• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Testament poetik i Anton Çefës

December 20, 2018 by dgreca

DOLI NGA SHTYPI LIBRI MË I RI I ANTON ÇEFËS/

1 Anton Cefa Libri.jpg

Anton Çefa vjen me librin e tij më të  ri me titull “Fjala shqipe si zjarri i shejtë” nën siglën”Botimet FISHTA”. Ky është libri i 19-të i Çefës. Po sjellim për lexuesit parathënien e librit.

***

3-anton_cefa

Testament poetik i Anton Çefës/

Libri”Fjala shqipe si zjarr i shejtë” dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!/

dalip-ok

Nga Dalip GRECA/

Libri i ri shkrimtarit Anton Çefa “Fjala shqipe si zjarr i shejtë” përgjatë leximit të përcjell ndjesinë e një testamenti shpirtëror e poetik njëherazi, sa artistik aq edhe atdhetar. Të krijohet kjo ndjesi sapo troket në libër, në esenë-prozë poetike, ATDHEU YNË SHQIPERIA, apo tek mbush fort mushkëritë me ajër për të lexuar me një frymë dhe deri në fund vargjet e mrekullueshme tek “Filli i Fjalës” apo “Atdheu”,- të bashkuara me thënien brilante të Apostullit të Shqiptarizmit, Mithat bej Frashërit, që përcjell aksiomën e dashurisë për Atdheun: “Kriter për veprimet tona kemi dashurinë për Atdheun, dashurinë pa kufi, pa kushte, dashurinë si ajo e mëmës për fëminë e saj . . .  Kundrejt Atdheut kemi vetëm detyrë,  asnjë të drejtë, përveç të drejtës që ta adhurojmë.”…

Edhe Anton Çefa e adhuron Atdheun, herë me dashuri e herë me dhimbje që të këput shpirtin e ta drithëron zemrën. Tek proza poetike, autori ndërsa zbërthen kuptimin leksikor të emërtesave”Atdhe”-“Mëmëdhe”,duke i pagëzuar në gjuhën shqipe me emrat e prindërve, përcjell lidhjen e fortë dhe të pandashme me Atdheun, ashtu si fëmijët kanë me prindërit. Përmes një gjuhe të lëmuar, si mjeshtër i shqipes, Çefën e ndihmon dhe stili i tij i veçantë i të shkruarit, kur herë-herë përsëritet fjala bazë që përmbanë mesazhin, ndërkohë që fjalia ka një ritëm të brendshëm që të mrekullon: “Atdheu është toka jonë, trojet tona, trojet e dheut, trojet e shpirtit, trojet e gjakut, trojet e frymës, trojet e gëzimit, trojet e dhimbjes; të dhimbjes nga dashuria, të dhimbjes nga vuajtja, të dhimbjes nga dhimbja.”…Bukur! Komenti është i pavend.

Autori ndjehet krenar për historinë e Atdheut të vet dhe ka mall për të. Edhe pse të duket sikur një tis patetizmi është hedhur mbi Atdheun, ai është origjinal, është i besueshëm, është njerëzor: “Kur jemi afër, të shohim me sy, të prekim me dorë, të puthim me buzë; kur jemi larg, të shohim me mall, të prekim me afsh, të ndjejmë me dhimbje…” Është krejtësisht e vërtetë. Kush nuk i ka përjetuar këto ndjesi?!

Edhe në poezinë “Filli i Fjalës” poeti vrapon prej fëmijërie në dashuri të pafund për Atdheun: Përtej dashurisë, nana./ Përtej flijimit, Atdheu….

