Vezir Ademaj, ish kampioni i Kikboksit për Zvicrën dhe Europën, në ring hidhte supeve Flamurin Kombëtar, kur ra dëshmor në tokën e Kosovës martire, i vëllai, Shaqiri, edhe ai luftëtar i Lirisë, e mbuloi me Flamurin Kombëtar…./
NGA SPIRO GJIKONDI/
– A sheh ëndrra? – më pyeti një ditë një shok.
– Edhe shoh…- thashë me të qeshur sepse mu duk një pyetje fëminore.
– Unë shoh shumë… – vijoi ai. – Por, çuditërisht, asnjëherë nuk shoh ëndrra që të kenë lidhje me kohën e qëndrimit tim në Amerikë. Të gjitha ëndrrat më çojnë në Shqipëri, Në kohë të ndryshme, po gjithsesi atje. Çudi me ne! Kam tetëmbëdhjetë vjet që jam larguar dhe prapë mendja aty më ri. Takohemi me shokë në kafene dhe gjithë bisedat tona janë për Shqipërinë. Komentojmë lajmet, i gëzohemi si fëmijë diçkaje të mirë që ndodh atje, hidhërohemi për çdo gjë të keqe, revoltohemi me qëndrime të pamatura të Qeverisë, kujtojmë çaste të gëzimeve tona të dikurshme, na entuziazmon ndonjë vjershë apo tregim i shkruar bukur… Ndërsa natën: ëndrrat. Edhe ato atje… Ç’është kështu me ne?!
Pa dashur shoku im, me ëndrrat e tij të përnatëshme më ngacmoi mendimet. Nuk ishte thjesht një rastësi, evidentoi një dukuri të përgjithëshme; një fenomen që nuk është vetëm i tanishëm. “Eshte Shqipëri ku janë shqiptarët” thotë një këngë popullore. Nuk është e rastit që Çajupi në Misirin e largët i këndonte fshatit të tij “me ca shtëpi të vogla fare”; Naimi në Stamboll do të thoshte “Ti Shqipëri më ep emrin shqiptar”; Serembja nga ana tjetër e Adriatikut rënkonte dhimbshëm: “Arbëri që përtej detit na kujton…”; Jepni për Nënën” do të lëshonte thirrjen Noli nga Amerika; Dyqint djem të rinj Vatranë do të linin Amerikën në vitin 1920 për të shkuar e luftuar në mbrojtje të vendit e të kufijve të tij; studentë në universitetet e Italisë e të Evropës lanë studimet dhe u kthyen për të dalë malit e për çlirimin e Shqipërisë nga fashistët; Batalioni”Atlantiku” u nis nga Amerika për të luftuar në Kosovë në luftën e fundit kundër Serbisë…
Vërtet, ç’është kështu me ne!?
Kisha dëgjuar, disa vite të shkuar, emrin e Vezir Ademajt. Ishte folur dhe ishte shkruar në shtypin e diasporës dhë në atë të internetit për këtë të ri kosovar që aherë jetonte në Zvicër e që merte pjesë në sportin e kik-boksit. Ajo që aherë bëri lajm ishte shpallja e tij kampion në Zvicër e pak më vonë edhe kampion i Evropës. Pa ë njohur dhe pa ditur hollësira të tjera rreth tij ndjeva një admirim të natyrshëm, ashtu si për të gjithë të rinjtë shqiptarë të shpërndarë nëpër botë që përparojnë në fusha të ndryshme e që bëjnë emër në sajë të aftësive dhe të punës së tyre këmbëngulëse. Vetëm kaq…
Disa kohë më vonë, në ngjarjet e mëdha tronditëse të Kosovës që pushtuan emisionet e lajmeve të stacioneve të radios e të televizionit në mbarë botën, midis të tjerash e të tjerësh, u përmend e u fol edhe për Vezir Ademaj, që ishte vrarë në luftë. Por përsëri pa shumë hollësira. Ashtu, në përgjithësi, vrasja e tij ishte e dhimbëshme, shumë më e dhimbëshme për ata që e njihnin nga afër dhe akoma më e dhimbëshme për të afërmit e familjarët e tij. Nga e gjithë ajo tragjedi dhimbja shkonte përtej caqeve të të afërmit e të njohjës kur shikojë masakrat e përgjakëshme të kasapit të Sebisë mbi popullin kosovar. Është pak të thuash rrënqethëse. Ishin pamje të lemerishme. Me kalimin e kohës, edhe pse plagët e hapura zenë kore, apo kur duken se shërohen, lënë pas shenja që mbeten të përjetëshme e të paharrueshme, si për të na kujtuar se ç’ndodhi në atë fund shekulli…
