![](https://gazetadielli.com/wp-content/uploads/2025/02/476982651_1046187907549731_921356894218932581_n.jpg)
Prof. Shefkije Islamaj/
FJALORI LATINISHT – SHQIP I FRANG BARDHIT
Fjalor i madh apo fjalor i vogël?
(Shkrim i botuar në veprën “Frang Bardhi – 400 vjetori i lindjes”, përmbledhje punimesh nga Sesioni shkencor i mbajtur në Institutin Albanologjik më 23 nëntor 2006, botuar më 2007 dhe në veprën: Shefkije Islamaj “Gjuha dhe identiteti”, Toena, Tiranë 2008, f.155.)
Për historinë e kulturës shqiptare, për historinë e shqipes së shkruar, për historinë e leksikografisë shqipe, vepra gjuhësore e fetare e zadrimorit, Frang Bardhi, përbën një ndihmesë me rëndësi të madhe për gjuhësinë shqiptare, që i ka siguruar autorit pavdekësinë. Leximi dhe rileximi i veprës së tij provon se çdo gur që hidhet në ndërtesën e kulturës shqiptare mbetet aty, i palëkundshëm, për të vërtetuar më shumë se vetëm vijimësinë e kësaj kulture nëpër kohë.
Frang Bardhi është autori i fjalorit të parë në historinë e
leksikografisë shqipe, i Fjalorit latinisht-shqip (1635), vepër e rëndësishme e gjuhësisë shqiptare, autori i “Apologjisë” për Skënderbeun (1636), polemikë kjo në mbrojtje të prejardhjes së Skënderbeut, vepër e rëndësishme për letërsinë shqiptare dhe autori i disa relacioneve dërguar autoriteteve fetare në Vatikan – të gjitha këto dokumente me rëndësi të konsiderueshme historike.
Vepra kryesore e tij konsiderohet Fjalori.
Fjalori latinisht-shqip i Frang Bardhit, siç dihet, u botua më 1635 në Romë nga Propaganda Fide. Fjalori doli si fryt i klimës së krijuar nga Reforma Protestante në Evropë, e cila, kishte nxitur e kishte gjallëruar zhvillimin e shumë gjuhëve e traditave letrare vendase të shumë popujve të Evropës, rrjedhimisht kishte nxitur
edhe shfaqjen e librave fetarë shqip. E gjithë veprimtaria e shekujve XVI, XVII duhet të shihet si rrjedhojë e kësaj reforme.
Studimet e bëra për veprën e Frang Bardhit kanë hedhur dritë në shumë anë të saj, megjithatë gjithmonë mbetet diçka e pathënë. Në këtë shkrim të shkurtër do të vështrohet edhe njëherë Fjalori i Frang Bardhit – fjalor i vogël me vëllimin, por i madh me kuptimin, i madh në nismën e leksikografisë shqipe, deri atëherë me vetëm një listë fjalësh të udhëtarit Arnold Von Harfi (1496) dhe një listë fjalësh shqip-italisht të Pjetër Mazrekut (1633), dy
vjet para se të botohej Fjalori i Bardhit. Vështrimi ka për qëllim të shtrojë çështjen nëse fjalori mund të konsiderohet i madh apo i vogël gjithnjë në raport me kohën e rrethanat kur u hartua ai.
Fjalori ka 240 faqe, përmban afro 5000 njësi në gjuhën latine dhe 2500, më saktësisht 2492 fjalë shqipe, prej të cilave, sipas studiuesve të gjuhës së tij, 1300 janë fjalë autoktone, dhe është fjalori i parë në gjuhësinë e në leksikografinë shqipe. Leksiku i fjalorit është kryesisht leksiku i gjuhës kishtare, ndërsa përkatësia dialektore është gegërishtja me afri të konsiderueshme me shkodranishten. Fjalori ka këtë strukturë: Kushtesa në gjuhënlatine, Parathënia shqip, Vlerësimi i Markus Skurës në latinisht, Leja për botim në latinisht, Alfabeti i gjuhës shqipe, Katër poezi kushtuese të klerikëve bashkëkohës, në latinishte, Fjalori dhe Shtojca. Fjalori ka përcaktuesin latinisht-shqip, por shpjegimet brenda tij jepen edhe në italisht e turqisht, ndonjëherë edhe në sllavisht. Kjo dëshmon se autori kishte përgatitje të formuar gjuhësore e profesionale të nevojshme për hartimin e fjalorit.
