
Artan Nati/
Kur Jul Cezari kaloi lumin Rubikon gjatë rrugës për në Senatin Romak me Legjionin e tij të 13-të në vitin 49 pes, ai krijoi jo vetëm një moment historik të krijuar për të shfaqur fuqinë absolute të fuqisë dhe autoritetit të tij ushtarak, por ai gjithashtu dha një shembull të gjallë që sqarojnë historinë, por edhe portretizojnë kohët moderne në shumë mënyra. Shembujt historike janë të freskët me fitoren e Trump në Amerikë, por edhe të Makron në Francë. Këto shembuj na tregojnë se historia përsërit vetveten, ose më saktë njeriu nuk ka ndryshuar në përmbajtje, por vetëm forma ndryshon. Makron sjell një risi në histori se si një forcë e re politike mund të fitojë zgjedhjet e përgjithshme, ashtu si Davidi kundër Goliatit. Trump në thelb është i njëjti fenomen, por duke na treguar se duke ndryshuar tërësisht, si të thuash rizbuluar, fytyrën e partisë republikane, por edhe përmbajtjen e saj, është e mundur, por edhe e vetmja rrugë, të fitosh zgjedhjet dhe të bëhesh presidenti i vendit më të fuqishëm në botë. Është pikërisht kjo histori që shpjegon edhe shumë fenomene që po ndodhin, por edhe parashikimet për të ardhmen e vendit tonë në këtë sezon zgjedhjesh.
Të gjithë shpresojmë që fenomeni i kalimit të Rubikonit nga Çezari, të përsëritej në Shqipëri. Në këto momente kritike, kur PS e lodhur nga lufta me SPAK duket më e raskapitur se kurrë. Gjysma e kabinetit është në burg, ndërkohë që kjo luftë nuk ka të mbaruar dhe PS duket se e ka humbur betejën me drejtësinë. Nga ana e kampit opozitar, situata nuk është aspak më optimiste, me një lider në burg dhe tjetri i shpallur non grata. Duket sikur ky është rasti më oportun për partitë e reja. Ato mund t’i japin shqelmin politikës së vjetër, duke i dhënë zjarr zemërimit popullor dhe të sjellin përfundimisht ndryshimit aq të dëshiruar nga populli, diaspora dhe komunitet ndërkombëtar. Nga ana tjetër sondazhet tregojnë të kundërtën. Çfarë po ndodh kështu? A janë gabim sondazhet, apo partitë e vjetra vërtetë kanë ndryshuar, apo partitë e reja nuk janë të dëshiruara nga elektorati shqiptar? Mendoj se çdo gjë është e mundshme, por mundësia më e madhe është që asnjë nga këto supozime të jetë i vërtetë.
Megjithëse krijimi i partive të reja është për tu përshëndetur dhe inkurajuar, ato kanë shumë pak ngjashmëri me fenomenin “Makron”. Fat i mirë është kur mundësia takohet me përgatitjen, ndërsa fati i keq është kur mungesa e përgatitjes takon realitetin. Partitë e reja duket sikur nuk kanë sjellë risinë aq shumë të kërkuar, por janë parti e liderit pa eksperiencë, pa mbështetje të figurave ekonomike dhe politike. Duke u paraqitur si parti e njëshit si edhe pa demokraci të brendsheme, ato na kujtojnë partitë e mëdha. Kjo situatë nuk i lë shumë opsione elektoratit shqiptar, por të abstenojë ose të votojë pa dëshirë, apo duke mbajtur hundën. Më mirë me djajtë që njeh se me djajtë që nuk i njeh, kështu do të mendonin shumë prej nesh. Po ashtu partitë e mëdha vijnë në këto zgjedhje më të lodhura se kurrë, biles më autoritare dhe me premtime tërësisht të pabazuara, sikur të ishin magjistarë, duke forcuar pozitat me elektoratin e mbetur tradicional të tyre, por duke rritur elektoratin gri, i cili është pa alternativë dhe më i dëshpëruar se kurrë. Partitë dhe individët që nuk janë në gjendje të përshtaten dhe të ndryshojnë bindjet ose opinionet e tyre mbeten mbrapa dhe në thelb “vdesin” mendërisht ose intelektualisht.
