Nga Xhelal Zejneli/
Kjo që ndodh në Maqedoni, nuk mund të ndodh në asnjë vend të rajonit. E sikur të ndodhte, atëherë populli i atij vendi do të dilte në rrugë dhe do të protestonte, deri në rënien e pushtetarëve. Në Maqedoni, përkundër një qeverisjeje autoritare dhe abuzimeve të pushtetarëve, nuk kemi reagim përkatës të shoqërisë.
Në vende të caktuara ku pushtetarët e kanë keqpërdorur pushtetin, nëpërmjet një puçi ushtarak apo grusht shteti, ka reaguar ushtria. Puçe ushtarake apo grushte shteti, në vendet evropiane nuk ndodhin apo ndodhin shumë rrallë. Në Turqi për shembull, kur politikanët nuk kanë qenë në krye të detyrës, shpesh ka ndodhur të reagojnë qarqet ushtarake.
Në vendet evropiane, në rast krizash politike, ekonomike dhe sociale reagojnë: partitë opozitare, populli, organizmat e shoqërisë civile, shoqatat joqeveritare, sindikatat. Reagimet bëhen nëpërmjet protestave apo mosbindjes civile – pasive ose aktive. Pas revoltës qytetare, pason dorëheqja e kryetarit të shtetit ose e kryeministrit. Ka raste kur bie qeveria dhe shpërndahet parlamenti.Në vendet me demokraci të konsoliduar nuk ndodh rënia e qeverisë, as shpërndarja e kuvendit. Në ato vende jep dorëheqje pushtetari. Pas kësaj vepron ligji, veprojnë organet e rendit dhe të drejtësisë. Pushtetari që ka keqpërdorur pushtetin merret në përgjegjësi ligjore, politike dhe etike.
Në Maqedoni ndërkaq, përkundër krizës së thellë politike, ekonomike dhe morale, nuk ndodh asgjë.
- Nuk ka revoltë apo protesta masive të qytetarëve,
- Opozita politike nuk ka potencial politik të organizojë protesta masive,
- Nuk reagojnë organet sindikale.
Shoqëria civile dhe organizmat e saj, nuk janë të organizuar sa duhet, as të përkufizuar sa duhet. Të tilla janë edhe mediumet. Me një fjalë, organizmat e shoqërisë civile dhe mediumet, si sllavo-maqedonase ashtu edhe ato shqiptare, janë:
- të varura, dhe
- jo mjaft profesionale.
Organizmat e shoqërisë civile dhe mediumet, qoftë sllavo-maqedonase, qoftë shqiptare, i shërbejnë çdo kujt dhe askujt. Janë në shërbim, sa të pushtetit, aq edhe të opozitës. Preokupim kryesor i mediumeve, në tregun e konkurrencës, është mbijetesa.
Një pjesë e mediumeve në Maqedoni është nën kontrollin e rreptë të pushtetit. Ndërkaq, mediumet që hiqen të pavarura, luftojnë për ekzistencë. Disa medium janë me potencial profesional të kufizuar. Ka edhe të tilla që nuk e kanë të përkufizuar politikën redaktuese. Si të tilla, ato i shërbejnë gjithkujt dhe askujt.
Në një vend me opozitë politike të dobët apo të pakonsoliduar, mediumet e kanë vështirë ta përkufizojnë politikën redaktuese.
