

† THEOFANI
Nga Mëshira e Perëndisë
dhe i Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave
Klerikëve të nderuar dhe besimtarëve të dashur të krishterë ortodoksë, bij dhe bija anëtarë, mbështetës, dashamirës dhe miq të Peshkopatës Ortodokse Shqiptare të Amerikave.
Hir, Mëshirë, Paqe dhe Gëzim nga Zoti ynë Jesu Krisht dhe nga ne, bekime atërore!
Shumë të dashur në Zotin tonë të ngjallur Jesu Krisht,
“Ato, pra, u larguan me të shpejtë nga varri me frikë dhe gëzim të madh
dhe vrapuan t’u tregojnë dishepujve të tij.” (Mateu 28:8)
Pas një periudhe të gjatë përgatitjeje shpirtërore nëpërmjet kreshmimit, lutjes, rrëfimit të mëkateve dhe kungimit me Misteret e Shenjta, ne kremtojmë me gëzim të papërshkrueshëm, në këto ditë të bekuara nga Perëndia, festën e Ngjalljes nga të vdekurit të Zotit tonë Jesu Krisht ose Pashkës, apo siç quhet edhe në popull, “festa e festave” dhe “kremtimi i kremtimeve”.
Si gjithmonë, këto ditë të kremtimit të mrekullueshëm të Krishterë na mbushin shpirtrat me dritë e paqe, me shpresë e dashuri, me gëzim e mirënjohje ndaj Atit qiellor, “i Cili aq e deshi botën, sa dha Birin e Tij të vetëmlindurin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Joani 3:16). Prandaj, nëpërmjet mundimit, vdekjes dhe Ngjalljes së Tij nga të vdekurit, Biri i Perëndisë na dha dhuratën më të madhe të mundshme që është jeta e përjetshme. Ngjallja e Tij “në ditën e tretë sipas Shkrimeve” (Simboli i Besës), tregon, një herë e përgjithmonë, se jeta është më e fortë se vdekja dhe se Krishti, Zoti është “ngjallja dhe jeta; dhe kushdo që beson në Të, edhe sikur të vdesë, do të jetojë” (Joani 11:25-26). Është me vend, pra, që edhe ne të gëzohemi në këtë festë, “me gëzim të madh”, në mënyrë që të gjithë ata që besojnë në Të të kenë sigurinë e ngjalljes dhe të pavdekësisë.
Të dashurit e mi të krishterë ortodoksë,
Nëse kremtimi më i madh i Krishtërimit është shenjë e një gëzimi të veçantë, ne dëshirojmë t’ju flasim me fjalët që po ju drejtojmë tani, pikërisht për gëzimin si “frut i Shpirtit të Shenjtë” (Galatianëve 5:22). Kjo dëshirë e jona si ati juaj shpirtëror shpjegohet me faktin se gëzimi që përjetojmë së bashku, duke qenë qiellor dhe shpirtëror, derdhet mbi ne si rrezet e dobishme të diellit, në mënyrë që të gjithë të ndiejmë se vjen nga Perëndia, nëpërmjet Jesu Krishtit që u ngjall prej së vdekurish dhe nëpërmjet Shpirtit së Shenjtë, Zotit dhe jetëdhënësit. Ky është gëzimi i përjetuar nga të dashurat dhe sakrifikueset gra miro-prurëse, të cilat shkuan në Golgota për të vajosur me miro trupin e Zotit, dashuria dhe përkushtimi i të cilave u shpërblyen me shfaqjen e parë pas Ngjalljes dhe fjalët e thëna nga Zoti: “Gëzohuni!” Ky është edhe gëzimi i dishepujve të cilët “u gëzuan kur panë Zotin” që hyri nga dyert e mbyllura duke u thënë atyre: “Paqe më ju!” (Joani 20:20-21). Atëherë Nëna e Perëndisë ndau në këtë gëzim, siç vijon nga “Irmosi” i bukur i Portave: “Engjëlli i thirri hirplotes, Gëzohu, o Virgjëreshë e pastër, dhe përsëri po të them gëzohu, se Biri yt u Ngjall nga varri ditën e tretë dhe i ngriti të vdekurit. Ngazëllehuni, të gjithë ju o njerëz! … Vallëzo dhe gëzo, o Sion, dhe ti, o Hyjlindëse e Pastër, gëzohu në Ngjalljen e Birit tënd”. (Irmosi i Pashkës)
Ngjallja e Shpëtimtarit tonë Jesu Krisht nga të vdekurit është themeli i Besimit tonë Ortodoks. Apostull Pavli e shpreh këtë të vërtetë me fjalët e tij të pavdekshme: “Dhe nëse Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë dhe i kotë është edhe besimi juaj… Por tani Krishti u Ngjall prej së vdekurish dhe u bë fryti i parë i atyre që kanë fjetur… Sepse, sikurse në Adamin të gjithë vdesin, ashtu edhe në Krishtin do të bëhen të gjithë të gjallë” (1 Korintianëve 12:1).