Ndërsa në poezinë “Atdheu” ka një bashkëbisedim poetik të tij me Atdheun të ngjajshëm me atë të një djaloshi të dashuruar me vashën e tij të zemrës: Nemitem para bukurisë…. Lule të trëndafilta elbaroze/ Bien mbi ballin tand, / Kundërmim gjethesh e bari të blerë. /Në folenë e buzëqeshjes tande, /Gugatë nji jetë n’shperthim./ Dhimbje që grafullon në shpirt./  Dhe para gjithkohësisë sate…/

Poezia ëshët e ndërtuar mbi dy linja, atë të dashurisë së pakufi ndaj atdheut dhe mesazhin e mos harresës. Poeti nuk shan, nuk bërtet, nuk inatoset me Shqipërinë e vet, por e porosit atë që të mos i harrojë; ulurimat, britmat, krimin, rënkimet e ajrit, shiun që pikonte gjak, derisa shpërthen:

Shqiperi, ti dhimbje e thekshme, /Shqiperi, ti dashuri e përjetshme,/ Shqiperi, ti mall i pamatun,/ A ndigjon, ti, zanin e erës / Si dikur, Ulurimat, britmat ? /Mos harro ! / Kurr mos harro/ Krimin që nuk njihte vllanë,/ Rrënkimet e ajrit, /Shiun që pikonte gjak prej qielli,/ Mos harro natën e gjatë /Me putrat e randa të errësinës ! Fal, Po mos harro!/

Anton Çefa në përshkrimin poetik të 100 viteve të Shqipërisë në “Kryqzimin e kohëve”, ndalet krenarisht tek 28 Nëntori i Pavarësisë(1912)-kur Atdheu u nis në rrugën e tij/ Të dritës,/ Të Flamurit,/ U dridh nga gëzimi dora e shejtë e Plakut/ Dhe i dha fluturimin valëvitës shqiponjës/ Dhe shtizës dridhjen….Por, ah, : Shtizë që nuk qëndron si duhet/ Në kryqëzim të ernave e kohëve./

Në pak vargje poeti thotë shumë, aq sa historianit do t’i duheshin vëllime.

Më pas ai ndalet tek viti ters-1913, kur: U çanë qielli e malet / Mbi teh të ndarjes, / U nis lumi e bjeshka,/ Kullat, kasollet e zemrat u nisën./ Loti i bigëzuem i Shqiponjës/ Kulloi dhimbje,/ Prizreni mbeti diku/ Dhe Vlona në emnat e fëmijëve.

Metaforikisht poeti i ka thënë të gjitha, sërish në pak rreshta. Ai vetëm denocon dhe vuan vendimin e Europës, që në nxori në treg 2/3 e territoreve shqiptare, ndau Prizrenin me Vlorën…dhe Vlora, Berati, Saranda, Shkumbini, mbetën në emrat e vajzave dhe djemëve kosvarë!

Por tragjeditë s’kishin të sosur për shqiptarët. Vjen 1944-ra, kur : Në skenë të kohës/ Shkëlqen kamë e Makbetit/ Dhe ne / Autorë dhe aktorë të nji tragjedije/ Të turpshme…

Shiheni, autori përdor shumësin: “Ne”…në fakt ishin “Ata”! Paçka pse autori qe dënuar dhe vetë me heshtje…

Në pak vargje, poeti përcjell 45 vite dhimbje, gremisje në greminën e kohës absurde(1945-1990), kur shqiptarët të vetëizoluar përjetuan të tjera tragjedi: Natë me shti gishtat ndër sy, /Por duhet me i thanë mëngjes, /Mëngjes me diell, bile. /Oh sa t’i  merrka dielli sytë…/ Ecim përpara , me hapin lart, marshojmë,/ Me kangë në gojë, në buzë!/ S’e dijmë ku shkojmë, /Por të gjitha rrugët të çojnë atje . . . . . / n’greminë…/

Poeti së bashku me të gjithë popullin e vet përjeton andrrën e zgjimit më 1991, kur: Shpirtnat/ Të humbun prej kohësh / Zgjohen në kërkim t’vetvetes…Por, medet, se një natë e erërt, e kobshme, po vinte…Viti i mbrapshtë- ’97-ta, kur: Me duer mizore/ Nekrologjinë i ban/ Flamurit Vlona./ Shpirti i Shqiponjës dihat/ Në buzë të honit….

