Nga Keze Kozeta Zylo/
Me hidhërim e mora lajmin e vdekjes nga miku i Tij i ngushtë Eduard Dilo, se Shkrimtari i persekutuar Makensen Bungo ndërroi jetë, më 15 shtator 2018 në New York në moshën 92 vjec. Makensen Bungo u burgos, torturua dhe punoi skllavërisht në kënetën e Maliqit në kampin e egër të Vlocishtit.
Me të ndjerin Makensen Bungo kemi biseduar gjatë herë pas here në telefon, ndërsa në lidhje me shkrimet me e-mailet komunikonim me të birin e tij Dritanin. Ajo që do të më bënte përshtypje gjatë bisedave të ndryshme ishte qetësia e Tij në diskutim, kultura e gjithanshme dhe kujtimet e paçmuara të jetës së tij. Pasi doli nga burgu Makenseni dha mesim ne disa zona te thella, midis tyre dhe ne qytetin tim te lindjes Tepelenen (fshatrat e thella të saj) i cili i kujtonte me mall dhe dashuri mikpritjen, bujarinë, dashurinë për mësimin dhe veçaanërisht respektin që kishin për figurën e mësuesit.
Midis shkrimeve e kam për nder që më autorizoi të shkruaja parathënien e librit në punim “Vargje në mote”
Vargje në mote që deshifrojnë hieroglifet e heshtjes së akullt
Nga parathenia e librit “Vargje ne mote” me autor Makensen Bungo ish i persekutuar politik
Mes dallgësh lundra ime/ Ndeshet, lufton/ Mes dallgësh drejt bregdetit/ Përpara shkon…
Marrë nga poezia “Kjo lundra ime” Elbasan, 1945
Janë vargje që janë shkëputur nga poezia “Lundra ime” vargje që ngrehin dallgë detesh dhe behen urë për të cur përpara. Autori me peshën e viteve mbi supe lëmon mallin, prek dhimbjen e largët që s’mund të shërohet kurrë.
Plagët i bëri vargje me palcë frymëzimi që do të përkunden si foshnjë e porsalindur, si foshnjë që i lidh fati me të parët tanë. Këto plagë duhet të kurohen prej dashurive tona të rifituara, nga korja e fortë e heshtjes!…
Ndërsa në poezinë “Natë”, në kuptimin metaforik jep gjendjen sociale, ngjyrën e errët të saj si nata dhe ja si shprehet: Natë/ kurrë nuk sheh një fijëz drite/ Valle sa do zgjasë kjo natë?… Elbasan 1957 ,
Pena e autorit Bungo duket sikur mban pranë një shami përlotjesh, dhimbjesh.
Nëpërmjet antitezave që të mbajnë të tensionuar gjatë leximit ai shkruan për jetën dhe vdekjen si në fragmentin nga një “Poemë e djegur”:
Une e dua jetën/ Por jeta më tmerron/ unë s’e dua vdekjen/ por vdekja më ngushëllon!…
Burgosja dhe internimi, autorin, blerimin e jetës ia kthyen në zi, sa vetëm vdekja e ngushëllon edhe pse nuk e pranon atë, ngase jeta për të është treguar e pamëshirshme…
Duke vazhduar leximin e librit duket sikur shkon nëpër mote, mote të trazuara në vargje dhe të njomura nga vesa e lotit të një burri plot dhimbje, por dhe lot i bukur si plisi i bardhë i Isa Boletinit.
Pena e autorit ka skalitur si një skulptor i vërtetë shekullin dhe e mbron atë nga murrana e vdekjes.
Metaforat e bukura pëshpërisin në veshët e lexuesve paqësisht me sqep pëllumbi, ai nuk tutet nga plagët, as nga mbyllja në llumin e kënetës ku e internuan për një kohë të gjatë, pasi dhe aty u mundua të gjejë një fijëz shprese, çka më kujton një thënie të Çurçillit se: “Pesimisti shikon për vështirësi në çdo oportunitet, ndërsa optimisti gjen oportunitet në çdo vështirësi”.
Edhe pse shkrimtari është në një moshe madhore ai nuk është si një mërgimtar i zakonshëm, por brenda vetes ka gjetur një udhëz dielli, për t’i bashkuar të dy vendet aq të dashura të poetit, vendlindjen e tij Elbasanin dhe atdheun e dyte Amerikën.
Ai ndjen dhimbje ndërsa kujton shtëpinë e tij të rënuar në Elbasan nëpërmjet poezisë
“Shtëpinë time do shkoj ta shoh” : Gjysmë prishur e vetmuar/ hyjnë laraskat kakarisin/ shtëpi njerëzish të mërguar/…përcillet mesazhi zemërplasur i poetit të ikur në dhera të largëta.