Apostull Pavli na forcon besimin me këto fjalë të frymëzuara dhe na e shton gëzimin tonë në të jetuarin dhe formimin e fatit tonë nëpërmjet luftës së palëkundur kundër së keqes. Gëzimi ynë është edhe më i plotë, pasi nuk ka asgjë që të na pengojë në dëshminë që duhet të tregojmë për Ngjalljen e Zotit.
Ky gëzim është i përfshirë në të gjitha shërbesat kishtare të këtyre ditëve të bekuara, në të gjitha lutjet dhe himnet që zbukurojnë dhe pasurojnë thesarin tonë liturgjik. Për shembull, fjala prekëse dhe mbresëlënëse e Shën Gjon Gojartit, me një bukuri shpirtërore të pashoqe, na drejton të njëjtën nxitje për të patur gëzim të brendshëm, sepse “kjo është dita që bëri Zoti; le të gëzohemi dhe të ngazëllehemi në të” (Psalmi 117:24). “Prandaj”, shkroi Ati i Shenjtë, “hyni të gjithë në gëzimin e Zotit tonë; të parët dhe të dytët, merrni shpërblimin tuaj. Gëzohuni, të pasur e të varfër bashkë… Ata që kreshmuan dhe ata që nuk kreshmuan, gëzohuni sot… Krishti u Ngjall dhe engjëjt gëzojnë…” (Omilia Paskale e Shën Joan Hrisostomit [Gojartit] në Mëngjesoren e Pashkës).
Shërbesa e mrekullueshme në natën e shenjtë të Ngjalljes thërret gjithë universin, gjithë krijesën, në gëzimin e të jetuarit në “frymën dhe të vërtetën” (Joani 4:24) të festës: “Le të gëzohen qiejt dhe toka të ngazëllohet…”, duke i nxitur besimtarët të marrin nga “fruti i ri i hardhisë së gëzimit hyjnor” (Kanoni i Pashkës) dhe, së bashku me gratë miro-prurëse, të marin “lajmin e mirë të gëzueshëm të Ngjalljes së Krishtit…” (Stikera e Pashkës)
Ngjallja e Zotit tonë Jesu Krisht thyen barrierat midis njerëzve dhe krijon një gjendje bashkësie shpirtërore të pavdekshme, nëpërmjet pajtimit dhe faljes: “Në Pashkë, le të përqafojmë me gëzim njëri-tjetrin… Sepse sot, nga varri, si nga dhoma dhëndërore, Krishti që shkëlqen, i mbushi gratë me gëzim, duke u thënë: lajmërojeni tek Apostujt! (Stikera e Pashkës, Tingulli 5).