Po sot, ku është Shqipëria? Poeti nuk flet, veç sjell dy citate. Lexuesi e nxjerr vetë përfundimin:

Shqiperia sot

“Pa demokratë nuk ka demokraci”- Fukuyama

“Ma të zi se komunistat janë vetëm komunistat antikomunista” – Vaclav Havel

Edhe pse libri”Fjala shqipe si zjarri i shejtë” ka një ndërthurje të gjinive të krijimit, poezi dhe prozë,ai ka të përbashkët stilin poetik dhe mesazhin qytetar dhe artistik që përcjell.

Do të veçoja për realizim artistik: NË KËRKIM TË FJALËS SË URTË; NËN KUPOLA SHPELLASH (Atë Pjeter Bogdanit); “MË KA ZËNË SHQIPJA” (FAN NOLIT); KU TA VE EPITAFIN ? (P. Gjergj Fishtës); ZBARDHUN NGA BRENGË E FJALËS (Prof. Eqrem Çabejt), JU S’KENI  EMNA( MARTIRËVE TË DIKTATURËS), IKE MBAS DYERSH MERMERI (FREDERIK RRESHPES); etj…

Ndërsa për poezitë erotike do të thoja se ato janë perla të rralla, që do t’i krahasoja me ata stolat e rrallë të vendosur në një park për t’u shlodhur vizitorët. Kështu dhe në këtë libër, lexuesi pasi përjeton dhimbshëm shqetësimet, dhimbjet dhe dashuritë e poetit, e gjenë qetësinë tek poezitë erotike….Janë të mrekullueshme, pak lasgushiane, por të Antonit.

Libri dëshmon pjekurinë artistike të shkrimtarit Anton Çefa dhe konsolidim të stilit të tij krijues!

* Parathënia e librit

Filed Under: LETERSI Tagged With: dalip greca, i Anton Çefës, Testamenti poetik

Kreolizmi poetik i Anton Çefës

December 13, 2016 by dgreca

Nga Dr Fatmir Terziu/1-anton-cefa-2-193x300

“Etja për një delir të blertë”/

 

 

 Kur në qiell të andrrës sime prek/

Me duer të brishta,/

Zgjohen vegime të ylberta mallesh./

Engjuj me brerore drite zbresin/

Mbi meloditë e dhimbjes/

Qi s’ ka të sosun./

E duer akordesh të çuditshme/

Ndalojnë flutrim’n e kohës./

Etja më merr për nji delir të blertë./

(Anton Çefa)/1-anton-cefa2-220x300

 Perceptimi gjeometrik i hapësirës së prodhuar si produkt i ndjesisë dhe recencës mendore, jo pak herë ka qenë dhe mbetet një postulat i ndjeshëm poetik, që të shpie vetvetiu tek kreolizmi poetik, mes një perceptimi ndjesor dhe vektorial. Në këtë perceptim gjeometrik frymëzimi i autorit Anton Çefa, shihet si një sferë më vete. Them kështu pasi mjaft krijime të tij ngjajnë me traditën e krijimtarisë poetike bashkëkohore, por që në thelb kanë gjuhën popullore dhe të folurën e thjeshtë, si një rajonalizim tipologjik, me një filozofi të ndërlidhur, dhe një lloj “criollismo” jashtë produktit letrar të gjuhës së etiketuar. Ky interes mes rajonalizimit, të etiketuar criollismo (kreolizm) ose nativizëm ka ardhur si një ide në vitin 1901 nga Francisco Lazo Martí (1869-1909) kur publikoi veprën e tij “Silva Creole” (Kreole Silva), që në fakt ishte një poemë me një ndjesi rajonale të inauguruar më parë nga Bello. Këtë interes në rajonalizëm, të shtjelluar sikurse e cituam më lartë shkoi më tej duke frymëzuar temën dhe motivin e përshkrimit të jetës dhe vendlindjes së autorit në fjalë. Këtë duket se pandjeshëm, por ngjashëm e ka bërë edhe poeti Anton Çefa.