Në këto ditë nëndori, në biseda të gjëra për festimet e 100 vjetorit të shpalljes së Pvarësisë, tek flitet për ngjarje të spikatura e figura të shquara që kanë vënë një gur në përparimin e vendit, qëlloi të flitej sërish për Vezir Ademaj, kësaj here nga vëllai i tij, doktor Hasani, i mirëprituri në çdo tryezë ku bashkohen shqiptarët e ku flitet shqip. E solli rasti të ndjej dhimbjen e tij për vëllanë e vrarë e njëkohësisht të mësoj shumë për jetën e tij të shkurtër, njëzetështatë vjeçare…
KULLA, ZJARRMI U NDEZ SËRISH NË VOTËR…
… Është aty, në Sheremetaj të komunës së Gjakovës, një kullë e lartë trekatëshe, e madhe dhe e vjetër, e ndërtuar që në shekullin e tetëmbëdhjetë; më mure të trashë prej guri, me dritare që duken të vogla për përmasat e saj, e me frëngji akoma më të vogla, që e kanë mbrojtur në përballjen me rrebeshet e kohës. Dy herë është bombarduar dhe dy herë çatia ë saj është shembur, por të dy herët oxhaku ka mbetur në vend. ( “Derisa ka qëndruar oxhaku, – paska thënë poeti Din Mehmeti,- edhe zjarmi në votër do të ndizet e kulla do të qëndrojë”) Dhe ka qëndruar. Janë hirnosur muret e strehët janë nxirë dhe këto e bëjnë atë kullë të duket e rëndë, e heshtur, e zymtë e disi meditative… Por ka diçka që të befason, që i kundërvihet zymtësisë, diçka që e çel, e bën të afërt dhe e sjell në kohë: përsipër dhe në të dy anët e hyrjes ka një kuadrat të bardhë, për të cilin e zonja e shtëpisë kujdeset vazhdimisht duke e shërbetosur me gëlqere; një kuadrat i bardhë që duket në atë kullë si një buzëqeshje; ( Këtë do të ketë patur parasysh Derada kur thoshte: “Shtëpitë që buzëqeshin…”) një buzëqeshje e përherëshme e mikpritëse për të gjithë ata që vijnë, të afërt e të largët; buzëqeshje përcjellëse, për të gjithë ata që dalin prej dere, të afërt e të largët…
Është kulla e familjes Ademaj. Këtu jetuan të parët e familjes. Këtu jetoi stërgjyshi Adem. Këtu jëtoi gjyshi Hasan. Këtu jetoi e jeton Hyseni me të shoqen Mejreme, e me fëmijët… Këtu lindi Vezir Ademaj një ditë marsi të vitit 1971. Këtu u përkund së pari nën trokun e djepit dhe me ninullat melodioze të nënës Merjeme; këtu edhe u rrit. Rreth kësaj kullë, në lëndinën me bar të jeshiltë, luajti me motrat dhe vëllezërit; nga pragu i saj doli, në ditët me diell e me shi, për të shkuar në shkollën fillore të vendlindjes; Me këtë kullë lidhen tregimet e moçme, legjendat, epika historike, bëmat e trimave, këngët për të rennet. Në odën e madhe të burravë që ndodhet në katin e tretë do të dëgjoje bisedat e më të maturve, kuvendet e atyre që u peshonte më tepër gjykimi, vendimet e marra për fatet e Kosovës; një arsenal i gjerë traditash patriotike që, pikë e nga një pikë do të formojnë karakterin e tij e do ta burrërojnë. Shkëputjet për të ndjekur shkollën e mesme të Deçanit, shkuarja në Prishtinë për tu regjistruar në Fakultetin e Shkencave Natyrore, ( në degën e fizikës.) apo largimi për të shkuar të kryejë shërbimin ushtarak në Tivar, aty nga shtatori i vitit 1989; kanë qenë të përkohëshme. Qëndrra e përherëshme e rëndesës në jetën e tij ishte kjo kullë, me atë buzëqeshjen e saj karakteristike, përcjellëse e pritëse njëherësh…
Sidoqoftë, këto shkëputje, edhe pse të përkohëshme, paten një ndikim të veçantë në procesin e formimit të tij. Në gjimnazin e Deçanit, si nxënës, do të ndiqte zhvillimet politike në Kosovë; pas demostratave të vitit 1981 prej shovinistëve të Beogradit nxitej urrejtja ndaj shqiptarëve kudo në Jugosllavi; drama e minatorëve tëTrepçës, të ngujuar për t’ju kundërvënë politikës raciste të Beogradit, ishte tronditëse; pjesëmarrja , madje në radhëte para, në tubime e demostrata ku kundërshtohej heqja e autonomise së Kosovës dhe kushtetuta e vitit 1974, e të tjëra si këto,nuk mund të kalonin pa gjurmë në vetëdijen politike e patriotike të të riut kosovar. Më i theksuar eshtë ky ndikim ne kohen e kryerjes se sherbimit te detyrueshem ushtarak ne Tivar. (“ Ti – Varr-i – Madh!”