Përse në Maqedoni, përkundër krizës së thellë politike, nuk ndodh asgjë?! Janë shumë arsye:
– Maqedonia është vend dyetnik, shqiptaro-sllavomaqedonas, ndaj homogjenizimi bëhet mbi baza etnike dhe jo mbi baza politike, ekonomike apo sociale;
– Populli sllavo-maqedonas është i ndarë më dysh, në proserb dhe në probullgar,
– Faktori politik sllavo-maqedonas është i ndarë në faktor politik proserb dhe në faktor politik probullgar;
– Shoqëria në Maqedoni është provinciale, ka mendësi provinciale dhe funksionon me kritere provincial;
– Maqedonia nuk ka kurrfarë traditash demokratike;
– Maqedonia është shtet social ku çdo individi i intereson, ose të ruajë vendin e punës, ose të zërë një vend pune, ose të sigurojë një ndihmë sociale;
– Inteligjencia sllavo-maqedonase nuk ka potencial intelektual të mjaftueshëm dhe është nën nivelin e inteligjencies së rajonit;
– VMRO-ja me politikën e saj nacionaliste, populiste, sociale dhe antishqiptare, opozitës politike – LSDM-së, ia ka ngushtuar hapësirën e veprimit;
– Faktori politik ndërkombëtar nuk lejon një destabilizim të Maqedonisë.
Duke qenë se sllavo-maqedonasit injorohen prej fqinjëve bullgarë, serbë dhe grekë, VMRO-ja mendon se nacionalizmi i saj është i arsyeshëm dhe është në funksion të ndërtimit të identitetit të këtij populli. Rrjedhimisht, politikën e LSDM-së e konsideron si antimaqedonase dhe në favor të shqiptarëve.
Politika e VMRO-së, ndonëse nacionaliste, në thelb është antimaqedonase dhe kundër interesave strategjikë dhe afatgjatë të Maqedonisë. Një politikë e tillë është retrograde, anakronike, në kundërshti me frymën e kohës, në kolizion me tendencat evropiane dhe euro-atlantike.
Gjatë kësaj krize politike, ekonomike dhe sociale në Maqedoni, faktori shqiptar dhe subjektet politike të tij, kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë plotësisht të paorganizuar, të pakonsoliduar, të papërgatitur dhe pa kurrfarë vizioni apo ideologjie kombëtare.
Ideologjitë politike kombëtare dhe vizionet apo platformat politike kombëtare nuk janë çështje individësh apo grupesh politike – të padefinuara, të pakonsoliduara, të paorganizuara.
Krizën në Maqedoni e ka shkaktuar VMRO-ja, me ndihmën e shërbëtores së saj të dëgjueshme dhe të devotshme – BDI-së. Rënia e VMRO-së, nënkupton automatikisht edhe rënien e instrumentit të saj, BDI-së. Ata që e kanë shkaktuar krizën e thellë politike, nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes së saj. Shkaktarët e krizës politike duhet të ballafaqohen me përgjegjësi politike, morale dhe ligjore, e jo të synojnë mbetjen në pushtet. Mbetja në pushtet e abuzuesve përmasash galaktike, ndodhte vetëm në vendet e Amerikës Latine në vitet ’60 të shekullit të kaluar. Në vendet me demokraci të konsoliduar kurrë s’ka ndodhur një gjë e tillë.
Vitet e fundit, Partia Demokratike Shqiptare nuk ia doli të luante rolin e opozitës në hapësirën politike. Askush nuk mund të veprojë politikisht, derisa është nën hipotekë. Grupet politike shqiptare – LR-PDSH, RDK dhe Lëvizja Besa nuk janë veçse segmente dhe fragmente të padefinuara, të pakonsoliduara dhe të paorganizuara që dalin nga zhguna e dy të parave – PDSH-së dhe BDI-së, të cilat janë nënprodukte të PPD-së së dikurshme.
Sot çështje shqiptare nuk ka. Nëse kauza shqiptare nuk u zgjidh me luftën e 2001 shit, atëherë është utopi të mendohet se këtë do ta bëjnë grupet politike të sipërthëna. Sidoqoftë, dalja e tyre në skenën politike është hap pozitiv, për t’i dhënë fund monopolit politik të BDI-së – të ngulfatur nga joprofesionalizmi, të zhytur në korrupsion, të tronditur nga skandalet e përgjimeve dhe peng i hipotekave.
Aeroplani i liderit të BDI-së ka kohë që endet mbi hapësirën politike, pa itinerar dhe pa destinacion të përcaktuar. Bashkimi i opozitës politike shqiptare, këtë fluturake pa pilot që endet e çorientuar, do ta detyronte të aterojë.
Kauza kombëtare nuk është punë partish apo grupesh politike. Kauzat kombëtare janë çështje e marrëveshjes historike midis dy popujve. Marrëveshjet e tilla nuk arrihen kur t’i kujtohet ndokujt. Ato ndodhin njëherë në pesëdhjetë vjet. Pët t’i imponuar palës sllavo-maqedonase një marrëveshje historike, nevojitet që i tërë faktori politik shqiptar në Maqedoni të krijojë një front unik dhe të ripozicionohet në hapësirën politike shqiptare. Kjo nënkupton injorimin e institucioneve të pushtetit vendor dhe qendror të shtetit, deri në arritjen e një marrëveshjeje historike. Mirëpo, partitë politike shqiptare, të etshme për pushtet, rendin pas pushtetit pa pushtet, me arsyetimin se këtë e kërkojnë ndërkombëtarët dhe qendrat politike shqiptare të vendosjes – Tirana me Prishtinën. Krejt kjo, për hir të paqes dhe të stabilitetit në rajon. Pjesë e kësaj klisheje, ç’prej kohësh banale, është edhe sintagma: politikë konstruktive, paqeruajtëse dhe stabilizuese.
BDI-ja dhe PDSH-ja që me vite kanë qenë në pushtet, nuk kanë kredibilitet të duhur, as politik dhe as moral, për të imponuar një marrëveshje politike të re. Madje përgjegjësia e BDI-së është shumë më e madhe, për arsye se:
– është parti e dalë nga lufta e 2001-shit;
– ka pasur pas vete pjesën më të madhe të elektoratit shqiptar;
– ka pasur 19 deputetë në kuvendin e këtij vendi;
– në pushtetin vendor ka qeverisur 14 komuna me shumicë shqiptare;
– prej vitit 2002 deri më sot, disa mandate është pjesë e qeverisjes, me një përjashtim prej dy vitesh.
Interesat dhe privilegjet personale dhe koniunkturale janë në mospërputhje me interesin e përgjithshëm. Me fjalë të tjera, faktori politik shqiptar: BDI-ja e çorientuar dhe e pareformuar, PDSH-ja që hiqet si opozitare dhe grupet politike të padefinuara – LR-PDSH, RDK dhe Lëvizja Besa – nuk janë në nivelin e momentit historik. Po qe se BDI-ja nuk reformohet, do ta pësojë fatin e PPD-së. Ndërkaq, kur të fillojë procesi i reformimit, atëbotë klanet e saj do të shndërrohen në fraksione.
Në shtetet ku vepron ligji, edhe kryeministri vihet para përgjegjësisë, siç ishte rasti me ish-kryeministrin kroat Ivo Sanaderin. Në Maqedoninë e paligjshme, s’ka kush i nxjerr para drejtësisë Gruevskin, Mihajllkovin dhe Jankullovskën. Madje as Prokuroria speciale. VMRO-ja duket sikur kanoset: Nxjerrja para drejtësisë e Gruevskit, do të shkaktojë protesta masive të vmro-istëve. Kjo të përkujton skenarët e Millosheviqit në kohën e jogurt-revolucionit. Qeverisja autoritare e VMRO-së, e mbështetur verbërisht nga BDI-ja, i diskrediton edhe angazhimet shumëvjeçare dhe të pakursyera të qendrave politike ndërkombëtare të vendosjes për ndërtimin e një sistemi demokratik dhe multietnik në Maqedoni.
Zgjedhjet e 5 qershorit nuk do ta nxjerrin Maqedoninë nga kriza. Përkundrazi, kriza do të thellohet akoma më shumë. Maqedonia kishte nevojë për një revolucion të kadifenjtë, siç ishte dikur pranvera e Pragës.
Revolta të tilla mund të bëjnë vetëm popujt e qytetëruar.