Zeqir Lushaj, udhëtoi para pak ditësh mes kapakëve të gjashtë librave të tij më të fundit drejt Londrës. Të tjerët që e kanë parë atë pranë shtëpisë së tij në Lezhë, ku jeton pas kthimit nga SHBA, natyrisht dhe ata që e dinë se është mes Bjeshkës, do të habiten. Ai, ashtu ‘i panjohur’ fizikisht me mua, u bë i njohur mes letrave dhe tekstit shqip, falë dhuratës që më erdhi nga Shkëlqimi, nipi i tij i cili jeton dhe punon në Londër. Dhe mes librave, të pikëshënuara që në Atdhe për mua, ndjeva atë zagushi Gushti dhe atë ndjenjë të sinqertë letrari, poeti dhe shënuesi të ngjarje-jetëve, që nis me frma ditari, portreti, apo auto-portreti, fabule dhe humori, sarkazme dhe kënd-shikimi ndukës poetiko-letrar. Dhe më pas e ndjeva dhe e rilexova, ashtu të ndjeshëm dhe fin në derën e Kullës së vjetër në Gri në vitet shtatëdhjetë, në vitet e tij plot vrull rinor, ashtu të shënuara në bardhë e zi nga Kolë Progni. E pashë teksa shfaqej në “Piedestal” me vetveten e tij vjershërore, dhe e ndoqa deri tek cikli i pestë aty tek “Shtëpia në kodër” ku vetë e ndan shapin nga sheqeri, dhe citon fatet duke lejuar apriori “le të jem primitiv”, apo dhe “allafranga” e “gjithqyshë” të mbetet “Njeri” që ia lexon “biografinë e nanës”, “llagapi”-n; e deri tek “Rrathtë e shekës”. Natyrisht ky autor njeri “udhëtoi’ dhe rrugëtimi i tij ende s’ka ndalesë…
Autori dhe rrugëtimi letrar
Ende në fshatin Gri të Tropojës, mbahen mend fjalëgazmendet e lindjes së fëmijës mashkull, që do të shënonte ardhjen në një ditë që sapo kishte filluar të lëshohej “filli” për festën e 8 Marsit. Ishte pikërisht 8 Marsi i vitit 1949, data që do të sillte mes gëzimit familjar ardhjen në jetë të djaloshit Zeqir Lushaj. Më pas që nga bankat e shkollës fillore në Gri, dhe atyre të 7-vjeçares në fshatin fqinj, në Geg-Hysen, ditëlindjen e tij do ta shënonte veç përkëdhelisë së nënës, edhe përkushtimi i tij letrar për të në ditën e festës së nënave. Dhe kjo zgjati thuajse në një udhëtim që vazhdoi më tej në bankat e shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, që hapën dritaret e arta deri tek “Zëri i Rinisë”, e më pas në rrugëtimin e tij, në krejt mjedisin letrar shqiptar, deri sa dhe kapërcimi në moshë dhe përtej Oqeanit nuk i dha tjetër vetëm se i shtoi “oreksin” e shkrimeve në disa gjini. Rrugëtimi letra që ishte pjekur gjatë punës së tij në arsim në Geg-Hyse, i kishte dhënë dhe një dhuratë bjeshke, mes ajrit dhe ujit të pastër dhe talentin e tij të gjimnastit, sportistit, për të cilin ai ndjehet “paksa” borxhli. Letrari me mendje të shëndoshë, kërkonte një trup të shëndoshë e të kualifikuar, ndaj në vitet 1970-1973, mbaroi studimet e larta në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, ish Instituti i Kulturës Fizike në Tirane. Dhe në mjediset e shkollës së mesme të Tropojës së Vjetër, ngelën gjurmët e para të sportistit që u dha zemër të tjerëve, por dhe frymëzimet që silnin lartësimin e talentit në fushën letrare dhe atë shoqërore me disa angazhime të kohës, të cilat hera-herës i ndeshim në librat e tij “Duhama e Valbonës”; “Rrokada politike”; “Piedestali”; “Zbehje e heroizmit”; “Si n’kurbet bre vëlla”; apo dhe “Sportit i mbeta borxh”…
Kështu rrugëtimi letrar dhe publicistik i Zeqir Lushajt, nuk u ndal në korniza përkushtimesh dhe kur ishte në brendësi të një shoqate, dhe kur ishte drejtues apo aktivist, as dhe kur jetoi dhe punoi në Nju-Xhersi të SHBA-së, teksa Andrea Aleksandër, në 20 Shkurt 2010 do ta fiksonte në aparatin e tij dixhital duke shtyrë karrocat e konsumatorëve në një supermarket amerikan. Por ndërsa autori i huaj i medias e shihte shqiptarin të kërrusur mbi karroca, Zeqir Lushaj mblidhte në mendjen e tij 108 vjershërimet e tranzicionit shqiptar, që mes një kopertine blu me dy shqiponja duke u kacafytur me njëra-tjetrën do të sillnin “Rrokada..” (politike) me një aritmetikë, që shënonte librin e 12-të të tij.
Poezia si vetvetja dhe vetvetja e rrugëtimit poetik
“Kush jam unë?” Është një pyetje në mendjen e shumë lexuesve që lexojnë poezinë e poetit Zeqir Lushaj. Ky ndjesim mental i nduk dhe i ngacmon, po dhe aq i ndihmon lexuesit për të sqaruar elemente të rëndësishme të identitetit të tyre. Kur lexon poezinë e tij, natyrisht mes tipologjisë dhe diskursit evaziv, identiteti kulturor dhe vetvetja e autorit bëhen palë me të ndjeshmen dhe apriori lindin dhe provohen emocione të ngjashme ndjesore. Lexime të tila poetike shpeshherë janë marrë përtej aspekteve të identitetit që shpesh janë më të dukshme dhe të njohura (të tilla si ato etnike, të gjinisë dhe të moshës), duke u fokusuar në faktorë të tjerë që formojnë identitetin tonë si tek përvojat, marrëdhëniet, shpresat dhe interesat. Poezi të tila si “Kam duruar fyerjen”; “Zhgaravina”; “Hajgare” etj gjithashtu mund të jenë një mënyrë për lexuesit të tregojnë atë që dinë rreth momenteve të tyre të kudondodhura apo dhe të bëjnë lidhje të ndryshme letrare. Ai siguron një strukturë për lexuesit për të menduar më shumë në mënyrë kritike në lidhje me tiparet, dhe mes përvojave dhe karakterit të një individi, sidomos kur kulturat shërbejnë jo vetëm si ura lidhëse kulturore, por edhe si dhimbje.
Publicistika përtej ndjenjës
Publicistika e Zeqir Lushajt është e hershme. Mban risin gazetarske të kohërave të tjera, por që sjellin mes lexuesit freski dhe memorje. Në librin me shkrime publiçistike “Zbehje e heroizmit” dora e shënjuesit të merjeve shpalos figura të gjalla e i lartëson edhe një herë me portretizimet që u bën heronjëve të atdheut, njerëvve të vlerësuar nga historia dhe njrëzit, si Isa Boletini, Nikë Pjetër Ndreka, Qibra Sokoli, Met Hasa, Ram Sadria, Inajete Dumi, Kastriot Muço, Ismet Sali Bruçaj, Ilia Kici Dashi, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa etj. Me të gjitha format e shkrimit jeta dhe rrugëtimi memorial ngjall dhe forcon, portretet jetike dhe ngjall memorjen kulturore. Autori më së miri këtë libër të shkruar në kohë të ndryshme, na jep mesazhin e brezave për brezat. Dhe brezat dinë të njohin e të riprodhojnë jo vetëm Valbonën, po edhe risqet e Valbonës, si edhe të gjitha risqet kulturore nga gjithë gjeografia e tokës shqiptare; duke filluar nga Çamëria, Gjirokastra, Kaçaniku e Prekazi, duke rrugëtuar më tej në Shkodër e Tomorr, Shkëlzen e Çajup, Mitrovicë e Plavë, Tiranë e Prishtinë, Vlorë, Durrës, Dibër, Elbasan ku mes faqeve të librit tjetër publicistik “Sportit i mbeta borxh” gjejmë Mjeshtrin e Sportit, Hysen Domi apo dhe të tjerë në të gjitha pikat gjeografike deri në Luftinjë të Tepelenës.
Me këtë formë publicistika e Lushajt është vetë rruga e jetës së njeriut për njeriun e mirë, njeriun që di të jetojë mes sfidave dhe risqeve jetike. I tillë njeri mbetet ai në brendësi të kopertinave të librave të shumtë të tij. Por dhe mes atyre më ët fundit që Shkëlqimi mi dha nën përkujdesje, mes librave që Zeqir Lushaj doli para pak kohësh para lexuesit. Me këto gjashtë libra të rinj: Si n’kurbet, bre vëlla! (Vjersha); Zbehje e heroizmit (Shkrime publicistike); Duhama e Valbonës (Vjersha); Piedestali (Vjersha); Rrokada (vjershërime politike); Sportit i mbeta borxh (Reportazhe – portrete – kujtime), udhëletrat e autorit vazhdojnë të sjellin akoma më shumë tiktake jete. Katër prej tyre janë libra poetikë, kryesisht frymëzime nga jeta në mërgim në Amerikë. Zeqir Lushaj shkruan me shumë mall e dashuri për vendindjen, për kohën e fëmijërisë dhe rinisë, për shtëpinë, fshatin, bjeshkët, Alpet, për Atdheun që përballet me sfidat e panumërta të tranzicionit. Shkruan kështu se ai është vetë jetë-pena dhe është i kudondodhur.
Duke përfunduar
Gjuha si një format dhe si një dukuri tërheqëse është elementi tjetër, teksa mundohemi të përmbyllim këto fjalë të domosdoshme për letrat e Zeqir Lushajt. Ndërsa ai gjen dhe rrëmon në astare kulturore natyrisht dhe gjuha është një pasuri më vete, që e bën rrugëtimin e librave të autorit të mbesin gjatë, jashtë zverdhimit të tyre. Librat kanë zënë vend dhe meritorja do kohën, vendin dhe hapësirën e vet, në mënyrë që dhe fjala e gjuha mes fjalës të bëjnë rrokadën e duhur kulturore.
-Nga Londra, Shtator 2016-