Një histori që ka nevojë të ndryshojë/
Nga Silvana BEGAJ/
(Nuk themi asgjë të re kur flasim për diasporën shqiptare nëpër botë. Nuk është qëllimi as i këtij shkrimi të rendisë faktet dhe rolin e diasporës shqiptare përgjatë historisë sonë të vjetër e të re kombëtare). Janë ndoshta raste të rralla në botën e qyteteruar ku për ngritjen ,formimin dhe ekzistencën e shteteve rol përcaktues ka patur mërgata kombetare jashtë vendeve. Të kujtojmë Lidhjen e Prizrenit apo dhe shpalljen e Pavarësisë e më tej, por dhe më parë në gjurmët e historisë, në njohjen e shtetit të pavarur shqiptarë përvec përpjekjeve dhe luftës së patriotëve shqiptare në vend, një rol të dorës së parë kanë patur dhe lëvizjet, përpjekjet dhe mbështetja e grupeve të mërgatës që nga SHBA me Vatrën apo shoqatat atdhetare në Selanik, Bukuresht, e në cdo kryeqytet të Europës.
Të rikujtojmë arritjen e dytë kombëtare më të madhe ,Pavarësinë e Kosovës, e cila ka në themel përvec rezistencën me paqe e me armë të shqipëtarëve në Kosovë, por po aq betejën titanike të Diasporës shqiptare nëpër botë. Edhe pse një shekull pas krijimit të shtetit Shqiptar dhe dekada pas Pavarësisë së Kosovës, krenaria dhe merita për arritjen e këtyre arritjeve, nuk plotëson e mbush nevojat e sfidave që shqiptaria në tërësinë e saj ka. Sfida dhe synime të reja edhe më të vështira ka përballë. Në këto sfida, dhe politikat e shteteve tona është pjesë jetike. Shqiptaria, Shqipëria e Kosova janë dy shtetet shqiptare me nivelin më të lartë të mërgatës.
Aktualiteti po sjell një gabim konceptual, atdhetar dhe historik të pajustifikueshëm dhe pafalshëm për brezat e sotëm, por dhe të ardhmen, duke trajtuar në dy realitete të ndryshme edhe pse ato janë Një. Thënë qartë: dy shtetet shqiptare në Ballkan mund të shndërrohen në një burim të jashtëzakonshëm mbështetje, frymëzimi dhe përthithje interesash kombëtare si qëllim për një prosperitet duke u orientuar e bashkërenduar me Diasporën shqiptare nëpër botë për këto qëllime madhore. Mjafton të shohim shtete të tjera ballkanike që nga Kroacia, Serbia, Maqedonia deri Mal i Zi ndjekin politika më të sofistikuara në mbështetjen, nxitjen e përfshirjes së mërgatave në jetën e zhvillimet socialo ekonomike në këto vende. Kjo përfshirje nuk duhet të jetë as emocionale ,romantike aq më pak propogandistike. Kjo përfshirje fyhet me indiferentizëm e mospërkushtim kur deduktohet në organizimin e ndonjë Samiti hoteleve të shtrenjta të kryeqyteteve, apo ku reduktohet në ndarje cmimesh dhe certifikatash nderi. Kjo përfshirje ka nevojë për akte e sjellje serioze ,të mirëmenduara të hedhura në treg strategjikisht nga shtetet shqiptare në Ballkan për politika të qëndrueshme dhe thelbësore.
Pyetje ende pa përgjigje mbeten.
Cfarë bëjnë dy shtetet shqiptare për mbështetjen e arsimimit dhe mbijetesës së gjuhës shqipe në brezat e rinj të diasporës që rrezikojnë ta humbasin apo deformojnë? Shumë pak ose asgjë. Cfarë po ndodh me fëmijët që lindin e rriten në mërgatë? A nuk mendoni se brez pas brezi ajo, gjuha shqipe e paushqyer me arsim e dije në shqip rrezikon të dobësohet apo dhe më keq të humb? Sepse iu është lënë fakultativisht prindërve si detyrë.
