
Nga Eugjen Merlika/
Pjesa III
Lexuesit dhe studjuesit do të kenë rastin të njihen me ndihmesën e Mustafa Krujës n’atë fushë deri në shkurtin e vitit 1922, sepse në mars t’atij viti ai mori pjesë në kryengritjen e Elez Isufit e të Zija Dibrës kundër Ahmet Zogut e së ashtuquajturës “klikë”. Me dështimin e asaj kryengritjeje ai u arratis në Sërbi, e më pas në Itali deri në qershorin 1924, kur u kthye në Shqipëri.
Në Sërbi ai mësoi për gjashtë muaj sërbo-kroatishten dhe mori përsipër përkthimin e librit të ish kryeministrit të Sërbisë Vladan Gjorgjeviç “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”. Është një nga librat më kundër- shqiptarë që mund të jenë shkruajtur, me qëllimin për të paraqitur shqiptarët si popull që nuk ishte në gjëndje të vetëqeverisej, pra që nuk meritonte të kishte një shtet të pavarur. Shumë vite më vonë, në letër-këmbimin me shkrimtarin Martin Camaj, Mustafai mori vesh nga ky i fundit se Vlladani ishte me origjinë shqiptare, një prej atyre që, fatkeqësisht, i këthenin shpinën Shqipërisë kur fitonin poste të larta në Vënde të tjera. Librin e shoqëroi me një parathënie dhe një mbasthënie, në të cilat shpjegoi pikëpamjet e tij, në lidhje me përkthimin e botimin:
“Ma në fund s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm. Edhe nga kjo pikëpamje pra ky libër asht i interesueshëm në gradën mâ të nâltë për ne shqiptarët. Na zêmërojnë e na indinjojnë pa dyshim shpifjet, aq mâ tepër kur kemi para sŷsh qi na bâhen për të na minue ekzistencën t’onë si komb, për të na skllavnue, për të na shue farën. Por nuk duhet të na idhnojnë aspak të mêtat reale qi na përmênden, makar të zmadhueme e….të zbukurueme me sarkazmat e ironít e gjuhës së nji Vladan Gjorgjeviçi. Nji katalog mâ komplet të mungesavet t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’i bâhen nji populli, s’ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim âsht ky?… Anmiku detyrën e tij e ka krye. Ndashti âsht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të mêtat e me u lâmë para botës nga shpifjet.”
Ka shumë atdhedashuri në përkthimin e atij libri, të shkruar nga një shqiptar i shpërngulur familjarisht prej tri të katërtash shekulli në Sërbinë fqinje, një njeriu të shquar në Vëndin në të cilin është trapiantuar, që arrin deri në majat e jetës politike, por edhe kulturore. Sigurisht shkakton dhimbje fakti që aftësitë e tij Gjorgjeviçi, i ve me zellin më të madh, në shërbim të një qëllimi djallëzor, të pandershëm e tejet imoral: të pengojë popullin fqinjë, shqiptarët, ku gjinden edhe rrënjët e tij, të mos ketë të drejtën që, për herë të parë në historinë mijravjeçare të themelojë Shtetin e parë të bashkuar e të pavarur. Për përkthyesin, që kishte punuar që në vitet e rinisë për atë synim, të kthyer n’idealin e disa brezave, duke e sendërtuar atë, nëpërmjet nënëshkrimit në listën e 37 të tillëve, puna për të përkthyer librin e “halabakut sërb”, siç do t’a përcaktonte me një farë përçmimi një atdhetar shqiptar i zakonshëm, ishte një mundim i dhimshëm.
Por, për këndvështrimin e hapur, që kishte formuar në jetën e tij, ai libër përbënte një rast të rrallë për t’i treguar bashkatdhetarëve, se sa e vështirë e në të përpjetë ishte rruga e ecjes përpara, rrethuar nga popuj të tjerë jo dashamirës, e që, nëpërmjet penave të tyre të shquara, villnin mbi ta vrerin më të zi të mërive shekullore, me të vetmin qëllim ndalimin e krijimit të Shtetit të tyre. Nuk nguronin para asnjë mjeti të pandershëm e të paligjshëm, për t’i a arritur synimit të tyre, duke i servirur popujve të tjerë t’Evropës dhe qeverive të tyre mendimin e tyre të zi, nëpërmjet botimit t’atyre lloj librave në gjuhët e tyre. Për të shkruar atë libër, thotë përkthyesi, autori kishte studjuar me dhjetra vëllime kushtuar Shqipërisë e shqiptarëvet, duke marrë prej tyre gjithshka t’errët e të zezë që ishte shkruar, deri te një legjendë e austriakut Hahn që thonte se shqiptarët “janë me bisht”….
