• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kreolizmi poetik i Anton Çefës

December 13, 2016 by dgreca

Nga Dr Fatmir Terziu/1-anton-cefa-2-193x300

“Etja për një delir të blertë”/

 

 

 Kur në qiell të andrrës sime prek/

Me duer të brishta,/

Zgjohen vegime të ylberta mallesh./

Engjuj me brerore drite zbresin/

Mbi meloditë e dhimbjes/

Qi s’ ka të sosun./

E duer akordesh të çuditshme/

Ndalojnë flutrim’n e kohës./

Etja më merr për nji delir të blertë./

(Anton Çefa)/1-anton-cefa2-220x300

 Perceptimi gjeometrik i hapësirës së prodhuar si produkt i ndjesisë dhe recencës mendore, jo pak herë ka qenë dhe mbetet një postulat i ndjeshëm poetik, që të shpie vetvetiu tek kreolizmi poetik, mes një perceptimi ndjesor dhe vektorial. Në këtë perceptim gjeometrik frymëzimi i autorit Anton Çefa, shihet si një sferë më vete. Them kështu pasi mjaft krijime të tij ngjajnë me traditën e krijimtarisë poetike bashkëkohore, por që në thelb kanë gjuhën popullore dhe të folurën e thjeshtë, si një rajonalizim tipologjik, me një filozofi të ndërlidhur, dhe një lloj “criollismo” jashtë produktit letrar të gjuhës së etiketuar. Ky interes mes rajonalizimit, të etiketuar criollismo (kreolizm) ose nativizëm ka ardhur si një ide në vitin 1901 nga Francisco Lazo Martí (1869-1909) kur publikoi veprën e tij “Silva Creole” (Kreole Silva), që në fakt ishte një poemë me një ndjesi rajonale të inauguruar më parë nga Bello. Këtë interes në rajonalizëm, të shtjelluar sikurse e cituam më lartë shkoi më tej duke frymëzuar temën dhe motivin e përshkrimit të jetës dhe vendlindjes së autorit në fjalë. Këtë duket se pandjeshëm, por ngjashëm e ka bërë edhe poeti Anton Çefa.

Poezi si grupi i poezive nën titullin “Tubëz lirike” natyrshëm flasin për një gërshetim të tillë dhe një frymëzim që autori gjen në këtë perceptim rajonal dhe vendhapësinor, detajues e frymëzues nga ndjesia dhe përditësia. Hapësira, pikëlidhja, trysnia përditësore, argumenti dhe koha janë elementë që vijnë si një bosht tematik në këtë perceptim gjeometrik, tek i cili kreolizmi poetik merr larminë e formë-detajeve. Në larminë fakt-detaj, ku perceptimi gjeometrik na ndihmon të kuptojmë se “etja për nji delir të blertë” vjen si një model në këtë perceptim, natyrshëm kalon në disa hapësira poetike të shkelura e të pashkelura më parë, ku simbolizmi është një gëlltitje e lehtë. Në pamje të parë, dhe pikërisht nga gjuha këto poezi ngjajnë me një ‘juctapozicion’ (mpleksje-lidhje nyjore) thurës dhe tematik të mbrusur nga krijimtaria e hershme shqiptare, sidomos tipikja e zonës ku autori ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Por në pamjen kryesore dhe në atë që vjen si shkak dytësor më pas, figuracioni është “kryengritës” dhe shënon diferencën ose tiparin veçues. Autori ka një lajtmotiv frymëzues të lidhur në mjedisin e aspekteve jetike, nëse na lejohet të shprehemi për figuracionin që ai e shkëput për të baraspeshuar ‘vegime të ylberta mallesh’ duke sfiduar ‘me duer të brishta’ pikërisht atë veprim që ne e shijojmë teksa ‘engjuj me brerore drite zbresin’.

Në këtë perceptim unë e lexoj ngjashëm autorin. Poezinë e tij e shoh si një akt mitik dhe si një alteracion kohësh, vendesh dhe aspektesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këtu kjo ndërlidhje gërshetohet edhe me sintaksën poetike që siglohet nën peshë fjalish poetike të sistemuara bukur. Poetika e Çefajt natyrshëm në këtë ndërlidhje funksionon si një etje, tamam siç edhe vetë autori poetikisht e shpreh: “Etja më merr për nji delir të blertë”.