Ai me nostalgji prej një shpirti mësuesi kujton kolegët dhe shkollën duke vargëzuar:
“Do të shkoj në shkollën fillore/ ku mësova abc-n/ të kujtoj mësuesit e mi/ dhe pse sot kam marrë dhenë”/
Janë kujtime që mbyten në lotët e shpresës, plot krenari në kopshtin e Normales së Elbasanit, ku autori bën homazh për ata mësues që u pushkatuan nga diktatura për kundërshti ideologjish. Ai vargjet i vë në gojën e kumrisë duke iu lutur:
“Moj kumri, moj kumri/ Që të pashë unë këtu sot/ Këto vargje Elbasanit/ Çoja ti, unë s’ja çoj dot!”…
Janë amanete që nuk thinjen në mote, ngase poeti si një pëllumb i bardhë fluturon i lirë në moshën madhore, i dalë prej kafazit të betonuar, aty ku e mbyllën dhe e dënuan poetin…
Lexuesi duket sikur zgjohet prej valëve të oqeanit ku dhimbshëm dhe bukur dëgjohen era e Krastës së vendlindjes së tij, që autori është përkëdhelur shpesh nga flladi i saj.
Këto vargje të kujtojnë librin e Petro Markos, “Intervistë me vetveten”
(Retë dhe gurët) i cili shkruan: “Thonë se gurët e mëdhenj atje poshtë në Shënmëri, janë burrat që janë kthyer dhe kanë vdekur në vend. Po të jesh trim dhe zëmërbardhë e po të shkosh andej natën, i dëgjon të dëftojnë historitë e tyre. Po të jesh frikacak e zemërlig, nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë ikur dhe kanë vdekur në kurbet janë bërë re… Vijnë qajnë dhe ikin. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut mblidhen lotët e tyre siç mblidhet uji i shiut”…
Poeti Bungo është zhuritur, përcëlluar e djegur nga furtunat e moteve si një pemë, por thellë shpirtit, rrënjët nuk ja dogjën dot, ato qëndruan të forta dhe u zgjatën deri në Amerikën e largët, tokën e premtuar, atje ku poeti po kalon moshën e vjeshtës aristokrate. Libri “Vargje në mote” përcjellë kumte dashurie, kujtime të hidhura dhe të embla, është një bisedë poetike dhe me bashkatdhetaret e tij në Shqipërinë që ka kohë që e ka lënë fizikisht.
Poezitë me metaforën e shqetësuar, janë si furtuna përmbi male që herë puthen me retë e bardha e herë i ndëshkojnë duke i larguar tutje…ndoshta për t’i rrëmbyer Krasta që s’ka të pushuar në sezone të veçanta.
Shumë prej poezive të librit janë si flakëza qiriri të Naimit, që mundohen të ndriçojnë terrin që kanë lënë shekujt.
Ato janë pikturë e gjallë e kulturës sonë, ngacmuar nga syri i mprehtë i një ish të burgosuri, që kaloi dekada të tëra në vuajtje, në plagë të pashërueshme, në shekullin e kaluar, ndërsa në këtë shekull sjellë përjetimet e tij, për mos t’u harruar kurrë nga kafshimet e “pseudohistorianëve”. Poezitë e tij janë si fishekzjarre, që hidhen në një qiell gjysmë të shurdhët, sepse gjysma e zogjve janë trembur nga suferinat e çmendura “çuditërisht” me emra njerëzish si Katrinë, Irenë etj…
Mjaft mbresëlenëse janë poezitë kushtuar Kosovës me përkushtimin: “atyre që diktatura i dënoi se folën për Kosovën” dhe një prej tyre ishte vetë poeti i cili shkruan:
“Nga larg Kosovës/ kur rininë ia fallen/ korbat i dergjën në burgje/ i mbytën në internime”/!…
E korbat kanë ngjyrën e zezë, vetëm klithin, ndjellin zi, ndaj dhe krahasimi për ata që mbollën tmerr në tokën shqiptare është mëse i gjetur. Shumë patriotëve shpirtndezur për Mëmëdheun deshën t’u verbonin dritën e syve, atë dritë që përhapte si rrufe në pragje besën shqiptare dhe ngrohte pragjet që kishin trungje ngricash nga kohët e acarta…
Nuk e di, por duke e lexuar Bungon, autor me moshë të vjeter, se ç’me krijohet një ndjesi, që edhe pse nuk e kam takuar kurrë, më bëhet se shoh një Shën poet në qiellin e universit, një ndër banorët që fjala i peshon rëndë si floriri. Dhe ne si lexues kemi shumë nevojë për kryefjalën e oxhakut, për këta dëshmitarë okularë të historisë sonë të kafshuar gjer në fyt. Megjithatë edhe pse jeta u tregua e ashpër karshi tij, mençurisht ai gjen manushaqen gjithë aromë të shpirtit, dhe si një urtak jep këshillën për dashurinë e dy buzëve të ndezura, bërë kuq si qershi, që vajza mos të ndruhet për t’ja dhënë puthjen e parë djalit që i lutet: “Falja o vajzë/ falja puthjen e parë/ se rinia ikën shpejt/ dhe s’kthehet me kurrë, falja”!…
Apo në poezinë: “Pranverë” autori shprehet: Një mëngjes herët/ një dallandyshe trokiti lehtas në dritaren time/ u ngrita dhe e pyeta/: Pse ke ardhur kaq shpejt/? Ajo më lëshoi në dorë një manushaqe/ dhe hapi krahët e fluturoi/.
