarve të lartpërmendur;
3. Konstatohet se të dënuarit kanë kërkuar falje nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFPJ dhe se Presidiumi i ka refuzuar lutjet e tyre-me vendimin e vet nr. 16698/46, të datës 8 nëntor 1946;
4. Konstatohet se dje, më 23 nëntor 1946, të dënuarve u është komunikuar që lutja e tyre për falje nuk është marrë në konsiderim dhe se dënimi me vdekje ndaj tyre do të ekzekutohet me pushkatim, siç e parashohin këtë vendimet gjyqësore, sot më 24 nëntor 1946, prandaj duhet të përgatiten për vdekje;
5. Konstatohet edhe se të gjithë të dënuarit janë të shëndoshë, kështu që në këtë drejtim, por dhe në asnjë tjetër, nuk ka kurrfarë pengesash për ekzekutimin e dënimit me vdekje.
Mbas kësaj, në vendin ku është caktuar të bëhet dënimi me vdekje-me pushkatim ka filluar edhe vetë ekzekutimi, ndërsa këtë e ka zbatuar një njësi e milicisë popullore nën komandën e njërit nga eprorët e vet më të ulët, me batare pushkësh, njëkohësisht mbi të gjithë të dënuarit, mbasi paraprakisht ishin vendosur buzë gropës së përbashkët tashmë të hapur.
Mjeku, në praninë e të përmendurve më lart, konstatoi se të gjithë të pushkatuarit vdiqën dhe menjëherë u varrosen në vend të ngjarjes.
Pushkatimi u krye saktësisht në orën 6.30 të mëngjesit pa praninë e publikut
Për ekzekutimin e dënimit t’i raportohet kujt të duhet, në kuptimin e urdhrit të veçantë të kryerjes së dënimit.
VËRTETOJNË
SHEFI I SEKTORIT TË PUNËVE
TË BRENDSHME
Nënshkrimi: Nijazi Maloku
Nënshkrimet:
1. Sadri Doçi
2. G. Sharanoviç
3. L. Matroni
Gjykata e Qarkut në Shkup (janar/shkurt 1947) dënoi:
1) Azem Idriz Morana, pushkatim,
2) Hysni Muharrem Rudi, pushkatim,
3) Mehmet Nezir Bushi, pushkatim,
4) Qemal Ali Skënderi, pushkatim, i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë,
5) Hasan Bilalli, 20 vjet,
6) Dr. Qeram Zllatku, 20 vjet,
7) Mitat Tërshana, 18 vjet,
8) Gjemail Fazli Kasemi, 15 vjet,
9) Mexhid Haki Zyberi, 10 vjet
10) Jonuz Balla, 8 vjet,
11) Mahmut Dumani, 4 vjet,
12) Spiro Harilla, 3 vjet.
…Pas mbajtjes së shqyrtimit kryesor publik në ditët 22, (Prokurori publik për Kosovë Ali Shukrija lexon Aktakuzën) 23, 24, 25, 26 dhe 27 prill 1947, aktakuza kërkoi që të gjithë të akuzuarit të shpallën fajtorë dhe të gjykohen me dënime të merituara…
…
1. Gjykata e Qarkut në Prishtinë më 30 prill 1947 dënoi:
1) Ukë Sadikun, me vdekje-pushkatim,
2) Ajet Gërgurin, me vdekje-pushkatim,
3) Gjon Serreqin, me vdekje-pushkatim,
4) Osman Bunjakun, me vdekje-pushkatim,
5) Hilmi Zariqi, me vdekje-pushkatim, por dënimi i shndërrohet në 20 vjet burg të rëndë,
6) Zhukë Haxhia (1885), me 20 vjet burg,
7) Din Hoxha, me 15 vjet burg,
8) Abdullah Musliu, me 10 vjet burg,
9) Ali Riza, me 10 vjet burg,
10) Hamit Emini, me 7 vjet burg.
2. Të gjithë të dënuarit t’i paguajnë shpenzimet sipas llogarisë që do të paraqitet ndërsa Ukë Sadiku dhe Osman Bunjaku t’i paguajnë shpenzimet për dëshmitarët: Nezir Baliu nga Gjurgjeviku, Mateja Simiq nga Rahoveci, Dimitrije Gërkoviq nga Rahoveci, Jevta Jeriq nga Opterusha, Stevan Bllagojeviq nga Ognjishta, Nedi Dizdareviq nga Dërniku, Hajrush Dragusha nga Rahoveci, Nezir Aliu nga Samadrexha, Bajram Rexhepi nga Smrekovnica, Fejzullah Shabani nga Gumnishta, Sahit Hamdiu nga Bradashi, Nebih Smajli nga Bradashi, Marko Sllavkoviq nga Samadrexha, të gjithëve nga 200 (dyqind) dinarë.