- do të përifrazonte poeti duke sjellë ndërmend masakrën e njohur si “Masakra e Tivarit” e vitit 1945!) Aty ndjeu urrejtjen e vërtetë të oficerëve serbë. Janë jo të pakta rastet kur djemtë shqiptarë prej kazermave kthehen nëpër shtëpitë e tyre me arkivole. Dhe , sikur të mos mjaftonte kjo periudhë e shërbimit ushtarak të detyrueshëm, aherë kur priste të kthehej në shtëpi, për shkaqe të përkeqësimit të gjendjes politike, i shtohet shërbimi edhe për tre muaj të tjerë. Duke mos e duruar keqtrajtimin në kazerma vendos të arratiset; kthehet në Sheremetaj, duke qëndruar disa kohë në miq e shokë; në vijim të përpjekjeve për shkollimin e tij regjistrohet në Shkollën e Lartë “Bajram Curri” në Gjakovë, por rreziku i arrestimit prej policisë sërbe, e lënë pa altërnativë tjetër: Si zgjidhjë individuale, ashtu si për shumë të rinj të tjerë kosovarë, ishte vetëm ikja nga Kosova. Ikja nga Kosova! Sa e dhimbëshme është kjo fjala IKJE. Ikje për sa kohë? Për ku? Për se? Ikja ka gjithmonë të panjohurat ë saj. Por sado e dhimbëshmë dhe sado me të panjohura, ikja ishtë një zgjidhje, madje e vetëme. E në këto kushte Vezir Ademaj kërkon azil dhe vendoset në Zvicër…
NJË VEND TJETËR, NJË TJËTËR JETË…
Koha e qëndrimit në Zvicër përbën një fazë të re për të riun Vezir Ademaj. Një jetë shumë më e ndryshme se ajo në Sheremetaj e në Kosovë. Fshati ku u lind, kulla ku u rrit, Kosova ku u formua duken tashmë se mbetën pas, në të kaluarën. Zvicëra hap të tjera horizonte; duket si më me shumë dritë, më me shumë diell, është më atraktive për një të ri, por, për të mbijetuar kërkohen të tjera gjëra. Vëtëm ai që e ka provuar të jetojë në një “Atdhe të dytë” e di se sa e vështirë është të gjesh vetveten në këtë realitet të ri. Por falë formimit të tij, falë aftësive të tij, në pak kohë, Vezir Ademaj arrin ta gjejë vetveten. Hyn në Ligën e kik-boksit, stërvitet në këtë lloj sporti, përballet në ring me kundërshtarët me shpirt luftarak, arrin të korrë fitore e të marrë titullin kampion për Zvicrën. Por kjo nuk mjafton. Synimi i tij është për më larg e për më lart. Në pak kohë arrin të fitojë titullin kampion i Evropës. Ambicje për tu përshëndetur kjo. Bëhet i njohur. Tifozëte tij që e brohorasin, e thërrasin “Alfred” ! Vezir Ademaj ka ndërtuar në këtë mënyrë themelet e ndërtesës së madhe të së ardhmes. Çdo i ri do ta kishte “zili” një arritje të tillë. Ëndrra e çdo të riu është pak a shumë kjo: të ketë një profesion dhe një punë për të siguruar bazën ekonomike; të ndërtojë një familje që të jetë në gjendje ta mbajë; një grua që ta dojë e të ndajë me të hallet e përditëshme; të ketë fëmijë që ti edukojë; përgjithësisht një jetë të qetë e normale; dhe, në realizimin e kësaj ëndrre, Vezir Ademaj i kishte hedhur themelet…
Ka mbetur një fotografi, ( një nga ato që i shpëtuan bastisjes së policisë serbe në kullën e Ademajve, aty në Sheremetaj,) që e tregon atë në apartamentin e tij në Gjenevë. Është një apartament I thjeshtë, ndoshta jo shumë i madh,por komod. Duhet të jetë bërë kjo fotografi në prag të Krisht-lindjeve ose të Vitit të Ri, sëpse ka një pemë tradicionale të këtyre festive në njërin cep; një televizor përballë, një derë që të çon diku në ndonjë dhomë tjetër, një tavolinë mesi e rrumbullaktë; ndërsa në tre kolltuqe, veç Vezirit janë dy shokë të tij, natyrisht shqiptarë. Të bën përshtypje ky vend i paqtë, një bisedë e shtruar, disi pa halle, pa ankth, e pa andralla torturuese; një qetësi që e dëshiron të jetë e përjetëshme; një qetësi që të nxit dëshirën për të jetuar…
– A shihte ëndrra Vezir Ademaj aty në Gjenevën e Zvicrës?- do të pyeste me kërshëri shoku im që ankohet se sheh shumë të tilla dhe thotë vazhdimisht “Ç’është me në kështu?!”