Fjalori nuk ka karakter shpjegues, megjithëse jo rrallë hetohet një përpjekje për shpjegime, kryesisht, të shkurtra. Kështu krahas leksemave jepen edhe përdorimi i tyre me togfjalësha. Fjalori përmban edhe një shtojcë me lëndë gjuhësore: emra të të dy gjinive, emra farefisnie, emërvende qytetesh e kështjellash kryesore të Shqipërisë, parafjalë, pasthirrma, mënyra
përshëndetjeje, proverba dhe tekste të tjera gjuhësore.
Fjalori është shkruar me alfabet latin.
Në vija të trasha ky është fjalori që mban përcaktorin e të parit fjalor në gjuhësinë shqiptare dhe e gjejmë pothuajse në çdo tekst shkollor tonin.
Numri i studiuesve që do të shkruajnë për Fjalorin latinisht-shqip të Frang Bardhit nuk është i vogël. Studimi i fjalorit nis me parathënien e hollë paraqitëse të Mario Rokut, për të vazhduar me studimin e Gaetano Petrotës në gjuhën italiane, pason me
studimet e Injaz Zamputit, Aleksandër Xhuvanit, Eqrem Çabejt, Kolë Kamsit, Kolë Ashtës, Pashko Gecit, Justin Rrotës, Xhevat Lloshit, për t’u plotësuar edhe me shkrimet shkencore e shkollore të Dhimitër Shuteriqit, me studimet e Mahir Domit, Shaban Demirajt, Idriz Ajetit, Besim Bokshit, Rexhep Ismajlit, Seit
Mansakut, Anila Omarit, Bardhyl Demirajt, Ragip Mulakut, e të autorëve të tjerë. Edhe autorë të huaj si rumuni Demetre Macrea, pastaj Ksilanderi, Franc Bopi, Gustav Majeri, Robert Elsie do të shprehin mendime e qëndrime të vlefshme për fjalorin. Në këtë vazhdë vlen të përmendet edhe studiuesi i palodhshëm Kolë Ashta për botimin e leksikut historik të shkrimtarëve të vjetër në disa vëllime, përshirë këtu edhe leksikun e Bardhit të botuar në vëllimin III. (1)
Punë të vlefshme në studimin e veprës së Frang Bardhit e konsideroj së fundi veprën Frang Bardhi dhe relacionet e tij të Tonin Çobanit (2) dhe përkthimin në anglishte të relacionit të tretë të Frang Bardhit nga Robert Elsie “Mbi Zadrimën dhe zadrimorët”
(“A description of Zadrima, 1641”). (3)
Studimet e bëra jo vetëm për Frang Bardhin, po në përgjithësi studimet për shkrimtarët e vjetër, duke pasur parasysh në radhë të parë studimet e Eqrem Çabejt, por gjithsesi edhe studimet e tjera të studiuesve shqiptarë e të huaj, kanë krijuar një bazë
mbështetëse të qëndrueshme që studimet për autorë e vepra të veçanta të traditës së hershme shkrimore të shqipes të thellohen edhe më tej. Për studimin e Fjalorit të Frang Bardhit një ndihmesë të çmueshme na sjell Leksiku i Frang Bardhit i Kolë Ashtës, sepse me të shtohen mundësitë që këtij fjalori t’i bëhen edhe studime të tjera kritike çfarë i ofron e i meriton ai. Vepra e Frang Bardhit edhe më tej pret syrin e mprehtë të studiuesit gjuhëtar dhe jo vetëm të atij, sepse vazhdojmë të mos kemi një studim të plotë të
gjuhës së tij me kritere të rrepta tekstologjike shkencore ndonëse janë për t’u vlerësuar shumë edhe studimet e bëra deri sot për të.