Duke parë ndërlidhjen funksionuese në detaj, bie në sy edhe koloriti poetik, si një qasje adekuate e kreolizmit hapësinor. Ky kolorit shpeshherë merr pamjen e tij reale dhe shpesh ngjyrohet me nocione të përafërta duke ngarkuar emocionalisht peisazhet. Përshembull ‘delir i blertë’ është një përdorim i tillë. Në anën tjetër koloriti poetik i autorit fsheh disi ngjyrimin real për të stigmuar me figuracion, si ‘mendimi n’ballë’, ‘fjala n’buzë’, ‘dritë që troket’ etj, ku ngjyra reale nuk është vënë në pah, por ngjyrimi figurativ kryen rolin kryesor.

Kjo analizë që është botuar pjesërisht në librin e Anton Çefës “Bardhësi me Zdritje Bore” si fillim ka zbuluar njërën anë tek e cila vetë “inventari” i poezisë duket se është mjaft tejzgjatës, është i tillë sa në kushtet krahasimtare kërkon të shestojë disa limitacione të përndjeshme ku vetë peisazhi kërkon kufijtë e tij të dukshëm e të padukshëm si tek “Kangë për tokën time” ku “rrugët janë të hapuna/por kthim asht i vështirë/toka ime e dhimbshme/e dhimbshme dhe e bukur” (2016). Në përgjithësi, përqasjes së mjaft poezive të autorit, i perceptohet eksperienca e një natyre tragjike që i jep vetë poezisë një autenticitet të lartë. Si e tillë, ajo është jo thjesht imazhere dhe mesazhere, por tipike dhe tipologjike e urtisë, dijes dhe njohurisë së këtij autori të ndjeshëm.

Anton Çefa, flatrime poetike në kohë 

Anton Çefa – u lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore. Í ati, Shtjefen Çefa, ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të Shoqërisë “Bogdani” (1919-1944), një shoqëri e shquar kulturore laike atdhetare demokratike.  Kreu shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme. Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dielles”, që filluan të botohen në Shkodër në atë kohë. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës. Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2007 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra.

Botimet:

Ka botuar përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (1999), “Heshtja ka tingull guri” (2002), “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003), “Flatrime me krahë të premë”  – antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara – (2008).

Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të autorit, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga Kopi Kyçyku dhe me një parathënie të Ardian-Christian Kyçykut, me titullin “Fereastra unui strigat” (“Dritarja e një britme”). Në vitin 2016 botoi përmbledhjen poetike “Bardhësi me zdritje bore” .  

Ka botuar librat me karakter shkencor: “Në hullitë e fjalës artistike” – Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista – (2009); “Noli e Konica – ese” (2010); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – pjesa e parë – (2012); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë – pjesa e dytë – (2015); “Libri i portreteve” (2015); “Krijimtari  e nivelit të lartë shkencor  e artistik  – Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës” (2015); “Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike – Kritikë letrare” (2015); “Tradita e didaktikës popullore” (2016); “Faik Konica: Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë” (2016).

Ka gati për botim:

“Fjalët e huaja në gjuhën tonë” – (Përkthime poetike nga italishtja dhe anglishtja).

Në proces:  

“Atdheu im – Shqiperia” – (me proza tregimtare, poetike, historike, dhe poezi).

“Analiza letrare” – Kritikë letrare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Fatmir Terziu, i Anton Çefës, Kreolizmi poetik

Një ndalesë tek letrat e Zeqir Lushajt

October 4, 2016 by dgreca

1-terziuShkruan: Dr. Fatmir TERZIU/

Zeqir Lushaj, udhëtoi para pak ditësh mes kapakëve të gjashtë librave të tij më të fundit drejt Londrës. Të tjerët që e kanë parë atë pranë shtëpisë së tij në Lezhë, ku jeton pas kthimit nga SHBA, natyrisht dhe ata që e dinë se është mes Bjeshkës, do të habiten. Ai, ashtu ‘i panjohur’ fizikisht me mua, u bë i njohur mes letrave dhe tekstit shqip, falë dhuratës që më erdhi nga Shkëlqimi, nipi i tij i cili jeton dhe punon në Londër. Dhe mes librave, të pikëshënuara që në Atdhe për mua, ndjeva atë zagushi Gushti dhe atë ndjenjë të sinqertë letrari, poeti dhe shënuesi të ngjarje-jetëve, që nis me frma ditari, portreti, apo auto-portreti, fabule dhe humori, sarkazme dhe kënd-shikimi ndukës poetiko-letrar. Dhe më pas e ndjeva dhe e rilexova, ashtu të ndjeshëm dhe fin në derën e Kullës së vjetër në Gri në vitet shtatëdhjetë, në vitet e tij plot vrull rinor, ashtu të shënuara në bardhë e zi nga Kolë Progni. E pashë teksa shfaqej në “Piedestal” me vetveten e tij vjershërore, dhe e ndoqa deri tek cikli i pestë aty tek “Shtëpia në kodër” ku vetë e ndan shapin nga sheqeri, dhe citon fatet duke lejuar apriori “le të jem primitiv”, apo dhe “allafranga” e “gjithqyshë” të mbetet “Njeri” që ia lexon “biografinë e nanës”, “llagapi”-n; e deri tek “Rrathtë e shekës”. Natyrisht ky autor njeri “udhëtoi’ dhe rrugëtimi i tij ende s’ka ndalesë…