Por ndërsa ai shqipëronte atë vepër, në vetvete ndiente një kënaqësi të veçantë, sepse qëllimi i autorit të librit kishte mbetur një ëndërr e pasendërtuar, se Shqipëria ishte krijuar me vullnetin dhe zellin e pjesës më të mirë të shqiptarëve, por edhe me ndihmën e dy Shteteve të mëdha t’Evropës, më pranë saj gjeografikisht. Shqipëria, edhe se e gjymtuar, ishte një realitet i gjallë politik, më i riu në fushën kontinentale. Me gjithë dështimin e projektit për të cilin ishte shkruajtur libri, përkthyesi, në filozofinë e tij pohenike, gjente në të një mësim që bashkatdhetarët e tij duhet t’a kthenin në një vlerë: atë të përmirësimit të tyre të vazhdueshëm, heqjes dorë nga mendësi e metoda të trashëguara prej afër pesë shekujsh, përqafime të ideve që vinin jo më nga Lindja, por nga Perëndimi, ringjallje morale e qytetëruese pa mohuar traditat më të mira të trashëguara. Sendërtimi i këtyre synimeve që koha vinte para shqiptarëve ishte, simbas përkthyesit : “me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë para botës nga shpifjet”.
Kjo do t’ishte fitorja e vërtetë e jona kundrejt përpjekjes së shtetarit sërb e të ngjajshmëve të tij, do t’ishte dështimi i tyre i plotë në veprimtarinë e tyre keqdashëse kundrejt nesh. Kjo ide i sillej nëpër tru, ndërsa përkthente e po kjo ide u bë zotëruese, kur në “Një shënim i nevojshëm”, të shtuar para botimit të librit ai shprehej kështu:
“Nja nji vjet banim në Sërbi, në përpjekje me sërbët mâ të thjeshtë, me ata të Shumadís, dhe pak studim mbi ta ndër fletore, revista, e sa libra të tyne, si edhe në disa vepra të shkrueme prej autorëve të huej, më kanë përgatitun deri diku edhe mue sa me qênë i zoti me shkrue diçka si kundër-ofensivë për popullin fqinjë, po t’ishte nevoja me i u përgjigjun në këtë mënyrë veprës së Vladan Gjorgjeviçit.
E pa dyshim qi ka shqiptarë edhe mâ kompetenta se un në këtê lamí. Por mue më duket se nuk âsht urtí, në shekullin t’onë sidomos, me ndezun mënín në mes të dý popujve kufitarë, qi, si pat thânë tash vonë Benito Mussolini, nuk mund të jetojnë veçse si miq ase si anmiq. E populli shqiptar nuk dëshiron tjetër pos miqsís me kê do qi i a don miqsín dhe nuk e përbuzë. Ky përkthim pra kundrejt sërbëve ka vetëm nji qëllim difensiv: mos me mbyllun sŷt përpara sherrit e me i u ruejtun,
Nji dijetar arab, Imam-Aliu ka thânë: “E nxuna sherrin jo për sherr, por për t’i u ruejtun sherrit”.
Sot, pothuaj mbas një shekulli të botimit të librit, na takon të matemi me vetveten si komb, në sendërtimin e porosisë së Mustafa Krujës, dalë nga mësimi i përkthimit të librit të ish kryeministrit sërb.
U arratis nga internimi ku e kishin vënë sërbët e mundi të shkojë në Itali, në qytetin e Barit. Në qershorin e vitit 1924 ai u kthye në Shqipëri. Kthimi në Tiranë qe një kënaqësi e veçantë, mbas mërgimit të dytë që zgjati pak më shumë se dy vite. U prit befasisht nga një shumicë njerëzish në hyrje të kryeqytetit, i cili, mbas largimit të Zogut dhe administratës së tij ishte në dorë të ushtrisë e të Opozitës. Vdekja e Avni Rustemit më 22 prill 1924, si pasojë e atentatit kundër tij të dy ditëve më parë, kishte elektrizuar opinionin publik dhe sidomos rininë që kishte parë tek ai jo vetëm vrasësin e Esat Pashë Toptanit, por edhe si nismëtarin e federatës “Atdheu” dhe të shoqërisë “Bashkimi”, e një nga përfaqësuesit më të besueshëm të prirjes për demokraci. Vdekja e tij dhe ceremonia madhështore kombëtare e varrimit kishte shtuar atmosferën kundërshtuese ndërmjet pushtetit të Ahmet Zogut dhe Opozitës. Pritjet e kësaj të fundit ishin të mëdha e çuan në një acarim të jashtzakonshëm që u shfaq në atentate e deri në ngjarjet e qershorit që detyruan qeverinë të largohej në drejtim të Jugosllavisë e Opozitën të ngjitej në pushtet.