Fjalori i Frang Bardhit duhet të vazhdojë të studiohet nga ana historiko-kulturore, sepse vepra e tij nuk kreu vetëm misionin e tij pragmatik, duhet të vazhdojë të studiohet edhe nga ana gjuhësore, sepse ofron këndvështrime më të gjera se ç’na paraqiten deri sot në studimet tona bardhiane. Leximi historiko-kulturor i Fjalorit të Bardhit nuk duhet të ketë përqendrime vetëm në planin gjuhësor-historik, por duhet të shihet edhe në ballafaqimet, konfrontimet dhe krahasimet me lëvizjet e mëdha historike evropiane, duke mos u konsideruar i shkëputur prej tyre, as edhe vetëm si pikë referimi historik për studimet filologjike të autorëve të tjerë të mëvonshëm, ndërsa studimet gjuhësore duhet
të drejtohen kah analiza më të holla intertekstuale. Vetëm kështu mund të nxirren përfundime të plota, të drejta dhe me vlerë për autorin dhe veprën e tij dhe për historinë e gjuhës dhe historinë e letërsisë shqipe.
Me gjithë studimet e bëra vazhdon të mbetet dilema nëse Fjalori i Frang Bardhit është i madh apo i vogël, natyrisht i vështruar në raport me kohën. Studiuesit e Fjalorit të Frang Bardhit, historianë të gjuhës e leksikografë, vazhdojnë të shprehin mendime të
ndryshme. Disa e quajnë fjalor të madh e të pasur për kohën, megjithatë të shumtët mendojnë se fjalori është modest.
Lejohem të them se Fjalori i Frang Bardhit është më modest se ç’e lejonin kushtet brenda e jashtëgjuhësore të shqipes së shekullit XVI. Është i tillë sidomos nëse vështrohet i ballafaquar
me zhvillimet leksiko-grafike të kohës, nëse kihet parasysh përgatitja e mirë e supozuar intelektuale e autorit dhe mundësitë që do të mund t’ia ofronte shqipja e kohës së tij.
Tumir mendimin e atyre studiuesve që mendojnë se Fjalori i Frang Bardhit është një fjalor i vogël dhe modest edhe në raport me kohën e rrethanat kur u botua, edhe në raport me tregues të tjerë që na shpërfaqen duke e parë më gjerë çështjen. Por, është e vërtetë, po kështu, se Fjalori i Frang Bardhit del më i mirë se thuaja të gjithë fjalorët e leksikografisë shqipe të botuar përkëtej deri në gjysmën e shekullit XIX, duke filluar prej “Fjalorit shqip-italisht” të Nilo Katalanos të vitit 1694, që ruhet në bibliotekën Det Konligen të Kopenhagës, Fjalorit, po kështu, italisht-shqip, të Da Leçes të vitit 1702, që ruhet në Arkivin e Propagandës Fide, Fjalorit të Nikollë Ketës të vitit 1763, Fjalorit greqisht-arumanisht-shqip të Teodor Kavaliotit e deri te Fjalori shqip-gjermanisht dhe gjermanisht-shqip i Hanit i vitit 1854 (4), por larg nga fjalorët dy e më shumë gjuhësh të hartuar e të botuar asokohe në gjuhë të tjera.
Pse e them kështu?
Them kështu në radhë të parë për arsyen se në shek. XVI e XVII, nën ndikimin e reformave të Martin Luterit, janë botuar një numër i madh fjalorësh në gjuhë të ndryshme, t’i quajmë kushtimisht gjuhë të mëdha e të vogla, ose fjalorë të gjuhës latine përballë gjuhëve të tjera, për arsyet e motivet që janë botuar edhe
në shqipen veprat e Gjon Buzukut, të Lekë Matrangës, të Pjetër Budit, të Frang Bardhit e të Pjetër Bogdanit. Shumica e fjalorëve të botuar asokohe janë dukshëm më të pasur në përmbajtje, në makrostrukturën e në mikro-strukturën e tyre. Duke ndjekur më shumë kureshtjen për ilustrim po përmendim se sipas
Enciklopedisë së gjuhës të Dejvid Kristëll në vitin 1499 është botuar Fjalori latinisht-anglisht i Riçard Pinsonit, në vitin 1539 i Robert Etjenit frëngjisht-latinisht, që të dy këta fjalorë dukshëm më të mëdhenj se fjalori që po e shfletojmë, ndërkaq në vitin 1606 francezët tashmë kishin fjalorin e parë sistematik të gjuhës të Zhan
Niko-s me titullin “Thresor de la langue francoyse” e holandezët fjalorin e madh të gjuhës të autorëve Kovarubijas dhe Orostos që më 1511.(5) Mund të mendohet se kjo është fare e natyrshme, sepse këto gjuhë edhe asokohe ishin gjuhë të kulturave të zhvilluara.