Autori dhe rrugëtimi letrar

1-zeqir-okEnde në fshatin Gri të Tropojës, mbahen mend fjalëgazmendet e lindjes së fëmijës mashkull, që do të shënonte ardhjen në një ditë që sapo kishte filluar të lëshohej “filli” për festën e 8 Marsit. Ishte pikërisht 8 Marsi i vitit 1949, data që do të sillte mes gëzimit familjar ardhjen në jetë të djaloshit Zeqir Lushaj. Më pas që nga bankat e shkollës fillore në Gri, dhe atyre të 7-vjeçares në fshatin fqinj, në Geg-Hysen, ditëlindjen e tij do ta shënonte veç përkëdhelisë së nënës, edhe përkushtimi i tij letrar për të në ditën e festës së nënave. Dhe kjo zgjati thuajse në një udhëtim që vazhdoi më tej në bankat e shkollës Pedagogjike “Shejnaze Juka” në Shkodër, që hapën dritaret e arta deri tek “Zëri i Rinisë”, e më pas në rrugëtimin e tij, në krejt mjedisin letrar shqiptar, deri sa dhe kapërcimi në moshë dhe përtej Oqeanit nuk i dha tjetër vetëm se i shtoi “oreksin” e shkrimeve në disa gjini. Rrugëtimi letra që ishte pjekur gjatë punës së tij në arsim në Geg-Hyse, i kishte dhënë dhe një dhuratë bjeshke, mes ajrit dhe ujit të pastër dhe talentin e tij të gjimnastit, sportistit, për të cilin ai ndjehet “paksa” borxhli. Letrari me mendje të shëndoshë, kërkonte një trup të shëndoshë e të kualifikuar, ndaj në vitet 1970-1973, mbaroi studimet e larta në Akademinë Sportive “Vojo Kushi”, ish Instituti i Kulturës Fizike në Tirane. Dhe në mjediset e shkollës së mesme të Tropojës së Vjetër, ngelën gjurmët e para të sportistit që u dha zemër të tjerëve, por dhe frymëzimet që silnin lartësimin e talentit në fushën letrare dhe atë shoqërore me disa angazhime të kohës, të cilat hera-herës i ndeshim në librat e tij “Duhama e Valbonës”; “Rrokada politike”; “Piedestali”; “Zbehje e heroizmit”; “Si n’kurbet bre vëlla”; apo dhe “Sportit i mbeta borxh”…

Kështu rrugëtimi letrar dhe publicistik i Zeqir Lushajt, nuk u ndal në korniza përkushtimesh dhe kur ishte në brendësi të një shoqate, dhe kur ishte drejtues apo aktivist, as dhe kur jetoi dhe punoi në Nju-Xhersi të SHBA-së, teksa Andrea Aleksandër, në 20 Shkurt 2010 do ta fiksonte në aparatin e tij dixhital duke shtyrë karrocat e konsumatorëve në një supermarket amerikan. Por ndërsa autori i huaj i medias e shihte shqiptarin të kërrusur mbi karroca, Zeqir Lushaj mblidhte në mendjen e tij 108 vjershërimet e tranzicionit shqiptar, që mes një kopertine blu me dy shqiponja duke u kacafytur me njëra-tjetrën do të sillnin “Rrokada..” (politike) me një aritmetikë, që shënonte librin e 12-të të tij.

Poezia si vetvetja dhe vetvetja e rrugëtimit poetik

“Kush jam unë?” Është një pyetje në mendjen e shumë lexuesve që lexojnë poezinë e poetit Zeqir Lushaj. Ky ndjesim mental i nduk dhe i ngacmon, po dhe aq  i ndihmon lexuesit për  të sqaruar elemente të rëndësishme të identitetit të tyre. Kur lexon poezinë e tij, natyrisht mes tipologjisë dhe diskursit evaziv, identiteti kulturor dhe vetvetja e autorit bëhen palë me të ndjeshmen dhe apriori lindin dhe provohen emocione të ngjashme ndjesore. Lexime të tila poetike shpeshherë janë marrë përtej aspekteve të identitetit që shpesh janë më të dukshme dhe të njohura (të tilla si ato etnike, të gjinisë dhe të moshës), duke u fokusuar në faktorë të tjerë që formojnë identitetin tonë si tek përvojat, marrëdhëniet, shpresat dhe interesat. Poezi të tila si “Kam duruar fyerjen”; “Zhgaravina”; “Hajgare” etj  gjithashtu mund të jenë një mënyrë për lexuesit të tregojnë atë që dinë rreth momenteve të tyre të kudondodhura apo dhe të bëjnë lidhje të ndryshme letrare. Ai siguron një strukturë për lexuesit për të menduar më shumë në mënyrë kritike në lidhje me tiparet, dhe mes përvojave dhe karakterit të një individi, sidomos kur kulturat shërbejnë jo vetëm si ura lidhëse kulturore, por edhe si dhimbje.

