
Gezim Zilja/
Më kishte kaluar orari i kafes atë mëngjes. Dallova vendin bosh dhe vrik u ula në qoshen time. Pa më pyetur pyetur, në tavolinë u ul një grua rreth të pesëdhjetave. Binin në sy flokët e gjatë në të zezën e korbit nga ku vinte një aromë e lehtë parfumi. Me zgjati gjithë elegancë dorën me gishtat e gjatë, tepër të hollë e delikatë, ku tek i mesit shndërriste një unazë me gur diamanti. Nën lëkurën e lëmuar të pëllëmbëve gati të tejdukëshme dalloheshin damarët blu nëpër të cilët rridhte ritmikisht në mënyre të pandërprerë lëngu jetëdhënës. Thonjtë e gishtave, ishin të lyer me një të kuqe të fortë por jo vulgare. Në fytyrën e gjatoshe, mbi mollëzat dallohej një e kuqe, e zbehtë trëndafili…. Kishte diçka midis bukurisë së statujave greke në muzetë e Athinës dhe ëmbëlsisë së gruas persiane të përshkruar plot art e shpirt nga Esenini.
– Nuk po më njef profesor,- buzëqeshi gruaja, duke lënë të shndërrisin dhëmbët e bardhë e të plotë. Më përqafoi dhe mbajti kokën disa sekonda mbi sup. Ka ca kohë që në trurin tim, rryma e vazhdimësisë në sektorin e kujtesës ndërpritet dhe vjen pas pak çastesh ose vonon edhe me orë. Po gruaja bukuroshe nuk më la të mendohem: “Jam Maria, e shkollës profesionale.“ Më mirë të më kishte qëlluar me shuplakë fytyrës sesa më kujtoi atë ngjarje, që edhe pas dyzetë vjetësh, gjumi më ikën kur e kujtoj…
Ishte hera e tretë që mblidhej Këshilli Pedagogjik për një lidhje të supozuar midis dy të rinjve, Marisë në vit të dytë dhe një djali maturant. Sekretari i partisë së shkollës me detyrë karrocier, një njeri plot vese, me një ballë si njeriu e Neadertalit, kurrizo dhe çalaman, që bënte furnizimin e mencës dhe konviktit të shkollës, drejtonte seancat “gjyqësore”. U nisën disa telegrame në fshatin e thellë verior, të Maries, ku i kërkohej të atit të paraqitej urgjent në shkollë, por prej andej nuk erdhi kurrë përgjigje. Merita ishte e imja, që guxova të ndërroja vetëm një germë te emri i fshatit. Prej andej vinte përgjigja e shkruar: Nuk ka banor të tillë në fshatin tonë. Doli që Maria e bukur me sy larushë e pantallona burrash si thes, i kishte kthyer përgjigje djalit në një një letër fletoreje, me vijën e kuqe anash ( kurrë nuk e mora vesh si ra letra në dorën e karrocierit) pas propozimit: “ Unë pranoj me u dasht me ty. Sa me mbaru shkollën e pastaj do t’i tregoj babës…” Kaq ishte letra. Po ku mbahej çalamani: “Jemi para një rasti flagrant të shfaqjeve të huaja. Nëse e lemë rininë të livadhisë kështu, nesër do na mbushet shkolla me dobiça. Ligji nuk lejon që në shkollë të mesme të rinjtë të dashurohen.” Maria dridhej si ajo fija e rigonit në shpat, kur e rreh era e malit. U hodhën në votë dy proprozime: Përjashtim përgjithmonë nga shkolla dhe përjashtim për një vit. Fitoi mendimi i dytë. E shkreta Mari: mezi e kuptoi vendimin e organizatës bazë të partisë dhe të këshillit pedagogjik. Fytyra iu bë e bardhë si shkumësi, ngriu nga tmerri, hodhi vështrimin e pikëlluar me sytë gjithë lot, që kërkonin ndihmë, mbi trupin pedagogjik dhe shqiptoi më zërin e mekur: “Ban me mar vesh baba ke shpia, ka me më myt.”
Në shtator Maria, nuk u kthye në shkollë megjithëse dënimi kishte mbaruar. Si mësues më brente mendimi se nuk kisha bërë sa duhej për të mbrojtur atë engjëll bukurie të papërlyer. Maria nisi të tregonte me pak fjalë jetën e saj: “ I thashë babës që ashtë shkollë e vështirë dhe nuk e bëj dot. Nana qau. Baba më rrahu sa mezi jam çuar nga shtarati pas një jave. Tre vjet kullota bagëtinë në mal e ndihmoja nanën. Sa u përmbys sistemi ika pa e kthyer kokën prapa. Kam parë tmerr, mbi gomone e kamiona, me njerëz që jetonin poshtë urave dhe bënin gjithçka për mbijetesë, por ia dola. Urreja gjithçka më lidhte me dheun tim. Edhe bari i fushave edhe lulet më dukej se mbanin ngjyrën e zezë. Një copë fëmijë isha, vija nga zonat e thella dhe më dënuan me vdekje. Është hera e parë, që kthehem pas 40 vjetësh për disa dokumenta dhe nuk besoj se do të kthehem më. Jetoj në Gjermani me familjen time. Kam dy fëmijë, nuk dinë shqip. Shumë pallate e supermarkete këtu, por njerëzit pak kanë ndryshuar, ende ka shumë varfëri e urrejtje… Erdha të të them faleminderit për atë germën, që ndërrove dhe telegramet nuk mbërritën kurrë në atë fshat të humbur. Nëse baba do të vinte në shkollë kisha vendosur të hidhesha nga tarraca.” Asnjë fjalë nuk munda të them. Më dukesh vetja si idjot, dhe kisha ngrirë si ato statujat pa jetë të realizmit socialist. Pasi më përqafoi sërish, Maria iku. Dy harabela kërcyen mbi tavolinë nga ana, që ishte ulur gruaja e bukur. Çukitën disa thërrime dhe u larguan mbi pemën aty afër. Mora filxhanin e kafesë dhe fillova të gjerb gjithë zhurmë lëngun e hidhur…