Prandaj po sjell një fjalor tjetër të një gjuhe me shumë më pak folës dhe të një kulture me një zhvillim më modest në raport me gjuhët në fjalë – Fjalorin latinisht-sllavisht të kroatit Jakov Mikal, të quajtur “Blago jezika slovinskog”, botuar më 1651, 16 vjet pas botimit të fjalorit të Frang Bardhit. (6) Fjalori ka 864 faqe e 25.000 zëra, d.m.th. katër herë më shumë zëra se Fjalori i Frang Bardhit.
Por, natyrisht mund të gjenden edhe fjalorë të tjerë dygjuhësh me vëllim sa ose përafërsisht sa fjalori i Bardhit, siç është fjala vjen Fjalori gjermanisht-latinisht i Wörter Büchlein-it, i shtypur në vitin 1722 me 6000 zëra.
Argumentet që jepen në të shumtën e herës si këto në vijim se – fjalori ka karakter thjesht praktik, se fjalori i destinohet një përdorimi të veçantë të gjuhës dhe një shtrese të caktuar përdoruesish, se harresa eventuale e gjuhës shqipe nga ana e Frang Bardhit për shtatë vjet mungese nga vendi, se mosnjohja e shkrimeve të tjera të kohës nga ana e Bardhit, më në fund edhe mungesa e fjalorëve të tjerë në shqipen, mund të kenë luajtur rol në numrin përgjysmë më të vogël të zërave shqip nga ata të gjuhës latine – duhet të merren me rezervë.
E para, nuk duhet të harrojmë se fjalorët në fillimet e tyre kanë pasur kryekëput qëllim praktik. Jo rastësisht të gjithë fjalorët e parë ose kanë qenë lista fjalësh të dy a më shumë gjuhëve, fjalorë dy a më shumë gjuhësh, ose fjalorë shpjegues të fjalëve të
panjohura siç ka qenë, fjala vjen, fjalori i Protagorës, i shekullit V p. e. së re me fjalë të panjohura nga poemat e Homerit. Fjalori i parë i shtypur dygjuhësh mban datën 1499 dhe është fjalor italisht-latinisht i botuar në Venecia. Karakter të tillë praktik dhe destinim për përdorues të kufizuar kanë shumica e fjalorëve të
botuar në kohën e Frang Bardhit.
Studimet e Eqrem Çabejt e të tjerëve pranë tij, dëshmojnë se shqipja e viteve të Frang Bardhit, ashtu si edhe e gjithë shekujve dëshmues të shkrimit të shqipes duhet të ketë qenë shumë më e
pasur se ç’na del në Fjalorin e Frang Bardhit e në veprat e tjera të para e të pasrendësve të tij. Kolë Ashta na sjell pasqyrën e fjalorit të autorëve tanë prijatarë dhe në këtë pasqyrë na del se “Meshari” i Gjon Buzukut përmban 2127 fjalë, vepra e Lekë Matrangës 532 fjalë, veprat e Pjetër Budit – 2216, Fjalori i Bardhit – 2492 fjalë, ndërkaq “Çeta e profetëve” 2720 fjalë. (7) Siç vërehet, rritja e leksikut
prej autorit në autor është tepër e papërfillshme, ndërkaq largesa kohore prej vitit 1555 deri te fundi i shekullit XVII, kur botohen veprat e Bogdanit është relativisht e madhe – afro 150 vjet, kohë e mjaftueshme që të shënonte megjithatë një zhvillim e pasurim të leksikut të shqipes. Diferenca prej vetëm 200 fjalëve qëndron midis Frang Bardhit e Pjetër Bogdanit në të mirë të këtij të fundit.
