Pak mbi origjinën
Nga Astrit Lulushi/
Gjuha shqipe vërtetohet në formë të shkruar në shekullin e 15-të, kur etnija shqiptare tashmë ishte formuar. Në mungesë të të dhënave paraprake të gjuhës, studiuesit kanë përdorur huazimet latine dhe sllave në gjuhën shqipe për identifikimin e vendndodhjes së origjinës së shqiptarëve.
Por vendi ku u formua gjuha shqipe nuk dihet me siguri; disa thonë se ishte në një rajon malor, pasi fjalët shqipe për bimët dhe kafshët karakteristike të rajoneve malore janë tërësisht origjinale. Por emrat për peshq dhe për aktivitetet bujqësore në përgjithësi janë të huazuar nga gjuhë të tjera. Megjithatë, duke pasur parasysh praninë e disa termave të vjetra të ruajtura në lidhje me faunën, disa kanë supozuar që ky fjalor mund të ketë humbur gjatë kohës që fiset proto-shqiptare u futën përsëri në brendësi gjatë pushtimeve.
Fjalët sllave në gjuhën shqipe sugjerojnë se kontakte midis dy popullsive ndodhën kur shqiptarët banonin në pyje 600-900 metra mbi nivelin e detit. Prej kohësh është pranuar se ka dy trajtime të huazimeve latine në gjuhën shqipe, të tipit të Dalmacisë së vjetër dhe të tipit rumun, dhe kjo do të tregonte dy shtresa gjeografike, Adriatikun bregdetar dhe rajonin e brendshëm të Ballkanit. Disa studiues besojnë se ndikimi i latinishtes mbi shqipen është me origjinë romake lindore, sesa me origjinë dalmate; kjo do të përjashtonte Dalmacinë si një vend origjine. Duke shtuar në këtë disa qindra fjalë në gjuhën rumune studiuesit supozojnë se rumunët dhe shqiptarët jetonin në afërsi diku rreth Luginës së Moravës në Serbinë lindore.
Një argument në favor të një origjine veriore për gjuhën shqipe është numri relativisht i vogël i fjalëve me origjinë greke, kryesisht nga dialekti dorik edhe pse Iliria e jugut ishte fqinje me qytetërimin klasik grek dhe kishte një numër kolonish greke përgjatë Bregdetit Ilir. Sidoqoftë, duke pasur parasysh sasinë e isoglosseve shqiptaro-greke, është arritur në përfundimin se ato mund të jenë rezultat i shkëmbimeve dhe kontakteve mes dy proto-dialekteve.
Ata dijetarë që mbështesin origjinën ilire të shqiptarëve pohojnë se fiset indigjene ilire që banonin në Ilirinë e Jugut u ngjitën në male kur sllavët pushtuan ultësirat, ndërsa një version tjetër pohon se shqiptarët janë pasardhësit e fiseve ilire mes Dalmacisë dhe Danubit,
Dijetarët që mbështesin origjinën dake të shqiptarëve pohojnë se mes shekujve III dhe VI të erës sonë, shqiptarët u zhvendosën drejt jugut nga Mesia, ndërsa ata që mbështesin një origjinë trake besojnë se proto-shqiptarët duhet të kenë qenë në zonën midis Nishit, Shkupit, Sofjes dhe Shqipërisë ose në malet Rodope dhe Ballkan, nga ku u zhvendosën para ardhjes së sllavëve.