“Mbas lëvizjes kryengritëse qi mbaroi me dëbimin e Zogut nga Shqipnija në qershorin e 1924-ës, u kthye në Atdhe. Mbas gjithë këtyne mundimeve desh të pushojë për do kohë në gji të familjes pranë së cilës i kishte tokue gjithmonë me kalue kohë të shkurtna si i huej. Por si qeverija ashtu edhe përfaqësuesit e Shkodrës e sidomos këta, të krishtenë e myslimanë bashkë, i u lutën fort qi të pranonte me qeverisun atë krahinë aq delikatë si prefekt. Dhe Krujës i u desh me i u shtrue vullnetit të Shkodrës ku kishte edhe shumë miq personalë.
Mustafa Kruja e sundoi prefekturën e Shkodrës për gjashtë muej rresht me autoritet e energjí të pashoqe, me të drejtë e me takt tue lânë kujtime të pashlyeshme deri n’ata qi kanë pamë interesa apo mendime të tynetë cënueme prej veprimit të tij.”
Më 17 qershor Mustafai mbajti një fjalim të shkurtër në sallën e Bashkisë së Tiranës. Në të ai shprehu ngazëllimin e tij për fitoren e “revolucionit”, në sajë të “armëve të ushtrisë kombëtare”. Ky fjalim u botua në gazetën “Dajti” e gjëndet në vëllimin “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”. Ja disa nga fragmentet e fjalës:
“Zotnij të ndershëm!
Si juve qi ndodheni pranë, ashtu edhe të gjithë atyne qi, prej ngushticës së vêndit, s’munden të marrin pjesë këtu u faleminderës me gjithë zêmër për këtë pritje vllaznore e shumë simpatike qi patët mirësinë të na bâni. Na e dijmë fare mirë se këtë nuk e kemi meritue për kurrgjâ tjetër veç se ndoshta për vuejtjet e shumta e të padame qi na kanë takue si ushtarë e puntorë të vjetër të nji ideali, realizimi i të cilit sod ka fillue me na ndriçue para sŷsh…..
Por a thue se ky ideal i shênjtë, ideali i nji Shqipnie për popullin e jo për pesë a dhjetë zotnij, qi e quejnë veten mbi popullin e zot të tij, a thue se ky ideal âsht i realizueshëm sod plotsisht me armët e ushtrís kombtare. Un kujtoj se jo! Un them se këto armë kreshnike vetëm kanë çelë rrugën e realizimit t’atij ideali qi kemi të tânë në zêmër. Triumfi i armvet nuk lypset të na dehë e të na lânë në gjumë aspak…..
Thashë se nji ndër pengesat mâ të mëdhaja qi s’na kanë lânë deri sod me realizue idealin demokratik ka qênë antagonizma, dasia në mes të demokratvet vetë. E pra sod qi ndalimet e tjera u zhdukën me gjak duhet qi të zhduket me do e mos edhe ky turp i demokracís, duhet bashkim i të tânë atdhetarvet pa ndryshim feje e krahine. Vetëm atëherë mund të besojmë me sigurí se gjaku i Avniut e i dëshmorvet të tjerë të revolucjonit s’kanë shkue kot e se ideali i ynë i përbashkët do të realizohet plotsisht. Por vjen me pyetun se si do t’a bâjmë këtë bashkim. S’ka njeri të thotë se s’e don bashkimin. Në vênd qi në praktikë na ka dalë gjithmonë i vështirë. Shkaku? Egoizmi! Pra për me u bashkue duhet me shkulun egoizmin prej zêmrash….”
Siç shihet, qëndrimi i tij n’atë periudhë ishte ai i një idealisti revolucionar, në pozitat e pjesës më radikale të kombëtarizmit shqiptar. Mbas shumë vitesh, kur shkruan mbi ngjarjet e atyre muajve të vitit 1924, është mjaft kritik. Ai përmënd fjalën “revolucion”, siç u quajt rëndom n’atë kohë e deri sot në historiografinë zyrtare komuniste, grushti i Shtetit i 10 qershorit 1924. Vetë Mustafai, në shpjegimet që i jep prof. Stavro Skëndit mbi ato ngjarje, vë në dukje se kundërshtari më i vendosur i atij “revolucioni” ishte Luigj Gurakuqi, njëri ndër shtetarët më largpamës e atdhetarë të politikës shqiptare. Çdo lloj revolucioni ka në qëndër të tij pështjellimin e masave, ndërsa n’atë qershor populli nuk mori pjesë aspak në ngjarjet politike. Veprimi qe krejtësisht i politikës, që u mbështet në komandantët ushtarakë, pra në thelb qe një “grusht Shteti” i mirëfilltë e, për mendimin tim vetiak, në tërësi shumë i dëmshëm për disa arsye.
Grushti i Shtetit që u krye mbas dorëheqjes së qeverisë Vërlaci, si përfundim i mos zgjidhjes së ngërçit të krijuar nga vrasja e Avni Rustemit dhe nga ngujimi i Opozitës në Vlorë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi formën e regjimit në Asamblenë Kushtetuese, qe ngjarja që i dha goditjen e fundit metodave demokratike që, mirë a keq kishin filluar të bënin rrugë në ecurinë e Shtetit shqiptar. Ai përcaktoi një çarje të madhe të klasës politike, në dëm të dialektikës që kishte filluar, edhe se me mangësitë e saj, në parlamentin shqiptar. Grushti i Shtetit u bë shkaktari kryesor i prishjes së barazpeshave kushtetuese të dala nga votimet e 27 dhjetorit të vitit 1923 për Asamblenë Kushtetuese, të fituara nga Ahmet Zogu me shumicë absolute prej 44 deputetësh, duke mos respektuar përfundimet e votimeve, pra duke dhënë shëmbullin e daljes nga binarët ligjorë të jetës institucionale n’emër të parimeve të huajtura nga përpjekjet komuniste në mjaft Vënde t’Evropës për të përsëritur përvojën e revolucionit bolshevik. Edhe zija e parlamentit për vdekjen e Leninit ishte një tregues i asaj atmosfere. Mjaft idhtarë të grushtit të Shtetit më vonë krijuan KONARE-n e përfunduan në Bashkimin Sovjetik, për të përgatitur në vite përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri, të cilat më vonë, me ndërlikimet e pushtimeve dhe luftës së Dytë botërore, përcaktuan vendosjen e diktaturës së kuqe për gati gjysëm shekulli. Madje duhet vënë në dukje se Ahmet Zogu, megjithëse fitimtar në zgjedhjet e 27 dhjetorit, e megjithëse viktimë e një atentati të një bashkëkrahinari të tij, Beqir Valterit, në sallën e parlamentit, u përpoq deri në fund, edhe me dorëheqjen e tij e krijimin e një qeverije që kishte edhe përfaqësues të Opozitës, të qetësonte gjëndjen e të vazhdonte metodat demokratike në praktikat politike e institucionale. Po të kishin ndjekur edhe përfaqësuesit e Opozitës të njëjtën rrugë, ndoshta Shqipërisë do t’i ishin kursyer shumë dukuri johenike n’atë periudhë e më vonë.
Edhe Mustafa Kruja, megjithëse nuk pati asnjë lloj pjesëmarrjeje në veprimet e mësipërme ishte në një gjatësi vale me Opozitën demokratike, sikurse shihet edhe në fjalën e mbajtur në Bashkinë e Tiranës. Por megjithë ngazëllimin për revolucionin, mëndjes së tij të mprehtë nuk i shpëtonin problemet e vërtetë të Shqipërisë e demokracisë së saj, që dalin në pah, sikur në shumë raste të jetës së tij politike, të përqëndruara në dasitë e ndryshme të shqiptarëve, në nevojën urdhëruese për t’i shmangur ato, për të sendërtuar bashkimin në synimet, në dëshirat, në idealet më thelbësore të interesave të atdheut. Në këtë domosdoshmëri pengesa vjen nga “egoizmi”, nga diçka e lindur në natyrën njerëzore e, prandaj, aq e vështirë për t’u luftuar….
