*Ju lutem, Hirësi, si klerik që keni marrë shtetësinë shqiptare, do t’ju lutesha që të filloni të mbani meshë përkujtimore për këto viktima të pafajshme në mos në çdo fshat të paktën në çdo qytet si Bilishti, Korça, Erseka, Përmeti, Leskoviku, Gjirokastra e Saranda./
Nga Goni Vangjel Treska/
Shumë i Përndershëm Hirësi Anastas Janullatos, tani që iu dha prej Presidentit të Republikës së Shqipërisë shtetësia shqiptare, po ju shkruaj që Ju Kryepeshkopi i Kishës Shqiptare Autoqefale Orthodokse të filloni e të mendoni edhe si shqiptar, për të kërkuar disa të drejta për popullin shqiptar, të cilat nuk i keni ndjerë më parë si detyrime morale e shpirtërore.
E kam fjalën për vlerësimin që duhet t’ju bëni krimeve antinjerëzore që kreu ushtria e rregullt e shtetit grek:
- Në vitin 1878 kur dogji e shkatëroi kalanë dhe qytezën e Lëkurësit mbi Sarandë;
- 2. Për djegien e mijëra shtëpive dhe masakrimin e mijëra shqiptarëve në vitet 1914 dhe 1916 në fshatra të Korçës, Kolonjës, Përmetit, Gjirokastrës e Sarandës. Këta shqiptarë të pafajshëm u masakruan, vetëm sepse ata kur ushtarët grekë i pyesnin: Iste helines? (Je grek?), u përgjigjeshin: Jam shqiptar orthodoks. Këto krime janë të dëshmuara jo vetëm prej ne pasardhësve të atyre viktimave, por edhe në gazetën “KOHA” që botonte Mihal Gramenua në Korçë më 1914, në shumë relacione të misionarit amerikan Kenedy që shërbente në vitet 1913-1914 në Korçë, në revistën “YLLI I MENGJEZIT” që botuan motrat Qiriazi në Boston MA më 1917, në artikujt e z. Gani Vila, Bejtulla Destanit dhe në librin e studiuesit Kosta Papa “Barbaritë Greke në Shqipëri”, etj.
3. Barbaritë e ushtrisë greke u pasuan edhe nga barbari të tjera në krahinën pjellore të Çamrisë, e cila iu dha padrejtësisht shtetit grek kur u ndanë kufijtë më 1913. Në Çamëri barbaritë filluan më 1924 dhe vijuan deri në janar të vitit 1945, kur gjithë pjesa myslimane e asaj krahine u shfaros me pleq, fëmijë dhe nuse shtatzëna, të cilët kuptohet se nuk mund të ishin bashkëpunëtorë të pushtuesve gjermanë, si i akuzoi propaganda shoviniste greke. Këto viktima nuk janë disa mijëra, por disa dhjetëra mijëra shqiptarë të vrarë e të shpërngulur nga shtëpitë dhe tokat e tyre atërore.
Ju lutem si klerik që keni marrë shtetësinë shqiptare të filloni të mbani meshë përkujtimore për këto viktima të pafajshme në mos në çdo fshat të paktën në çdo qytet si Bilishti, Korça, Erseka, Përmeti, Leskoviku, Gjirokastra e Saranda.
Është në nderin tuaj të kërkoni që në këto qytete të Shqipërisë dhe në qytetet Filat, Margëlliç, Igumenicë, Pargë të Çamerisë të kërkoni që të ngrihen memoriale në kujtim të viktimave shqiptare që shkaktuan ushtëritë e shtetit fqinj grek.
Miqësia midis Shqipërisë dhe Greqisë do të forcohet jo duke ndërtuar vorreza e memoriale në tokat shqiptare të disa ushtarëve grekë që ranë në luftën Italo-Greke jashtë kufirit të Greqisë më 1940, që u sollën si pushtues, por duke ndërtuar memorialet për viktimat që shkaktoi ushtria greke në popullin shqiptar, si ushtri e një qeverie shoviniste. Akte të tilla bëjnë pjesë në krimet kundër njerëzimit, të cilat çdo qeveri demokratike greke duhet t’i dënojë, aq më tepër ju si Kryepeshkop i Kishës Shqiptare Autoqefale Orthodokse.