T’i paguajnë shpenzimet e ekzekutimit sipas kostos së tyre.
… Gazeta “Rilindja” që botohej në Prishtinë, më 30 mars 1947 paralajmëronte: “Në vigjilje të dënimeve të organizatorëve të bandave balliste…” paralajmëronte gjykimin prej 22-27 të grupit të Ajet Gërgurit etj. Ndërkaq, “Rilindja” e dt. 1 maj 1947 me autor Asllan Fazliu, boton shkrimin “Mbështetjen kryesore për krimet e veta e kanë pasur tek çetnikët, monarko-fashistët grekë dhe reaksioni i jashtëm”. (Cituar nga Sabile Keçmezi-Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare…, f. 164-165).
…
PROCESVERBALI
I EKZEKUTIMIT TË DËNIMIT ME VDEKJE NDAJ TË TË DËNUARVE: UKË SADIKU, AJET GËRGURI, GJON SERREQI DHE OSMAN BUNJAKU, i përpiluar më 31 gusht 1947, në vend të ngjarjes.
Dënimin me vdekje e ka ekzekutuar Seksioni i Punëve të Brendshme pranë K. P. Rr. përmes organeve të Policisë popullore.
Në ekzekutim janë të pranishëm:
1) Shefi i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë K. P. Q., Hashim Mustafa,
2) Nëpunësi i Seksionit të Punëve të Brendshme pranë KAKM, Gllisho Sharanoviq, major, në cilësinë e të deleguarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të R. P. të Serbisë.
3) Zëvendës prokurori publik për Kosmet, Sadri Doçi,
4) Mjeku i Rrethit, Dr. Vaso Jovanoviq.
4 a. Para ekzekutimit të dënimit me vdekje është konstatuar:
1) Se nga Burgu i Qarkut janë sjellë këta të dënuar: Ukë Sadiku, babai Sadik dhe nëna Fadile, i lindur më 1903 në fshatin Gjurgjevik i Madh, rrethi i Podrimes, shqiptar, i besimit islam, shtetas i RP të Shqipërisë; 2) AJET GëRGURI, babai Fazli dhe nëna Mihanja e lindur Selimi, i lindur më 1905 në fshatin Dubofc (Gjytet) KPV Prekaz i rrethit të Drenicës, i martuar, shqiptar, i fesë islame, shtetas i RFPJ-së; 3) GJON SERREQI, babai Gjergj dhe nëna Anica, e lindur Kurti, i lindur më 11 shkurt 1920 në Ferizaj, shqiptar, i besimit katolik, shtetas i RFPJ-së, dhe 4) OSMAN BUNJAKU, babai Mustafë dhe nëna Gjylije, i lindur më 1909 në fshatin Samadrexhë, rrethi i Vushtrrisë, i martuar, shqiptar, i besimit islam, shtetas i RP të Shqipërisë.
2) U konstatua se të gjithë personat e lartpërmendur, të cilët janë dënuar me vdekje, pushkatim, nga ana e Gjyqit Popullor të Qarkut, në Prishtinë, me aktgjykimin P. Nr. 66/47 dt. 30 prill 1947 dhe aktgjykimin e vërtetuar nga ana e Gjykatës Supreme të Republikës Popullore të Serbisë Nr. AP – 989 dt. 3 korrik 1947, sa u përket të lartpërmendurve.
3) Është konstatuar se të gjithë të dënuarit kanë kërkuar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të RFPJ-së që t’u falët dënimi dhe se Presidiumi i ka refuzuar lutjet e tyre – nuk i ka miratuar – me vendimin e vet Sekret Nr. 3207 dt. 13 gusht 1947.
4) Konstatohet se dje, më 30 gusht 1947, të dënuarve u është kumtuar se nuk janë miratuar lutjet e tyre për t’iu falur dënimi dhe se dënimi me vdekje do të ekzekutohet me pushkatimin e tyre, sikurse parashihet me aktgjykimet gjyqësore, të nesërmen më 31 gusht 1947, prandaj duhet të përgatitën për vdekje.
5) Konstatohet se të gjithë të dënuarit janë të shëndoshë, prandaj për këtë ose ndonjë aspekt tjetër, nuk ekzistojnë kurrfarë pengesash për të ekzekutuar dënimin me vdekje.
Pas kësaj, në vendin e caktuar për ekzekutimin e dënimit me vdekje – pushkatim ka filluar ekzekutimi dhe këtë e ka kryer një njësi e Policisë popullore, e komanduar nga një prej eprorëve të ulët, me të shtënë nga pushkët, njëkohësisht kundër të gjithë të dënuarve, pasi që më parë i kishin rreshtuar skaj një varri të përbashkët të gropuar më herët.
Mjeku, në praninë e të lartpërmendurve, ka konstatuar se të gjithë të pushkatuarit kanë vdekur menjëherë dhe janë varrosur menjëherë aty.
Pushkatimi është ekzekutuar saktësisht në orën 3, pa praninë e publikut.
Për ekzekutimin e dënimit të njoftohen ata që duhet, në pajtim me Udhëzimin e përkohshëm për ekzekutimin e dënimeve.
VËRTETOJNË:
Shefi i Seksionit të Punëve të Brendshme
Hashim Mustafa (Nënshkrimi në shqip)
Nënshkrimet:
1. Glligorije Sharanoviq
2. Sadri Doçi
3. Dr. Vaso Jovanoviq
Krimet e komunizmit:
Konkluzionet kryesore të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës:
1) Asambleja Parlamentare konkludon se të gjitha regjimet komuniste totalitare të vendosura pas Luftës së Dytë Botërore në vendet e Evropës Lindore e Qendrore, dhe qe ekzistojnë aktualisht edhe në disa vende të ndryshme të botës, janë karakterizuar pa përjashtim nga dhunime masive të të drejtave të njeriut.
2) Nga raporti rezulton se nuk ka asnjë dyshim se të gjitha krimet e kryera prej regjimeve komuniste janë justifikuar në emër të teorisë së luftës së klasave dhe parimeve të diktaturës së proletariatit.
3) Asambleja Parlamentare ka bërë kujdes për të evidentuar dallimin e qartë mes partive komuniste lindore me partitë komuniste të Evropës Perëndimore, duke pranuar për këto të fundit të kenë dhënë kontribut në ndërtimin e demokracisë në vendet e tyre.
4) Asambleja Parlamentare sugjeron që synimi kryesor i këtij debati të lidhet me ndërgjegjësimin në nivel ndërkombëtar të publikut për krimet e kryera nga regjimet totalitare në të kaluarën me qellim që të evitohet çdo tentativë për përsëritjen qoftë edhe të elementeve të tyre në të ardhmen, në kuptimin që një pozicion i qartë i bashkësisë ndërkombëtare për të kaluarën mund të shërbejë si një referencë për të ardhmen.
5) Asambleja Parlamentare gjithashtu shpreh mirënjohje të thellë dhe respekt për vuajtjet, sakrificat e të gjitha viktimave të regjimeve komuniste, si dhe të familjeve të tyre, duke bërë homazhe në funksion të riparimit të tyre moral.
6) Asambleja Parlamentare po ashtu bën thirrje për kujdes, duke qartësuar se bëhet fjalë për dënimin e krimeve të kryera në emër të ideologjisë komuniste dhe nuk bëhet fjalë aspak për të dënuar një vend konkret, ndërkohë që në të gjitha vendet ish-komuniste, në nivele e intensitete të ndryshme janë kryer krime masive.
7) Me besimin e plotë për rëndësinë e këtij debati, Asambleja shpreh besimin dhe njëkohësisht bën sugjerimin se zhvillimi i një debati racional në nivel nacional, jo vetëm politikisht nga parlamentet, do të shërbente për arritjen e një pajtimi dhe mirëkuptimi solid të bazuar mbi të vërtetat historike, i cili po ashtu do të ndihmonte në kuptimin dhe shkrimin e historisë së vërtetë.
Lazerati says
Ne Shqiperi sbehet fjale per denimin e komunizmitse te dy partite kryesore qe kryesojne koalicionet jane te dala nga partia e punes Militantet komuniste u hodhen me PD dhe vec ketyre u futen edhe spiunet e policise sekrete ,pseudo te persekutuar me deshmi fallco ,injorante me diploma te blera e perverse te tjere lloje lloje soje soje.P P SH mbeti po ajo me bijte e bllokmeneve te Tiranes por edhe te rretheve me Ramer e Rucer Dokel e Bushater ,injorante me diploma te blerae perverse te tjere lloje lloje e soje soje ,Te dy palet bije te mama dhise qe i polli.Ndryshon puna ne Kosove Maqedoni e Mal te zi se ata u luftuan nga komunizmi sllav .armiku nacional i tyre prandaj ka me teper fuqi lufta atje realisht Si rrjedhim lufta kunder komunizmit e krimeve te tije te egra ndaj shqiptareve behet gjysmake Duhet nje furi e re qe te goditet komunizmi tek shqiptaret kudo qe jane Nuk i dihet edhe mund te ngrihet lugati nga varri e atehere do te jete vone se erera jane edhe vjen mos u cuditni.