N’administratën e qershorit 1924 ai nuk pati detyra e poste në qeverinë qëndrore. U emërua prefekt, me fuqi të plota në Shkodër. Ishte një qytet që kishte joshjen e tij të posaçme në zemrën e tij. Në parlament ishte bashkuar me grupin e atij qyteti, sepse kishte gjetur në të më shumë afërsi mendimesh e shllimesh. Miqtë e tij më të mirë ishin nga ai qytet. Shkodra ishtë më perëndimori i qyteteve shqiptare, ku tregëtia me Italinë e bregdetin dalmat linte gjurmët e saj. Ishte qyteti me më shumë histori në trevat shqiptare, madje simbas projektit të tij duhej t’ishte kryeqyteti i Vëndit. E bëri këtë propozim në vitin 1921 në parlament por mbeti pa vazhdim. Në Shkodër ai solli edhe bibliotekën e tij të pasur, për të cilën flet me shumë dashamirësi edhe prof. Ernest Koliqi. Në përvjetorin e dymbëdhjetë të festës së Pavarësisë prefekti e përfundoi fjalën e tij, drejtuar popullit të Shkodrës nga ballkoni i Bashkisë me këto fjalë:
“Të jemi pra të lidhun e të bashkuem me besën qi na kanë lânë babat e gjyshat t’onë, për lirín e lulzimin e Atdheut; t’i napim dorën shoqi shoqit burrnisht e vëllaznisht, tue i mbajtun në cakun e vet ndryshimet e fevet e t’idevet e të betohemi mbi flamurin e shênjtë se kurrë i hueji e tradhtori s’ka me na sundue për së gjalli!
Popull i Shkodrës! Ti, sidomos, me malet e tueja nuk do t’i harrojsh traditat e lavdishme qi trashigon prej të parvet të tuej, qyshë prej Kara-Mahmudit e te Oso Kuka, nj’ashtu si t’i kanë përshkrue Vaso Pasha i yt e auktori i pavdekshëm i Lahutës së Malsís! Meritoje pra edhe me veprat e mbaskëndejme vêndin e naltë qi të ka caktue historia në gjî të Kombit shqiptar! Vetëm bashkimi, or vëllazën, bashkimi i të gjithë Shqiptarvet të ndershëm, na bân me qênë të drashun prej tradhtorvet e të nderuem prej të huejvet. Me bashkim e vëllazní të pa hile e të pa sherr kjo ditë e lumnueshme do të na gjêjë për gjithë vjetë mâ mirë.
Rrnoftë Shqipnía e lirë! “
Qeveria e Fan S. Nolit, që në fillimet e saj u ballafaqua me problemet e kufijve, trashëgimi të Konferencës së Paqes. Në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane gjindet një letër e Kryeministrit Noli, drejtuar kolegut të tij italian Benito Mussolini, e cila bën fjalë për atë problem. Ja teksti i përkthyer i asaj letre:
Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë
Kabineti i Ministrit
Tiranë, 6 korrik 1924
Shkëlqesi,
Po përfitoj nga rasti i kthimit të të Ngarkuarit me punë, zotit Tefik Mborja, për të tërhequr vëmëndjen e Shkëlqesisë Suaj mbi çështjen e kufijve, që shqetëson në këtë çast gjithë Kombin.
Qeveria shqiptare është shumë e alarmuar nga drejtimi që po merr ajo çështje delikate. Jemi njoftuar, për shëmbull, se Komisioni Ndërkombëtar, i kryesuar nga gjenerali Gazzera, ka ndërprerë punimet e tij në zonën asnjanëse të Korçës, si pasojë e udhëzimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve e cila po rishqyrton dhënien e katërmbëdhjetë fshatrave të caktuara Shqipërisë nga Komisioni, ndërsa pak ditë më parë, e njëjta Konferencë urdhëronte Qeverinë greke t’i zbrazte ato. Nga ana tjetër jemi të kërcënuar nga humbja e mundëshme e monastirit të Shën Naumit, që zotëron rrugën Pogradec-Korçë e të malit të Vermoshit që zotëron qytetin e Shkodrës.
