Agron PREBIBAJ
Elita kulturore e shkencore e Tropojës lakmi për çdo kryeqytet ballkanik.
Në nisje të kohërave në prehërin e alpeve, atëherë kur Zoti dhuroi të mirëPikturuar Malësinë e Gjakovës, tokën dardane e gdhenur me zellin dhe mjeshtërinë hyjnore duke i dhuruar të gjitha resurset e pasuritë dhe bukuritë e natyrës, zgjodhi vendin dhe qiellin përmbi, e shtriu në një terren fushor, kodrinor, malor, e stolisi me bjeshkët e përmendura (Alpet) që një gojëkeq i quajti “të nemuna”me një lartësi që nisen nga 143 m mbi nivelin e detit, aty ku bashkohet lumi i Curraj Eper me Drinin për të arritur në pikën më të lartë Maja e Hekurave 2561 m.
Shtrirja gjeografike e Tropojës është unikale, formon amfiteatre të mëdhenj e të vegjel, me livadhe e pyje të bollëshme por që kulmon me amfiteatrin më madhështor në Curraj Eper një befasi që mrekullon dhe mahnit përmbi krye Bjeshkët e Namuna që nis me vargun Qerem-Dragobi-Valbonë-Curraj-Theth të cilët pasurojnë historinë dhe letërsinë e visaret e kombit me “epikën legjendare“.
Tropoja është mjaft e pasur me bjeshkët të cilat kanë bimësi e ujëra të bollëshme, është Sylbica, Markovçe, Dobordol, Shkelzen, Lumi i Gashit, Bosh, Vashqefen, Lkeni i Ponarëve, Shtegu i Dashit, Treshja e Rajës, Bjeshkët e Salcës, T’thermja e Nikajve e plot të tjera që e bëjnë mrekullinë e vërtetë majën e ajzbergut të Apleve shqiptare, e pse jo të Ballkanit e më gjërë.
Malësia e Gjakovës është më e pasura me bimësi: ka një zonë fushore të cilën e zotëron kryesisht fisi Krasniqe, vazhdon me pyllin e gështenjave mbi 2000 ha që fillon nga Brisa deri në Qafë Morinë, më pas fillon dushku, ahu e pisha të cilat vendosen sistematikisht mes luginave për t’u bërë hije lumenjëve të kaltër me troftë, atë të Valbonës e Curraj Eper.
E gjithë Tropoja është prodhuese, pjesa fushore merr dy prodhime në vit, me pemëtari të zhvilluar, pasuri minerare të pashterrshme e ujëra të bollëshme.
Përjashtohet këtu zona e bokës nga Dega deri në Bytyç një tokë jo shumë prodhuese dhe e ftohtë në dimër.
Tropoja mbetet pasuri kombëtare e turizmit malor, mbretëreshë e alpeve shqiptare që po shfrytëzohet pjesërisht. Mrekullia vjen te zona e paprekur krejt e virgjër, amfiteatri përrallor i vëndosur në Curraj Eper.
Tropoja është kalaja natyrore e shqiptarëve, e cila nuk u mposht asnjëherë nga asnjë pushtues në shekuj.
Tropojanët nuk pranuan ofiqe e poste, nuk bënë pazare me tokën e tyre të shënjtë, nuk bënë kompromise dhe as ulën kryet, por qëndruan fort në kështjellën e vet dardane, asnjëherë të nënshtruar edhe në besimin e tyre fetar megjithëse mysliman, por asnjëherë të turqizuar duke mbajtur me qëndresë edhe besimin fetar katolik si qershia mbi tortë.
Krasniqja në shekuj ka një prodhim mjaft me potenciale intelektuale e me klerik katolik, porse duhet veçuar për Malësinë e Gjakovës klerikët e shekullit të fundit Hoxhë Dusha vërtetë një personalitet unifikues e bashkëpunues ndërmjet besimeve e qytetarëve, është kleriku Patër Pjetër Mëshkalla, Hoxhë Zogu, e Dom Ndoc Nikaj të cilët kanë përcjellur mesazhet më të shëndosha për besim në Zot e qëndresë ndaj secilit pushtues, vërtetë jo vetëm klerik por atdhetarë e nacionalistë të shëndoshë në mbrojtjen e çdo centimetri nga trojet dardane.