Shkrimtarit Bungo i jep një frymezim të ëmbël dhe mbeska e tij e vogël, Niki, e cila është lindur në Amerikë dhe ja si i shkruan asaj në poezinë: “ Bisedë me mbesën time”
“Erdha të marr për shetitje/ por ti flike o e bukura jonë, Si një ëngjëll nëpër përralla/ që tregojnë në vendin tone”!
Gjithashtu Babagjyshi poet e mëkon ëngjëllin e tij me dashurinë për vendin e të parëve dhe ja se si: “Kur të rritesh, shko ta shohësh, Eshtë Atdheu i gjakut tënd/ Oh, sa shume ti do krenohesh/ S’ka më të bukur se ai vend”!
Gjuha e rrëfimit të autorit Bengo rrjedh si gurgullima e çezmës në portën e Kalasë së qytetit të tij të lindjes, një gjuhë e pastër si bora e bjeshkëve, me baza nga Normalja e Elbasanit, shkollë e famshme shqiptare…
Përdorimi i një figuracioni artistik të bukur e bën më të ndjeshëm konceptimin dhe mënyrën e rrëfimit në të gjitha poezitë e librit: “Vargje në mote” . Eshtë një libër që më ka këndellur në gjithë qënien time.
Pasi ke përfunduar librin ke ndjesinë se ke bërë një udhëtim të gjatë, që me magjinë e fjalës së tij duket sikur ka shpirtëzuar dhe sendet, të cilat kanë marrë butësinë e kadifenjtë të syve njerëzorë, të atyre syve që poeti i ndjeu me pakicë gjatë jetës së tij aq të vështirë. Gjithësesi jepet tipizimi i realitetit shqiptar, duam apo s’duam ne, pasi në fund të fundit është në shërbim vetëm të së vërtetës, e cila vjen një ditë dhe mposht llumin e gënjeshtrës. Shkrimtarit Bungo i dhemb shpirti për çdo copë tokë shqiptare, ndaj ai nuk mund të rri indiferent karshi vendit të tij Shqipërisë, të cilës ia bën trupin copë e çikë, siç ndodhi me çamërinë dhe ja se ç’shkruane në poezinë: “Kënga çame”.
“Kënga came/ flakë baroti/ Skuqur gjakut për liri/ Nëpër shekuj vetëtimash/ Të këndon ty Çamëri”!…
Autori duke ardhur në një moshë të thyer në emigrim e ka merak ikjen e qetë nga kjo botë, ai do me çdo kusht që të prehet i qetë në Mëmëdhe ndaj në poezinë: “ Amaneti i mërgimtarit” shkruan: “Kur një ditë do mplakem fare/ Dhe të luaj s’do kem fuqi/ Mos më lini këtu të shuhem/ N’vend të huaj jabanxhi”!…
Libri mbyllet me poezinë “Epitaf”, që nuk është si në Greqinë e lashtë me një mbishkrim të gjatë, ose të shkurtër si me Spartanët, por autori në fjalë nuk do që t’i shkruhet asgjë, “Vetëm në një gur të thjeshtë t’i vendoset emri, sa t’thonë, paska ikur i ndjeri”!
Është epitaf amanet qysh në gjallje, duke treguar thjeshtësinë gjer në palcë të autorit dhe njëkohësisht pena e tij jep shpirtin patriot që është një zjarrishte shqiptari.
Autori është një pelegrin, veshur me metaforën e dhimbjes dhe vargun si pike loti.
Pena e tij me mjeshtëri duket sikur ka zbërthyer në mote hieroglifet e heshtjes së akullt, dhe ne shohim një dritëz në fund të tunelit, ndërkohë në qiell, kumbon kambana e artë e shpresës.
Ai na dhuron të gjithëv një buqete me sythe shpirti për t’i mbjelle në zemra shqiptarësh të porsalindur, të cilët duhet të njohin mirë historine tonë të gjymtuar në mote.