Një zgjidhje e pafavorshme e këtyre tri pikave tejet të rëndësishme të kufijve shqiptarë do t’ishte fatale për Qeverinë e sotme shqiptare, sepse ky dështim nga kundërshtarët tanë sigurisht do t’i vishej paaftësisë së saj dhe antipative të shkaktuara jashtë. Asnjë shpjegim nga ana e jonë nuk do të mund të kënaqte popullin e dëshpëruar nga kjo bjerrje tokësore. Autoriteti i Qeverisë sonë do të dëmtohej në mënyrë të pandreqëshme e një tjetër shpërthim i brëndshëm mund të kishte pasoja të pallogaritëshme.
Për të shmangur këtë ndërlikim të rrezikshëm vemë të gjitha shpresat tona tek Shkëlqesia Juaj e tek mbështetja diplomatike e Qeverisë italiane në dobi të tezës shqiptare mbi tri pikat e diskutueshme të kufijve tanë. Jemi të sigurtë se kjo mbështetje nuk do të na mungojë edhe në këtë rrethanë të vështirë, siç nuk na ka munguar në të shkuarën.
Duke përgëzuar Shkëlqesinë Tuaj për shpejtësinë me të cilën kaluat krizën e fundit të Vëndit Tuaj, urojmë që Ju të mbeteni në pushtet për një kohë të gjatë, për të mirën e dy Vëndevë tona.
Ju lutem pranoni ndjenjat e konsideratës sime të lartë.
Fan S. Noli
Kjo letër dëshmon se sa e rëndësishme ishte për Shtetin shqiptar t’asaj kohe, mbështetja italiane në kontekstin evropian e botëror të gjeopolitikës. Dëshmon edhe një tjetër fakt: kur bëhet fjalë për interesat madhore të një Kombi, i kërkohet ndihmë edhe një regjimi që, në kushte normale, për bindje politike apo ideologji, nuk do të parapëlqehej. Kryeministri Noli i mbante sytë nga Lindja e Bashkimi Sovjetik, por nuk nguronte t’i kërkonte ndihmë Italisë e Mussolinit, madje duke i uruar që “të mbetej në pushtet për një kohë të gjatë për të mirën e dy Vëndeve tona”.
Është një këndvështrim i gjërave që ka qënë i pranishëm në shumë çaste dramatike të historisë sonë, por jo gjithmonë ka gjetur miratim nga historiografia, sidomos ajo e tetëdhjetë viteve të fundit. Ajo e ka mbushur skenën shqiptare me “tradhëtarë” e “armiq”, pa mbajtur parasysh se ata protagonistë të ngjarjeve e vendimeve kishin punuar vetëm për interesat e vërteta të Kombit, herë herë duke flijuar dhe vetëveten….
Raporti i markezit Durazzo, drejtuar Ministrisë së Jashtëme në personin e Kryeministrit Mussolini, që mbante edhe postin e Ministrit të Jashtëm, është një dokument me interes për të krijuar një ide, pak a shumë të qartë, mbi opinionin e diplomacisë italiane për gjëndjen politike në Shqipërinë e mbas revolucionit të qershorit 1924. Ai e përshkruan atë periudhë të shkurtër të “sprovës socialiste” me ngjyrat më të errta. Paraqet një Vënd të zhgënjyer në pak muaj qeverisje të elitës intelektuale të Shqipërisë, të përfaqësuar nga ekipi i Imzot Fan Nolit, që përballet me një gjëndje kushtetuese të paligjësuar nga grushti i Shtetit, me një “gjëndje kronike të dështimit të financave publike; me mosmarrëveshje të brëndëshme; me mungesa pothuajse absolute të njerëzve me përvojë dhe kompetentë në degët e ndryshme të administratave publike; me një rënie të mprehtë ekonomike, të nxitura nga varfëria e përhapur e nga pakënaqësia e gjallë”.
Në tërësi ky raport jep një radiografi të Vëndit tonë për atë periudhë. Autori i tij nuk është një dashamir i Vëndit tonë, por me gjuhën e tij të diplomatit vë theksin mbi një sërë mangësish e, në këtë drejtim, besoj se i bën një shërbim jo të keq studjuesve të historisë për të përimtuar e përcaktuar më mirë arsyet që çuan në dështimin e asaj sprove historike.