Ashtu si një gjarpër duhet të heqë lëkurën e tij që të rritet dhe të lulëzojë, një mendje duhet të jetë e hapur ndaj ideve dhe perspektivave të reja për të mbetur gjallë dhe aktive. Jeta e brendshme e partive të mëdha ka vdekur dhe e vetmja alternativë e anëtarëve të tyre ka mbetur servilosja. I tillë ishte vallëzimi për 80 vjetorin e liderit demokrat (sikur ky i fundit kishte fituar pavdekësinë). Po ashtu kryetari i PS-së është kurorëzuar si Skënderbeu nga servilët e PS-së, duke i dhuruar atij shpatën se cilat koka do të priten dhe cilat do të vegjetojnë, ndërkohë që ai shijon përjetësimin e tij në këngët të denja për një lider komunist të tipit të ish diktarorit komunist. Lidershipi i PS-së, pasi morri drejtimin e socialistëve me meritë dhe inspiroi socialistët dhe më tej vendin duke i dhënë fitoren, dha një shembull se si mund të merret pushteti. Koha tregoi më vonë se ai do të bëhej një kopje e shëmtuar e paraardhësit të tij.
Duke lejuar drogën të mbizotëronte ekonominë dhe politikën e vendit. Rritja e korrupsionit dhe ndalimi i reformave në vend, tregoi se shumë pak kishte ndryshuar dhe gjithçka ishte bërë për pushtet. Po ashtu lideri demokrat, pas marrjes së pushtetit tregoi se nuk i kishte harruar metodat dhe stilin komunist të drejtimit të vendit. Të dy këta donin të vrisnin simbolikisht babanë e tyre politik, për të qenë vetë baballarë të vendit apo partive të tyre. Tani që këta zotërinj morrën rrolin e paraardhësve të tyre, ata janë praktikisht të vdekur si vetë paraardhësit, sepse as nuk frymëzojnë dhe kanë ndalur proçesin e transformimit.
A ka diçka në gjakun tonë që hedh poshtë përparimin e vërtetë? Ndoshta ka diçkça të vërtetë të fshehur në historinë tonë të ndikuar edhe nga gjeografia. Këto nuk varen nga ne, por ajo që varet nga ne është njohja dhe dalja në dritë e tyre. Vetën kur ne bëhemi të ndërgjegjshëm për to, ne mund të reflektojmë
Rrënjët e lashta dhe bazat fetare të një kulture mund të kenë vërtet një ndikim më të madh në rrugën që një vend ndjek sesa çdo konsideratë racionale, gjeopolitike ose ekonomike. Nëse është kështu, kombet si Shqipëria me prejardhje myslimane dhe ortodokse nuk janë vërtet rehat në një botë të dominuar nga perëndimi, një burim tensioni që vetëm mund të zbutet, jo të hiqet. “Ruaje Zot Shqipërinë nga shqiptarët” thoshte Konica. Ndërkohë që Europës i morri 5 shekuj prej rilindjes europiane deri te revolucioni borgjez në Angli e Francë, Shqipëria dhe gjithë ballkani mbetën në errësirë të plotë e ndoshta edhe më keq nën errësirën otomane. Thënë të gjitha këto duket sikur Shqipëria dhe votuesit e saj në Shqipëri apo diasporë janë përpara një dileme të madhe që mund të hapi rrugën e një transformimi të madh ose jo.
Çështja shtrohet nëse ne duhet të votojmë për “djallin” që e njohim mirë, apo për “ëngjellin” që nuk e njohim. Duke ditur historinë dhe përvojën tonë në të kaluarën, investimin perëndimor në SPAK si dhe preferencat e tyre mendoj se ne duhe t’i besojmë instikteve tona, por duke mbajtur vështrimin drejt perëndimit. Duket se perëndimi kësaj rradhe është plotësisht në anën tonë, por zgjedhja është në fushën tonë.