Poezi si grupi i poezive nën titullin “Tubëz lirike” natyrshëm flasin për një gërshetim të tillë dhe një frymëzim që autori gjen në këtë perceptim rajonal dhe vendhapësinor, detajues e frymëzues nga ndjesia dhe përditësia. Hapësira, pikëlidhja, trysnia përditësore, argumenti dhe koha janë elementë që vijnë si një bosht tematik në këtë perceptim gjeometrik, tek i cili kreolizmi poetik merr larminë e formë-detajeve. Në larminë fakt-detaj, ku perceptimi gjeometrik na ndihmon të kuptojmë se “etja për nji delir të blertë” vjen si një model në këtë perceptim, natyrshëm kalon në disa hapësira poetike të shkelura e të pashkelura më parë, ku simbolizmi është një gëlltitje e lehtë. Në pamje të parë, dhe pikërisht nga gjuha këto poezi ngjajnë me një ‘juctapozicion’ (mpleksje-lidhje nyjore) thurës dhe tematik të mbrusur nga krijimtaria e hershme shqiptare, sidomos tipikja e zonës ku autori ka jetuar dhe punuar për një kohë të gjatë. Por në pamjen kryesore dhe në atë që vjen si shkak dytësor më pas, figuracioni është “kryengritës” dhe shënon diferencën ose tiparin veçues. Autori ka një lajtmotiv frymëzues të lidhur në mjedisin e aspekteve jetike, nëse na lejohet të shprehemi për figuracionin që ai e shkëput për të baraspeshuar ‘vegime të ylberta mallesh’ duke sfiduar ‘me duer të brishta’ pikërisht atë veprim që ne e shijojmë teksa ‘engjuj me brerore drite zbresin’.

Në këtë perceptim unë e lexoj ngjashëm autorin. Poezinë e tij e shoh si një akt mitik dhe si një alteracion kohësh, vendesh dhe aspektesh të ndërlidhura me njëra-tjetrën. Këtu kjo ndërlidhje gërshetohet edhe me sintaksën poetike që siglohet nën peshë fjalish poetike të sistemuara bukur. Poetika e Çefajt natyrshëm në këtë ndërlidhje funksionon si një etje, tamam siç edhe vetë autori poetikisht e shpreh: “Etja më merr për nji delir të blertë”.

Duke parë ndërlidhjen funksionuese në detaj, bie në sy edhe koloriti poetik, si një qasje adekuate e kreolizmit hapësinor. Ky kolorit shpeshherë merr pamjen e tij reale dhe shpesh ngjyrohet me nocione të përafërta duke ngarkuar emocionalisht peisazhet. Përshembull ‘delir i blertë’ është një përdorim i tillë. Në anën tjetër koloriti poetik i autorit fsheh disi ngjyrimin real për të stigmuar me figuracion, si ‘mendimi n’ballë’, ‘fjala n’buzë’, ‘dritë që troket’ etj, ku ngjyra reale nuk është vënë në pah, por ngjyrimi figurativ kryen rolin kryesor.

Kjo analizë që është botuar pjesërisht në librin e Anton Çefës “Bardhësi me Zdritje Bore” si fillim ka zbuluar njërën anë tek e cila vetë “inventari” i poezisë duket se është mjaft tejzgjatës, është i tillë sa në kushtet krahasimtare kërkon të shestojë disa limitacione të përndjeshme ku vetë peisazhi kërkon kufijtë e tij të dukshëm e të padukshëm si tek “Kangë për tokën time” ku “rrugët janë të hapuna/por kthim asht i vështirë/toka ime e dhimbshme/e dhimbshme dhe e bukur” (2016). Në përgjithësi, përqasjes së mjaft poezive të autorit, i perceptohet eksperienca e një natyre tragjike që i jep vetë poezisë një autenticitet të lartë. Si e tillë, ajo është jo thjesht imazhere dhe mesazhere, por tipike dhe tipologjike e urtisë, dijes dhe njohurisë së këtij autori të ndjeshëm.