Këshilla e Shën Joan Gojartit, Patriarkut të Konstandinopojës: “Kushdo që është bessimtar dhe e do Zotin, le të gëzohet në këtë festë të bukur dhe të ndritur, dhe kushdo që është një shërbëtor i urtë le të hyjë në gëzimin e Zotit të tij”, ka rezistuar ndër shekuj. Të gjithë brezat e hierarkëve, priftërinjve, murgjve dhe besimtarëve e kanë lënë veten të mbështjellë nga ky gëzim i papërshkrueshëm që buron nga Ngjallja, të gjitha kishat, manastiret, skitet dhe shtëpitë janë ndriçuar nga fryma e kremtimit të Pashkëve, kryesisht një festë e Kishës kjo, e cila nuk është e reduktuar thjesht në një përvojë fetare, por në të vërtetë është një mister liturigjik, një përfaqësim, një aktualizim i një momenti real, i përmbushur për ne nga Perëndia njëherë e përgjithmonë. Për të shënuar veçanërisht rëndësinë, bukurinë dhe gëzimin e kësaj feste, Perandori Konstandini i Madh mori pjesë në shërbesat e shenjta dhe “e zgjati më shumë meditimin e tij… duke tejkaluar të gjithë pjesëmarrësit në festë; ai zgjati vigjiljen e natës së shenjtë deri në agim të ditës; disa njerëz të dërguar prej tij ndezën të gjithë qytetin e Konstandinopojës me qirinj të gjatë dylli, të cilëve u shtoheshin pishtarë të ndezur në çdo hap, gjë që e bëri natën misterioze të vigjiljes përfundimisht më të ndritshme se mesdita.” (Eusebi i Qesaresë, “Jeta e Konstandinit të Madh”)
Të dashur vëllezër dhe motra në Krishtin Zot,
Ne i ndajmë këto fjalë edukuese Kryebaritore me ju, sepse për tridhjetë vite të shërbimit tonë ne kemi kremtuar Pashkën e Shenjtë së bashku, me gëzim dhe traditë të Krishterë, duke falenderuar Perëndinë për të gjitha bekimet që Ai derdh me bollëk mbi ne. Fatkeqësisht, të gjithë vërejmë se kohët e fundit, mes krizës morale dhe financiare, gëzimet tona natyrore, njerëzore, të përditshme janë pakësuar. Gjithnjë e më shumë besimtarët pushtohen nga shqetësimet e jetës, nga mungesa, nevoja dhe varfëria. Shumë prindërve u mungojnë fëmijët e tyre të cilët kanë shkuar jashtë vendit si emigrantë, dhe fëmijët e mbetur në vend, vetëm me gjyshërit e tyre apo të afërmit e tjerë, ndjejnë mungesën e edukimit dhe dashurisë prindërore.
Nga ana tjetër, të rinjtë nuk po i jetojnë më vitet e rinisë së tyre, sepse shoqëria postmoderne në të cilën jetojmë u imponon atyre një aktivitet fitimprurës që ua mbyt kohën e përditshme në atë masë sa praktikisht asgjë s’ka më kuptim; është marrja e një fitimi që askush nuk e gëzon, një fitim nga i cili askush nuk ka çfarë të fitojë. Në një shoqëri konsumuese dhe gjithnjë e më laike, ju keni gjithçka që ju nevojitet, por jeni aq të rraskapitur sa nuk keni më nevojë për asgjë nga gjithçka që keni. Një shoqëri e tillë nuk u ofron më të rinjve “gëzime dhe kënaqësi”, nuk u jep më mundësi të krijojnë familje, të rrisin fëmijë, ku shqetësimi kryesor i tyre është të gdhendin një karrierë të sigurt, të vlerësuar dhe të paguar mirë.
Duke pasur parasysh këtë gjendje, ne ju nxisim të gjithëve, me dashuri prindërore, që të “gëzoheni në Zotin” (Filipianëve 4:4) dhe të ktheheni në gjendjen e gëzimit të pastër e të sinqertë të Krishterë, veçanti e festës së madhe të Ngjalljes së Zotit, të cilën mund t’ua dhuroni të dashurve dhe miqve tuaj, por gjithashtu edhe shoqërisë në të cilën jetojmë, që “zemrat tona të mbushen me gëzim dhe hare”, fjalë me të cilat përfundojmë Liturgjinë Hyjnore që meshojmë çdo të diel.
Me këto mendime dhe ndjenja i lutemi Krishtit Zot, Atij që u Ngjall nga të vdekurit ditën e tretë, që t’ju bëjë të denjë për këto festime të Pashkëve të “gëzimit që pati Shën Helena kur zbuloi Kryqin e nderuar” dhe ju mirëpresim të gjithëve me fjalët e bukura: “Mirë se erdhe, gëzimi im!… KRISHTI U NGJALL!” siç u drejtohej Shën Serafimi i Sarovit atyre që takonte.
Hiri i Zotit tonë Jesu Krisht dhe dashuria e Perëndisë Atit dhe pjesëmarrja e Shpirtit të Shenjtë qofshin me ne të gjithë. Amin!
Duke ju uruar të gjithëve, Pashkën e Shenjtë të bekuar me paqe, shëndet dhe në të gjitha rritje shpirtërore, ju përshëndesim ashtu si Apostujt e Shenjtë, drejtuar Grave të shenjta Miro-prurëse, me urimin e Krishterë: KRISHTI U NGJALL!
I juaji me lutje në Zotin dhe Perëndinë e Ngjallur Jesu Krisht, Shpëtimtarin tonë,
† THEOFANI
i Filomilisë dhe Dioqezës Ortodokse Shqiptare të Amerikave