Natyrisht, s’mund ti jap përgjigje të saktë shokut tim por një gjë mund t’ja them me siguri.: Në Zvicër kishte shumë bashkatdhetarë që punonin dhe jetonin aty. Gjatë viteve 90-të problemet e Kosovës ishin në qendrën e vëmendjes së diasporës shqiptare. Organizoheshin edhe veprimtari të ndryshme për të ndihmuar materialisht punëtorët kosovarë që ishin larguar prej pune. Vezir Ademaj që e kishte të freskët gjendjen politike të Kosovës ishte i përfshirë në këto veprimtari duke dhënë kontrribute të veçanta. Doemos, ai s’mund të shkëputej nga trualli i vet dhe s’mund të dilte nga vetëvetja. Ka një fakt shumë domethënës, që afirmon vlërat e tij njerëzore dhe ndjenjat e tij atdhetare kur kerkoi që në kampionatin Evropian të përfaqësohej me flamurin shqiptar, duke thënë:” Unë jam shqiptar dhe dua që me flamurin tim kuq e zi të përfaqësohëm dhe atë ta kem në supet e mia…
JETË E QETË NË GJENEVË, POR KOSOVA RËNKONTE…
Viti 1998 përbën një pikë kulmore në historinë e popullit shqiptar dhe atij kosovar në veçanti; një udhëkryq në zgjidhjen e çështjes me themelore të ekzistencës apo shfarosjes; një alternative tragjike midis jetës dhe vdekjes. Kishin mbaruar, nga njëra anë, masat kufizuese e shtypëse të lirisë të ndërmara prej qeverisë së Beogradit, çdukja e çdo gjurme të autonomise së vitit 1974, dhuna e spastrimit prej shqiptarëve të institucioneve shtetërore, largimi pa shkak i drejtuesve, masat kufizuese të shtypit e të televizionit, pengimi i gjuhës, arrestimet, burgimet, dhe s’mbetej tjetër veç dëbimit në masë të kosovarëve nga vatrat e tyre shekullore. Kishin mbaruar, nga ana tjetër, tubimet paqësore në kërkim të lirive të pjesëshme, demonstratat e protestës, grevat,, kërkesat për autonomi, për shpalljen republikë, pse jo, edhe për një shkëputje përfundimtare nga suaza e Serbisë. Kishte mbetur në mes vetëm Lufta. Një fjalë goje: Lufta… Si një pikë referimi drejt të ardhmës, si një pikë referimi prej së ardhmes… Lufta… ajo që bëhet përcaktuese e fateve të njerëzimit dhe të individit, ajo që evidenton edhe më mirë karakteret njerëzore, që nxjerr në pah politikanët e strategët, mençurinë e diplomatëve, trimërinë e luftëtarëve, ajo që diferencon atdhetarët nga tradhëtarët, ajo që ndryshon rrjedhën ë më tejme të jetës…
Duhet të kenë qenë ditë të vështira në jetën e Vezir Ademajt ato ditë pranvere të vitit 1998. Sa të bukura ishin rrugët e qeta të Gjenevës në ato ditë pranvere të vitit 1998! Por Lufta kishte shpërthyer brenda gjoksit dhe shpirtit të tij. Në atë mori ngjarjesh të tmershme që pasonin njëra tjetrën në ekranet e tv-ve, pamje surealiste të refugjatëve biblike, vargje të ikurish nëpër rrugët e mundimeshme drejt Maqedonisë e Shqipërisë, pleq të kërrusur nën boçet e plaçkave mbi kurriz, nëna me fëmijë në krah, familje të ngarkuara nëpër qerre, torba me ushqime, lot, lodhje, rënkime, tërheqje zvarrë, intërvista gazetarësh, biseda ndër miqtë, takimë mes shokësh, shpresa të thyera, gjëmime avionësh, breshëri automatiku, (ç’bëhet kështu!) takime diplomatësh, OKB, NATO, ç’thotë vëllai Hasan nga Amërika, ç’mendon Klintoni, thirrje për luftë, UÇK, kush udhëheq, ku… Ditë të trazuara, nëtë pa gjumë, ëndrra të llahtarëshme, pyetje pa përgjigje, kulla në Sheremetaj me atë buzëqeshjen karakteristike në hyrje të saj, apartamenti në Gjenevë… Dhimbjet e Kosovës pikojnë në shpirtin ë tij…
