Nga B.Jashari/.- Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të kenë të paktën një deputet në Kuvendin e Serbisë, pasi sipas rezultatit paraprak të 65.37% të vendvotimeve, të publikuar në mesnatë nga Komisioni Zgjedhor Republikan , lista Partia për Veprim Demokratik – Riza Halimi ka fituar 0.89% të votave. Po të ishte përfundimtare kjo përqindje do fitoheshin 2 mandate, aq sa figurojnë edhe në rezultatin paraprak të mesnatës të publikuar në faqen zyrtare.
Kryesuesi i listës, lideri i Partisë për Veprim Demokratik – Riza Halimi, i cili në mandatin e kaluar ishte deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë, e fiton këtë mandat për herë të katërt.
Derisa parti të tjera shqiptare në Luginën e Preshevës kanë bojkotuar pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare serbe, partia që udhëheq Halimi kishte vendosur që edhe këtë herë të garonte në zgjedhjet për Parlamentin e Serbisë.
Riza Halimi, kryesuesi i listës së Partisë për Veprim Demokratik, sipas medias lokale në Luginën e Preshevës ka thënë se shpresonte që qeveria e ardhshme e Serbisë të bëjë diçka konkrete për banorët e kësaj zone.
“Dalja masive e votuesve tanë ka peshë për sigurimin e përfaqësuesve legjitimë në Parlament”, është cituar ai