Nuk është e vështirë të zbulohet mes argumentimeve të tij prirja e përgjithëshme e politikës tradicionale italiane deri në ditët tona të një farë dyfaqësie, në të cilën hasen vështirësi të krijohet besim e të ketë siguri në qëndrimet, të cilat më shumë përcaktohen nga inrteresat e çastit të Vendit se sa nga parime të fuqishme e të ngulitura thellë në vetëdijen e kombit e të Shtetit.
Në arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane, në pakon nr. 731 jepet një listë emrash, ndërmjet të cilëve ishin edhe Luigj Gurakuqi e Mustafa Kruja, të cilët kanë lundruar atë natë me anijen ushtarake “Cesare Rossa RGL” në drejtim të portit të Barit n’Itali. Nuk shënohet vëndi i nisjes, por me gjasë duhet të ketë qënë Shëngjini. Ata emra janë:
Dervish Bej, Hasan Dani, Rakip Dani, Luigj Gurakuqi, Rexhep Shala, Hysni Curri, Ismail Haki Korça, Zija Prizreni, Halit Kastrati, Mustafa Maksuti, Sulejman Shkodra, Bejto Plava, Mehmet Plava, Idriz Sadiri, Muharrem Mitrovica, Riza Drini, Qazim Kruja, Mustafa Kruja, Caje Kruja me dy fëmijë, Vat Gjoni, Luigj Naraçi, Ahmet Kaiza, Llazar Nikolla, Llazar Marko, Dobuj Plava, Kristofor Popi.
Kapiteni i Fregatës
Komandanti
Carlo Alberto Mercalli
Ikjen e opozitës nga Shqipëria dhe zbarkimin e saj në tokën italiane, në muajt e parë të vitit 1925 e përimton mirë ish prefekti i Shkodrës, Mustafa Kruja, në një letër që i shkruan At Paulin Margjokajt më 25 maj 1950, në përgjigje të një pyetjeje të këtij të fundit, të datës 14 t’atij muaji. At Paulini i shkruante kështu bashkëbiseduesit krutan: “Më shkruani në letër se qysh më 1927 e njihshi maskën çlirim-nacjonale të fabrikueme në Moskë. Kishe me dashtë me dijtë mâ gjatë mbi këtê pikë….” Dhe ja përgjigja e Krujës:
“….Do me vapore do me barkë e me Fan S. Nolin e qeverín e tij në krye të gjithë na, kundështarët e athershëm t’Ahmet Zogut u zhbarkuem e u shpërndamë në 25-27 dhjetor në Brindizi e në Bari. Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup-se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e Opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924). Ky regjim qe nji kshtjell kartet nga mâ e dobta. Nji erë e lehtë, nji frymë vetëm, mjaftoi me e shêmbun. Kur erdh në fuqí i a hapi Mussolini dyert e i a shtroi udhën vetë për nji marrveshtje me kushte mâ të mira se ato qi pat pranue mâ vonë Zogu. Qeverij’e Fan Nolit nuk desht e nuk dijti me përfitue. Të kishte dashtun e dijtun, së jashtmi do t’a kishte sigurue veten qind për qind. Por Fan Noli desht me u marrë vesht me Rusín sovjetike, kjo çeli në Tiranë nji legatë me nji personel 40 vetësh. Tirana ishte kushtue me u bâmë qêndra e veprimtarís komuniste në Ballkan. Prandej nëse Zogu materjalisht pat vetëm përkrahjen jugosllave, politikisht e moralisht kishte gjithë Okcidentin për vete, me Anglín në krye.
Por makar, si u mujtëm, si u shkatrruem e thyem qafën në mërgim a i kuptuem, a i pamë, a i njohëm nemose gabimet e fajet t’ona qi na çuen n’atë hall? Asnji grimë! Të tana ato mizerje morale, të tanë nj’atë pandërgjegjësí politike kolektive – qi po na përsiell edhe sod e ka me na përsjell deri në vorr – i kishim marrë me vete e s’i lëshojshim, s’dojshim me i lëshue për së gjalli! E me gjithë këtê dojshim ende me besue, madje besojshim ngultas se mbrênda gjashtë muejve – mbasi kaqë kishte ngjatun regjim’ i ynë – Zogun do t’a hidhshim përsëri… E si?
Të tâna pushtetet kapitaliste qi kishin interesa direkte a indirekte në Shqipní i kishin shtŷmë me duert t’ona kah Zogu. E pa ndihmën e ndonjânit prej këtyne – këtê po e kuptojshim të gjithë – se s’mund të bâhej gja.”