Doktor Hasani thotë se Veziri mbante shumë portrete patriotësh në faqet e mureve të shtëpisë së vet. Heu, Ismail Bej, o burrë i madh i kombit! Ç’thotë baca i Boletinëve? Ç’mesazh më dërgon, o Hasan Prishtina? “… në vend të një kolltuku me turp në Stamboll, preferova kryengritjen me nder në malet e Kosovës”…
Kjo thënie brilante! Dhe pastaj vendimi:
“Kam ardhur të luftoj kundër ushtrisë serbe, për lirinë e Kosovës, që dita të mos i ngjajë natës së errët. Nga ky drejtim s’mund të më spraps kush.”janë fjalët e tij thënë nënës Merjeme atë ditë kur u kthye në Sheremetaj, pas mungesës së gjatë disa vjeçare, aty, në pragun e hyrjes së kullës. Veshur tashmë me uniformën e luftëtarit të UÇK-së, me armët në sup, edhe me një palë dylbi të sofistikuara për të parë ëdhe natën, edhe me 15 mijë franga në xhëp, i gatshëm dhë i vendosur, të gjitha në shërbim të luftës, të gjitha për Luftën, të gjitha për Kosovën…
Tubon të rinjtë e Rekës së Keqe dhe i përgatit edhe ata për luftë. Në shtabin e luftës, në Gllogjan, dorëzon kursimet e veta. Inkuadrohet në Smolicë, në Rahovec, Gllogjan, Junik e në betejat e tjera, dhe pastaj komandant “Komando”në rajonin e Rekës së Keqe, me emrin përkëdhelës “Alfred”.
LUFTE E ASHPER
Kujdes për veten, e porosit vëllai Hasan në një thirrje telefonike nga Amerika. Dhe ai i përgjigjet: “Sikur të doja të ruhesha, do të rrija në Zvicer ku i kam pasur të gjitha të mirat për jetë”
Kujdes, se Lufta është e ashpër!
Shumë e ashpër kjo lufta në Rrafshin e Drenicës e të Dukagjinit. E ashpër kjo lufta në Kallavaj të Junikut, së forcat e shumta serbe duan të kalojnë në Dobrosh, në Sheremetaj e në Pacaj, e ata duhen penguar. Le të jenë ta paisur me tanke e snajpera. Do të plagosen shokët. Hej, mos i lini në dorë të armikut. Breshëri armësh! Tanket! Snajperat! Heu! Vdekje e marrë! Mos qëllo mbi trimin! Trimi i duhet shumë të sotmes. I duhet edhe më shumë të nesërmes! Trimi i duhet Kosovës së Pavarur.
Lajmii vrasjes së Vëzir Ademajt u përhap shpejt. Trupi i tij u dërgua në Sheremetaj. Kulla trekatëshë rrënkonte nga dhimbjet. Dhimbjet përpëliteshin në ajër.Lajmi i zi mbëriti te vëllai i tij Shaqiri që luftonte në zonën e Sukës.Dhe ai rend drejt vëllait të vet të rënë, jo për ti hedhur një grusht dhe, por për ta mbuluar më flamur. E kishte kërkuar këtë mbështjelljë me flamur në ringjet e Evropës, me këtë flamur do mbështillej në atë ceremoni të përcjelljes në rrugën pa kthim drejt përjetësisë.
Dhimbja për të në zemrën e Kosovës pikon; pikon dhembja për te në mbi 900 vargje poetësh; anipse pa të njohur, pikon tashmë edhe në zemrën time prej jugori. Le të jenë këto fjalë si karafili kuq për ty, Luftëtari Kampion i Ringut dhe i Lirisë së Kosovës.
Në këtë festë të 100 vjetorit, nderimi i parë u bëhet dëshmorëve të lirisë. Do të ketë shumë flamuj si simbole të festës këtë 28 nëntor. Mos harroni që të çoni një Flamur tek dëshmori. Flamuri mund të valvitet tek shkolla në Sheremetaj, që mban emrin e tij dhe të dëshmorit tjetër të atyre anëve, ose edhe atje tek prehen eshtrat e lodhura nga lufta, në Sheremetaj.(Botoi DIELLI, numri special I 28 Nentorit 2012)
Nju Jork, Nëntor 2012