Anton Çefa, flatrime poetike në kohë 

Anton Çefa – u lind në Shkodër në v. 1934, në një familje antikomuniste me tradita atdhetare e kulturore. Í ati, Shtjefen Çefa, ka qenë një ndër themeluesit kryesorë të Shoqërisë “Bogdani” (1919-1944), një shoqëri e shquar kulturore laike atdhetare demokratike.  Kreu shkollën fillore e të mesme dhe Institutin Pedagogjik 2-vjeçar në Shkodër, dy vitet e fundit të arsimit të lartë në Universitetin e Tiranës, në Fakultetin e Gjuhës, Letërsisë e Historisë së Shqipërisë – Dega e Korrespondencës. Ka shërbyer si mësues në shkollat 8-vjeçare dhe të mesme. Mbas rënies së diktaturës, ka qenë një ndër themeluesit e gazetës demokratike “Shkodra”, e para gazetë lokale demokratike në Shqipëri, dhe anëtar i këshillit botues të saj. Gjithashtu ka qenë anëtar i këshillit botues të revistave “Rrezja e jonë” dhe “Kumbona e së Dielles”, që filluan të botohen në Shkodër në atë kohë. Për një periudhë të shkurtër, ka punuar si drejtor i Radio Shkodrës. Në vitin 1993, ka emigruar familjarisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në vitet 1994-2007 ka qenë editor i gazetës “Dielli”, organ i Federatës Panshqiptare Vatra.

Botimet:

Ka botuar përmbledhjet poetike: “Dritarja e një britme” (1999), “Heshtja ka tingull guri” (2002), “Fjalë në vargoj të muzgët” (2003), “Flatrime me krahë të premë”  – antologji poetike me poezi nga përmbledhjet e mësipërme dhe me disa poezi të pabotuara – (2008).

Po në këtë vit, u botua në Bukuresht një antologji poetike me poezi të autorit, e përkthyer në rumanisht dhe e pajisur me shënime kritike nga Kopi Kyçyku dhe me një parathënie të Ardian-Christian Kyçykut, me titullin “Fereastra unui strigat” (“Dritarja e një britme”). Në vitin 2016 botoi përmbledhjen poetike “Bardhësi me zdritje bore” .  

Ka botuar librat me karakter shkencor: “Në hullitë e fjalës artistike” – Kritikë letrare: syzime-analiza-intervista – (2009); “Noli e Konica – ese” (2010); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë” – pjesa e parë – (2012); “Sprovë e psikologjisë etnike të popullit tonë – pjesa e dytë – (2015); “Libri i portreteve” (2015); “Krijimtari  e nivelit të lartë shkencor  e artistik  – Mbi disa vepra shkencore dhe letrare të Anton Nikë Berishës” (2015); “Gjurmëve të vlerave të fjalës artistike – Kritikë letrare” (2015); “Tradita e didaktikës popullore” (2016); “Faik Konica: Për shpiritën e Vatrës jam responsible unë” (2016).

Ka gati për botim:

“Fjalët e huaja në gjuhën tonë” – (Përkthime poetike nga italishtja dhe anglishtja).

Në proces:  

“Atdheu im – Shqiperia” – (me proza tregimtare, poetike, historike, dhe poezi).

“Analiza letrare” – Kritikë letrare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Dr. Fatmir Terziu, i Anton Çefës, Kreolizmi poetik

Artikujt e fundit

  • Kosova pret “Defender Europe 23”
  • E KEQJA VJEN CDO DITE NGA PAK…
  • KALLUSHI, RUGOVA DHE XHEMA…
  • Rikthimi i grekoproblemit në Himarë për shkak të korrupsionit shqiptar
  • LEONARD NEWMARK OBITUARY
  • U mbajt Akademi përkujtimore dhe promovimi i librit FRROK GOJANI PEDAGOG DHE MISIONAR I DENJË I SHKOLLËS SHQIPE
  • V I K T O R G J I K A…
  • Figurat
  • SHKOLLA DHE SPITALE APO ARSIM DHE KUJDES SHËNDETËSOR?
  • Miqtë apo vartësit e Fatos Baxhakut?
  • PER KRISTAQ DHAMON…
  • TË ARRITURAT E AMBASADORËVE TË KULTURËS, GJUHËS DHE TRADITËS SHQIPTARE NË SKANDINAVI NUK KANË TË NDALURA
  • Në Prishtinë hapet Seminari i 40-të Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare
  • Një atentat për shqiptarët dhe një dhuratë për Serbinë !
  • Kryeministri Kurti e Presidentja Osmani pritën në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT