14 korrik 2022 – “Qielli nuk ka kufij, dhe ju inkurajoj të gjithëve që të ëndërroni gjëra të mëdha dhe që pasioni t’ju udhëheq në rrugën jetësore,” theksoi Përfaqësuesja Speciale e Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) dhe Shefja e UNMIK-ut, Znj. Caroline Ziadeh në fjalën e saj gjatë hapjes solemne historike të Observatorit të Prishtinës.
Më 13 korrik, një ditë pas qarkullimit nëpër botë të imazheve të bëra nga Teleskopi James Webb, Observatori i Prishtinës rihapi dyert për publikun pas më shumë se 35 vitesh. Ky revitalizim është rezultat i përpjekjeve të Klubit të Astronomëve të Kosovës (ACK), me përkrahje nga UNMIK-u dhe Komuna e Prishtinës.
PSSP Ziadeh theksoi se UNMIK-u ka nderin të përkrahë këtë projekt ambicioz. “Arti, shkenca dhe astronomia janë gjuhë universale, që lidhin njerëzit e të gjitha moshave, përkatësive dhe etniteteve dhe i bashkojnë ata në humanitetin e tyre. Shpresojmë se Observatori i Prishtinës do të shërbejë si qendër për rininë multietnike gjatë dekadave vijuese,” nënvizoi ajo.
Funksional për vetëm 10 vite pas hapjes më 1977, rihapja e Observatorit synon shtyrjen përpara të misionit të tij si një qendër e rëndësishme shkencore dhe arsimore dhe të shërbejë si vend për bashkëpunim në mes të komuniteteve të ndryshme.
Për më tepër, Kupola e Observimit posedon një mozaik të sistemit diellor, i punuar nga artistë prej të gjitha komuniteteve të Kosovës, prej pllakave të recikluara.
Kryetari i Prishtinës, Z. Përparim Rama tha në fjalën e tij, “Deri tash, anëtarët e ACK-së udhëtonin nëpër qytetet e Kosovës me teleskopët e tyre për të vizituar shkollat dhe për t’iu afruar pasionin e tyre komuniteteve,” tha ai. “Por, prej tash e tutje, Observatori do të shërbejë si adresë e vetme që ju mundëson të gjithëve të vijnë dhe të mësojnë nga ta.”
Në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara të Rinisë në Kosovë më 2019, ACK-ja fitoi një grant, duke organizuar Kampin e Astronomisë, i pari i llojit të tillë me komunitete të ndryshme, të quajtur “Nën Një Qiell”. Që nga viti i kaluar, si partner zyrtat implementues i UNMIK-ut, ACK-ja zhvilloi një varg aktivitetesh vetëdijësuese të astronomisë me rini, duke i njoftuar mbi 1,200 të rinj nga komunitete të ndryshme me mrekullitë e universit.
Duke rikujtuar fjalët e astronautit Neil Armstrong, Suhel Ahmeti, Drejtor i ACK-së, tha se përderisa hapja e Observatorit mund të duket hap i vogël për të pranishmit, është një hap i madh për Kosovën. “Një studim konkludoi se nëse fëmijët fillojnë të mësojnë për astronominë që nga mosha e hershme, ajo do të ketë ndikim pozitiv në jetën e tyre. Me teleskopin tonë diellor, atë të natës dhe materialet mësimore, shpresojmë që fëmijët dhe të rinjtë nga komunitetet e ndryshme do të vijnë këtu dhe të mësojnë!” theksoi ai.
Astronomët nga rajoni si dhe nga pjesët tjera të botës shprehën urimet e tyre për hapjen.