Nga Marjana BULKU/

Kur ndjek se si sulmohet ai vullnet rinor në fillimet e karrierës politike , vërteton se sa të palirë janë mendjet që rreshtohen në “o me ne o kundra nesh'” , pa u menduar.
Le të jetë e lirë Rudina!
Konfuziteti socialo-politik shkakton jo pak ngërçe e vështirësi madje edhe pagjumësi në vendimmarrje edhe pse sistemi politik aktual e minimizon rolin dhe rrjedhimisht zërin e individit në një shoqëri që trondidet çdo çast nga problemet që individi brënda familjes vuan por kur një zë kërkon të thotë atë çka iu ndërpre, le të jetë, le të flasë, le të dëgjohet…
Përtej zërit të brishtë të një të reje që aderon politikën kaq të lodhur nga e vjetra ,ka qindra zëra binjak, të ndërprerë.
Nuk pati kurrë liri për fjalën e urtë, për punën e ndershme , për iniciativat e shëndetëshme që nuk munguan…
Sa e çuditshme është që në atdheun tonë liria e njerëzve të mirë gjithmonë u shtyp, u tkurr ,mbeti pa zë.
Nuk ishte kurrë koha e duhur për ta sepse liria u bë pronë e manipulatorëve edhe politikë. Ata janë gjithmonë të lirë të kushtëzojnë liritë tona. Të lirë të vjedhin, të ulërasin, të godasin, të përbuzin, të shantazhojnë,të helmojnë dhe prapë të jenë të lirë. Ndërsa Rudinat …gjithmonë e më të palirë, ah po ; të lirë për të ikur .
Nuk e njoh aspak Rudinën, historinë e saj sigurisht që po.Është vetë themeli i tē djathtës e cila u mundua të frymonte në një atdhe ku njerëzit rreshtoheshin në miq dhe armiq, ndërsa mendimet u ekzekutoheshin ende pa u artikuluar.Është historia e pashkruar e Partisë Demokratike, të parës forcë politike shqiptare që artikuloi liri fjale, mendimi, veprimi.
Zëri i vetmuar i Rudinës është i ngjashëm me tentativën e të djathtës për të frymuar dhe ushqyer liri të bukura, ato të ndërgjegjes, ato të konkurencës së lirë që paraja e fituar pandershmërisht po mbyt çdo ditë.
Pluralizmi i mendimit është futur në rreshtimin e individëve të cilët po zëvendësohen me numra.
Po si është e mundur që në këtë shekull të ri njeriu të ndeshet me njeriun kur mendimet nuk përputhen. Si mundet që në botën që aktron çdo ditë me ngjyra e foto, politika të japë shfaqjen më të shëmtuar e cila e largon gjithmonë e më shumë qytetarin e mirë nga politika.
Le të flasë Rudina…me zërin e ndërprerë të qytetarit që iu rrënua biznesi, shtëpia, shpresa.
Le të jehojë zëri i ndërprerë i atyre që heshtin si heronj dhe frymëzojnë si muza.
Le të jetë e vetmuar, ashtu është edhe e drejta në një botë të padrejtë.
Ka qenë ëndërr e pamundur udhëtimi i mendimit ndryshe në një realitet ku ulëritet, brohoritet, zhurmohet, predikohet, le të jetë pra i mundur këtë herë.
Edhe pse i brishtë, i parritur e madje i pa mësuar me realitetin bardh e zi, ky zë mundet të jetë zëri i një brezi tjetër që falë rinisë, edukimit, energjive dhe dëshirave mundet të rritet e pse jo të rrokë problemet e një Shqipërie të bukur por pa shpresë.
Nëse ka diçka që duhet të lindë apo të rilindë në Shqiperi , ajo është e djathta, gjithmonë e brishtë , përherë e domosdoshme , e vonuar, e transformuar , e dhunuar.
Le të jetë e lirë liria, edhe pse në një kohë të pashpresë, si oksigjeni trupit që po jep shpirt ku shpresa për jetë rilind pas çdo frymimi.