Duke e ditur faktin se Frang Bardhi ka njohur katër gjuhë që dalin në fjalor, duke i parë relacionet e tij që ka dërguar në drejtim të Vatikanit dhe, sidomos, duke e parë erudicionin e zhdërvjelltësinë e tij gjuhësore e shprehëse në Apologjinë për Skënderbeun, s’ka si të mos na shkojë mendja se fjalori është
hartuar me ngut e me pretendime të ngushta. Edhe vetë autori me keqardhje thekson në parathënien se “duke pasur ditë e përditë, e duke sjellë ndërmend të dashurit e mi, mbasi hyra në
kolegj, se me çfarë libri do të ndihmoja, në njërën anë gjuhë tonë, që po humbet e që po bastardhohet sa më tepër që po kalon koha,
por edhe më fort për t’iu ndihmuar gjithë atyre që janë nën urdhrin e Zotit e të shenjtes kishë katolike, e s’dinë gjuhën latine, … m’u duk fort mirë të marr e të përkthej nga gjuha latine në gjuhën shqipe një fjalor, i cili s’është gjë tjetër, veçse një libër që ka në vete disa fjalë e emra që gjinden në këtë pjesë të botës..”. Frang Bardhi e thotë qartë se me këtë fjalor nuk ka pasur pretendime të përfshijë, natyrisht me mundësitë që ka pasur, pasurinë leksikore të shqipes së asaj kohe,
se hartimi i tij ka pasur për qëllim vetëm “të ndihmoja, në njërën anë gjuhën tonë” dhe “gjithë atyre që janë nën urdhrin e Zotit e të shenjtës kishë katolike, e s’dinë gjuhën latine”.
“Kur e përktheva m’u duk i vogël” e thotë Frang Bardhi, ashtu siç ishte në të vërtetë, dhe siç e dinte edhe vetë ai mirë. Edhe vetë mosribotimi i tij në të gjallë të tij, me gjithë kërkesat që dëshmohen, e provon këtë, ashtu siç mund ta dëshmojë të kundërtën, ndoshta jeta e shkurtër e Frang Bardhit tonë të madh
për ta pasuruar e për ta përsosur atë. Ai kishte mundësi e përgatitje intelektuale, sigurisht edhe gjuhësore, për një ndërmarrje më serioze leksikografike, por historia njerëzore shpesh shkon në vijën që nuk dëshirohet duke sjellë dëme edhe jashtë saj – në jetën shoqërore të kombit.
Vazhdon të mbetet pyetja – nëse, vërtet, të ketë qenë shqipja aq modeste sa duket në fjalorin e Frang Bardhit e në veprat e prijatarëve tanë?
Mund të nxirret një përfundim hipotetik, nëse nuk merren parasysh faktorë të tjerë jashtëgjuhësorë – se varfëria në sasi e leksikut në fjalorin e Frang Bardhit, ashtu si përgjithësisht në shkrimet tona të shekujve XVI, e XVII, është paracaktuar nga karakteri dhe qëllimi i shkrimeve.
Edhe latinishtja në fjalor na del e rrudhur. Fjalori i tij latinisht-shqip dhe Apologjia për Skënderbeun provojnë se Bardhi ka njohur mirë gjuhën italiane dhe sigurisht edhe latinishten. Mund të lidhet edhe ky fakt me qëllimin a destinimin e fjalorit?
A ka pasur Frang Bardhi gjedhe leksikografike për fjalorin e tij? Sigurisht se ai ka njohur shumë të tillë, por sipas asaj që dimë dhe që na ofron Dhimitër Shuteriqi, autori ynë ka pasur një pikëmbështetje. Sipas tij, te Bartolome Zaneti, në Romë më 1622, u shtyp një “Fjalor italisht-greqishte e re”, vepër e Gjirolamo Germanosit, për nevojat e misionarëve të Vatikanit në ishujt e Greqisë. Autori është italian. Shuteriqi në “Shkrimet e vjetra shqipe në vitet 1332-1850” nuk sjell numrin e fjalëve që ka ky fjalor dhe as shënime të tjera për të parë se cilat janë ngjashmëritë midis këtyre fjalorëve. Ndërkaq, Engjëll Sedaj në parathënien e Fjalorit të Frang Bardhit, lë mundësinë që Frang Bardhi së pari duhet ta ketë pasur si pikëmbështetje Fjalorin pesëgjuhësh (latinisht-italisht-gjermanisht-dalmatish-hungarisht (“Dictionarium quinque nobilissimarum Europae linguarum, Latinae, Italicae, Germanicae, Dalmaticae et Ungaricae” Veneci 1595), të prijësit të leksikografisë kroate, Faust Vrançiq (1551-1617), për faktin se tri nga gjuhët e këtij fjalori i ka njohur edhe Frang Bardhi. (
Kjo nuk do të thotë se Bardhi nuk ka njohur edhe fjalorë të tjerë të ngjashëm, botime të kohës. Duke jetuar në Romë, kjo ka qenë shumë e mundshme. Të kujtojmë se “Historia e Skënderbeut” e Marin Barletit vetëm gjatë shekullit XVI njeh përkthime në shumë gjuhë. Rrethanat shoqërore e ekonomike nuk dalin pengesë për përhapjen e librit aq sa e kujtojmë ne. Rrethanat në tokat shqiptare sigurisht kanë qenë krejtësisht të tjera, ndryshe nuk mund të arsyetohej gjendja që na del në shumë fusha të jetës, rrjedhimisht edhe në hartimin dhe botimin e librit shqip.
Edhe fakti i sjellë në studimet tona se Frang Bardhi me gjasë nuk i ka njohur shkrimet e parakohës së tij dhe të kohës së tij, ose, më në fund, edhe ekzistencën e ndonjë vepre tjetër që mund të zbulohet ndërkohë, mund të jenë argument i qëndrueshëm arsyetues, por në ç’masë – kjo është një çështje që vetëm mund të paragjykohet.
Vështirësitë për t’u njohur puna e tjetrit në trojet shqiptare të asaj kohe shpjegohen edhe me faktin se Fjalorin e Frang Bardhin nuk e përmend Pjetër Bogdani, nuk dihet nëse e ka njohur, ndonëse gjithnjë sipas Shuteriqit, fjalorin e Frang Bardhit e kanë njohur P.M. Parrino (“Sciambra, Lettere di De Rada” (12) dhe
Evstrat Vithkuqari, por nuk e dimë nëse edhe jashtë Shqipërisë, hiq Ballkanin, të ketë qenë një situatë e këtillë. (9)
Siç e thashë më lart, përkthimi i “Historisë së Skënderbeut” të Marin Barletit në shumë gjuhë përgjatë shekullit të tij na çon në përfundime të
tjera.
Numri i vogël i autorëve, shkrimet e të cilëve mbajnë vulën e shekullit XVII, mungesa e shkrimeve të tjera të kësaj kohe, të përmasave të këtilla ose të ngjashme, më në fund edhe mungesa e fjalorëve të tjerë të kësaj kohe, japin një përcaktim tjetër për këtë vepër, si rrjedhojë e kësaj edhe mundësia fare e vogël e
identifikimit të një norme gjuhësore të atëhershme, për çka vështirësohet shumë përcaktimi i saktë i gjuhës së Fjalorit – nëse dhe sa i shmanget ajo ligjërimit gjuhësor të kohës, në të vërtetë normës gjuhësore. Kjo vështirësi nuk i lë pa të meta studimet për gjuhën e Frang Bardhit, ashtu si edhe për shkrimtarët e tjerë të
traditës sonë të hershme shkrimore.
Mund të nxjerrim përfundimin se fjalori si çdo fjalor tjetër me karakter thjesht praktik dygjuhësh është një fjalor pa pretendime të mëdha. Kjo nuk përjashton mundësinë që ai të ketë edhe karakterin e një fjalori normativ për kohën. Në fjalor ana krijuese e autorit është privuar shumë, madje mund të thuhet se del mjaft e thjeshtëzuar, por ky konstatim nuk na lejon të sjellim gjykimin @për përgatitjen kulturore, gjuhësore të autorit, sepse ‘Apologjia” e tij për Skënderbeun do të sjellë para nesh një autor shumë elokuent, një autor erudit dhe një autor me ndjenjë e shije të hollë gjuhësore e estetike – e kanë çmuar të tillë studiuesit e veprës së tij, njohës të mirë të latinishtes.
Pavarësisht nga sa u tha, Fjalori i Frang Bardhit, me gjithë përcaktorin fjalor i vogël, me gjithë leksikun e kufizuar që përmban, për kuptimin që ka për leksikografinë shqipe mund të quhet fjalor i madh ose fillim i madh. Pavarësisht se fjalori del modest nga ana gjuhësore, fjalori provon se shqipja e shekulli 17-të
kishte arritur një shkallë zhvillimi, siç e paragjykojnë edhe studimet tona historike-gjuhësore, që ia mundësonte asaj edhe përdorimin jashtë atij përdorimit privat, përdorimin e saj si gjuhë kulture, si gjuhë libri – provë kjo e dëshmuar edhe te Gjon Buzuku e te Pjetër Budi, e dukshëm më shumë te Pjetër Bogdani.
Fjalori provon se këto 2492 fjalët që na sjell Frang Bardhi me këtë fjalor kanë rëndësi të madhe sot për historinë e gjuhës shqipe, për ndërtimin e shqipes historike; kanë rëndësi sepse dëshmojnë
dukuri fonetike të përgjithshme e të veçanta, dukuri morfologjike konservatore dhe risi në përvijimin e leksikut prej autorit në autor, veçori të fjalëformimit të shqipes dhe në këtë rrafsh janë bërë dhe mund të bëhen edhe më tej studime që do të ndriçonin probleme të shumta nga historia e shqipes me refleksione edhe për shqipen e sotme. Hetimi dhe zbulimi i strukturave konservatore gjuhësore të fjalorit, që nuk i janë përshtatur mekanizmave natyrorë dhe zhvillimit gjuhësor të shqipes, mbeten tash për tash kërkimet më frytdhënëse në këtë drejtim, ashtu siç mbeten të rëndësishme edhe hetimi i strukturave të lëvizshme tekstuale që janë zhvilluar në raport me vetë zhvillimin e gjuhës, edhe krahasimi me tekstet e botuara, rrjedhimisht edhe me fjalorët e botuar në gjuhën latine dhe në gjuhë të tjera, jo vetëm në atë kohë, por edhe më vonë.
Fjalori i Frang Bardhit, prandaj, duhet të shihet edhe më tej si dokument historik-gjuhësor, por edhe si monument. Fjalori është hartuar e botuar jo për të mbetur dokument, por për të kryer një funksion, ashtu siç kryen funksion çdo vepër e botuar.
Në këtë vështrim mbetet pa u thënë se Fjalori i Frang Bardhit, ashtu si përgjithësisht veprat e shkrimtarëve tanë të traditës, janë shkruar të nxitura nga dashuria për vlerat kombëtare–identitetin e gjuhën; nga vetëdija për rrezikun që i kanosej gjuhës në rrethanat e krijuara pas pushtimit osman; nga përgjegjësia intelektuale dhe, natyrisht, nga nxitja për të ruajtur identitetin fetar.
Fusnotat:
1. Kolë Ashta, “Leksiku historik i gjuhës shqipe”, III, Shkodër 2002.
2. Tonin Çobani, “Frang Bardhi dhe relacionet e tij”, Shkodër 2006.
3. Robert Elsie, “Mbi Zadrimën dhe zadrimorët” (“A description of Zadrima,
1641”), shih në internet: www.albanianhistory.net/texts/AH1641.html – 64k.
4. Të dhënat për këta fjalorë janë nxjerrë nga “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850” të Dhimitër Shuteriqit, Prishtinë 1978.
5. Dejvid Kristal, “Kembrička enciklopedija jezika”, Nolit, Beograd 1997, f. 108.
6. Jakov Mikal, “Blago jezika slovinskog”, 1651, sipas “Zbornik”, Matica
Hrvatska, Zagreb 2002.
7. Tomor Osmani, “Leksiku i autorëve të vjetër – mbështetje për fjalorin
historik të gjuhës shqipe”, në “Leksikografia shqipe, trashëgimi dhe perspektivë”,
Tiranë 2005, f. 282.
8. Fjalori i Frang Bardhit, Prishtinë 1983.
9. Dhimitër Shuteriqi, “Shkrimet shqipe në vitet 1332-1850” Prishtinë 1978, f. 69.