Dr. Afrim Shabani/
Në këtë epokë, ku informacioni vërshon nga të gjitha anët, shqiptari ndodhet përballë një sfide të re: si të dallojë të vërtetën nga mashtrimi, faktin nga propaganda, dijen nga padituria e zbukuruar. Nga ekranet e televizioneve te titujt e portaleve, nga rrjetet sociale te opinionet e rastësishme, gjithçka duket e paketuar për të shitur, për të tërhequr vëmendje, për të grumbulluar klikime. E vërteta? Ajo shpesh mbetet në hije, e deformuar dhe e shpërfillur.
Mediet nuk janë më bartëse të dijes, por të fitimeve. Sa më sensacional një titull, aq më i rëndësishëm bëhet për ta, ndërsa shqiptari i zakonshëm gjendet mes një lumi informacioni që nuk synon ta ndriçojë, por ta shpërqendrojë. Çdokush flet me siguri absolute—historianë të vetëshpallur, analistë të orës së vonë dhe individë që dje nuk kishin lidhje me të vërtetën, por sot e shpërndajnë atë me zë të lartë.
Kjo problematikë nuk është e kufizuar vetëm në media. Shpeshherë, në ngjarjet shqiptare, dëgjojmë fjalime nga njerëz që nuk janë aspak të përgatitur për temat për të cilat flasin. Në vend të fakteve, shpesh përhapet dezinformim, keqinformim apo ekzagjerime që vetëm shtojnë konfuzionin. Në vend që të pasurohet dija jonë, ajo rëndohet me të pavërteta të artikuluara me siguri, por pa thellësi.
Në konferencat ku marr pjesë, shoh një botë tjetër—shkenca e mirëfilltë është e kujdesshme, e bazuar në fakte, e verifikuar. Megjithatë, edhe institucionet akademike dhe konferencat me vlerësim shkencor nuk janë të pagabueshme. Gabimet ndodhin, qasjet ndryshojnë dhe vetë shkenca pranon kufizimet e saj duke u përpjekur të përmirësohet përmes debatit, analizës kritike dhe korrigjimit të vazhdueshëm. Jashtë këtyre sallave, informacioni qarkullon lirshëm, pa filtra, duke krijuar konfuzion. Institucionet akademike dhe studiuesit e pavarur shpesh nuk bien dakord—të parët kritikojnë për mungesë metodologjie, të dytët për burokraci dhe distancim nga realiteti. Shteti, nga ana e tij, herë përfshihet me agjenda të caktuara, herë rri indiferent.
Kjo është një sfidë për gjithë botën, por shqetësimi im është për ne shqiptarët. Për ne që kemi luftuar për të mbrojtur identitetin dhe kombin tonë, për ne që jemi të rrethuar nga zëra që duan të tjetërsojnë historinë dhe të ardhmen tonë. Ne shqiptarët kemi detyrën që të ruajmë veten nga çdo përpjekje për të na përçarë, për të na dobësuar dhe për të na larguar nga rrënjët tona. Ne kemi dëshmuar se kur jemi të bashkuar në mendje e në shpirt, asnjë mjegull nuk na errëson dot rrugën.
Si mund të mbrohemi? Me kthjelltësi dhe maturi. Shqiptari duhet të lexojë përtej titujve, të kërkojë burime të besueshme dhe të mos pranojë gjithçka që i servohet. Historia jonë nuk është një fletë e bardhë për t’u mbushur nga kushdo që ka një mikrofon apo një llogari në rrjetet sociale.
Në një botë ku gjithçka shitet, edhe e vërteta ka një çmim. Shqiptari duhet të qëndrojë vigjilent dhe të mos lejojë që historia e tij të shitet për pak klikime. Në fund, gjithçka varet nga një pyetje e thjeshtë: a do ta kërkojmë të vërtetën, apo do ta blejmë atë të gatshme?