
Nga Rafael Floqi
Lindja e Mesme ka qenë gjithmonë laboratori i dështimeve të mëdha amerikane, vendi ku idealizma presidenciale dhe teoritë e transformimit demokratik janë fundosur duke u përplasur me realitetin e pamëshirshëm. Shumica e presidentëve amerikanë kanë dashur të shmangin përplasjet dhe labirintet e saj politike, por çdo administratë është kthyer sërish aty, e shtyrë nga bindja se interesat jetike të SHBA-së janë të pandashme nga ajo hapësirë ku gjenden rezervuarët e naftës të Gjirit, pranë të cilëve qëndron një Iran agresiv në prag të armatimit bërthamor, një botë arabe që prodhon ekstremizëm politik e fetar dhe kujtimi i 11 shtatorit, sulmit më të rëndë mbi territorin amerikan pas Pearl Harborit ngjallet me vrasjet e dy gardistëve nga sulmues afgan.
Bota si një garë mes fituesve dhe humbësve.
Gjatë dy dekadave të fundit, presidentët amerikanë provuan receta të ndryshme për t’i dhënë zgjidhje nyjës së Lindjes së Mesme, ndërhyrje tokësore, diplomaci të thellë, ndërhyrje humanitare të kufizuara, të gjitha shpesh dështuan ose prodhuan pasoja edhe më të rënda. Pushtimi i Irakut në 2003 krijoi terrenin për një brez të ri terroristësh, ndërhyrja në Libi në 2011 prodhoi kaos në gjithë Afrikën e Veriut, dhe gjithmonë mbeti ideja se SHBA mund të impononte një vizion të ri rajonal, derisa Donald Trump ndryshoi themelin e qasjes, duke hequr idealizmin dhe duke e zëvendësuar me transaksionalitet të pastër dhe politikë të zhveshur force. Ai e sheh botën jo si një skenë ideologjike por si një garë mes fituesve dhe humbësve. Izraeli është i fortë, atëherë meriton liri të veprimit. Emiratet dhe Arabia Saudite kanë para dhe tregti, janë partnerë të vlefshëm. Palestinezët humbës, nuk ia vlen të investohet shumë tek ta.
Stabilitet të krahasueshëm për interesat amerikane
Qasja është e ashpër, shpesh cinike, por ka dhënë rezultate që as Bush, as Obama e as Biden nuk mundën t’i prodhonin. Në pesë vitet e para të presidencës së Trump, ai arriti të normalizonte marrëdhëniet midis Izraelit dhe shteteve arabe, të ndalë luftën Izrael–Hamas, të sigurojë qasje të privilegjuar për firmat amerikane në tregjet dhe energjinë e Gjirit dhe të godasë rëndë armiqtë e SHBA-së përfshi regjimin iranian. Trump nuk e ka bërë Lindjen e Mesme më demokratike dhe nuk ka zgjidhur plagët historike të rajonit, por ka arritur diçka që administratat e tjera nuk ia dolën, stabilitet të krahasueshëm për interesat amerikane.
Eksperimenti i Bush-it ishte shembulli më i qartë i idealizmit të zhgënjyer. Pas 11 shtatorit, ndërhyrja kundër talibanëve ishte e pritshme, por bindja se vendosja e demokracive të reja do të transformonte Lindjen e Mesme solli pushtimin e Irakut dhe rezultatet ishin rritja e ndasive sektare dhe fuqizimi i Iranit. Rajoni u bë më i paqëndrueshëm se kurrë. Obama erdhi në pushtet me dëshirën për të kufizuar angazhimet ushtarake dhe për t’u fokusuar te diplomacia, por reagimi i tij gjatë Pranverës Arabe përfundoi me kaos; Egjipti ra nga një diktaturë në një islamist të zgjedhur e më pas në një diktator të ri, ndërsa Libia u shkërmoq dhe mbeti e ndarë në dy qeveri. Biden trashëgoi konfuzionin dhe shtoi një gabim tjetër, duke deklaruar Arabinë Saudite “shtet paria” pas vrasjes së Khashoggit, me rezultat refuzimin e rritjes së prodhimit të naftës dhe sabotimin e presionit amerikan mbi Hamasin.
