BE-Kosovës: Liberalizimi, kur të plotësohen kriteret/
Bruksel-Gazeta DIELLI/Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, pas takimit me Përfaqësuesen për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Frederica Mogherini, ka takuar sot në Bruksel edhe Komisionierin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Johannes Hahn me të cilin ka diskutuar për raportet Kosovë-BE, liberalizimin e vizave dhe veçmas për zbatimin e MSA-së.Pas takimit, Hoxhaj ka thënë ta ketë informuar Komisionerin Hahn për zhvillimet politike në Kosovë dhe angazhimin e qeveirsë së Kosovës në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit pas hyrjes në fuqi të saj.Sipas Hoxhajt, BE-ja edhe më tej është aspirata e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe liderët e zgjedhur të saj do të bëjnë çmos që të punojnë për të arritur këtë.“Gjatë ditës së sotme kam takuar Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Mogherini dhe Komisionierin për Zgjerim, Hahn. Me të dy kam diskutuar për tema të rëndësishme, por fokusi kryesor ka qenë në dy procese të mëdha. Së pari, sa i takon të ardhmes evropiane ku ne presim gjatë muajit tetor të mbahet Këshilli i Stabilizim Asocimit BE-Kosovë, që do të jetë një hap i parë i rëndësishëm i zbatimit të marrëdhënies kontraktuale të Kosovës me BE-në. Dhe së dyti, kemi biseduar që BE-ja, Mogherini dhe Hahn të bëjnë presion mbi Serbinë për zbatimin e marrëveshjeve që Kosova i ka arritur deri më tani”, ka thënë Hoxhaj.Po ashtu, temë diskutimi kanë qenë edhe çështjet e zhvillimeve të fundit politike në Kosovë, veçmas demarkacioni me Malin e Zi dhe votimi./b.j/
***
BE-Kosovës: Liberalizimi, kur të plotësohen kriteret
-Shtypi: Gjermanët: Liberalizimi, kur t’i plotësoni kriteret. BE-ja kërkon rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit te profilet e larta/
PRISHTINË, 13 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur se vetëm atëherë kur të plotësohen kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian, mund të liberalizohen vizat. Sipas tyre Komisioni Evropian ka propozuar liberalizimin e vizave për Kosovën, deri në miratimin e këtij propozimi nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli, Kosova do të duhet të ratifikojë Marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi dhe të fuqizojë luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit
Ambasada e Gjermanisë dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë pos demarkacionit kërkojnë edhe luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit si kushte për liberalizimin e vizave, sipas shtypit të sotëm në Prishtinë.
Gazeta Zëri me kryetitull balline “Gjermanët: Liberalizimi, kur t’i plotësoni kriteret”shkruan se, për Ambasadën gjermane në Prishtinë, çështja e demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi është qartësuar përfundimisht përmes komisionit ndërkombëtar të krijuar nga ish-presidentja e vendit, i cili duhet të plotësohet si kriter, për të mundësuar liberalizimin e vizave.
Anën tjetër, Zyra e Bashkimit Evropian bën me dije se zgjidhja e çështjeve të kufirit për secilin vend duhet të bëhet në fazë sa më të hershme të procesit integrues.
Ambasada e Gjermanisë ka ripërsëritur se vetëm atëherë kur të plotësohen kriteret e vëna nga Bashkimi Evropian mund të liberalizohen vizat.
Me titullin në ballinë “BE-ja kërkon rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit te profilet e larta”, gazeta Koha Ditore shkruan se, ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi nuk ia siguron Kosovës heqjen e vizave. Është edhe kushti tjetër që ka vënë Brukseli- luftimi i krimit të organizuar e korrupsionit.
Njohës të rrethanave politike dhe integrimeve evropiane kanë thënë se qeveria po insiston në demarkacion më shumë për ta shpëtuar vetveten, duke anashkaluar kriterin tjetër. Sipas tyre, Kosova deri më tani nuk ka dëshmuar përkushtim të madh në ndjekjen e profileve të larta, që dyshohen se janë përfshirë në afera korruptuese, shkruan gazeta.
Institucione të rëndësishme në nivel qendror e lokal vazhdojnë të udhëhiqen nga njerëz që kanë aktakuza, edhe pse BE-ja ka kërkuar që kësaj praktike t’i jepet fund. Ato që kanë munguar deri më tani janë vendimet e formës së prerë në rastet e ndjekjes së rasteve të korrupsionit./b.j/