


Nga Marjana BULKU/
Një përfaqësi nxënësish të shkollës shqipe “Children of the eagle” Albanian American dual language and culture AADLC , së bashku me mësuesen e tyre Drita Gjongecaj vizituan Vatrën pikërisht në prag të festimeve të 110 -vjetorit të gazetës Dielli, gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe këtu në Amerikë.Do të ishin kështu të parët protagonistë fëmijnor që do të shfletonin faqet e gazetës më të vjetër në gjuhën shqipe në mjediset e Vatrës. Një vizitë e shkurtër studimore, në funksion të proçesit të gjatë dhe jo fort të lehtë të mësimit të gjuhës shqipe mund edhe të ketë vlera edukuese sa dhjetra orë leximi e shpjegimi .Mjediset e vatrës janë ideale për të rrëfyer historinë tonë . Me tekste, me fotografi , me relike e simbole , ku fëmijët shqiptaro-amerikanë të lindur në SHBA , munden ti takojnë në pak minuta, falë këtyre mjediseve të pasura e të mirmbajtura. Prezenca e editorit të Diellit, zotit Dalip Greca i cili e mirpriti idenë e kësaj vizite ua bëri edhe më të lehtë këtë studim ndryshe. Ai rrëfen disa publikime të gazetës dielli ndër vite, logon, kopertinat me simbolet tona kombëtare nga ku fëmijët njohin dhe përmendin njëzëri Skënderbeun, Nënë Terezën, flamurin shqiptar, kostumet tona të mrekullueshme kombëtare.Ata e lexojnë rrjedhshëm gjuhën shqipe mbi faqet e gazetës më të vjetër shqip tingëllon aq bukur shqipja e brishtë e vizitorëve më të rinj të Vatrës, nxënês të shkollës shqipe Children of the eagle” .Është një përvojë e bukur që ata do ta ndajnë me bashkëmoshatarët e tyre. Ata munden të jenë jo vetëm lexues të kësaj gazete por pse jo edhe opinionistë të saj e me anglishten e tyre do munden të shkruajnë emocionet e një dite si kjo ku ora e mësimit spostohet në objekte dhe subjekte me kaq shumë përmbajtje sa një shkollë e tërë .Aty dokumentohet historia e shqipërisë , kollosët e letërsisë, diplomacisë dhe mendimit shqiptar ndër vite.Shikimet e tyre kureshtare depërtojnë sa tek flamujt, fotografitë mbi mure dhe ndalen gjatë të kostumet e larmishme kombëtare në paradën e shqiptarëve të Amerikës, e njohin dhe mbase e kanë përjetuar drejtpërdrejt këtë ngjarje që është bërë traditë në Nju Jork por brenda Vatrës merr vlera historike siç është edhe kjo vizitë e tyre në këtë 110 vjetor të Diellit. Mësuesja e tyre Drita e cila është mike e përhershme e Vatrës , madje majin e kaluar organizoi një seminar me përfaqsuesit e shkollave shqipe të Nju Jorkut pikërisht në mjediset e Vatrës mbi ” Arritjet dhe perspektivat e mësimdhënies së gjuhës amtare në shkollat shqipe të Diasporës Amerikane”. Drita Gjongecaj , Zëvendës drejtore në shkollën publike 110 ( The Theodore Schoenfeld School Bronx ) prej 8 vjetësh , përpos angazhimeve të përditëshme gjen kohë dhe mundësi që mësimi i gjuhës shqipe të aplikohet përmes metodave më të mira që përthithen shpejt nga nxënësit pa i lodhur dhe mbingarkuar ato. Teksa largohen ju jap poemën “Bagëti e bujqësi ” të Naim Frashërit por në gjuhën angleze me shpresën që në ardhjen tjetêr këta nxënës te mirë e fëmijë të mrekullueshēm do ta përkthejnë , lexojnë dhe citojnë në gjuhën shqipe. Largohemi duke marrë me vete fotografitë e shumta pranë simboleve që identifikojnë të pandryshueshmen tonë të përbashkët: shqiptarinê. Mars 2019