Trump hoqi dorë nga idealizmi
Trump ishte presidenti i parë amerikan që hoqi dorë nga idealizmi. Ai nuk gjykon karakterin e princave apo diktatorëve, nëse janë të dobishëm për interesat e SHBA-së, ai bën marrëveshje. Shtetet e Gjirit e mirëpritën këtë qasje. Arabia Saudite, Emiratet dhe Bahreini nënshkruan marrëveshje historike me Izraelin, ndërsa Katari mbeti mikpritës i bazës më të madhe amerikane dhe ndërmjetësues kyç në armëpushimin e Gazës. Në këtë rajon, vijat mes politikës, pasurisë personale dhe diplomacisë janë të mjegullta dhe Trump operon pikërisht në këtë terren.
Që nga viti 1979, SHBA-të i kanë trajtuar fraksionet brenda Iranit si të ndara, duke shpresuar se moderatorët mund të forcoheshin përmes marrëveshjeve. Obama ndërtoi doktrinën e tij pikërisht mbi këtë ide, duke negociuar marrëveshjen bërthamore të 2015-s, por ishte një iluzion. Udhëheqësit iranianë bashkohen rreth anti-amerikanizmit dhe marrëveshja njohu të drejtën e pasurimit të uraniumit, ndërsa fondet nga heqja e sanksioneve u përdorën për terrorizëm dhe shtypje të brendshme. Trump e hodhi poshtë marrëveshjen dhe riktheu sanksionet më të ashpra në histori, urdhëroi vrasjen e Qassem Soleimanit, projektuesit të rrjetit të milicive pro-iraniane, dhe parashikimet për një luftë të madhe dështuan; Humbja e Soleimanit dobësoi rëndë ndikimin e Iranit, ushtria siriane u boshatis dhe kryengritësit e al-Sharasë rrëzuan Damaskun brenda dy javësh. Për dy dekada, udhëheqësit amerikanë e shmangën opsionin ushtarak kundër programit bërthamor iranian nga frika e shpërthimit rajonal, ndërsa Trump jo vetëm i dha dritën jeshile Izraelit, por u bashkua në sulme kur operacioni po ecte mirë, duke dëshmuar se forca funksionon dhe se ai është i vetmi president që e aplikoi atë me vendosmëri.
Qasja klasike e Uashingtonit ka qenë krijimi i një shteti palestinez, një ide që Bush artikuloi në 2002, Obama harxhoi energji diplomatike pafund dhe Biden e mbrojti me zell retorik. Rezultati ishte zero, sepse palestinezët kërkojnë atë që e humbën në luftë, oferta izraelite nuk mjaftuan kurrë dhe sulmet terroriste e ngurtësuan opinionin publik izraelit. Trump e kuptoi se Izraeli nuk dëshiron të dorëzojë tokë, shumica e qeverive arabe e dinë këtë realitet dhe një proces pa fund dëmton stabilitetin dhe nuk prodhon rezultat. Administrata e tij nënshkroi Abraham Accords, ndërsa gjatë fushatës së tmerrshme në Gaza, Emiratet dhe Bahreini nuk u tërhoqën nga marrëveshjet. Trump paralajmëroi Izraelin të mos aneksojë Bregun Perëndimor, shtyu armëpushimin dhe përdori popullaritetin e tij për të ndikuar mbi Hamasin.
Sukses relativ, problemet mbeten.
Armëpushimi i brishtë në Gaza, rindërtimi i rajonit dhe ç’armatimi i Hamasit mbeten në letër, ndërsa Iranianët ripërtërijnë shërbimet e tyre të inteligjencës dhe do të presin momentin kur SHBA të shpërqendrohet.
Lindja e Mesme funksionon mbi forcën, interesin dhe pragmatizmin, jo mbi idealizmin. Rendi i Trump-it, stili transaksional dhe përdorimi i forcës dhe ndikimit ekonomik, është i përshtatshëm për këtë rajon, sepse për momentin nafta rrjedh, Irani është dobësuar, luftimet në Gaza janë zbutur dhe nuk ka shpërthime të mëdha rajonale.
Në një rajon ku kaosi është norma, ky është një arritje e rëndësishme edhe pse relative..