Ata të dy…
Ata të dy, ishin të dashur dhe aktorë,
Të drithëronin zërat e tyre, simfoni,
Auditori në heshtje lotonte prajshëm,
Trandej skena nga Hamlet dhe Ofeli!…
Mes duartrokitjesh, ra Marrshi Funebër,
Ra dhe perdja e kuqe n’heshtjen prore.
Kërcitën takat shkallëve të mermerta,
Dhe ikën larg, skenave botërore!
Ajo, kthehet aty, pas shumë vitesh,
Gjurmëve, në atë skenë dramatike,
Gjithçka ka vdekur, si në një libret,
Kur luanin shfaqje – fantazmagorike…
Xhamava të teatrit prajshëm bije shi,
Akustika, përcjell në ind shijen mall!
Hije matan xhamit dhe ecje hapash,
Dhe gurgullimën e zërit të tij, kristal!…
————————————————–
Ç’natë groteske
Tutje shtyn fshesat e erës, vjeshta,
Oborrin nga gjethet, sikur e pastron,
Tundet në gardh një shami me hojna,
Si flamur i bardhë, sikur paqe kërkon.
Një degë arre më troket në xhame,
Zgjohem e trembur dritaren e hap,
Shoh vjeshtën nudo veshur nallane,
Çative, sokaqeve natës me vrap!
Rreth strehës stuhia shkulmat vërtit,
Aty sikur shfryn e derdh gjithë inatin,
Lotojnë qiejve e s’gjejnë rehat fletët,
Dhe tokën mbulojnë, si fletë kalendari!
I xhindosur lumi përmbyt vreshtat…
Merr para deg’ e fletë… kuturu,
Tutje pyllit e trembur struket vjeshta,
E mbytur në lot fshihet diku!
Ç’natë groteske, kjo natë e ujshme,
Kullojnë gjinjtë e qiejve nën astar,
Hëna si magjistrickë e padukshme,
Në degën lakuriqe të arrës u var!
——————————————————–
Vizitë surreale në Muzeun Picasso
E pash të dal’ me një penel nga korniza,
Natyrisht, Picasso s’mund t’rrinte aq gjatë,
Hodhi syt’ rrotull kryeveprave, dhe pa se;
Qeshnin e qanin, “Dora Maar” e tër’ gratë!
Druajtur e pyeta: – ç’janë këto lunatike, psh;
“Les Demoiselles d Avignon” me cepa ylli,
Këto shkaravina e kuba të çuditshëm?
E drejtë – më tha – s’bëj art për lisa pylli!
Iku, s’di ç’ngatërronte me të dashurat,
A, ndoshta i ndërtonte artit, tjetër shtrat!
Ai s’ishte, si të gjithë lumenjtë e rrëmbyer,
Që dalin nga shtrati e kthehen atje prap’!
Për të gjthçka ish relative, përveç relatives!
Jeta e dikurshme boheme, i ndrinte syve.
Ai s’ishe as matematikan, as filozof,
Por ishe një gjeni, përzierje e të dyve!
E pash tek ecte i lirë, me pëllumb në sup,
Tek kaloi rrugën, po jo në vijat e bardha,
Hapat e tij marroke kapërcyen kohët,
Dhe mbetën penelata risish të arta!
Ai, ia rrëmbeu kohës, trofeun e lavdisë,
Rebeluar kaloi kufirin, pa vul’ të doganës,
Dhe iu ngjit majës së malit Everest,
Në gjunjë nguli flamurin e Spanjës!