Ajo që e ngren Malësinë e Gjakovës më lart në besimin e vet ndryshe edhe nga të tjerët është krijimi i miteve e krijesa e shënjëtorëve të tyre nëpërmjet Dervishit të Luzhës e Rexhep Belit, pranë të cilëve e gjithë malësia e Gjakovës e malësitë për rreth kanë gjetur shërbim, shërim e shpëtim, kjo një Hyjnore e krijuar vetëm në Tropojë.
Për këtë malësi vetëkënaqësia është azma që pengon frymëmarrjen, bllokon proçeset e zhvillimit të rritjes.
Përballë kësaj azme vetëm fryma e ngacmimit nëpërmjet ndjenjes njerëzore e nacionalizmit të shëndoshë krijon progres duke marrë përgjegjësi e duke i rritur ato, për të frymëzuar të ardhmen e dobishme për shoqërinë tonë.
SHKOLLIMI, TRADITAT E ZAKONET
Tropoja fisin më të madh ka Krasniqen, gjenëzë e të cilit janë fisi Nikaj.
Gjithashtu Berisha gjak i të cilit është fisi Mertur, fise të tjera janë Bytyçi e Shipshani, por edhe fiset Hot, Vuthaj, Kelmend, Shalë si lulja e pranverës pranë kësaj malësie nëpërmjet prezencës e miqësisë.
Besimi fetar në Malsinë e Gjakovës në breza më parë përgjithësisht i përkiste besimit katolik, ndërsa sot e kanë ruajtur këtë besim vetem fiset Nikaj e Mertur një lule e pavyshkur e qëndresës dhe e bashkëjetesës për Malësinë e Gjakovës.
Krasniqja së bashku me vëllain Nikaj si fisi më i madh konsiderohet si truri e aristokracia e Malësisë së Gjakovës, Gashi konsiderohet me mëndje të pastër e shumë të vendosur në qëndrimet e tyre, Bytyçi-fisi i bujarisë e sojit, kurse vëllezërit Berishë-Mërtur një racë e shkëlqyer shqiptare.
E veçantë për Malësinë e Gjakovës është mikëpritja në oden e burrave, vyrtytet, traditat e zakonet e veçanta, krejt të përbashkëta përjashto ato të ritit të besimit fetar, por gjithnjë edhe festat fetare janë festuar sëbashku krejt si në mes vëllezërish.
Shkollimi në të gjithë Tropojën i përket shkollës së jetës së ashpër atëherë kur flinin në fier e me kokë në cumer, gjithnjë i madhi duke folur e të vegjlit duke dëgjuar, vetëm aty jepeshin njohuri e dituri me vlera njerëzore për të ardhmen e brezave.
Oda e burrave(Soba) ishte Akademia e kohës ku aty përplaseshin mendime, edhe të kundërta, por sëfundmi dilej me një vendim unik, i cili nuk cënohej nga askush, vetëm aty në odën e burrave secili fliste me rradhë dhe me mendim të qartë për të mos lënë hapësira me pasoja në të ardhmen për fshatin, zonën apo krahinën.
TROPOJA E SHEKULLIT TË FUNDIT
Sapo filluan lëvizjet kombëtare për liri e pavarësi tropojanët u vendosën në krye qysh në Lidhjen e Prezrenit me kolloset e tyre të vendosur në sofrën e parë me mendimtarë e prinjës në të gjitha etapat pa kursyer koston njerëzore për atdheun e tyre.
Tropojanët me mjaft përgjegjëshmëri kombëtare, të mirëvendosur e mjaft të maturuar janë fitimtarë në të gjitha betejat me secilin pushtues sikurse mendimtarët e tyre kanë dhënë ide të vyera e kane kryer shërbesa gjithë kombëtare. Edhe në Tropojë si kudo në Shqipëri shkolla shqipe është hapur me vonesë vetëm 105 vite më parë(Gjonpepaj), por vrapimi i tyre për t’u arsimuar e radhit trevën më me shumë intelektualë në shkallë kombëtar, gjithnjë në proporcion me popullsinë.
Malësia e Gjakovës zën vëndin e parë me profesorë e doktorë shkencorë të të gjitha fushave.
Rasti unikal në Shqipëri mbetet Nikaj-Merturi, kjo krahinë zën vendin e parë në Shqipëri për arsimimin e lartë pa proporcion popullsie e matur kjo në ish-komuna sot njësi.
Eshtë kjo etje për dijen dhe zgjuarsia e lindur e banorëve të saj, që e ka ngjitur Tropojën në majën e diturisë kombëtare me elitat e saj kulturore e shkëncore që do ia kishte lakmi çdo kryeqytet ballkanik.