Publicistika përtej ndjenjës

Publicistika e Zeqir Lushajt është e hershme. Mban risin gazetarske të kohërave të tjera, por që sjellin mes lexuesit freski dhe memorje. Në librin me shkrime publiçistike “Zbehje e heroizmit” dora e shënjuesit të merjeve shpalos figura të gjalla e i lartëson edhe një herë me portretizimet që u bën heronjëve të atdheut, njerëvve të vlerësuar nga historia dhe njrëzit, si Isa Boletini, Nikë Pjetër Ndreka, Qibra Sokoli, Met Hasa, Ram Sadria, Inajete Dumi, Kastriot Muço, Ismet Sali Bruçaj, Ilia Kici Dashi, Fatime Sokoli, Dervish Shaqa etj. Me të gjitha format e shkrimit jeta dhe rrugëtimi memorial ngjall dhe forcon, portretet jetike dhe ngjall memorjen kulturore. Autori më së miri këtë libër të shkruar në kohë të ndryshme, na jep mesazhin e brezave për brezat. Dhe brezat dinë të njohin e të riprodhojnë jo vetëm Valbonën, po edhe risqet e Valbonës, si edhe të gjitha risqet kulturore nga gjithë gjeografia e tokës shqiptare; duke filluar nga Çamëria, Gjirokastra, Kaçaniku e Prekazi, duke rrugëtuar më tej në Shkodër e Tomorr, Shkëlzen e Çajup, Mitrovicë e Plavë, Tiranë e Prishtinë, Vlorë, Durrës, Dibër, Elbasan ku mes faqeve të librit tjetër publicistik “Sportit i mbeta borxh” gjejmë Mjeshtrin e Sportit, Hysen Domi apo dhe të tjerë në të gjitha pikat gjeografike deri në Luftinjë të Tepelenës.

            Me këtë formë publicistika e Lushajt është vetë rruga e jetës së njeriut për njeriun e mirë, njeriun që di të jetojë mes sfidave dhe risqeve jetike. I tillë njeri mbetet ai në brendësi të kopertinave të librave të shumtë të tij. Por dhe mes atyre më ët fundit që Shkëlqimi mi dha nën përkujdesje, mes librave që Zeqir Lushaj doli para pak kohësh para lexuesit. Me këto gjashtë libra të rinj: Si n’kurbet, bre vëlla! (Vjersha); Zbehje e heroizmit (Shkrime publicistike); Duhama e Valbonës (Vjersha); Piedestali (Vjersha); Rrokada (vjershërime politike); Sportit i mbeta borxh (Reportazhe – portrete – kujtime), udhëletrat e autorit vazhdojnë të sjellin akoma më shumë tiktake jete.  Katër prej tyre janë libra poetikë, kryesisht frymëzime nga jeta në mërgim në Amerikë. Zeqir Lushaj shkruan me shumë mall e dashuri për vendindjen, për kohën e fëmijërisë dhe rinisë, për shtëpinë, fshatin, bjeshkët, Alpet, për Atdheun që përballet me sfidat e panumërta të tranzicionit. Shkruan kështu se ai është vetë jetë-pena dhe është i kudondodhur.

Duke përfunduar

Gjuha si një format dhe si një dukuri tërheqëse është elementi tjetër, teksa mundohemi të përmbyllim këto fjalë të domosdoshme për letrat e Zeqir Lushajt. Ndërsa ai gjen dhe rrëmon në astare kulturore natyrisht dhe gjuha është një pasuri më vete, që e bën rrugëtimin e librave të autorit të mbesin gjatë, jashtë zverdhimit të tyre. Librat kanë zënë vend dhe meritorja do kohën, vendin dhe hapësirën e vet, në mënyrë që dhe fjala e gjuha mes fjalës të bëjnë rrokadën e duhur kulturore.

 -Nga Londra, Shtator 2016-

Filed Under: ESSE Tagged With: 6 libra, Dr. Fatmir Terziu, letrat, Zeqir lushaj

“Loja e Mëkatit” një roman me stilin e Xhejms Xhois

August 6, 2015 by dgreca

Nga Dr.Fatmir Terziu/
Vranari lë pas “buzëmbrëmjen” e narrativit… /
Vranari paraqitet me “Loja e Mëkatit” një roman i shkruar me stilin e Xhejms Xhois)/
Para disa ditësh, tek “Fjala e Lirë”,shkrimtarja Vilhelme Vrana Haxhiraj, “Mjeshtri i Madh”, botoi dhe fragmentin e 11-të dhe të fundit të romanit të saj më të ri, “Loja e Mëkatit”. Një roman që nis me një narrativ linear, të tendosur, me një stigmë (demaskim të hapur) që kapërcen det, tokë, dritë, ajër, bunker dhe izolim, madje shterpëzon konceptin njeri në itinerarin jetë-vdekje, liri-bunkerizim, duke e sfumuar në një kornizë që kanalizohet e stigmohet (dënohet turpi para botës) rishtazi. Nis me fjalën “buzëbrëmje” dhe trazon në këtë gjysëmterr fate njerëzish, madje edhe të një foshnje të braktisur që bëhet më pas ulërimë e kontekstit. Në këtë kontekst  forma poetike “I pashpresë” katarakton tërë llavën që rrjedh në narrativ: “Mjerë kush humb shpresën,/ nuk i beson më as vetes…”, që ka një kuptim thelbësor e të shtyn në leximin e tutjeshëm. Ky lexim që në thelb ka një arsye të fortë, na shpie të lexojmë se Vranari ka arsyet e saj të kalojë në spektrin e duhur të mesazhit. Ai mesazh është i ndërlidhur me jetën, por edhe me tërësinë që e ushqen këtë jetë: “Gjithsesi, tokë dhe det, si dy qenie të gjalla, edhe pse pafundësisht të dashuruar, janë në një maratonë të përjetshme. Asnjëri prej tyre nuk lodhet, por provojnë pa pishmanllëk se, cili do ta arrijë Nirvanën i pari?!” E Nirvana të qas me mitin, me atë mit që arsyetohet ndjeshëm dhe bukur. Nirvana është një koncept budist i një statusi ideal ku shpirti është i çliruar nga ciklet e vdekjes dhe rilindjes. Nirvana mund të jetë pas jetës, por përjetimi ëhstë në jetë. Nirvana është quajtur një ndriçim shpirtëror dhe lirim nga vuajtjet njerëzore, epshi dhe zemërimi. Dhe këtë e ka të qartë shkrimtarja Vranari, ndaj narativin ua dedikon edhe “atyre të dyve që ishin në makinë”, ku “u dukej vetja si pjesë e kësaj maratone.” Dhe narrativi në këtë pikë bën arsyetorin, pasi ata, pikërisht të dy që ishin në lidhjen mitike me Nirvanën, “ndjenin troshitjet e makinës” dhe për më ttutje, “pakënaqësia u pikasej në fytyra. Dukeshin si ati me të birin. Ai ishte ulur në vendin e udhëtarit. Një mesoburrë, ku koha kishte lënë vragat e egërsisë së saj mbi fytyrën e tij të lodhur e të vrarë prej mundimeve…”
E lodhja është vegimi. E pas vegimit është liria. Është pikërisht ajo që e mundon këtë udhë, atë njeri me brenga në vetvete. Ai që këshillon mes narrativit: “Mos harro more bir se, njeriu kërkon ta gëzojë me çdo kusht. Jeta i fal lirinë, por…ai përsëri nuk e di se ç’pasuri të madhe duhej të zotëronte, nëse do të gëzonte lirinë në kuptimin e vërtetë të fjalës. Gjithsesi, jo çdokush e çmon këtë të drejtë qytetare, e cila lejon të jesh “Njeri”në kuptimin e vërtetë të këtij koncepti. Në të kundërt, po ta ruante me fanatizëm lirinë si gjënë më të çmuar, njeriu nuk do ta lejonte kurrë dhe asnjëherë nuk do t’i hapte rrugë padrejtësisë.” Liria mbetet arsyeja më kuptimplote, arsyetorja e një njeriu të lirë, në kuptimin e pakuptueshëm si të tillë. Por, përpos kësaj është ajo liri dhe mungesa e saj që ka lënë shenjat e saj kudo, edhe në atë prag jete të re, ku fjalët e plakut, mosha e tij, ana poetike e prurë nga një mik, vetë dëgjesa dhe arsyetorja tek rinia na sjellin faktin se jeta ka ikur përtej ligjësisë së jetës, përtej normave dhe traditave, përtej një logjike. Liria nuk ishte tek braktisja e fëmijës në bunker, nuk ishte tek seksi i qëmtuar si i tillë. Jeta ka faktorët e saj, ka rregullat e saj. “-Gjurmët e shkatërrimit duken kudo dhe tek ne të rinjtë, jo te ju që jeni disi i… Shikoni përreth! Natyra i ngjan një trupi të plagosur. -Pse e le fjalën përgjysmë? Fshati që duket s’do kallauz.”
Duket se në këtë pikë narrativi merr formën e një lidhjeje tjetër, edhe pse në rastin e shkrimtarit që do citojmë fjala është e drejtëpërdrejtë me seksin, këtu Vranari ka treguar përkujdesjen femërore të na japë vetëm mesazhin. Në romanin e Xhejms Xhois (James Joyce) “Portreti i artistit si një i ri” (1916) miku i Stefan Dedalusit (Stephen Dedalus), provokohet seksualisht nga një grua fshatare. Ai e refuzon ofertën e saj, por hutohet nga të papriturat e ndodhura dhe mënyra e qasjes. Stefan është përshkruar si një nacionalist fanatik dhe fshatar në vetvete. Për të jeta fshatareske është e pashthurur, konkrete, e paimagjinueshme në këtë aspekt. Ai u trembet gjërave të ngritura të një fashatari irlandez dhe ikën larg atyre fjalëve që i quan të këqija. Por kur sheh një fashatare magjepsëse, që kthehet nga shkolla, ai luan mendsh për të.  
Ky është romani i parë i shkrimtarit irlandez Xhejms Xhois. Një roman në një stil modernist, ka në gjurmimin e tij zgjimin fetar dhe intelektual të të rinjve si Stephen Dedalus, një alter ego imagjinare e Joyce dhe një aluzion për Daedalus, artizan i përkryer e mitologjisë greke. Thelbi qëndron tek fakti se Stephen ngre krye kundër katolikëve dhe konventave irlandeze sipas të cilave ai është rritur, duke arritur kulmin në vetë-mërgimin e tij nga Irlanda në Evropë. Puna dhe teknika që përdor Joyce kanë zhvilluar më plotësisht tematikën në thelbin e Uliksit (1922) dhe Finnegans Ëake (1939).
Romanin autobiografik të projektuar në një stil realist e filloi në vitin 1903. Pas 25 kapitujve, Joyce e ka braktisur Stephenin si Hero dhe në vitin 1907 e  vendosur për të provokuar temat e cituara duke e bërë protagonist pesë kapituj të ngjeshur të romanit. Ai e ka trajtuara atë duke dhënë me realizëm të rreptë dhe duke e bërë përdorimin e gjerë të fjalës së lirë indirekte që lejon lexuesit të hyjnë e thellohen në ndërgjegjen në zhvillim të Stefanit. Poeti modernist amerikan Ezra Pound në 1914 dhe 1915, ka folur mjaft në hapësirën letrare të Nju Jorkut. Publikimi i një portreti dhe të grumbullimi i historisë së shkurtër i dha Joyce vendin në ballë të modernizmit letrar. Në vitin 1998, Biblioteka Moderne romanin e Xhois e klasifikoi në listën e saj të 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze të shekullit të 20-të.
Siç e thamë, lidhjet janë vetëm në kontekst, se arsyeja që sjell Vranari ka në thelb provokimin e kuptimit të lirisë, jetës në formën e saj më të mirë dhe jo në thelb argumentimin me format standarte të saj. Ajo nuk ka lidhje në kohë dhe hapësirë, as edhe vend me romanin e Xhois, por në tërë narrativin e saj është një prurje që kërkon vëmendje të njëjtë, ndoshta edhe më didakte. Pasi në këtë narrativ janë mjaft skuta nga errësira, fantazmat e natës dhe tërë lëvizja e padukshme e saj. “Mos vallë errësira e natës merret me gjuetinë e shtrigave?!”- pyeti veten. Gjithsesi vazhdonte të shijonte birrën dhe vështronte përreth me kureshtje.” Kjo ndodh në mjaft raste në roman. Në vazhdën e saj ajo qetëson disi arsyen, por alarmon faktorët që e pasojnë si të tillë: “Papritur dritat u fikën. Gjithë bregdetin e zonën përreth i pushtoi errësira e plotë. Deti, i errët si nata, të kallte tmerrin. Një rreze drite, që e kishte burimin diku në Gadishullin e Karaburunit , në Kepin e Gjuhzës a në Ishullin e Sazanit, ndriçoi gjirin e detit që ngjasonte si vetëtima në një natë të errët, pa hënë e pa yje. Kjo u përsërit tri herë. “Jo, jo nuk është rastësi, ky është sinjal. Mos bëhet fjalë për një ikje matanë detit? Ndoshta…” … Cili do të jetë fundi i tyre? “Fantazmat” vraponin si të marra. Sikur kërkonin të iknin nga sytë këmbët dhe të shkonin sa më larg së keqes. Cilido që do t’i kishte pikasur do të pyeste veten:“Ç’po ndodh vallë?!Ku po shkojnë? Drejt detit të pamatë? O Zot, ki mëshirë për ta!” Dhe në kontrast me këtë format autorja na jep në fragmentin e dytë: “ Ndërkohë ata kishin mbërritur në vendin e duhur. Përballë tyre vezullonte nga ndriçimi i dritave reklama, e cila dukej që nga larg:“Bar Angeli”.”
Është pikërisht ky “Bar Angeli” që na shpie më tej dhe na sjell lidhjen më të arsyeshme me Xhois, ku kuptimi qartësohet mjaft qartë në pasazhin që e sjellim të plotë: “Bar Angeli. Papritur një vajzë nga ato që kërcejnë nudo, u drejtua për tek tavolina e tyre.
    -Më duket se po na buzëqesh fati…
    -Kjo është besoj…- dyshoi shoku.
     -Gabon, nuk është kjo…-mërmëriti Arlindi si i lehtësuar. Nuk e njihte atë grua. Por thellë në shpirt, i ndikuar nga egua dhe mendësitë patriarkale të shqiptarit për sojin dhe gjakun e vet, s’donte ta pranonte…..     -Kujdes, se mos u pikasin, se na piu e zeza si ju edhe ne! -porositi vajza gjysmëlakuriqe, që si duket i mbante mend. -Ejani pas meje. Nuk di, por ajo grua më dhembset. Gjatë gjithë kohës vetëm qan,- pohoi ajo.
      -Nuk ka ardhur me dëshirë?!- pyeta.
      -Jo…Ç’është ajo fjalë?! Të reklamosh hiret trupore, nuk është kënaqësi për asnjë femër. Madje as për ato që e kanë në gjak këtë zanat të ndyrë.
      -Vërtetë?!
      -E përse u dashkërka ta adhurojmë veprime të pahijshme. Nuk është kënaqësi të joshësh ata që shfrejnë epshet shtazarake barbarisht mbi trupin tënd të pambrojtur?! Ju nuk e merrni dot me mend se sa të fyera e të përbuzura ndihemi.
      -Atëhere përse s’ikni, ti, ajo e sa të tjera që…?  Ndoshta keni frikë të përballeni me vështirësitë e jetës. Kërkoni ta fitoni atë sa më lehtë, me mënyrat më të ulëta dhe më të turpshme. Keni nxjerrë në ankand trup, shpirt, mendje, ndërgjegje, duke shvlerësuar me neveri të qenit femër e dëshiruar dhe e nderuar. E kam fjalën për femrën që adhurohet nga të gjithë. Edhe mashkulli më i rëndomtë, që zotëron gjithë veset e botës, shprehet: “Nuk ke ç’i thua…! Është femër e mirë e me të gjitha virtytet. Të vjen keq ta prekësh në sedër me ndonjë fjalë, ta fyesh, apo t’i hedhësh një shikim lakmues, se të duket sikur ia ndot pastërtinë e kristaltë dhe brishtësinë që e karakterizon. Lum kush e ka, veçse duhet t’ia dijë vlerën…!”- e këto fjalë dalin nga goja e një rrugaçi që ka bërë apo provuar të gjitha të këqijat e kësaj bote.
      -A thua se do të na lënë të lira vallë?
      -Po ta kërkosh lirinë vetjake, ndoshta me shumë vështirësi, por jam i bindur se e gjen….”
E tërë kjo pasohet ndryshe tek fragmenti i pestë i romanit, ku epshi mashkullor gjen një zgjidhje sa normative, aq edhe tepër të strukturuar për debat. Format e gjellës së kungullit pas së cilës meshkujt e zyrave dhe ato të rrugëve vrapojnë kanë arsyen e vet në narrativ. Ndërsa tek fragmenti i gjashtë është sërrish ajo buzëmbrëmje që pason dhe larmon ndjesinë tek Bar -Kazino “Angeli”. Tek fragmenti i shtatë njeriu merr një formë tjetër. Është pikërisht “Mikpritja dhe bujaria e Enkelit me Vjollcën, si dhe takimi me të birin, e kishin bërë me krahë atë femër të harruar nga njerëzit e një mishi, e një gjaku e një geni me të. Ishte e drejta e saj që të vetëquhej si njeri pa njeri, pasi asnjë nuk e kishte vënë ujin në zjarrë për të, askush nuk e kishte kërkuar në gjithë këto vite mungese. Ishte kohë e shkurtër, vetëm dy ditë që Kaltra kishte dalë nga llomia ku ishte zhytur dhe i dukej se në horizont shihte një dritë jeshile.” Dhe në fragmentin e tetë është Arlindi që ia kthen sytë Kaltrës për të cilën mendon se “E admironte shumë, por nguronte t’ia pohonte vetes se e kishte domosdoshmëri praninë e saj, jetën nën një çati me të. I dukej sikur nuk do të thithte oksigjenin e duhur, nëse nuk do ta gjente atë në shtëpi kur kthehej nga puna. Në të njëjtën kohë, në mendjen e secilit gëlonte mendimi për të nesërmen,por secili sipas mënyrës dhe i gëzuar! Shijo të sotmen që shkoi, se të nesërmen askush nuk e parashikoi!”, këndvështrimit të tij.” Fragmenti i nëntë vjen më filozofik dhe më i zhdërvjellët dhe na jep: “-Mos u gëzo, o duke kaluar tek i dhjeti që shpejton kohën shpejt dhe ndalon pikërisht aty ku shkrimtarja qetë dhe bukur që në hyrje na e jep: “Koha kaloi pa u vënë re. Në Parajsën me emrin Llogara ra mbrëmja.” I njëmbëdhjeti fragment që shënon dhe fundin  e romanit , ka tërë mushtin dhe thelbin e tërë narrativit.
Është ky fragment që lë pas errësirën, natën, buzmuzgun dhe sjell në sipar mëngjesin, pikërisht atë mëngjes ku “Kaltra flinte e qetë.” Dhe ky “Ishte mëngjesi i parë pas kaq vitesh…” Në këtë pikë romani i Vilhelme Vranarit, natyrisht kap atë që i duhet gjithë atij narrativi, gjithë asaj lëvizjeje të strukturuar bukur dhe thjesht, në një formë sa të kapshme dhe po aq të pastër e të pasur në gjuhë e në lexim. Mënjanimi i disa trajtave të vogla gjuhësore, disa përsëritjeve në detaj, ndoshta do ti jepte më shumë frymë këtij romani të denjë në çdo gjuhë, në çdo nivel lexuesish, pasi plagët që shëron Vranari, kanë qenë, janë dhe do të mbeten në forma dhe mënyra të ndryshme dhe janë e mbeten debat i kudogjendshëm. Me romanin e saj Vranari, vazhdon të provojë me punë dhe me talent se është femra shkrimtare më prodhimtare dhe më e ndjeshme e problematikave shqiptare në dekadat e fundit. Cilësia e saj e vlerësuar, narrativi i saj i lexueshëm dhe mjaft të tjera që vijnë nga çmimet e shumta e bëjnë Vranarin akoma më meritore. 

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Fatmir Terziu, Loja e Mekatit, stili i Xhoisit

Artikujt e fundit

  • Cikel poetik: Atdheu gjithmonë ka një strehëz…
  • ME RASTIN E 15-VJETORIT TË VIZITËS SË PRESIDENTIT GEORGE BUSH NË TIRANË – NË KUADËR TË 100-VJETORIT TË VENDOSJES SË MARRËDHËNIEVE AMERIKANO-SHQIPTARE*
  • Remarks by Ambassador Ferit Hoxha at the UN Security Council meeting on Ukraine
  • Martin Camaj nëpërmjet një letërkëmbimi
  • AT KARLO  SERREQI O.F.M.
  • Eight IRA Mistakes That Can Cost You a Fortune
  • Mbi veprën e Musine Kokalarit: “Dasmë… Sa u tunt jeta”
  • 6 MUAJ PA PATRIOTIN MEHMET MUJAJ
  • Dalip GRECA, -Ti shkrove për të gjithë…ike… dhe na le ne në borxh…
  • SHTETI PËRBALLË KRIZAVE; SHQIPËRIA NGA SHEMBJA E KOMUNIZMIT DERI TE LUFTA E KOSOVËS
  • NË VILËN E DIKTATORIT RUMUN DHE POEZIA IME PER POETIN UKRAINAS DMYTRO CHYSTIAK…
  • Celebrating 100-year anniversary of Albania – US diplomatic relations
  • “ROLI I MËRGATËS SHQIPTARE NË BOTË DHE NË MËNYRË TË VEÇANTË I MËRGATËS TONË KOMBËTARE NË SH.B.A”
  • SHQIPËRIA, LUFTA DHE KRIZA E ÇMIMEVE, SI DO NDRYSHOJNË EKUILIBRAT
  • NË BE ME STANDARDE TË PLOTËSUARA DHE JO ME RETORIKË SARKASTIKE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT