Nga Sulejman GJANA/
Në fund të LDB, sllavo-komunizmi rrëmbeu pushtetin nëpërmjet një lufte asgjësuese të çdo elementi nacionalist dhe atdhetar në vend.Për të legjitimuar pushtetin e tyre, komunistët organizuan më 2 Dhjetor 1945 një maskaradë duke përdhosur fjalën “zgjedhje” ku votuesit u gjenden përballë 2 kutive ku do të mund të hidhnin “kokrrën” (votën): njëra e zbukuruar dhe veshur brenda e jashtë me kadife e ornamente për qejfin e syrit të kastës së re politike, e quajtur “Fronti” ; tjetra, prej teneqeje ku kokrra e hedhur brenda nga kundërshtarët do të bënte zhurmën e mjaftueshme për të tërhequr vëmendjen e teneqexhinjve të pushtetit të ri me pasoja fatale (…), e quajtur “Boshja”.Në këto kushte, kuptohet se “Boshja” ngeli bosh në shumë Lokalitete të vendit. Në shumë të tjera, ajo zhurmonte… por boshatisej gjatë “numërimit” të kokrrave (votave) me pëlqimin e miratimin edhe të kryetarëve e sekretarëve të demek-komisioneve të votimit.
Në Derjan të Matit ndodhi një çudi: “Boshja” u mbush plot dhe “Fronti” ngeli bosh, ndërsa kryetari dhe sekretari i komisionit refuzuan të përkulen para presioneve të teneqexhinjve dhe konfirmuan me proces-verbal votimin kundër komunistëve dhe në favor të Legalitetit.
Natyrisht, nuk kishte si të ndodhte ndryshe!
Derjani ishte një vatër e kahershme e nacionalizmit shqiptar dhe numëronte në radhët e veta ndër familjet më besnike të Mbretit dhe Legalitetit, si ato të Deputetit Abdirrahman Mati (Lalë Krosi) dhe të Destan Prenit.
Pas goditjes që derjanasit i dhanë Frontit, filluan reprezaljet me masakra dhe persekutime. Të parët që e pësuan ishin Kryetari dhe Sekretari i komisionit, të ndjerët Bilal Xhetani që vdiç nga torturat në burg dhe Hysen Preni. Gjithsej, mbi 10 burra (1 ose 2 ndër shtëpiat më të mira të Derjanit) e paguan me jetë veprimin e tyre patriotik ndërsa numërohen qindra vite burgime, internime e diskriminime për mbarë Derjanasit antikomunistë.
Në këtë vit jubile të 70-vjetorit të aktit heroik të derjanasve, më 2 Dhjetor 2015, nën kujdesin e Bashkisë Burrel dhe të komisionit organizativ, u mbajt një ceremoni përkujtimore bash në Derjan ku edhe u përurua një Memorial që do të ngrihet së shpejti nga Bashkia Burrel.
LTM Princi Leka II ishte pa dyshim personaliteti më i lartë në atë takim. Asnjë personalitet i nivelit parlamentar apo qeveritar nuk mori pjesë. Është e vërtetë se Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë janë larg Derjanit…!
Pata nderin të jem i ftuar nga Kryetari i Bashkisë Burrel, z. Nezir Rizvani, një njeri fisnik që e kam njohur kohët e fundit, që flet pak e sak dhe tek i cili edhe heshtja e vet flet shumë. Gjej rastin ta uroj edhe njëherë këtu për zgjedhjen e merituar në krye të Bashkisë Burrel.
Gjatë fjalës time përshëndetëse në atë takim, nuk bëra histori por u ndala në aktin shembullor të vetëflijimit e vetëmohimit të derjanasve për vlerat e lirisë, për familjet e fëmijët e tyre, tokat dhe pasuritë e tyre, besimet dhe bindjet e tyre, kombin dhe atdheun e tyre, për gjithçka që po rrezikohej nga komunistët dhe theksova se akti i derjanasve 70 vite më parë, duhet të frymëzojë edhe sot çdo shqiptar.
Gjatë fjalës time, dëgjova pas shpine një gojë që i thoshte një veshi: “tash do të na bëjë politikë ky”. I sprovuar me ndërhyrje të ndryshme gjatë ligjëratave të mia në një jetë tjetër, nuk më bëri përshtypje ajo ndërhyrje aq më tepër sepse e dija se nuk po bëja politikë dhe sepse kisha vendosur të përdor vetëm një herë fjalën Legalitet gjatë përshëndetjes time.
Por, mendësia që përfaqëson ajo shprehje, më bëri dhe vazhdon të më bëjë shumë përshtypje!
Edhe pse i gjithë Derjani, Mati dhe Shqipëria e dinë mirë se derjanasit më 2 Dhjetor 1945 votuan me shumicë dërrmuese për Mbretin e Legalitetin, në banderolën që mbulonte memorialin që po ndërtohet dhe në pllakën përkujtimore shënohej “martirëve të legalizmit…” dhe “…mbrojtën me votë legalizmin…”, dhe unë nuk shpreha asnjë qejfmbetje për këtë gabim të qëllimshëm dhe me ngjyresa politike të organizatorëve pasi mendoj se Derjani dhe Mati i kuptojnë vetë hilet dhe mashtrimet dhe, në fund të fundit, vullnetin e tyre e respektoj. Përkundrazi, qesha kur lexova atë shënim sepse mendova se komisioni organizativ “apolitik” mund të kishte qenë i dyzuar ndërmjet fjalëve “legalizmit” dhe “legalizimit”…
Për mendimit tim, është e papranueshme për derjanasit, matjanet dhe të gjithë shqiptarët që të bëhen përpjekje të qëllimta për të zhdukur edhe emrin Legalitet duke mohuar ose përvetësuar sakrificat e atyre që u flijuan për kauzat legaliste.
Kam mësuar se në besimet monoteiste mynafiku merr dënimin më të rëndë të mundshëm në boten e përjetshme! Me sa duket kjo vërtetohet edhe në këtë dynja…
Ata që përpiqen të përvetësojnë kauzat legaliste për qëllime thjesht politike kur kauzat e tyre i kanë humbur gjatë 25 viteve të fundit, mos të mendojnë se populli është injorant dhe mashtrohet pafundësisht.
Unë i këshilloj miqësisht ata që i kanë humbur kauzat e tyre, që të shkojnë e ti gjejnë tek Varrezat e Dëshmorëve në Tiranë.
Ne legalistët i gjejmë tek varrezat e Derjanit, Matit dhe gjithë Shqipërisë ku nuk ka shteruar akoma gjaku i nacionalistëve dhe atdhetarëve legalistë e antikomunistë shqiptarë.
Shënim: Pas ceremonisë përkujtimore në Derjan bashkë me LTM Princin Leka II zhvilluam vizita në familjen e vëllait të Major Qazim Prenit, z. Selman Preni, dhe të nipit të Deputetit Abdirrahman Mati, z. Baftjar Rizvani, ku përveç ngrohtësisë që na krijuan këto vizita familjare, u njohëm edhe me vuajtjet në pushkatime, burgime dhe internime të këtyre familjeve zogiste dhe legaliste gjatë gjithë periudhës së diktaturës komuniste.