A e dini se vrasja e një kombi fillon nga vrasja e gjuhës? A mund të lihet mësimi në mënyrë vullnetare? A ka buxhete nga Prishtina dhe Tirana për këtë?
Përgjigjia fatkeqësisht të con në një JOO të madhe.
Cfarë po realizohet me ato të ardhura që prodhon puna e Diasporës shqiptare në botë? A mjafton mbështetja e familjeve përmes remitancave? A mendoni se mjaftojnë vizitat e të mërguarve ditëve të nxehta pushimeve për turizëm?
Po ai kapital financiar i jashtëzakonshëm si burim i punës së shqiptarisë jashtë kufijve a ka informacion dikush ku shkon, si e në cfarë investohet ?
A ka menduar dikush në Tiranë e Prishtinë që këtë kapital ta kthejë në investime burimesh strategjike të sigurta në zhvillimin e ekonomive të të dy shteteve?
A mos ka ardhur koha për ngritjen e një Banke për të mbrojtur e zhvilluar këto kapitale të mërgatës duke ricikluar ekonominë dhe fuqizimin financiar?
Kalojmë në një nga thellbet e asaj që e përjashton mërgatën kudo: Vota e saj në zgjedhjet dhe delegimet e pushteteve. A ka dicka më të rëndësishme se vota në sistemet demokratike ku inspirojmë? Pse nuk implementohet e drejta e tyre legjitime kur janë kontributorë, kur janë të lidhur ngushtë me fatet e vendeve te tyre?
Përgjigja edhe më demotivuese: Frikërat që sundojnë hijet e pushtetit sduan përfshirjen e Mërgatës.
Mendoni pak, sot kemi një diasporë me nivele të larta akademike me tituj shkencorë, grada dhe punë kërkuese. A janë të përfshirë ata dhe angazhuar për problemet sociale ekonomike e politike në vendet tona?
A kemi ne sot dy shtetet mendimin e koncentruar të tyre dhe të përfshirë për të dhënë përvojat e tyre, eksperiencat dhe dijet për Kombin?
A është kjo një luks por dhe një mundësi për tu zhvilluar më qartë, më drejtë dhe në rrugën e botës aspirante nëqoftëse zëri, puna dhe mendimet e tyre përfshihen?
Atëherë në rezymenë e një përmbledhjeje të disa problematikave të mprehta që ceka në këtë shkrim (jo se ska dhe të tjera), si mund të ndodhë të bashkohen e organizohen pjesët, më tej energjitë, dijet, mencuria dhe përvoja por dhe më tej ende, të ardhurat e kontributit të Diasporës , të dy shtetet jemi kapluar dhe katapultojmë indiferentizëm, moskokëcarje, neglizhencë dhe largpamësi ,që pikërisht e gjithë kjo krijesë Mbarëkombëtare si Diaspora tragjikisht jo vetëm nuk mbështetet seriozisht dhe ti jepet roli dhe vendi që I takon jo vetëm si pjesë e historisë por si nga kontributorët më me peshë në të gjitha fushat e jetës dhe mbështetëse e frymës kombëtare kurdo kur vendet tona kanë nevojë.
A mos duhet të zgjohen qeveritë tona nga letargjia e ngushtë, e pa orientuar e papërgjegjëshme dhe jo me frymë Kombëtare ndaj kësaj copëze Atdhe jashtë territorit, por që për ta është më shumë se gjithcka, ashtu si rilindasit e kishin, ashtu si jetën dhanë për të, ashtu kur lotët i burojnë dhe veprat e tyre sot si trashëgimtarë të tyre janë pikërisht Ata: Mërgatat tona!
A mos duhet ti japim atyre atë që meritojnë dhe të përfitojmë NE, vendet tona, bashkëkombësit tanë dhe Kombet tona?